Showing posts with label Dossier. Show all posts
Showing posts with label Dossier. Show all posts

Wednesday, January 11, 2017

Në Shqipërinë e Jugut nuk ka grekë, përveçse "grekofonë…" - “Gazeta Korça” 14 shkurt 1926.

“Çamëve u njihen gjithë të drejtat si minoritet shqiptar në Greqi… Në Shqipërinë e Jugut nuk ka grekë, përveçse grekofonë… Ortodoksët shqiptarë, nga raca, gjuha, kombësia, janë shqiptarë, zot shtëpie Jam kundër asaj theorie të gabuar të disave këtu, që çdo ortodoks shqiptar e quajnë grek… Do të shpërndajmë të gjitha klubet vorio-epirote dhe organizata të tjera të tilla… Do të përpiqemi të forcojmë marrëdhëniet ekonomike, komunikatat detare, tokësore, doganore që të lehtësojmë tregtinë.. Duhet të japim prova të gjalla kundrejt motrës  së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie…”
Pohimet e mësipërme duken si një ëndërr paqeje, por në fakt kanë qenë qëndrime zyrtare të Athinës në vitin 1926. Janë shkëputur nga një intervistë e rrallë me presidentin grek Pangallos dhënë gazetarit Vangjel Nasho Qirko për “Gazetën e Korçës” të datës 14 shkurt 1926.
Intervista e risjelle nga Vepror Hasani është ribotuar në suplementin memo-encikopedik të gazetës Dita.
Teodoros Pangallos, personalitet politik dhe ushtarak i shtetit grek lindi në Salaminë (Greqi), në një familje arvanitase. Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke, Ministër i Mbrojtjes (1922) dhe President i Greqisë (1926-1930). Ka pohuar në raste të ndryshme origjinën e tij shqiptare dhe ka vlerësuar meritat e arvanitasve në historinë e Greqisë.
Po të lexosh informatat e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mid’hat Frashëri, veçanërisht ato të gjysmës së dytë të vitit 1925, ndien se Pangallos ishte ndryshe kur vinte fjala për Shqipërinë. Më 17 tetor 1925, Mit’hat Frashëri, mes të tjerash, informon Tiranën:
M.Frashëri
“U përgjigj (Pangallo – shënimi im) se dëshiron edhe ai fort shumë që të jemi miq dhe prandaj ka dhënë urdhër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të kërkohet nga Shqipëria agrement për Gjeneral Kondilin, si Ministër: Shtoj se Kondilin e ka mik personal dhe se është shovinist shqiptar”.
Më datë 5 nëntor 1925, Mid’hat Frashëri i shkruan Tiranës se: “Këtu kam folur tri herë me z. Pangallos për çamët: më ka dhënë fjalë të jap urdhrë në Janinë, se edhe vetë e njohu që faji u bë në fillim duke pandehurë turq çamët. Më premtoj që sjelljet e autoriteteve helenike do të ndreqenë”.
Në fakt ky qëndrim zyrtar grek para gati 90 vjetësh për Shqipërinë, çamët dhe vorio-epirotët nga Presidenti grek Pangallos, është nga të paktat qëndrime realiste në historinë e raporteve mes dy popujve.
Fatkeqësisht nuk zgjati shumë.
Pas këtij momenti të marrëdhënieve të ngrohta dhe miqësore ndërmjet dy shteteve fqinje, për Çamërinë do të vinin ditë tmerri dhe do të zbatoheshin metodat nga më barbaret për zhbërjen e saj, që arritën në epilogun tragjik të viteve 1944-1945.

Më poshtë artikulli i 1926-s ribotuar nga Dita:
*************
Nga Vangjel Nasho Qirko
Botuar në “Gazetën e Korçës” të datës 14 shkurt 1926
Pas artikujve të favorshëm që karakterizuan drejtimin e shtypit grek këto kohët e fundit mbi çështjet shqiptare, e quajta për detyrë të dëgjoj prej gojës së atij vetë (Pangallos), i cili sundon sot dhe drejton  fatin e Greqisë, mendimet e tij mbi relacionet greko-shqiptare.
Ju drejtova me anën e zyrës politike, duke kërkuar intervistë të veçantë për shtypin shqiptar dhe të nesërmen. Z. Kryetar më pranoi në zyrën e tij.
Me simblicitetin dhe hollësinë që e quajnë “gjenerali i lavdëruar”, z.Pangallos më priti dhe më shfaqi kënaqësinë që i jepej rasti të komunikojë me popullin shqiptar, me anën e shtypit shqiptar.
“Greqia, filloi Zoti Pangalos, që të nesërmen e mbylljes së paqes së përgjithshme shkoi një periudhë tepër kritike nga shkaku i katastrofës së Anadollit dhe vuajti më tepër se nga gjithë shtetet e tjera që morën pjesë në luftën e madhe. Prandaj, na imponohej të shtojmë sa më tepër përpjekjet dhe fuqitë tona për shërimin e plagëve. Mund të them që për fat të mirë pjesën e madhe të punës e mbaruam…
Gjendja jonë ekonomike gjithashtu po përmirësohet. Paralelisht me riorganizimin tonë të brendshëm edhe pozita jonë e jashtme forcohet. Greqia arriti kufijtë e saj natyrale dhe prandaj nuk ka më qëllim që të shtrihet më tej; kjo është arsyeja që inspirohet nga dispozicione paqësore kundrejt gjithë fqinjëve të saj…
Sa për Shqipërinë, me të cilën veçanërisht na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftërash të përbashkëta, marrëdhëniet tona gjenden në pozitë shumë të kënaqshme dhe përditë po zhvillohen më mirë. Mosmarrëveshjet e kohës së kaluar që mund të karakterizohen si grindje midis vëllezërve u ngrinë dhe u harruan.
Kujdesi im ka qenë që kur mora fuqinë në dorë, që t’i bëj sa më tepër të ngushta lidhjet që na bashkojnë dhe për këtë qëllim nuk kurseva asgjë. Është e vërtetë, nga ana tjetër dhe kudo ngjan, që midis shteteve kufitare të mos sadisfaksohen plotësisht pretendimet e të dy palëve. Kështu që një pjesë e popullit të shtetit tjetër të mbetet brenda kufijve të tjetrit, dhe viceversa, duke u karakterizuar si minoritet.
Por kjo nuk duhet të formojë ndalim dhe nuk duhet të bëhet shkak për grindje midis dy popujve vëllezër, por përkundrazi të bëhet ura e bashkimit midis tyre.
Kemi në Epir disa mijë çamë, të cilët i njohim tani si minoritet shqiptar në vendin tonë. Në qoftë se në kohën e shkuar u bënë disa të papëlqyera mbi kurriz të tyre nga ana e organeve inferiore të shtetit, kjo nuk formon direktivë politike të Qeverisë greke karshi atyre. Përkundrazi, qeveria inspirohet nga dispozita më të mira karshi atyre dhe ka vendosur të ndëshkojë pa mëshirë çdo veprim të keq mbi kurriz të minoritetit nga ana e disa kokëndezurve të papërgjegjshëm dhe do të zbatojë plotësisht të gjitha obligatat që ka marrë përsipër në favor të minoritetit në Maqedoni dhe Epir, obligime që rrjedhin prej traktateve ndërkombëtare
Është e ditur nga ana tjetër, që ne nuk do të mbajmë me pahir ata çamë që duke e quajtur veten turq do të kërkojnë të emigrojnë në Turqi meqë pas traktatave kanë të drejtë të emigrojnë atje…
Gjithashtu në Shqipëri ndodhet një pakicë greke, e cila duhet të gëzojë të mirat e njësisë dhe për pengimet për zhvillimin e saj ethnik e shoqëror duhet të zhduken. Jemi të bindur që Qeveria shqiptare nuk do të kursejë asgjë për sigurimin e të drejtave të kësaj pakice. Kur them pakicë greke ne Shqipëri, kujtoj dhe kam ndërmend vetëm grekofonët e Shqipërisë së Jugut dhe aspak ortodoksët shqiptarë, të cilët nga raca, gjuha, kombësia, janë zot shtëpie. Jam kundër asaj theorie të gabuar të disave këtu, që çdo ortodoks e quajnë grek.
Pangallos
Meqenëse kjo teori e gabuar  kishte marrë një udhë të tatëpjetë dhe zhvillohej në mënyrë të dëmshme vendosa dhe urdhërova shpërndarjen e klubeve vorio-epirote, të cilët ishin bërë baza e këtij mentaliteti. Këto klube nuk kishin më arsye ekzistimi. Do të aplikoj masën e shpërndarjes edhe për organizata të tjera të tilla, po të gjykohen si pengim në zbatimin e politikës së përjashtme të caktuar prej qeverisë.
Duhet të japim prova të gjalla kundrejt motrës  së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar. Shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëve.
Do të përpiqemi të forcojmë marrëdhëniet tona ekonomike, komunikatat detare, tokësore, do të vëmë në zbatim masat doganore, të tilla që të lehtësojmë tregtinë, në mënyrë që prodhimet e të dy vendeve të konsumohen reciprokisht dhe afrimi ynë të bëhet sa më i ngushët. Kështu të bashkuar, dy popuj vëllezër në dashuri dhe solidaritet, do të ecim në të pritmen për në misionin e tyre…
Përveç intervistës që mora me kryetarin e qeverisë, e quajta të arsyeshme t’i kërkoja një pjekje dhe ministrit të Punëve të Jashtme, zotit Lukas Kanakaris Rufos, i cili sot në mëngjes më pranoi…
Eksprimoj çiltazi gëzimin tim të madh që forcimi i lidhjeve greko-shqiptare të bëhet në kohën e ministrisë sime. Dispozitat e sinqerta dhe mendimet e kthjellëta, si të Kryetarit të Republikës ashtu edhe Kryetarit të Qeverisë, të cilët  që të dy janë me origjinë shqiptare janë në udhën e zbatimit praktik. Caktimi i një politike të kthjellët dhe definitive kundrejt shtetit shqiptar, qenia dhe përparimi i të cilit është në interesin e madh të Greqisë, filloi të shfaqet në të gjitha pikat.
Çështjes së Çamërisë iu dha fund definitiv, amnisti për të gjithë çamët e dënuar ose të pandehur dhe të kthyerit e të internuarve në shtëpitë e tyre. Gjuha shqip do të vihet në disa shkolla të Greqisë, klubet vorio-epirote në tërë Greqinë u shpërndanë dhe arkivat e tyre iu dorëzuan prefektëve. Të gjitha këto, jam i sigurt se do të inspirojnë besim absolut në Shqipëri për sinqeritetin e politikës greke.
Kemi nevojë të madhe të inspirohet ky besim sepse në kohën e shkuar, për fat të keq, nuk u mbajt nga ana e Greqisë një drejtim politik i qëndruar dhe i kthjellët kundrejt Shqipërisë. Pas ndryshimit definitiv që i japim tani politikës greke, jam krejt i sigurtë për të gjitha çështjet e varura mes dy shteteve, do të rregullohen me dashuri.
Shpërngulja çame 1913
Me këtë politikë tonë të re u japim të kuptojnë grekofonëve të Shqipërisë që tani e tutje duhet ta ndjejnë veten si pjesë të shtetit shqiptar. Pa asnjë rezervë dhe prapamendim i quajmë kufijtë e sotme midis Greqisë dhe Shqipërisë si kufij definitivë…
Greqia e njeh dhe e respekton tërësinë tokësore dhe indipendencën e Shqipërisë pa rezervë. Me këtë politikë të re të Greqisë u japim fund intrigave dhe propagandave midis popullsisë grekofone të Shqipërisë, popull, i cili, këshilloj, duke mbledhur mendjen do të merret krejt me punëra të tjera paqësore dhe produktive dhe do të bëhet një faktor për përparimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar.
Aspak dhe në asnjë mënyrë nuk përzihemi në punët e brendshme të Shqipërisë dhe politikat, të cilët po caktojmë, është politikë kundrejt Shqipërisë pa vënë re qeveritë dhe regjimet e ndryshme ne Shqipëri. Shpresoj të arrijë që në kohën e ministrisë sime të vë vulën e fundit në restaurimin e plotë të miqësisë greko-shqiptare, gjë që e quaj vepër kombëtare të madhe….
Dita

Tuesday, January 10, 2017

Lulzim Basha nën petkun e "inxhinierit" hartues i dosjeve të krimit - Kosove.


Arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, për llogari të Beogradit, ka prodhuar polemika midis kampeve politike në Tiranë.
Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, pas një bisede telefonike me bashkëshorten e Haradinajt, ka akuzuar kryeministrin Rama se është dorëzuar pa kushte para qeverisë serbe, duke iu referuar miqësisë me kryeministrin Vuçiç.

Por në media është rikthyer një dëshmi tejet komprometuese dhe e rëndë e ish-shef i zyrës të të zhdukurve të UNMIK-ut në Kosovë, Jose Pablo Baraybar, i cili deklaron se Lulzim Basha jo vetëm ka punuar si përkthyes i tij, por edhe ka mbledhur prova për krimet e pretenduara të UÇK ndaj serbëve, madje duke u maskuar si inxhinier.

Ndërkaq, gazetari, njëherësh veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milaim Zeka, shprehet për Shqiptarja.com se sipas krerëve të politikës së Kosovës dhe Shërbimit Informativ të Kosovës, Lulzim Basha është arkitekti i hartimit të dosjes në Hagë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I tërë spektri politik në Kosovë, me në krye Hashim Thaçin, Shërbimin Informativ të Kosovës, me LDK dhe PDK, e kanë akuzuar drejtpërdrejt Lulzim Bashën se ka qenë arkitekti dhe përpiluesi i dosjeve në Hagë për krimet e luftës së UÇK. Nuk mund të them nëse është apo nuk është e vërtetë, por unë po flas për të akuzat që i janë bërë Lulzim Bashës nga politika e Kosovës”, ka deklaruar Zeka.

Konfirmimi
Roli aktiv i Lulzim Bashës në hetimin e krimeve të luftës në Kosovës është konfirmuar në mënyrë të shumëfishtë. Mjeku nga Kosova, Tefik Gashi, pjesëtar i ekipeve që kanë marrë pjesë në hetim, ka konfirmuar praninë e Lulzim Bashës në hetimet për trafikuan e organeve të pretenduara nga serbët.
Një tjetër konfirmim ka ardhur edhe nga Human Rights Watch, përmes përfaqësuesit të tyre Fred Abrahams. Në një deklaratë publike të kësaj organizate ndërkombëtare, Abrahams ka deklaruar kohë më parë se Lulzim Basha ka qenë në dijeni të hetimit, ndonëse në deklaratat e tij, Basha, ka pohuar se nuk dëgjuar kurrë për këtë hetim. Por dëshmia e rëndësishme është ajo e Jose Pablo Baraybar, të cilin Lulzim Basha e ka shoqëruar tek “Shtëpia e Verdhë” në Burrel, duke u maskuar si inxhinier.

Shenasi Rama
Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga themeluesit e Partisë Demokratike në Shqipëri, Shenasi Rama, i cili merret prej vitesh me çështjen e Kosovës, ka deklaruar kohë më parë se Lulzim Basha dhe e bija e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Argita Berisha, kanë mbushur dosjet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “PD është një parti e shkërmoqur. Me një kryetar që i hollohet zëri përditë, dhe që ka mbushur dosjet e shokëve të mi të UCK-së, nuk shkohet kund se ky të shet me çmim të ulët fort. Ky ka qenë së bashku me Argita Berishën dhe disa të tjerë që kanë mbushur dosjet”, ka deklaruar Rama.

Përfshirja
Njerëz që kanë punuar me Bashën kanë treguar se në vitet e para pas luftës ai ka qenë pjesë e ekipit të përkthyesve për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, ndërkohë që punonte edhe për hetuesit e departamentit ligjor të UNMIK.
Basha fillimisht ka qenë thjesht përkthyes, po më pas, falë përkushtimit në punë dhe përgatitjes si jurist, ka marrë pjesë edhe në përpilimin e dosjeve, edhe në përgatitjen e padive që hapën disa procese tepër të famshme gjyqësore. Mes tyre, proceset ndaj disa prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së sapodalë nga lufta. Fatmirësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i rrëzoi akuzat, dhe vendosi të lirojë gjeneralët e UÇK-së që qenë dërguar në burg edhe me ndihmën e bashkatdhetarëve të tyre.
Fatos Klosi: Lulzim Basha gaboi
Ish-kreu Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, është shprehur se Lulzim Basha ka gabuar me angazhimin për vërtetimin e akuzave të serbëve, për transplant organesh nga ana e ushtarëve të UÇK. “Lulzim Basha ka gabuar, ose mund të ketë bërë detyrën e kundërt. Ai komision ka nxjerrë përfundim se nuk ka ndodhur asnjëherë transplant organesh në Shqipëri, në fshatin periferik të Burrelit dhe askund tjetër. Unë nuk e di cili është kontributi i Bashës në këto grupe faktmbledhëse, ka qenë përkthyes, ka pretenduar se ka apo s’ka krime të tilla.

Ai duhej ta kishte thënë diçka publikisht për të gjithë opinionin publik shqiptar në të dy anët e kufirit dhe ta kishte mbyllur, të ishte deklaruar njëherë. Por deri më tani asnjë fjalë nuk ka thënë me gjithë akuzat që janë hedhur ndaj tij, është shmangur. Kjo nuk më pëlqen. Sidomos sot që është personazh shumë i rëndësishëm i politikës shqiptare dhe është normale të bëhet një deklaratë nga ana e tij, ku të shpjegojë pozicionin e tij në ato grupe, me se është marrë dhe ku ka kontribuar realisht. Të gjitha akuzat për UÇK dhe shqiptarët kanë qenë më shumë hamendje, se sa fakte”, ka pohuar Klosi.

Jose Pablo Baraybar, ish-shef për të zhdukurit në UNMIK
“Problemi i madh ishte se UNMIK-u nuk ka juridiksion mbi Shqipërinë. Pra, nuk kishim mundësi për të bërë një kërkesë zyrtare. Në një përpjekje për të verifikuar disa të dhëna në dosje, e kam kaluar kufirin si një turist në një makinë të pashënuar. Përkthyesi im quhej Lulëzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë (ICTY).
Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve nuk është asgjë. Tani unë po them çfarë ka thënë ai. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen. Së bashku me Lulëzim Bashën u jemi prezantuar njerëzve si inxhinierë për të ndërtuar një rrugë. Gjatë bisedave kemi bërë dhe pyetje në lidhje me kampet e UÇK-së. Qëllimi ynë kryesor ishte varreza në Bicaj, në jug të Kukësit, ku sipas dosjes që ne kishim ishin trupat e serbëve të Kosovës. Dick Marty flet gjithashtu për këtë. Ne e kemi pasur identifikuar. Ne kishim të dhëna, por nuk e kishim të mundur të shkonim në Bicaj”. /Shqiptarja.com

Sunday, January 8, 2017

SHQIPTARI DHE E VËRTETA! - Nga Rudi Berisha

SHQIPTARI  DHE  E VËRTETA  !


Populli shqiptarë të jetë i zgjuar, mendjendritur dhe të kaloj edhe këto pengesa të vogla që i kemi  përpara. Rruga për ne popullin shqiptarë, do jetë e rënd, por nuk është e pa-kaluar.

E shkruar nga Rudi Berisha

Prishtinë, 06 janar- Ata që luftuan për atdhe, sakrificën dhe flijimin e tyre i falën lirisë, i quajnë dhunues, vrastar, kriminel dhe mundohen disa të paditur dhe karrierist, disa dashakeq të vet-atdheut të tyre  të shkelin mbi kontributin e tyre, mbi gjakun e familjes së tyre, dhe mbi vet historinë tonë shqiptare ! 

Më mirja dosje nga njerëz të caktuar, në kohën e lig, u munduan të jenë pjesë e një sistemi shpifës duke u thirr: në emër të ‘’ demokracisë, në emër të drejtësisë’’, por këto akt-akuza janë : vetëm një shpifje dhe po mundohen të njollosin UÇK-n, djemtë e saj më të mirë që i pati atdhe në shekullin qe ne po jetojmë ...

Frikacakët i quajnë sot hero, ky ‘’ realitet ‘’shitet sot në tryezën tonë, por ka edhe një pjesë nga ne, që këtë mashtrim nuk e hamë, nuk e gëlltitim fare, edhe nëse ju o injorant mundoheni ç’ të veshur më petkun e mëndafshit a po në kuzhinat e bukura të mbuluar më mjaltë të na mashtroni, e keni shumë gabim, kaloj koha e paditurisë, është kohë që e dimë kush është Hero, e kush jo...

Ne  e dimë të vërtetën, më kohë do e themi, më kohë do e merrni atë që po punoni...

Në zyrat e BE-së, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, shkojnë  gjithë- çfarë informatash dhe shpije, kinse ‘’ UÇK-ja, ka krye krime në lufte, gjatë lufte, pas lufte ‘’, të gjitha këto janë vetëm shpifje, dhe këta individ ç’ janë më të ligj se vet armiku ynë i përbetuar serbo-sllav...

Të punosh më nder është vështirë, të tradhtosh atdheun dhe të spiunosh e ke të lehtë ( ka edhe që të paguajnë, që të punosh kundër popullit, kombit dhe tokës që të rriti ), nëse dikush nga ne i bënë të tilla gjëra, e ka dënuar Zoti dhe nëna që e rriti do e mallkoj.

Populli shqiptarë të jetë i zgjuar, mendjendritur dhe të kaloj edhe këto pengesa të vogla që i kanë përpara.

Më vie keq, e ndjej dhimbje të madhe, dhe ju them që shumë trima shqiptarë do pësojnë nga kjo dorë e zgjatur e armikut më ca ‘’ shqip-folsa ‘’, që do të dëmtojnë djemtë më të mirë ç’ i pati dhe i ka Dardania ( Kosova ) sot.  Janë duke u përgatitë shpifje të mëdha, por mos harroni që në këto shpifje kanë dorë edhe ca ‘’ shqip-folsa’’, që po dërgojnë informata në mullirin e gabuar e në mesin tonë shiten si ‘’patriot, si shpëtues të atdheut ‘’, koha do e tregoj, dëshmoj të vërtetën ...!

Jam më ju të nderuar, më ju që kontribut për atdheun tonë të përbashkët të jetë i lirë. I falënderoj shtetet Ndërkombëtare  që intervenuan për çlirimin e Dardanisë ( Kosovës), por në veçanti deri në vdekje respektoj dhe do nderoj gjakun e dëshmorëve dhe të civilëve shqiptarë që ranë dhe u martirizuar për Lirinë që e kemi ne sot , për Lirinë tonë!

Qoftë i paharruar gjaku i dëshmorëve, respekt për të gjithë luftëtarët pa ngjyra politike. Nderime Atdheut. Zoti e bekoftë gjithë popullin shqiptarë. Qofshim të bashkuar përjetë !

Rudi Berisha, kryetar i Klubit Letrar ‘’ Zahir Pajaziti ‘’
Prishtinë, më 06 janar 2017

Thursday, January 5, 2017

ANASTASI - Durrsaku që u bë Perandor i Bizantit.


Qytetërimi Bizantin bashkëjetoi rreth 800 vjet me Shqiptarët, duke dominuar gjatë gjithë mesjetës në trevat tona. Ai jo vetëm pati ndikime të jashtëzakonshme, si vazhdim i qytetërimit romak por pati aftësinë që të ''thithte'' dhe të përfshinte në ''kozmosin'' e tij edhe vlerat më të arrira që vinin nga provincat perëndimore Iliro-Arbërore. Historia e Bizantit si pjesë e një prej qytetërimeve të mëdha botërore veçohet për arritjet e saj në aspektet politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore. Pikërisht në këtë realitet kozmopolit një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe paraardhësit e Shqiptarëve.

I pari midis të shumtëve ishte edhe Anastasi, Perandori që bashkëqytetarët e tij nuk e donin, sepse e lidhi qytetin e tyre, Durrësin me Kostandinopolisin dhe lindjen. Pikërisht Durrësi, qendra e provincës Romako-Bizantine të Epirit të ri, ishte porti kryesor i Bizantit në kufijtë perëndimore të tij. I quajtur si ''Taverna e Adriatikut'', apo ''Metropoli i Ilirikut'' ai shërbente si bazë kryesore e flotës perandorake. Nga ky qytet, Perandorisë Bizantine do t’i vinin të gjitha rreziqet nga Perëndimi, siç ishin sulmet e huaja dhe pretendentët e shumtë të fronit. 

Nga gjiri i elitës politike, ushtarakë dhe kishtarë të tij, dolën mjaft personalitete të fuqishme, midis të cilëve edhe Anastasi. Anastasi i cili sundoi në vitet 491-518 ishte i 15-ti Perandor Bizantin. Ai lindi në Durrës rreth vitit 450, në një familje senatoriale Ilire (E. Jacques, Shqiptarët). Pasi u bë nëpunës oborri ai u prezantua si njeri me karakter të fortë, ambicioz, i ndershëm dhe i drejtë. Pikërisht për këto cilësi ky ushtarak me përvojë i armatës bizantine u zgjodh si Perandor në vitin 491, duke zëvendësuar paraardhësin e tij, Perandorin Zenon. Pasi u martua me të venë e tij, Ariadnën (Histori e Bizantit. Tiranë 1999, fq.39).

Anastasi qeverisi për 20 vjet dhe u tregua një administrator dhe shtetar i zoti. Ndër reformat e para të tij ishte riorganizimi i sistemit financiar të Perandorisë, ku paraja bizantine fiksoi një kurs stabël dhe emetoi monedhat e reja prej bronzi, në vend të atyre prej bakri që qarkullonin më parë. Në vijim të kësaj politike, ai riorganizoi edhe sistemin e mbledhjes së taksave që fuqizoi financat shtetërore. Tashmë ato do të mblidheshin nga nëpunës që emëroheshin nga prefektët pretorianë. Në fund të qeverisjes së tij, Anastasi i la arkës së shtetit një shumë prej 320.000 librash ari (G. Ostrogorski, fq. 40). Ndërkohë sundimi i Perandorit me origjinë Ilire u shoqërua me revolta dhe luftëra civile, të cilat nxiteshin nga Partia e të kaltërve. Të tilla ishin revoltat e grupeve kristiane të ndryshme ose revolta e Vitalianit, kryekomandantit të Trakës, i cili e rrethoi 3 herë Kostandinopolisin.

Si durrsak, Anastasi tregoi kujdes të veçantë për qytetin e tij të lindjes. Ai rindërtoi sistemin mbrojtës të Durrësit, gjatësia e mureve të të cilit arrinte gjatësinë 4400 m. Ato kishin gjerësi prej 3.5 m dhe ishin të larta 12 m dhe u ndërtuan me tulla të kuqe (A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, fq.13) ashtu siç i shohin dhe sot. Përveç tyre, Anastasi ndërtoi edhe kështjellën dhe hipodromin, si dhe një kishë atë të Shën Anargjirëve (A. Meksi. Monumente II.1985.fq.15). Në kohën e tij u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe u ndërtuan një pjesë e mureve rrethuese të Kostandinopolisit (T. Zavalani - Histori e Shqipërisë, Tiranë, fq 63-64). Interesant është fakti se Anastasi kishte edhe një portret të çuditshëm. Ai gjysmën e kokës e kishte me flokë të verdhë dhe gjysmën gështenjë, ndërsa njërin sy e kishte bojëqielli dhe tjetrin të zi. (Aristidh Kola, Arvanitasit. fq.209). 

Perandori Anastas vdiq më 1 Korrik të vitit 518 dhe u zëvendësua nga Justini, një tjetër bashkëkombës i tij ilir, por nga Dardania, i cili u pasua në vitin 527 nga i nipi, Perandori Justinian. Në vitin 532, kur kundër sundimit të Justinianit shpërtheu kryengritja e famshme Nika, në Kostandinopojë, në të morën pjesë edhe dy nipërit e Anastasit; Pompeu dhe Ipati. Ata u ftuan nga partitë e hipodromit për të marrë pushtetin që u takonte si trashëgimtarë të perandorit me origjinë nga Durrësi. Megjithëse ata arritën një hap larg suksesit, sepse Justiniani mendoi se gjendja e tij ishte e pashpresë dhe u bë gati të largohej nga Kostandinopolisi. Fati i keq i kryengritjes që u shtyp nga strategu i Justinianit, Belizari, pasoi edhe dy nipërit e Perandorit durrsak. Kështu Pompeu dhe Ipati u vranë dhe trupat e masakruar të tyre u hodhën në detin Marmara.

Një luftë e denjë brenda llojit, ku anëtarët e dy familjeve Ilire luftojnë në Kostandinopojë për fronin e Bizantit. Ndërkohë për këtë figurë të shquar që, historia e vendeve fqinje do të bënte çmos që ta bënte pjesë të sajin, tekstet tona, të paktën ato shkollore flasin fare pak. E ndërsa për Anastasin, teksti i Historisë së vitit të katërt, apo siç quhet sot klasës së XII, përmban vetëm katër rreshta (Histori IV Profili shoqëror. Tiranë 2006 fq.23), Justini dhe Justiniani, Perandorë që ishin lindur në Bederiana dhe Tauresium të Provincës së Dardanisë dhe që ishin për nga Kombësia Ilire etnike, teksti i historisë sonë hesht. Përse? Nuk e dimë?!


Historiani Ilirjan Gjika.
----------------------------------------------------
https://milibutka.blogspot.al/

Monday, January 2, 2017

ZOTI E SHPËTOI NJËHERË, KOMUNIZMI E VARI DY HERË



E pabesueshme, por e vërtetë. Njeriu që e pësoi këtë ndëshkim të pashembullt në historinë e kriminalistikës botërore ishte inxhinieri i shquar shqiptar, Kujtim Beqiri, fotografia e të cilit është e ekspozuar edhe sot në universitetin e famshëm të Vjenës krahas fotove të talenteve më të spikatur që kanë dalë prej dyerve të tij. Pas diplomimit me rezultate maksimale, Kujtimit iu bë ofertë punësimi si pedagog i atij universiteti, por ëndrra e tij ishte të ndihmonte në rimëkëmbjen e atdheut të prapambetur, që e donte shumë. 
Ai ishte bir i një familjeje atdhetare nga Velça e Vlorës. Babai i tij, Ali Beqiri, ka qenë bashkëpunëtor i Ismail Qemalit në përpjekjet për pavarësi kombëtare dhe anëtar i komisionit drejtues të operacioneve ushtarakë të Luftës së Vlorës më 1920. Natyrshëm, djali ngjante në babanë. Nën ndikimin e të atit, Kujtimi e adhuronte Kosovën. Në fillim të viteve dyzetë, me ndërmjetësinë e bashkëqytetarit të tij Kudret Kokoshi (që ndihmonte për organizimin e gjyqësorit në Prishtinë në atë periudhë, Kujtimi punoi mjaft kohë në Kosovë, ku investoi njohuritë e tij të gjera në fushën e gjeodezisë moderne. U kujdes gjithashtu që të ndërtonte atje dy ura, si simbol i bashkimit perspektiv të Kosovës me Shqipërinë amë.
Mirëpo diktatura gjakatare e përdori tharjen e kënetës së Maliqit si kurth për eliminimin e disa intelektualëve të mirënjohur nacionalistë. Ishte viti 1946, koha kur tekstet shkollorë në Shqipëri ishin të mbushur me ditirambe të neveritshëm servilë (si këta më poshtë kushtuar Jaranit të Enverit – Marshallit Tito: « Tito Luftëtar, Tito Çlirimtar,
Tito Fitimtar, Tito Legjendar i popullit tënd !»
Kujtim Beqiri dhe shokët e tij fatkeqë (të mbiquajtur nga Sigurimi “Sabotatorët e Maliqit”) u arrestuan më 06 nëntor 1946, i nxorën në gjyqin e improvizuar politik më 08 nëntor 1946 (ditën e 5 vjetorit të themelimit të PKSH prej emisarëve të Titos), vendimi i gjyqit me dënimet drastike u shpall më 19 nëntor 1946 dhe martirët u ekzekutuan tri ditë më pas (22 nëntor 1946) në sektorin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit. Kujtim Beqiri e Abdyl Sharra u varën në litar, ndërsa Vasil e Zyraka Mano (çift), Mirush Përmeti dhe italiani Eugenio Scaturro u pushkatuan. Imagjinoni çfarë barbarie: për «drejtësinë» enveriste të përfaqësuar prej kriminelësh injorantë do të mjaftonin vetëm 16 ditë (06 nëntor 1946 – 22 nëntor 1946) për të arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar të gjashtë «Sabotatorët e Maliqit»! Italiani fatzi nuk kuptonte asgjë se ç’po ndodhte derisa e pa veten para plotonit të ekzekutimit, sepse nuk kishin angazhuar përkthyes për të. 
Bota e qytetëruar i trajton me kujdes të posaçëm inxhinierët e kalibrit të Kujtim Beqirit. Madje edhe kur shteti i tyre hyn në luftë, është i ndaluar me ligj dërgimi i atyre në front. Ndërsa ciniku profan i Gjirokastrës, që për dy vjet nuk mori dot asnjë provim në universitetin e Monpeljesë (Francë, i vriste me kënaqësi prej smirës intelektualët më të spikatur shqiptarë, sipas udhëzimeve të Marshallit Tito. Gjatë ditëve të farsës gjyqësore të «Sabotatorëve të Maliqit», në sallë kishte shumë gazetarë të radios e të shtypit jugosllav, të cilët fërkonin barkun nga kënaqësia që Lavirja e tyre politike e Tiranës shfaroste trurin e kombit shqiptar – operacion çnjerëzor që do të vazhdonte gjatë dhe do të sillte pasojat fatale që po përjetohen prej kohësh me inteligjencien e dobët, pa dinjitet e ndjenja kombëtare. 
Krimi sllavo-komunist i «Sabotatorëve të Maliqit», ashtu si incidenti i improvizuar i hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë, la gjurmë me shëmtinë e tij edhe në ndërgjegjen e zbehtë të dëshmitarëve okularë të veçantë – aktorë të atyre tragjedive. Dikush prej këtyre të fundit, kur i erdhi radha e tij të dënohej prej diktaturës, ka bërë të ditur tek të burgosur të besuar hollësi tronditëse të atyre krimeve. Për inxhinierin e rrallë Kujtim Beqiri, të varur në moshë të re, u arrit të merrej vesh se: – Për «të vërtetuar» sabotimin imagjinar të piketimeve të bëra nga Kujtim Beqiri për tharjen e kënetës së Maliqit, iu kërkua Moskës të dërgonte një inxhinier topografie me përvojë, i cili duhej të bënte çmos të gjente «të metat e qëllimshme të punës së sabotatorit» dhe të përpilonte një deklaratë me shkrim rreth tyre. Kjo deklaratë do të përdorej si kartë e fortë në gjyq. 
Mirëpo inxhinieri me përvojë, që dërgoi Moska, qëlloi të ishte edhe Njeri me përvojë e intelektual i moralshëm. Pas verifikimit të vëmendshëm në terren të piketimit, ai deklaroi me shkrim: «Sikur të më besohej mua ripiketimi i kanaleve shkarkues për tharjen e kësaj kënete, nuk do të lëvizja dot asnjë piketë prej vendit. Ajo është punë pa të meta e një inxhinieri mjaft të aftë.» Natyrisht, kjo deklaratë shfajësimi nuk mund të përdorej në farsën gjyqësore, por ështe e vështirë që ta kenë lënë edhe në dosje… Në këtë kuadër, duhet theksuar ky fakt shumë domethënës: Këneta e Maliqit u tha sipas piketimit të bërë nga Kujtim Beqiri, pa asnjë piketim tjetër.
– Më 21 nëntor 1946, Sigurimi i transferoi gjashtë «Sabotatorët e Maliqit», të dënuar me vdekje, prej birucave të Tiranës në ato të DPB të Korçës, për të qenë afër sektorit të punimeve në kënetën e Maliqit, ku do të kryhej ekzekutimi i tyre të nesërmen. 
Makinat kishin ndaluar në Elbasan, që gjaksorët e Sigurimit të merrnin nga një kafe. Në atë kohë të dënuarve u lejohej t’i mbanin vetë lekët që u ndodheshin në xhep ditën e arrestimit. Duke e ditur këtë fakt, njëri prej oficerëve të MP të Brendshme të karvanit të vdekjes i kishte pyetur ata nëse dëshironin t’iu blinte ndonjë gjë. Inxhinier Kujtimi i kishte dhënë lekë për t’i blerë dy paketa cigare dhe një shkrepse. Kur u kthye, oficeri i dha dy paketat dhe shkrepsen, por jo lekët e mbetura. Inxhinieri syshkëndijë, që e zotëronte mrekullisht veten edhe në ato rrethana terrori ekstrem, kishte reaguar menjëherë: «Pse nuk ma jep reston e lekëve? Për të më kujtuar se nuk kanë ç’më duhen, meqenëse unë po udhëtoj drejt vdekjes? Ato janë lekët e mia dhe duhet të treten bashkë me mua.» – Fjalët e fundit të Kujtim Beqirit para varjes në litar ishin: «Ne jemi të pafajshëm, këtë do ta vërtetojë Historia. Rroftë Kombi Shqiptar!»
Xhelati i Sigurimit i hoqi karrigen dhe trupi i inxhinierit të mrekullueshëm u përkund në ajër me litar në grykë. Sekondat fatale kaluan më shumë nga zakonisht në raste të tillë dhe xhahilët e Sigurimit po i tmerronte një dukuri e jashtëzakonshme: i varuri vazhdonte të merrte frymë me zor, në vend që të kishte dhënë shpirt disa sekonda më parë! A mos Zoti po bënte tentativën e fundit, për t’i shpëtuar jetën një krijese të Tij të preferuar? Qysh nga Koha e së Drejtës Zakonore dhe e së Drejtës Romake, njeriut të dënuar me vdekje i falej jeta nëse nuk shkrepte arma kundër tij ose kur, për arsye të paparashikuara, ekzekutorët nuk arrinin ta çonin atë në orën e caktuar për ekzekutim tek vendi i duhur. Mirëpo me komunistët katilë shqiptarë nuk e gjeti dot fjalën as Krijuesi i tyre: 20 vjet pas ekzekutimit të «Sabotatorëve të Maliqit», ata do t’i shpallnin luftë të hapur edhe vetë Zotit, duke shkatërruar xhamitë, kishat e vakëfet!
Të shokuar nga skena e tmerrshme para syve të tyre, shpirtmarrësit e Sigurimit e rivendosën Kujtim Beqirin për të dytën herë mbi karrigen fatale. Atëherë konstatuan se laku i litarit kishte kapur jakën e palltos së inxhinerit virtuoz dhe nuk ngushtohej dot në masën e duhur. Ata e ndreqën gabimin dhe e kryen me sukses krimin partiak. Me siguri aktorët e Sigurimit të asaj tragjedie janë dekoruar jo vetëm nga PPSH, por edhe nga bijëzat e saj rozë e blu. 
Gjatë 25 viteve «demokraci», asnjë presidenti të Shqipërisë dhe asnjë qeverie nuk i ra ndërmend t’i akordonte një dekoratë atij inxhinieri të pashok të tokës shqiptare, përballë intelektit e atdhedashurisë të të cilit gjithë pushtetarët dhe sejmenët e tyre ngjajnë si liliputë mjeranë që jetojnë vetëm fizikisht. Në fakt ky është nderi më i madh që ata i kanë bërë pa dashje atdhetarit mendjehollë Kujtim Beqiri: nuk e kanë përzier emrin e tij të ndritur me emra gjaksorësh e tradhtarësh të dekoruar disa herë, me në krye Diktatorin-Agjent dy herë «Hero i Popullit» e tri herë «Hero i Punës Socialiste»!
Shumë prekëse fjalët e Kadri Beqirit (djalit të inxhinier Kujtimit) lidhur me përpjekjet e mëdha që ka bërë ai për të gjetur eshtrat e babait – një e drejtë themelore njerëzore e mohuar për shumicën e të ekzekutuarve të diktaturës enveriste prej komunistëve të djeshëm dhe neokomunistëve të sotëm: «I kemi kërkuar shumë eshtrat e babait në Maliq por, mjerisht, atje nuk kishte eshtra. Gjatë gërmimeve gjetëm vetëm një dorë njeriu, të cilën e futëm në arkivolin e vogël, sa për të pasur një varr të tij!»
https://kanunitv.blogspot.al/

80 - Vjet më parë - Një kartolinë e Migjenit.


Urim i Migjenit për Vitin e Ri 1937
“Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër.

Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.

- Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël!

Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni.

Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

- Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht!

Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. 
Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve.

Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu.
Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu.
Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu.
Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.

Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht!
E kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka.

Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi…

Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht”.
---------------------------------------------------------------------------------------------
GEZUAR -2017- VITIN E 80 -MJERIMIT-EDHE PAS MIGJENIT 1937.
... mili butka ...
                                                                             Korçë: 2/1/2017.


Sunday, January 1, 2017

Stavrotypoma (tattoo) një zakon i njohur edhe tek Vllehët.


Stavrotypoma (tattoo) është një zakon që nuk është i njohur gjerësisht se ka pasur edhe tek vllehët.

Por kohë më parë  edhe Vllachia e ka përdorur për "shënjë" në këtë mënyrë për të shprehur rendin shoqëror, hierarki, ndjenjën e tyre fetare, ose sepse ata besonin se tatuazhi të jepte më shumë bukuri dhe fat me vajzat apo edhe paragjykim. 
Shumica e grave e kishte qëndisur trupin e tyre të ishin sa më të bukura, dhe për  këtë shkak se kur ata ishin të rinj ishte diçka që e bënin të gjithë. 

Gjyshet e sotme që janë mbi 80 vjeç janë brezi i fundit që ka ruajtur këtë zakon të lashtë. Disa studiues (Panag. ARGYROPOULOS) argumentojnë se tatuazhi ishte i zbatueshëm në antikitet (skllevër, të burgosurit), dhe kjo është shumë e mundshme tatuazhi në popullatat vllahe të ishte vazhdimi i kësaj tradite të lashtë.
Komplote të ndryshme osmane, kanë thënë se forma e një kryqi veshur nga vajzat e vogla, synonin parandalimin e rrëmbimit dhe izolimit të tyre në një harem, pasi shihej si një simbol i urryer sidomos nga turqit. Gjithashtu ishte simbol i shquar i parandalimit të së keqes.

Sipas hetimeve tatuazhi ishte përhapur kryesisht në Vllahin e Maqedonisë dhe Epirit. 

Qymyri, tjegulla dhe pigmente të ndryshme të tjera përdoreshin për të aritur rezultatin përfundimtar të një tatuazhi duke e përzier edhe me një lëng (uzo, raki etj). Zakonisht mernin thëngjij duke i goditur me gurë dhe i bër pluhur si miell, pastaj ato i përzienin me dokrra për të bërë baltën e duhur dhe me anën e dy gjilpëra shponin në linjat e vizuara  në ballë ose në dorë. 

Natyrisht që kishte dhe rrjedhje gjaku dhe dhimbja ishte e madhe. Pastaj ato mbëshillnin dorën ose ballin me një leckë, dhe shenja – tatuazhi entej.
Dhjetë ditë më vonë, kur qymyri tashmë ka zënë në vendet që ishte shpuar dhe tatuazhi ishte përfunduar Zakonisht miqtë e saj janë duke bërë së bashku ketë rit.
Në ditët e sotme të moshuarit mes vllehëve mbajnë në mes të vetullave ose në duar simbolin e kryqit si një shenjë e ndjenjave të tyre fetare simbolet e tjera të përdorura nga Vllahia tek qëndisjet, thurrjet, qilima, çorga, guna, etj janë tipike e tyre.
Sipas folklorist Dr Basil Nitsiakos "Funksioni kryesor i tatuazh është diferencuar, ai tashme përdoret për bukuri estetike edhe pse ajo ka mbetur në kujtesën e njerëzve. Vllehët  duket e kanë përdorur si simbol aparteidit. 

Bukuria ka punuar gjithmonë duke pretenduar statusin social. Më krenarë që kanë pasur pozicion më të mirë social të përdorura dhe simbolet më të bukura dhe mbresëlënëse ... .

Mili Butka – Korçë, 1 Janar 2017.

Ref; www.almyros.vlahoi.net

Saturday, December 31, 2016

Masakra e Hormovës dhe ushtarët e gjeneral Janullatos!


Masakra e Hormovës

Më 29 Prill 1914, forcat e errëta greke 
therën, vranë dhe masakruan 217 burra në Hormovë. 


Arsyeja e vetme, zhdukja dhe largimi me çdo kusht i popullsisë myslimane nga trojet dhe vatanet e tyre. Për këtë qëllim, forcat e errëta greke, kishin kohë që ishin përgatitur dhe kishin krijuar disa njësi, të quajtura “Legjione të Shenjta.“ Ato përbëheshin nga vullnetarë shqiptarë që ishin mobilizuar me forcë nga oficeret dhe nën oficerët grekë me mision të marshonin drejt Shqipërisë së Jugut, për të bërë masakra dhe krime çnjerëzore. 

Shumica e tyre ishin dyqanxhinj dhe zanatçinj të thjeshtë, hallexhinj dhe paqësorë, që shkuleshin me dhunë nga punët e tyre të përditësime dhe stërviteshin ushtarakisht për të masakruar shqiptarët. Në krye të planeve shoviniste greke, qëndronte Jorgo Zografos, një njeri i degjeneruar, kriminel, spiun dhe agjent i grekëve. Ky mobilizoi dhe vuri në dispozicion të tij, ushtarë, oficerë, municione, armë, thika, bajoneta dhe para të shumta. 

Nën thirrjet histerike “Ja vdekje, ja Greqi!”, të mbështetur me para, banda kriminale, gangsterë dhe burgaxhinj të sprovuar, nga e gjithë Greqia, u sulën me tërbim mbi fshatrat dhe popullsinë e Shqipërisë Jugut për të vrarë, therur, djegur dhe plaçkitur. 

Në përpjekjen e parë u ndeshën me forcat dhe çetën luftarake të Selam Musait. Sulmet ishin të ashpra. Ato vazhduan disa orë të zjarrta dhe pa ndërprerje. Selam Musai me 200 trimat që kish pas vetes, u qëndroi ballazi forcave të shumta greke dhe luftoi me trimëri deri në fund. Në ndihmë të tij shkoi çeta e luftëtarëve të Hormovës. Ajo i goditi fortë nga krahët dhe në shpinë. Në luftimet që u zhvilluan, pati shumë të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Nga shqiptarët u vranë 12 luftëtarë dhe u plagosen disa të tjerë, midis tyre u plagos rëndë në gjoks edhe vetë komandanti i çetës, Selam Musai.

Nga pala greke mbetën të vrarë mbi 200 vetë. Luftimet dhe fitoret e shënuara në Tepelenë, në fshatrat Lekel, Hormove dhe Labovë u bënë një frymëzim dhe mbështetje direkt për rritjen e shpirtit dhe heroizmit luftarak të luftëtareve që vazhdonin qëndresën në malin e Cepos.

Për të përligjur dhe justifikuar veprimet e tyre armiqësore dhe terroriste, nisën të trumbetonin me të madhe se gjoja hormovitët besonin më shumë te Islami se sa te Kryqi, çirreshin me të madhe për martirizimin e Çaush Priftit dhe hakmarrjet që duheshin bërë në mbrojtje të shpirtit të tij, për pjesëmarrjen e forcave të Hormovës në luftimet që u zhvilluan në Lekël, Kodër, Hormovë dhe në Labovë, bëheshin thirrje të hapura për largimin e hormovitëve nga trojet e tyre, etj.


Andartët grekë, të përbërë nga 1500-2000 vetë, më 1 prill të vitit 1914, në orën 9 mbas dite (darkë) befas dhe në fshehtësi të plotë rrethuan Hormovën. Bllokuan rrugët, shtigjet e hyrjes dhe të daljes si dhe vendosën patrulla në çdo lagje e mëhallë. Situata u vendos nën darën dhe kontrollin e rreptë të forcave armike të cilat komandoheshin nga kapiteni Vasil Kollovoi nga Eotira e Greqisë. 


Mes ulërimave dhe thirrjeve histerike të oficerëve greke u vranë dhe u therën me thikë në shtëpinë e zotit 217 burra. Gjaku i tyre u derdh lumë dhe skuqi shenjtorët dhe vendin e shenjtë, aty ku thonë se zoti është në këmbë dhe njerëzit luten “O zot, na shpëto”Forcat në përballje ishin, 5000 grekë të armatosur gjer në dhëmbë me 200 e ca burra hormovitë në mëshirë të zotit; të mbyllur në kishë, pa dyfekë, pa fishekë, pa topa, pa mitraloza, të katandisur kockë e lëkurë, pa ngrënë e pa pirë. 

Natën e parë shkuan në thikë 100 burra…

Pas këtij akti barbar, Begë Tenaj, u bëri thirrje shokëve; “O djema t’u biem kriminelëve dhe të kapet i gjallë kapiten Capi!” I mbytur i tëri në gjak, u përlesh dhëmbë për dhëmbë me ushtarët dhe oficerët grekë por tani ishte vonë. Ushtria kishte fituar kohë dhe e rrethoi vendin me gardh pushkësh dhe kushdo që delte nga hormovitët në derë, i bëhej trupi shoshë nga plumbat. Begë Tenën e kapën dhe e lidhën. Para syve të tij i therën djalin! Begën e varën në litar, i prenë këmbët dhe pastaj e vranë, e shpuan me thikë në zemër !.

Mizoritë çnjerëzore të ushtrisë greke në Hormovë, tërhoqën vëmendjen e opinionit ndërkombëtare dhe tronditën gjithë botën duke akuzuar rëndë qeverinë greke dhe qarqet shoviniste kriminale në shërbim të saj.Lidhur me tmerret e kësaj ngjarje, Mufit Kaziu, shkruan ; Tri ditë pas ngjarjes, vizituam kishën e Ajodhimës në Kodër, aty gjetëm njerëz të mbërthyer me gozhdë nëpër mure, disa të varur në litarë, tetëdhjetë e dy veta i kishin therur si bagëti, u kishin prerë veshët, hundët, nxjerrë sytë, ngulur bajonetat në zemër etj .

Gjeneral Çika, me orgjinë nga Borshi dhe me banim në Amerikë, në kujtimet e tij shkruan, “Aktet më barbare dhe çnjerëzore në historinë e racës njerëzore që ndodhën në kohët moderne ishin ato që kreu ushtria greke në fshatin Hormovë të Tepelenës. Në 14 Maj, gjeneral Leitnad Dever, në krye të Komisionit Hetimor Ndërkombëtar i shoqëruar nga kapiten Groot, mjeku major De Long, dhe Toger Meleq Frashëri, vizituan vendin e ngjarjes në fshatin Kodër dhe konstatuan bedena të mbushura me trupa njerëzish të therur dhe masakruar shtazërisht. 

Gazetat e kohës shkruanin; “Në Hormovë, fëmijëve të vegjël u presin gishtërinjtë e duarve, ndërsa të mëdhenjve u fusin gozhdë në këmbë dhe në gji”.Një i krishterë që ishte kthyer nga Amerika dhe në ato ditë ndodhej në Shqipëri, gjatë bisedimit me shqiptarët në Amerikë, theksonte se “ Duhet ta dinë shqiptarët e Amerikës se ata që hyjnë këtej janë ushtarë grekë dhe jo “Epirotë”, siç duan të thonë gazetat greke” 


Të gjithë ishin ushtarë dhe oficerë të veshur me uniformë të rregullt të ushtrisë greke

Ishin hartuar listat shtëpi për shtëpi, emër për emër, do të kapeshin, vriteshin e do të thereshin në befasi dhe tradhti të gjithë burrat e fshatit. Urdhri ishte i prerë. Të kapeshin dhe të silleshin te sheshi i rrapit, të lidhur dhe të pa armatosur, të gjithë burrat e parisë së fshatit si dhe të mblidheshin të gjithë dyfekët dhe të gjitha armët, deri edhe te thikat dhe bixhaqet. Sipas urdhrit të komandantit, të parët e fshatit u kapën, u sollën duar lidhur te rrapi dhe u burgosën në xhami. Midis tyre ishin Malo Mullaj, Selman Qerimaj, e disa të tjerë. 

Torturat ishin nga më çnjerëzoret duke i shpuar me thikë, me sfungji, thyerje gjymtyrësh etj. I shtrinë për tokë në kurriz dhe barkas dhe i rrahën pa mëshirë me kamxhik. Rrëketë e gjakut mbuluan dhënë. Nga kjo barbari e egër, Adem Bërda, Ahmet Beqiri, tre burra të tjerë dhe një fëmijë 15 vjeç, mbetën të vrarë në vend. Të tjerët, tre ditë dhe tre net mbetën pa bukë dhe pa ujë. Plagët e rënda të krijuara nga torturat, hormovitët i mjekuan me qepë dhe kripë. 

Në këtë kohë në Hormovë mbërritën atdhetarët dhe patriotët e shquar Petro Harito dhe Spiro Karajani, krerë të shoqërisë së fshehtë patriotike ”Kandili”. Pasi mësuan mbi ngjarjen dhe barbaritë greke ndaj këtyre njerëzve të pa fajshëm, shkuan në Hormovë dhe ndërhynë energjikisht për lirimin e tyre si dhe kërkuan largimin e menjëhershëm nga fshati të forcave greke dhe komandantit të tyre Vasil Kollovoi.

Pas shtatë ditësh, në orën një të natës, në Hormovë erdhi sërish një fuqi e madhe ushtarake. Të gjithë me shalle dhe xhufka, në krye kapiten Capi. Te ky njeri, zoti çdo gjë e kishte krijuar të frikshme. Ai kishte dy sy të veshur me djallëzi, që në thellësi të tyre fshihej një plan kriminal dhe ogurzi. Ai shoqërohej nga pesë perona të tjerë që nuk ishte vështirë të kuptoheshin se ishin specialistë të stërvitur për krime dhe masakra të rënda. Nisën grumbullimin e burrave një nga një dhe grupe-grupe


Pas kësaj që ndodhi, kapiten Capi, urdhëroi masa sigurie të rrepta, të hapej çatia e kishës dhe të vriteshin nga lartë dhe dritaret dyzetë burrat e fundit që kishin mbetur brenda në kishë. Rrethinat, bregoret dhe bedenat u mbushën me gjak dhe kufoma njerëzish pa jetë.



Më 14 qershor të vitit 1914, ne Tepelenë erdhi ambasadori amerikan dhe takoi popullin e Hormovës të grumbulluar ne kalanë e Tepelenës. Përpara tyre mbajti një fjalim të rëndësishëm, mbushur me tone ngushëllimi dhe keqardhje. Pastaj takoi dhe pa një për një dhe fytyrë për fytyrë të gjithë njerëzit e pranishëm, numëroi 163 gra, përveç vashave dhe fëmijëve, mori me të shkruar nëmurin e vetëve që ishin vrarë në masakër.


Kurse një tjetër gazetë njoftonte; “kisha ishte mbushur me kufoma, kudo gjendeshin opinga, feste të bardha të skuqura nga gjaku, tesha të ndryshme etj. Një njeriu, pasi i kishin prerë veshët, hundën dhe i kishin nxjerrë sytë, i kishin marrë shpirtin duke i ngulur bajonetën në zëmër”.

 Shkruan Prof Dr Beg Musta.