Qytetërimi Bizantin bashkëjetoi rreth 800 vjet me Shqiptarët, duke dominuar gjatë gjithë mesjetës në trevat tona. Ai jo vetëm pati ndikime të jashtëzakonshme, si vazhdim i qytetërimit romak por pati aftësinë që të ''thithte'' dhe të përfshinte në ''kozmosin'' e tij edhe vlerat më të arrira që vinin nga provincat perëndimore Iliro-Arbërore. Historia e Bizantit si pjesë e një prej qytetërimeve të mëdha botërore veçohet për arritjet e saj në aspektet politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore. Pikërisht në këtë realitet kozmopolit një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe paraardhësit e Shqiptarëve.
I pari midis të shumtëve ishte edhe Anastasi, Perandori që bashkëqytetarët e tij nuk e donin, sepse e lidhi qytetin e tyre, Durrësin me Kostandinopolisin dhe lindjen. Pikërisht Durrësi, qendra e provincës Romako-Bizantine të Epirit të ri, ishte porti kryesor i Bizantit në kufijtë perëndimore të tij. I quajtur si ''Taverna e Adriatikut'', apo ''Metropoli i Ilirikut'' ai shërbente si bazë kryesore e flotës perandorake. Nga ky qytet, Perandorisë Bizantine do t’i vinin të gjitha rreziqet nga Perëndimi, siç ishin sulmet e huaja dhe pretendentët e shumtë të fronit.
Nga gjiri i elitës politike, ushtarakë dhe kishtarë të tij, dolën mjaft personalitete të fuqishme, midis të cilëve edhe Anastasi. Anastasi i cili sundoi në vitet 491-518 ishte i 15-ti Perandor Bizantin. Ai lindi në Durrës rreth vitit 450, në një familje senatoriale Ilire (E. Jacques, Shqiptarët). Pasi u bë nëpunës oborri ai u prezantua si njeri me karakter të fortë, ambicioz, i ndershëm dhe i drejtë. Pikërisht për këto cilësi ky ushtarak me përvojë i armatës bizantine u zgjodh si Perandor në vitin 491, duke zëvendësuar paraardhësin e tij, Perandorin Zenon. Pasi u martua me të venë e tij, Ariadnën (Histori e Bizantit. Tiranë 1999, fq.39).
Anastasi qeverisi për 20 vjet dhe u tregua një administrator dhe shtetar i zoti. Ndër reformat e para të tij ishte riorganizimi i sistemit financiar të Perandorisë, ku paraja bizantine fiksoi një kurs stabël dhe emetoi monedhat e reja prej bronzi, në vend të atyre prej bakri që qarkullonin më parë. Në vijim të kësaj politike, ai riorganizoi edhe sistemin e mbledhjes së taksave që fuqizoi financat shtetërore. Tashmë ato do të mblidheshin nga nëpunës që emëroheshin nga prefektët pretorianë. Në fund të qeverisjes së tij, Anastasi i la arkës së shtetit një shumë prej 320.000 librash ari (G. Ostrogorski, fq. 40). Ndërkohë sundimi i Perandorit me origjinë Ilire u shoqërua me revolta dhe luftëra civile, të cilat nxiteshin nga Partia e të kaltërve. Të tilla ishin revoltat e grupeve kristiane të ndryshme ose revolta e Vitalianit, kryekomandantit të Trakës, i cili e rrethoi 3 herë Kostandinopolisin.
Si durrsak, Anastasi tregoi kujdes të veçantë për qytetin e tij të lindjes. Ai rindërtoi sistemin mbrojtës të Durrësit, gjatësia e mureve të të cilit arrinte gjatësinë 4400 m. Ato kishin gjerësi prej 3.5 m dhe ishin të larta 12 m dhe u ndërtuan me tulla të kuqe (A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, fq.13) ashtu siç i shohin dhe sot. Përveç tyre, Anastasi ndërtoi edhe kështjellën dhe hipodromin, si dhe një kishë atë të Shën Anargjirëve (A. Meksi. Monumente II.1985.fq.15). Në kohën e tij u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe u ndërtuan një pjesë e mureve rrethuese të Kostandinopolisit (T. Zavalani - Histori e Shqipërisë, Tiranë, fq 63-64). Interesant është fakti se Anastasi kishte edhe një portret të çuditshëm. Ai gjysmën e kokës e kishte me flokë të verdhë dhe gjysmën gështenjë, ndërsa njërin sy e kishte bojëqielli dhe tjetrin të zi. (Aristidh Kola, Arvanitasit. fq.209).
Perandori Anastas vdiq më 1 Korrik të vitit 518 dhe u zëvendësua nga Justini, një tjetër bashkëkombës i tij ilir, por nga Dardania, i cili u pasua në vitin 527 nga i nipi, Perandori Justinian. Në vitin 532, kur kundër sundimit të Justinianit shpërtheu kryengritja e famshme Nika, në Kostandinopojë, në të morën pjesë edhe dy nipërit e Anastasit; Pompeu dhe Ipati. Ata u ftuan nga partitë e hipodromit për të marrë pushtetin që u takonte si trashëgimtarë të perandorit me origjinë nga Durrësi. Megjithëse ata arritën një hap larg suksesit, sepse Justiniani mendoi se gjendja e tij ishte e pashpresë dhe u bë gati të largohej nga Kostandinopolisi. Fati i keq i kryengritjes që u shtyp nga strategu i Justinianit, Belizari, pasoi edhe dy nipërit e Perandorit durrsak. Kështu Pompeu dhe Ipati u vranë dhe trupat e masakruar të tyre u hodhën në detin Marmara.
Një luftë e denjë brenda llojit, ku anëtarët e dy familjeve Ilire luftojnë në Kostandinopojë për fronin e Bizantit. Ndërkohë për këtë figurë të shquar që, historia e vendeve fqinje do të bënte çmos që ta bënte pjesë të sajin, tekstet tona, të paktën ato shkollore flasin fare pak. E ndërsa për Anastasin, teksti i Historisë së vitit të katërt, apo siç quhet sot klasës së XII, përmban vetëm katër rreshta (Histori IV Profili shoqëror. Tiranë 2006 fq.23), Justini dhe Justiniani, Perandorë që ishin lindur në Bederiana dhe Tauresium të Provincës së Dardanisë dhe që ishin për nga Kombësia Ilire etnike, teksti i historisë sonë hesht. Përse? Nuk e dimë?!
Historiani Ilirjan Gjika.
----------------------------------------------------
Historiani Ilirjan Gjika.
----------------------------------------------------
https://milibutka.blogspot.al/
No comments:
Post a Comment