Letra/Shqipëria e Jugut dhe hydra e revizionizmit pan-epirot
07-02-2014 / Nga Athanas Tona
SSSA
ASSSigurisht
që nuk do të dëgjoni asnjëherë diplomatët, dhe aq më pak shefat diplomatë, të
thonë publikisht të vërteta të rëndësishme, sidomos për problemet e rënda të
cilat i kanë shtetet me njëra tjetrën. Por në të njëjtën kohë nuk mund të
mohojnë të drejtën legjitime të opinionit publik për tu informuar, ashtu si
ata, të parët, kanë nevojë për legjitimitetin të cilin e ofron mbështetja nga
ana e opinionit publik. Manipulimi krijohet pikërisht në këtë hapësirë të
krijuar nga distanca midis të vërtetës së marrëdhënieve diplomatike dhe ajo çka
mund të thuhet publikisht për këtë të vërtetë.
Nga
shkurti 2010 deri në qershor 2013 e gjithë Europa asistoi, si e çuditur dhe e
ofenduar, nga përshkallimi i retorikës nacionaliste shqiptare kundër gjithë
fqinjëve. Ishte sikur më i miri i klasës të ishte kthyer brenda natës në
“djalin e keq”. “Roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon” dukej si një shprehje
e boshuar nga përmbajtja.
Në
Forumin e Sigurisë mbajtur në Munchen (1-2 shkurt 2013), ish-Kryeministri Sali
Berisha irritoi audiencën duke hedhur fajin te fqinjët për tonin e lartë dhe
përmbajtjen e ashpër të diskutimit nacionalist zyrtar të Tiranës.
Por
vetëm naivët mund të besojnë se Europa diplomatike nuk njeh problemet historike
të Shqipërisë me fqinjët e saj, sidomos që disa nga këto probleme u krijuan më
përfshirjen e drejtpërdrejtë të Fuqive të Mëdha europiane. Në realitet, ajo që
irritoi vitet e fundit Europën zyrtare ishte bërja publike e këtyre problemeve.
Në këtë mënyrë u krijua hapësira hipokrite e manipulimit: nga njëra anë forcat
politike shqiptare filluan një manipulim të rrezikshëm të masave nëpërmjet
temave nacionaliste të nxehta, nga ana tjetër Europa u shtir si e ofenduar.
Por
nuk u duk asnjeri t’i jepte të drejtë Mbretit Lear, i cili thoshte të vërtetën.
Autori
i këtyre rreshtave nuk sjell ndërmend që Europa të ketë vepruar në datën 5
shkurt 2011, kur konsulli i përgjithshëm i Republikës Greke në Korçë, Theodoros
Ikonomou - “diplomati me tuta”, deklaroi në mënyrë ofenduese dhe gënjyese se:
“Korça është pjesë e Vorio Epirit! Vllehtë janë grekë! Të krishterët të shohin
mbishkrimet e varreve të etërve të tyre për të parë origjinën!
Regjistrimi
është vetëm fillimi i një beteje. Protokolli i Korfuzit i vitit 1914 nuk është
anuluar. Do të plotësohen deri në vitin 2013, kur Greqia do të marrë kryesimin
e BE-së, e cila do t’i vendosë kushte Shqipërisë se do ta përkrahë anëtarësimin
e saj vetëm nëse plotëson të gjitha të drejtat e “grekëve të Vorio Epirit”.
Sigurisht, diplomati në fjalë e mbylli karierën nën akuza për korupsion dhe
ndoshta nuk është e rastësishme që disa nga Ministritë më të koruptuara të
Shqipërisë kane pasur drejtues me origjinë etnike greke.
Por,
nuk është ky subjekti i shkrimit tim. Shoqatat patriotike arumune të Shqipërisë
reaguan publikisht në të gjitha mënyrat e mundshme, duke dënuar përçapjet e
irredentistëve grekë për t’i transformuar arumunët në vorio-epiriotë.
Por
kjo nuk i pengoi agjentët e këtij revanshizmi të vazhdonin fushatat
shkatërruese madje dhe ne rradhët e arumunëve duke u prezantuar si arumunë.
Shtypi ynë diskutoi gjërësisht me argumente historike dhe politike nga me të
fortat këtë subjekt.
E
Kotë. Më shumë se kaq, refreni irredentist u mor në nivele dhe më të larta nga
politikanët grekë. Ish Presidenti grek, Konstantinos Stephanopoulos, me rastin
e Koferencës së gjashtë Pan-Epiriote në 22 tetor 2012 deklaroi: “Do të desha
t’i referohem dhe një tjetër çështjeje z. President i konferencës, e kam fjalën
për vllehtë e Epirit të Veriut. Nuk i referohemi vllehve të Greqisë, sepse ata
nuk kanë asnjë diferencë siç nuk kanë as vllehtë e Epirit të Veriut, por do të
them se përse këta vlleh janë të veçantë nga të tjerët.
Por,
me vllehtë e Epirit të Veriut vonuam të hynim në kontakt, të lidheshim. Jemi
rilidhur këto vitet e fundit. Dhe marr informacione mbi këto lidhje dhe takime
të viteve të fundit me kënaqësi pasi janë pjesë e Greqisë. Por, edhe kjo
shoqëri, vllehtë duhet të fitojë dhe kërkojnë njohjen si minoritet grek madje
dhe në vendndodhjen gjeografike të tyre. Gjeografikisht nga kufiri i Greqisë
drejt krahut të Korçës.
Aty
pikërisht ku duhet të njihet dhe Korça si zonë minoritare, siç dihet njihen si
zona minoritare në Shqipëri jo vetëm ato zona të cilat janë njohur më herët nga
qeveritë e reja dhe të vjetra, por të gjitha në bazë të ligjeve aktuale dhe
konventave mbi minoritetet kjo zonë duhet të njihet si minoritet. Dhe i
referohem zonës nga Himara deri në Korçë. Jam i sigurt se qeveria dhe shoqëria
greke do të kthejë vëmendjen dhe përkujdesjen në drejtim të këtyre grekëve të
harruar”.
Pra,
të njëjtat pretendime teritoriale abuzive, të bazuara në fallso historike, të
sygjeruara në datën 14.01.2013 dhe nga Presidenti Karolos Papoulias. Në
mesazhin e tij me rastin e 22 vjetorit të themelimit të “OMONIA”, K. Papoulias
rikujtoi „prania shekullore e helenizmit vorioepirot në shtëpitë stërgjyshore”.
Nuk është për t’u çuditur që, pas provokimesh të tilla, OMONIA në datën 11
dhjetor 2013 bëri publike një komunikatë në te cilën njofton se sipas “Censusit
të brëndshëm” rezultonte se në Shqipëri ka 286.852 grekë, 100.398 nga të cilët
kishin deklaruar se flasin vllahisht dhe greqisht/shqip.
Sipas OMONIA, në
qarkun e Korçës ishin plotësuar 33.561 formularë në kuadër të “Censusit të
brëndshëm”.
Thonjzat e përdorura kur i
referohemi “Censusit të brendshëm” të minoritetit grek, duan të tregojnë se
përçapje të tilla kanë të njëjtën besueshmëri sa përpjekjet e mëparshme të
irendetistëve grekë për të modifikuar hartën etnike të Shqipërisë, në prag të
Konferencës së Paqes në Londër (1912-1913) ose para Kongresit të Paqes në Paris
(1919-1920).
Ajo
që mungoan tani është vetëm spastrimi etnik i andartëve grekë kundër arumunëve
dhe shqiptarëve të cilët nuk pranonin të deklaroheshin grekë.
Por, si etnik arumun i cili e
do atdheun shqiptar, nuk mund të mos tmerrohem nga ideja se një ditë unë ose
pasardhësit e mi do të deklarohemi grekë nga shteti shqiptar, pasi
stërgjyshërit tim paguan me gjak të drejtën e brezave të ardhshëm për të jetuar
në kufijtë e Shqipërisë dhe për t’u mbrojtur nga dhuna e politikave të asimilimit
të bëra nga shteti grek.
Ashtu
si thoshte dhe Sami Frashëri – profeti i madh i shqiptarizmit, në librin e tij
të pavdekshëm “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”:
“Grekët
kanë bërë edhe po bëjnë gjithçka për këta vlleh ato që kanë bërë e që po bëjnë
për ne shqiptarët, dmth përpiqen t’i bëjnë grekë me shkollat e me kishat e
tyre. Vllehtë gjer tani ishin gënjyer, edhe ata si shqiptarët ortodoks e donin
të quhen grekë e të harrojnë gjuhën e tyre, duke mësuar greqisht, po më në fund
e morën vesh edhe këta se sa e vlefshme është gjuha e kombësia për çdo njeri
edhe zunë të mësojnë gjuhën e tyre e të hapin shkolla më vete.
Në
këtë punë vllehtë s’mund të kenë tjetër ndihmë e mik të vet përveç shqiptarëve.
Duke u prishur me grekët, të cilët s’nginjen t’i pjekin e t’i hanë ata vlleh,
që duanë gjuhën’ e tyre, si edhe shqiptarët, kishin nevojë të bashkohen me
shqiptarët, me ata që janë shqiptarë të vërtetë e duan gjuhën e kombësinë e
tyre.
Edhe Rumania, që është mëmë e këtyre vllehve a derë e t’et të
tyre, ta themi për shembull, e di mirë që vllehte e Shqipërisë e të Maqedonisë
s’mundin të rrojnë e të ruajnë gjuhën e kombësinë e tyre kundër djallëzive të
grekëve, përveç duke mbështetur në miqësinë e shqiptarëve e duke u bashkuar me
ta. Prandaj Rumania është treguar më tepër se gjithë mike për Shqipërinë, e ka
dashur dhe e do ndarjen e shqiptarëve nga grekët; edhe në Rumani është bërë e
para shoqëri e atje është hapur e para shtypshkronjë e janë shtypur të paratë
livra shqip.
Këtë të mirë Shqipëria nuk do t’ia harrojë Rumanisë edhe do t’ia
shpërblejnë duke dashur e duke mbajtur mirë vllehtë e Shqipërisë”.
Nëpërmjet një memoriumi të dërguar në datën 27 nëntor 1918 Katër
Fuqvive të mëdha, patrioti i madh Fan Stilian Noli, një tjetër viktimë e
intrigave greke, shprehej në të njëjtën mënyrë, kur ngrinte dëshirën e
kuçovllehëve për të jetuar në brendësi të kufijve shqiptarë: “it is a well
known fact that the Rumanians of Pindus, or Kutzovlachs, have several times
appealed to the Powers since the London Conference to be included in Albania
and thus escape Greek oppression and misrule”.
Në të njëjtën kohë, as vetë grekët nuk i
besojnë vërtetësisë së pretendimeve të tyre heleno-vllahe dhe e dinë se cila
është e vërteta objektive përsa i përket identitetit etnik të arumunëve. Po
paraqes disa fakte dhe dokumente të së drejtës ndërkombëtare:
Në negociatat e bëra me rastin e Kongresit të Paqes në Londër, Rumania morri premtimin nga qeveria greke se do të garantonte të drejtat e arumunëve për shkolla dhe kisha në gjuhën amtare, në qoftë se Rumania do të mbështeste pretendimet territoriale greke kundër Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Në negociatat e bëra me rastin e Kongresit të Paqes në Londër, Rumania morri premtimin nga qeveria greke se do të garantonte të drejtat e arumunëve për shkolla dhe kisha në gjuhën amtare, në qoftë se Rumania do të mbështeste pretendimet territoriale greke kundër Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Premtime të tilla janë berë nga: A. D. Papadiamantopoulos –
ministri grek në Bukuresht në datën 15 maj 1913, drejtuar Titu Maioreskut –
kryeministër i Rumanisë; në të njëjtën mënyrë, në datën 23 maj 1913; Elefterios
Venizelos – kryeministri i Greqisë, kundrejt Filodorit – ministri rumun në
Athinë, në datën 11 korrik 1913 (kryeministri grek shprehte keqardhjen për
gabimet greke të bëra në të kaluarën ndaj „çështjes arumune”).
Të njëjtat
premtime iu rinovuan T. Maioreskut, në datën 31 korrik 1913, në Bukuresht
nga ana e E. Venizelos. Ndërsa në datën 25 korrik 1913 kryeministri grek i
dërgoi homologut rumun një letër në të cilën shkruante: “Greqia pranon t’i japë
autonominë shkollave dhe kishave të kuço-vllehëve të cilët do të përfshiheshin
në territoret e ardhshme greke duke premtuar dhe krijimin e një Episkopie për
këta kuço-vllehë, me lirinë e shtetit rumun për të subvencionuar këto
institucione kulturore të tashme dhe të ardhshme, nën kontrollin e e shtetit
grek”.
Kjo
letër ishte shtojcë e Traktatit të Paqes të Bukureshtit. Duke ruajtur nderin e
vet, qeveria Rumune nuk pranoi të bënte trok me territoret shqiptare, por
mbështeti bashkimin e një numri sa më të madh arumunësh brenda kufijve të
shtetit të ardhshëm shqiptar, për t’i shpëtuar nga greqizimi.
Në
bazë të asaj letre shtojcë në Traktatin e Paqes të Bukureshtit, shkollat rumune
për arumunët e Greqisë vazhduan të funksiononin deri ne instalimi e
qeverisë-kukull nga ana e pushtuesve, në Luftën e Dytë Botërore.
Me
çlirimin e teritorit grek, shkollat arumune rifilluan aktivitetin dhe numri i
tyre u rrit nga 29 në 91. Por në 21 shkurt 1946, kabineti Sofoulis vendosi
mbylljen e shkollave rumune, marrjen e menjëhershme të godinave, mobiljeve dhe
arkivave të institucioneve arsimore rumune dhe largimin ose arrestimin e profesorëve.
Në
datën 22 prill 1948, qeveria rumune i nisi qeverisë greke një Notë Proteste për
këto abuzime. Në dokument kërkohej: “1. Ndërprerja e persekutimit i cili i
bëhet minoritetit rumun në Greqi. 2. Kthimi i të gjitha godinave dhe inventarit
shkollor në pronësi të shtetit rumun, komunitetit rumun. 3. Rihapja e të gjitha
shkollave dhe kishave rumune në Greqi. 4. Rindërtimi i shkollave dhe kishave në
pronësi të shtetit rumun, të shkatërruara nga autoritetet greke, ose dhënien si
kompesim të godinave të tjera me te njëjtën vlerë dhe në gjëndje të mirë
funksionale…”.
Që
sot të arrijmë në situatën absurde në të cilën organizatat e minoritetit
kombëtar grek të Shqipërisë ose dhe vetë politikanët grekë të flasin në emër të
arumunëve, me qëllimin e vetëm të pretendimeve territoriale verio-epirote.
Është e vërtetë: për pensione ose lehtësira të tjera ekonomiko-financiare, disa
arumunë nga Shqipëria kanë pranuar të deklarohen grekë, ashtu si kanë bërë dhe
disa shqiptarë, të krishterë ose myslimanë.
Por
shteti shqiptar duhet të ishte i pari i cili duhej të reagonte përballë këtyre
përpjekjeve manipulimi të identitetit etnik të disa arumunëve dhe të disa
shqiptarëve, ashtu si dhe Rumania nuk lejoi përpjekje të ngjashme nga ana e
Hungarisë në vitin 2001, sepse Ligji për statutin e hungarezëve jashtë
Hungarisë mund të interpretohej në mënyrë të tillë që të ndërmerrte të drejtën
e aplikimit i tij në territorin e një shteti tjetër, duke u bërë një formë
ndërhyrje e Budapestit në punët e brendshme të vendeve fqinje.
Në
Shqipëri, pas rënies të regjimit komunist, autoritetet shtetërore bënë gabimin
për të mos marrë të gjitha masat në drejtimin e fuqizimit të identitetit të
arumunëve, si një mur mbrojtës përballë influencave greqizuese dhe pretendimeve
territoriale verio-epirote.
Pas vitit 1992, arumunët nuk
kanë pasur te drejtën e deklarimit të identitetit etnik në dokumentet e
gjendjes civile, të drejtë të cilën e gëzonin vetëm minoritetet e tjera
kombëtare; ata nuk kanë pasur të drejtën e shkollimit ose informimit në gjuhën
amtare ose mbështetje nga ana e institucioneve shtetërore për rruajtjen e
specifikës së tyre kulturore dhe fetare. Për më shumë, u shndërruan në një
minoritet të dorës së dytë, nëpërmjet shpikjes së një statuti pa përmbajtje:
„minoritet etno-gjuhësor”.
Ndërsa
sot, akademikët, opinionistët dhe politikanët e Shqipërisë alarmohen që është
modifikuar artificialisht përbërja etnike e Shqipërisë! Por të parët të cilët
kanë favorizuar këtë dramë identitare kolektive ishin pikërisht vllezërit tanë
shqiptarë, të cilët harruan marrëveshjen e gjakut të cilën e kanë pasur me ne:
arumuni Papa Llambro Ballamaçi dhe shqiptari Papa Kristo Negovani vdiqën në të njëjtën mënyrë, për të
njëjtin ideal, si dhe qindra martirë të tjerë arumunë dhe shqiptarë: një atdhe
i përbashkët, në të cilin të mbruheshin nga grekët.
Jetojmë në një shtet shqiptar dhe në radhë të parë ishte
detyra e këtij shteti, të na mbronte nga politika e çkombësimit e bërë me mjete
agresive nga ana e një shteti tjetër. Çdo humbje për arumunët është në të
njëjtën kohë dhe humbje për shqiptarët.
Ashtu si shkruante Ilo
Mitko Qafëzezi në një letër
drejtuar Nikucë Ballamaçit: “Në
ato kohë lufta ish e përbashkët. Çdo shqiptar që ndihmonte tezën aromune kish ndërgjegjen se
ndihmonte çështjen shqiptare dhe aromunët, gjithashtu, nuk bënin as një
diferencim për shqiptarët”.
Një e vërtetë e pranuar
plotësisht nga udhëheqsve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por e harruar sot
nga ata të cilët duhet të na mbrojnë interesat kombëtare. Asistojmë në
përpjekjet më interesante të shtresës intelektuale shqiptare për të mos kujtuar
se kush janë në të vërtetë arumunët. Por, në qoftë se një komb falsifikon vetë
historinë, përse duhet të pretendojë nga të tjerët që t’ja respektojë dhe mos
ja falsifikojë?
Në qoftë se
në një raport të vitit 1922 autoritetet shqiptare pranonin se në Shqipëri
“jetojnë minoritete greke, malazeze dhe vllehe, e cila në përputhje me
dispozitat e Deklaratës së datës 2 tetor 1921, kishin shkolla në gjuhën amtare
dhe institucione fetare të pavarura”, përse sot shteti shqiptar lejon që
arumunët të pëfaqësohen në mënyrë jolegjitime në Komitetit Shtetëror për
Minoritetet nga një agjent verio-epirot i demaskuar disa herë nga shtypi
shqiptar patriotik dhe i kontestuar nga organizatat legjitime të arumunëve?
Në të vërtetë, frikërat më të mëdha të disa personaliteteve si Luan Omari, Shezai Rrokaj, Sabri Godo, janë duke u përmbushur: irredentizmi grek përparon, duke shtyrë drejt veriut kufirin etnik duke përfshirë Përmetin, Kolonjën dhe Korçën, për të rindërtuar Vorio-Epirin territorial.
----------------------------------------------------
No comments:
Post a Comment