Friday, November 4, 2016

Çfarë mund' të bëjmë më shumë për Vangelin e Dules që të na dojë?

Çfarë të bëjmë më shumë për Vangjel Dulen që të na dojë?



Vangjel Dulja është padyshim një politikan simpatik tanimë. Nga një dhjak i devotshëm, i Janullatosit, në vitet e para pas ’90, ai ka bërë një rrugë të gjatë përpara. Herë me Omonian dhe herë me PBDNJ, herë me pak dhe herë me shumë deputetë.
Njeri këndshëm i tavolinave, këmbëngulës dhe i paepur, ka dalë më së shumti fitues në ato betejat e shumta minoritare-shqiptare apo shqiptare-minoritare, që zhvillohen në partinë e drejtuar nga ai, që rrëfehen edhe më të ashpra se sa betejat në partitë etnikisht shqiptaro-shqiptare.
Mbërriti në poste të ndryshme, jo falë atij grushti votash që PBDNJ, mundet të sigurojë, por falë ndihmës, mbështetjes të të gjitha llojeve, reklamës dhe përkrahjes së fuqishme që vjen nga Athina por jo vetëm. Edhe shteti shqiptar, ka qenë dhe mbetet i kujdesshëm, pavarësisht shumë difekteve, me pakicat dhe përfaqësuesit e tyre.

Vangjeli, është dhe një mik i mirë i Kishës Ortodokse Greke, që është një shtet brenda shtetit në Greqi, por edhe kudo që ajo shtrihet, influenca e saj nëpër Ballkan dhe në SHBA është fuqiplotë, në komunitetet dhe lobet e fuqishme Helene përtej Oqeanit Atlantik.

Ai, si shumë politikanë grekë apo shqiptarë, i ka zgjidhur fort mirë hallet e veta ekonomike personale dhe është sot, pak të thuash në formë të plotë.

Sepse sot, ai, i “sulmuari” dhe ish i përkëdheluri i kryeministrit Rama, është në qendër të vëmendjes në Athinë dhe në fshatin e tij politik në Shqipëri, duke u rikualifikuar, si një politikan aktiv dhe 100% në sinkronizim të plotë me politikën greke të ditës.

Sepse nëse politika e Athinës, është e vrenjtur, edhe Vangjeli është i vrenjtur dhe nëse Athina zyrtare ka diell dhe pranverë, edhe Dulja është i qeshur dhe optimist dhe është e këndëshme të shkëmbesh batuta dhe humor me të.

Duhet patjetër bërë sqarimi se Vangjeli, në gjithë sa shkrova, është në të drejtën e vet, që të jetë i tillë, pavarësisht se kjo e drejtë e tij, nuk është aspak e drejtë e shqiptarëve dhe nuk përputhet aspak me të vërteta të mëdha dhe të rëndësishme historike, që ndërthuren në historinë plot ngatërresa të dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk dua të hy në historicizëm, në këtë përkushtim të shkurtër ndaj Vangjel Dules, sepse historicizmi, është plot kurthe dhe kundërthënie nga më të ndryshmet dhe që nuk mund të jetë dot objekt i një shkrimi gazetari.

Porse të mohosh që ka një Ligj Lufte, që mbahet enkas “de jure” në fuqi, për të bllokuar pronat e shqiptarëve etnikë dhe nënshtetas grekë, në Greqi, të mbiquajtur Çamë, është të luash fort dhe rëndë kundër interesave të ligjshme të pakicës shqiptare, të panjohur kurrë në Greqi, që dhe është një absurd i këtij vendi si Greqia, me kaq shumë diell dhe me kaq shumë det.

Dhe të mos pranosh kurrë se egziston një “Çështje Çame”, madje të shprehesh plot nervozizëm kundra saj, që është një çështje tipike e pakicave të nëpërkëmbura, kur je në krye të një partie, që përbetohet të mbrojë pakicat dhe të drejtat e minoritarëve, është një kontradiktë thelbësore. Është pra, kaq thelbësore kjo kontradiktë, që zë fill nga dy standarte, saqë figura e Dules, do të mbetet kështu gjithmonë, vetëm një shtojcë e vockël, e Athinës së madhe zyrtare. Madje e Athinës së ekstremeve.

Kjo dhe është arësyeja taban, që persona si Dule, nuk janë bindës si bashkëbisedues të besueshëm, që s’kanë fare, dreqi e mori, atë që reklamojnë më shumë: Europianizmin.

Sepse Europianizmi, nuk thotë dhe nuk mund të thotë, se pakicat me etni shqiptare, si është rasti Cam, janë pakica të këqia, bashkëpuntore me nazizmin, apo fallsifikime historike, ndërsa ato greke, janë realitete të kulluara dhe të “rrezikuara”!

Pakicat, janë Pakica, qofshin këto shqiptare dhe qofshin këto greke, dhe pikërisht sepse janë pakica, duhen domosdo mbrojtur nga shumica, që ka epërsi numerike, mekanizma pushteti dhe prirje arrogante natyrale.

Të rreshtohesh gjithmonë në llogoren e alarmit se pakica greke në Shqipëri është e kërcënuar, mund ti ndihmojë organizatat minoritare dhe pra edhe partinë e Dules, që të marrë fonde të majme nga të gjitha anët, për të financuar gjoja “rezistencën” nga asimilimi apo largqoftë “dhuna” e shumicës shqiptare, ndaj pakicës Helene, por kjo nuk ndihmon as shqiptarët dhe as grekët, për një jetë më të mirë.

Të gënjesh hapur dhe të pohosh, si edhe bëri Dule në emisionin më të fundit të debatit politik, se nuk është e vërtetë që dhjetëra e mijëra shqiptarë, u detyruan të ndrrojnë emrin, origjinën dhe fenë e prindërve, për një copë bukë dhe një vend pune në Greqi, nuk e ndihmon të vërtetën dhe nuk e bën Dulen, një politikan konstruktiv dhe të besueshëm, në dialogun shqiptaro-grek.

Të mos pranosh dot hapur se Vorio-Epiri nuk egziston dhe të fotografohesh në të gjitha festat e vorioepirotëve që ëndërojnë ndryshime kufinjsh, anembanë botës, do të thotë se sensi i realizmit historik dhe politik i Vangjelit, është krejt i çalë dhe i njëanshëm. Madje mjaft më radikalisht i shtyrë drejt nacionalizmit, se sa qëndrimi i Athinës zyrtare.
E pra Vangjeli ndoshta nuk na do, ndërsa ne shqiptarët i duam grekët.

Dhe kjo nuk është një fjalë boshe, por ka themele qindra vjecare dhe qëndron në rrënjë të historisë së dy popujve tanë. Histori betejash dhe luftrash të përbashkëta, kundër pushtuesve të përbashkët.

Histori dashurish dhe familjesh të suksesshme.

Histori njerëzore mikpritjeje të mrekullueshme të zemrave të ngrohta Helene, njerëz babaxhanë dhe që gjinden rrallë në botë.

Poezi të vërteta dhe të kulluara të Njerëzores, nga të cilat kam dëgjuar me adhurim me qindra prej tyre.

Të cilat, medet, prishen e thërmohen, kur për interesa fare të vogla karierash të politikës, u hidhet helm dhe acid me shumicë. Qoftë në Greqi, apo edhe në Shqipëri.

Na ndihmo të të duam edhe ty o Vangjel, sepse nuk duam të të mos duam!

Thuaj më parë ca të vërteta të vogla, e më pas ca të vërteta më të mëdha, ashtu si shumë historianë dhe mendimtarë të ndritur athinjotë, që kanë kaq kohë që i bërtasin me zë të lartë.

Sepse një pjesë e dashurisë për Greqinë, dhe këtë, këta athinjotë e kanë zbuluar, ndryshe nga ty, kalon edhe përmes Shqipërisë dhe shqiptarëve të rinj e të vjetër, bashkëthemelues të një qytetërimi dhe të një bashkëegzistence paqësore përtej mijëvjeçarëve.

360grade.al


No comments:

Post a Comment