Thursday, October 6, 2016

HISTORIA E FISIT HASANAS - FRASHERIOTI HASAN COKU - STERGJYSH I MADH I BUTKALLINJVE

HISTORIA E FISIT HASANAS
FRASHERIOTI HASAN COKU - STERGJYSH I MADH I BUTKALLINJVE

(Referuar studiuesit Alfred Frasheri)
(Sipas Zymbyle Nazarit, bija e Ali çokut, vdekur në Tiranë rreth vitit 1965 në moshën mbi 90-vjeçare)
Për sqarim: Zymbylja ishte bija e Ali, Çokut, mbesa e Ismail Çokut, ky i fundit ishte vëllai i Tahir Çokut. Tahir Çoku ishte nipi i Hasan Çokut

HISTORIA

Një nga të parët e Aliçkave për të cilin dihet diçka është Hasani, i cili duhet të ketë jetuar rreth dhjetëvjeçarëve të fundshekullit të XXIII në Frashër. Thuhet se ishte pasardhës i një familje të madhe me shumë djem, vendas në Frashër prej shumë vitesh përpara. Ka qenë shumë trim dhe me djemtë e tij dhe me farefisin e tij shpesh herë ngrinte krye kundër autoriteteve osmane pushtuese, sepse, siç thuhet, nuk pranonte të dërgonte djemtë në ushtri dhe nuk paguante taksa. Në kazanë e Frashërit ishte mjaft i njohur dhe me autoritet të madh aq sa populli thoshte: “Ku pyet Hasan Aliçka për halldupin!” ose “Qyqe moj qyqe, si këndon e s’ke frikë nga Hasan Aliçka”. Për qëndresën dhe zullumet që bënte kundër Turqisë u dënua me vdekje. Sulltani lëshoi dhe një ferman për vdekjen e tij.
FEMIJET E HASAN ÇOKUT
Emrat e fëmijëve të Hasan Çokut nuk mbahen mend, disa prej tyre u internuan në Turqi dhe nuk u kthyen më
NIPERIT E HASAN COKUT
Dihet që ka patur tre nipër (djemt e fëmijëve)
Njëri prej nipërve të tij quhej Tahir, u martua me vajzen e Ajaz Beut, Havane me te cilen pati tre vajza
Dy niperve te tjere nuk u mbahen mend emrat
MOTRA E HASAN ÇOKUT
Dihet që HASANI ka patur nje motër, e cila u martua në familjen e Velibellinjve. Nga kjo martesë lindën dy djem. Njeri prej tyre u shkëput dhe ndërtoi saraje përtej lumit në Vilë. Ky lindi 8 djem të cilët u quajtën 8 pashallarët e Vilës (me ferman të Sulltanit).
KRUSHQITË E HASAN ÇOKUT
Çokollarët kanë patur krushqi me Dumellarët, me Velibellinjtë, me Kapollarët, me Kasollarët, me Laçenjtë, me Mytevelinjtë e Korçës, me familjen e Begzade bej Kostrecit, me Jerollarët e Leskovikut, me Malukajt e Kolonjës, me familjen Zaloshnja, me Poloskën e Devollit me një fis tjetër në Bilisht dhe me fisin e Sali Babanit (Mero) në Baban të Devollit
SI U NDRYSHUA MBIEMRI NGA ALIÇKA NE ÇOKU
Siç thuhej në vegjëli nga gjyshi Ismaili dhe babai Ali Çoku (tregon Zymbyle Çoku) që jetuan gjatë), familja e Hasan Aliçkës ishte shumë e vjetër dhe e madhe në numër. Djemtë e kësaj familjeje janë marrë me punë atdhetare dhe kanë luftuar kundër turkut në kryengritjet e Tomorricës. Pas kryengritjes, në Frashër erdhi një pasha turk që të merrej vesh me familjen e Aliçkasve dhe të Ajaz Beut. Pashai bëri konak tek familja e Vilakëve. Aliçkasit kërkuan që pashai, meqenëse kishte vajtur të merrej vesh me ta, të bënte konak tek Aliçkasit. Pashai refuzoi dhe atëherë Aliçkasit nuk pranuan të merrnin pjesë në takim. Madje nuk pranuan as edhe një nishan (dekoratë) dhe Rytbenë e Sulltanit në të cilën kishte ngritur Aliçkasit në radhën e pashallarëve. Kështu që me pashanë u takuan vetëm familjet e Vilakëve, të cilët kishin ndërtuar saraje të mëdha matanë lumit në vendin e quajtur Vilë, nga morën dhe emrin. Mirëpo pashai turk duke parë se pa pjesëmarrjen e Aliçkasve që ishin kryesorët, marrëveshja nuk kishte vlerë tha: Po nuk erdhën ata, Aliçkasit, që janë çok (turqisht do të thotë shumë) me kë të bëj unë marrëveshje?! Dhe shtoi: Po nuk erdhën në mbledhje Çokollarët dhe po mbajtën pas vetes dhe familje të tjera, atëherë unë do t’ua gjej sërën dhe do t’i degëdis në Jemen. Prej asaj kohe Aliçkasve u mbeti emri Çokollarë. Dhe në të vërtetë, pas disa vjetësh, me anë të tradhtisë, gjatë një prej ekspeditave të shumta ushtarake kundër Frashërit, turku shtiri në dorë disa djem të Çokollarëve dhe i degdisi në Anadaoll, në Jemen dhe në Arabistan nga nuk u kthyen kurrë
Rreth kësaj kohe, një degë e Aliçkasve, për t’u shpëtuar reprezaljeve u largua nga Frashëri dhe u vendos në fshatin Butkë të Kolonjës
LIDHJA E FAMIJES SË HASANIT ME FAMILJEN E AJAZ BEUT
Ajaz Beu që ishte nga Tomorica, kishte marrë pjesë në kryengritjene viteve të fundit të shekullit të XVIII. Në këto kryengritje ai ishte njohur me djemte e Aliçkasve që edhe këta ishin pjesëmarrës të kryengritjes. Kur autoritetet turke e dënuan Ajaz beun me internim, ai u largua nga Tomorica dhe nga tre vende që i propozuan (Koblarën, Lushnjën ose Frashërin) ai zgjodhi Frashërin ku u vendos, sigurisht i shtyrë nga njohja që kishte patur me Aliçkasit. Njëkohësisht Ajaz Beu bëri krushqi me Aliçkasit duke i dhënë për grua vajzën e tij, Havanë, njërit prej nipërve të Hasan Alickës, pra Tahir Çokut
LIDHJA E HASANIT ME FAMILJET E TJERA TË FRASHËRIT
Një motër e Hasan Aliçkës ka qenë e martuar në familjen e Velibellinjve. Nga kjo martesë lindën dy djem. Njëri nga djemtë u shkëput dhe ndërtoi saraje përtej lumit në Vilë. Ky lindi 8 djem që u quajtën 8 pashallarët e Vilës (Ata u bënë pashallarë me rytbe)
Aliçkasit kishin miqësi edhe me familjet e tjera, si Dumellarët (mbiemër që i mbeti familjes së Ajaz Beut nga djali i tij i dytë (Durmishi), i cili jetoi shumë gjatë deri në kohën time kur isha e vogël, tregon Zymbyle Çoku. Durmishi vdiq i fundit nga fëmijët e Ajaz Beut me të cilët bënë krushqi. Po kështu bënin kushqi edhe me Velibellinjtë, me Kapollarët, me Kasollarët, me Laçenjtë etj
Me Sulejmanbellinjtë kishin marrëdhënie të ftohta
Çokollarët mbajtën miqësi dhe lidhën krushqi edhe me familje jashtë Frashërit, si me Mytevelinjtë e Korçës (Familje kjo që vinte nga Iljaz Bej Mirahori-themeluesi i Korçës, me familjen Begzade Bej Kostreci, me Jerollarët e Leskovikut, me Malukajt e Kolonjës, me ata të Zaloshnjës dhe kisha dëgjuar që një vajzë ishte dhënë në Poloskë të Devollit dhe një tjetër në Bilisht.
Nga ekspeditat e shumta, djegiet, shkatërrimet dhe nga ndjekjet nëpër burgje jashtë e brënda Shqipërisë, Çokllarët humbën pothuajse krejt pasuritë që kishin si dhe shtëpitë e kullat e tyre në Frashër. Kështu ata u mbështetën vetëm në nëpunësitë civile ose ushtarake që kishin.
Ymer Çoku tregonte se Tahir Çoku kishte qenë dervenaga i krahinës së Dangëllisë, Dëshnicës, Tomoricës dhe Skraparit, kurse i ati i Ymer Çokut, Shaban Çoku ishte major i kalorsisë shëtitëse . Ymer Çoku, (gjyshi i Agron Frashërit) tregonte se si Tahir Çoku, ashtu edhe pasardhësit e tij, si Shaban Çoku, i ati i tij, si oficer i lartë që ishte kontrollonte rrugët, i mbronte dhe furnizonte kaçakët, fshatarët e arratisur se nuk paguanin taksa dhe luftëtarët e lirisë duke i strehuar në kullat e tij në Frashër, duke u dhënë ushqim dhe të holla, duke i lajmëruar kur ndiqeshin nga reparte ushtarake turke. Nga marrëdheniet fisnore si dhe nga krushqitë që kishin me pasardhësit e Ajaz beut deri te Abdyli, Naimi e Samiu, ata mbanin lidhje të ngushta me lëvizjen kombëtare, vinin në dispozicion të saj gjithçka kishin.
Çokllarët ishin shumë arsimdashës. Ymer Çoku tregonte se i ati- Shabani, nuk ishte oficer pa shkollë, por kishte kryer një shkollë ushtarake në Manastir apo në Stamboll. Madje, ai thotë se Shaban Çoku dinte të shkruante edhe shqip, por nuk kujtonte në cilin alfabet. Vetë Ymeri kishte mbaruar qytetësen (ruzhdie apo idadrije), kurse, megjithse në kushte të vështira ekonomike, si nëpunës i vogël (gjymryka) dogane, ai kishte dërguar të tre djemtë e mëdhenj nëpër shkolla.
Xhaferi mbaroi Universitetin e Stambollit në Veterinari dhe vdiq një muaj pas mbarimit të studimeve i helmuar nga turqit, pasi nuk pranoi të qëndronte në Stamboll, por kërkoi të kthehej në Shqipëri
Fazlliu ndoqi Universitetin e Stambollit për Inxhinier Hidraulik dhe më vonë kreu edhe një kurs special të Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës
Qazimi mbaroi gjimnazin dhe u regjistrua në Universitetin e Stambollit në Shkencat Ekonomike, por u detyrua të largohej për të filluar tregtinë që t’i vinte në ndihmë familjes.
Ymer Çoku e shkruante shqipen dhe lexonte librat e “Djemve të Stambollit“ (Abdylit, Naimit, Samiut e të tjerëve).
Ai kishte mësuar edhe të Shoqen, Xhevrien, të shkruante
Qemali, djali i katërt, pasi mbaroi qytetësen, kërkoi ta dërgonte në liceun Ushtarak të Manastirit. Ky nuk pranoi se donte të fillonte tregtinë bashkë më të vëllanë dhe për t’i shpëtuar detyrimit të të atit, u nis fshehur në Amerikë nga ku nuk u kthye. I ati Ymeri, nuk lejoi të përmendej emri i të birit të pabindur që pa shkollë “mbeti hamall udhëve të Amerikës”.
LIDHJET E ÇOKOLLARËVE ME LAÇENJTË
(Martesa Xhanfize Aliçka (Çoko) me Ibrahim Laçin)
Laçenjtë ishin edhe këta një familje e vjetër dhe e madhe. Bënë krushqi me Çokollarët. E bija e Tahir Çokut, Xhanfiseja (Çakja) u martua me Ibrahim Laçin (Frashërin).
Nga kjo martesë lindën:
1- BALLKËZJA, e cila u martua me Abdyl Frashërin dhe më vonë me Sami Frashërin
2- MEHMETI, i cili u martua me një vajzë nga Konica, pati 4 fëmijë:
a) Fatimen, e cila nuk u martua
b) Xhemalin, i martuar me Mihrinë, mbesën e Ismail Qemalit, s’patën fëmijë,
c) Ibrahimin, i martuar me Zyhra Selenicën, të bijën e Avdi Selenicës. Kanë fëmijë: Dionin të martuar me Dëshira Mezinin nga Gjirokastra, që kanë dy djem Gerontin dhe Ervinin, ka dhe një vajzë Dritën të martuar me Bestar Kongolin nga Elbasani që kanë një vajzë Irisin, martuar me Bujar Kripën nga Korça
d) Xhanfisenë, martuar me Shyqyri Bashën nga Tirana, nuk lanë fëmijë
3- XHAFERI, i cili u martua me një vajzë në Pojan dhe më vonë me një turke, ka lënë dy vajza nga martesa e dyti në Turqi
4- FUATI, i cili u martua me Qerimenë, bijë nga Velibellinjtë lanë dy djem: Qemalin, martuar me Leman Pronjon nga një familje çame dhe kanë lënë një djalë Fuatin dhe dy vajza: Qerimenë dhe Bulen, të dyja të martuara
5- SABRIU, i cili u martua me Devrijen, bijën e Mustafa Prvezës nga Ulqini, patën një djalë Xhezminë, vdiq i pamartuar, vajzën Ifikat, e martuar me Qazim Frashërin dhe kanë dy djem dhe një vajzë- Vajzën Mehpare martuar me Fazlli Frashërin e Sulejmanbellinjve (vdiqën pa fëmijë), djalin Ibrahim (vdiq i pamartuar) dhe vajzën Sadet Mero (Frashëri) nartuar me Sali Babani (Mero) nga Babani i Devollit
6- QAZIMI i cili vdiq i pamartuar
Djemtë e kësaj familjeje kanë qenë: një pjesë, (Mehmeti, Xhaferi, Sabriu) oficerë me grada të larta në ushtrinë turke.
Fuati merrej me drejtimin e pasurisë (ullishte, bahçe me portokalle, bagëti etj), kurse Qerimi ka qenë diplomat, konsull i Turqisë në Maltë dhe Madrid… dhe kanë patur lidhje të ngushta me lëvizjen kombëtare.
Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, Mehmeti (kolonel) doli në pension dhe u kthye në Shqipëri. Për këtë shkak qeveria turke ia preu pensionin dhe ai jetoi shumë i shtrënguar deri sa vdiq, rreth viteve 1916-1918.
Po kështu edhe Xhaferi, i cili ishte edhe ky kolonel, dhe pas pavarësisë së Shqiprisë nuk pranoi të shërbente më në ushtrinë turke.
Sabriu vdiq më 1916 në Izmir të Turqisë ku shërbente në ushtri ( nënkolonel) dhe i la amanet familjes që të kthehej në Shqipëri. E shoqja me tre vajzat dhe dy djmte që i kishte nxënës në shkollat ushtarake, braktisën pasurinë në Prevezë (zotërim i dajlanit të Nikopolisit), të cilin e sekuestroi qeveria greke me kusht që t’ia rikthente nëse do të pranonin të qendronin në Greqi. Familja nuk pranoi. Kjo pasuri e ka prejardhjen nga ulqinaku Kapedan Uruçi ( ose Uruç Kapedani), stërgjysh i së shoqes së Sabriut – Devrijes. Kapedan Uruçi ndihmoi me flotën e tij detare Ali Pashë Tepelenën për të pushtuar Prevezën dhe ky përveç të tjerave i dha si shpërblim Kapedanit zotërimin në pronësi të plotë të dajlanit Nikopolis.
Fakti që motra e tyre, Ballkëzi, ishte gruaja e Abdyl Frashërit dhe më vonë e Sami Frashërit, tregon se ata ishin pjesë aktive e lëvizjes patriotike. Abdyli, Samiu dhe Naimi i kishin baza të sigurta familjet e kunetërve në Janinë, Filipiadhë, Prevezë, Stamboll dhe Izmir dhe bashkëpunonin ngushtë, sidomos duke vënë në shfrytëzim pasuritë e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe, për shpërndarjen e librave dhe të shtypit shqip, për pritje e përcjellje të luftatarëve të lirisë. Çerçiz e Bajo Topulli kanë patur bazën e tyre në Janinë, një nga shtëpitë e familjeve të djemëve të Ibrahimit Laçit (Frashëri).
(Tregojnë këto ngjarje nga jeta e djemëve të motrës së tyre Ballkëzit)
Para se të nisej për në Kongresin e Berlinit, Abdyli me të shoqen kaloi nëpër Janinë ku qëndroi te kunetërit. Patriarkana greke ngarkoi dhespotin e Janinës që të shkonte të takonte Abdylin dhe t’i propozonte që të hiqte dorë dorë nga kërkesa dhe lufta për bashkim… sidomos të Janinës në shtetin autonom shqiptar. Po të pranonte, Patriarkana i jepte Abdylit dy hejbe me florinj si shpërblim dhe mundësinë që të jetonte si zot i madh me nënshtetësi greke në një nga kryeqytetet e shteteve të Europës. Abdyli, për të matur më mirë dhe më me siguri gjendjen shpirtërore të së shoqes, Ballkëzitdhe të vëllezërve të saj i tha: “O Ballko, puna ime u pa, mbetëm rrugëve pa shtëpi e katandi. Kokën e kemi në torbë përditë. Shqipëria nuk u bëkërka dot se ka armiq të fortë. Ti s’ke parë një ditë të gëzuar veç ndjekje, bastisje dhe sharje. A nuk i japim fund kësaj pune? Pranojmë paratë e dhespotit dhe shkojmë e vendosemi në Paris ose Londër? Si thua? Kështu paska qënë e thënë nga Zoti! Ai e porositi gjithashtu, të mos e bënte fjalë me vëllezërit. Ballkëzin e mbyti ngashërimi, aty për aty, duke dëgjuar këto fjalë, doli jashtë nga dhoma dhe u kthye pas gjysëm ore.
“Dëgjo or zoti i shtëpisë, i tha të shoqit me zë të prerë. Unë kur të mora e dinja kush ishe dhe prindërit dhe vëllezërit e dinin ku më dhanë. Unë erdha nga një derë ku jetë e mot është folur shqip dhe se turpëroj atë deri në vdekje. Në bëfsh zotrote hyqëm e i pranon paratë e dhespotit, i hëngrësh hel e vrer dhe paç faqen e zezë e mua m’u thaftë barku që bëra fëmijë me ty. Shko e gjej ndonjë tjetër andej nga Europa…”.
Abdyli e dëgjoi me sy të përlotur, iu hodh menjëherë në qafë e i tha: “Unë me ty, e në qofshin gjithë
gratë tona si ti, bëj hyqëm për 6 dhe jo 5 vilajete. Kështu të kam njohur, kështu më dole edhe në të keq të punëve tona, dy hejbe me flori janë shumë për ne, por për të shitur shqipërinë nuk mjafton as floriri i gjithë botës. Të kam mbi krye e sipër…” As u bë fjalë për dhespotin dhe hejbet me flori të dhespotit, të cilin Abdyli e kishte përzënë që sapo kishte hapur gojën të bënte propozimin
Xhafer Frashëri ( kolonel), kur zemërohej me oficerët vartës turq, i shante e s’u linte gjë pa thënë në shqip. Bile mblidhte regjimentin e u thërriste: zuzarë, maskarenj, halldupër shall... Ndodhi që midis ushtarëve të ishin edhe dy kushërinj shqiptarë nga Shqipëria e mesme (kavajas apo krutianë). “E muarëm vesh çfarë the, zotërote bej efendi; afendëm, si bën emër, tua themi edhe këtyre të tjerëve në gjuhën e tyre që ta marrin vesh edhe këta shqipen tonë. Që atë ditë ai i mori si ordinanca besnike të dy ushtarët shqiptarë.
Fuat Frashëri qëndronte në Filipiadhë në pasurinë e tij. Ai kishte shumë influencë në Çamëri, Filipiadhë, Prevezë etj. Mbas luftës greko-turke, kur këto krahina kaluan nën sundimin grek, mbreti i greqisë Jorgoja e ftoi Fuatin për vizitë në pallatin e tij në Athinë për ta marrë me të mirë dhe për ta afruar të bashkëpunojë me të. Fuati e pranoi ftesën dhe u nis në Athinë i veshur me fustanellë shqiptarçe, pasi kështu rrinte gjithnjë i veshur. Duke pritur në paradhomë të hynte tek mbreti, një nga oborrtarët i tha: “Zotrote, bej, se paske të mirë terzinë, ta ka bërë shumë të gjatë këtë fustanellë evzonësh (evzonë janë ushtarë grek të gradës mbretërore)
E ke jangëllësh zotrote, terziu im ështëi zoti i kësaj pune se e ka të tijën fustanellën shqiptarçe dhe jo si e keni narrë ju dhe e keni shkurtuar gjer mbi bythë. Ka qenë më parë fustanella jonë e gjatë, pastaj e muarrët ju dhe e pretë. Kumashi i shkurtër nuk zgjatet dot kurrë. U bë shumë zhurmë në paradhomë dhe doli mbreti. Si e mori vesh muhabetin iu drejtua oborrtarit: E ke gabim, zoti gjeneral që kapesh meFuat Beun. Nuk ia del dot njeri këtij. Këtij nuk ia kanë dalë dot dy mbretër, jo ti. Urdhëro brenda, iu drejtua Fuatit, pa merremi vesh bashkë. Sa mund të bëhet fustanella e evzonëve e gjatë siç ka qënë, aq merremi vesh edhe ne o mbret, iu përgjigj Fuati. Po nejse, më ftove si mik dhe unë të ardhç, me kaq është boll
(Këto ngjarje i janë treguar Agron Frashërit nga e ëma Ifakat Frashëri, e cila ose i kishte dëgjuar nga halla e vet Ballkëzi, ose i kishte jetuar vetë me xhaxhallarët e saj Mehmetin, Xhaferin ose me Fuatin)
LIDHJET E TJERA TË ÇOKLLARËVE
Çokllarët mbanin lidhje edhe më familje ortodokse, që ishin me shumicë në Frashër, sidomos ata siguronin mbrojtjen e këtyre familjeve nga ndjekjet e turkut dhe të vendasve. Pasardhësit e Çokllarëve ruanin miqësi të ngushtë me ortodoksët, hynin dhe dilnin dendur të njëri-tjetri, shkëmbenin vizita dhe peshqeshe me raste festash fetare dhe dallimet fetare as që i merrnin fare parasysh dhe nuk i përfillnin fare para miqësisë. Ymer Çoku thoshte: “ Në Frashër qëmoti kemi të gjithë të fesë së Krishtit. Ne jemi kushërinj me familjen e Thanas Frshërit, këtë e kam dëgjuar nga goja e merhum babait.
Në Frashër ka qenë një Teqe e madhe e Bektashinjve. Në atë kohë ajo ishte çerdhe e lëvizjes patriotike. Aty rilindasit e mëdhenj kishin një nga bazat më të hershme dhe më të forta të krahinave të Jugut. Banorët kishin një respekt të madh për Teqenë, sidomos për një nga themeluesit e saj, Nasibiun (baba), për baba Bektashin dhe më vonë për baba Alushin që ishte një patriot i flaktë. Por, në përgjithësi frashërllinjtë praktikonin një besim me toelrancë të madhe fetare. Në Teqe hynin dhe dilnin si miq të saj shumë ortodoksë, nga jashtë ose edhe familje ortodokse të Frashërit. Ymer Çoku thoshte se kishte shumë ortodoksë që ishin bërë myhypë (kishin marrë dorë në fenë bektashiane dhe kjo për shkaqe patriotike) Ishte zakon që djemtë e familjeve të Frashërit të quheshin “Djemtë e Teqesë“, pavarësisht nëse ishin ose jo bektashinj. Fshtarët e nderonin Teqenë më shumë si qendër patriotike se sa si qendër fetare.
Dhe kur feja ose fetarë t kësaj Teqeje i kundërviheshin kësaj lëvizjeje, atëherë fshati i dënonte rëndë. Tregojnë për një dervish, Dautin (kryedervish), i cili mbante lidhje me autoritete turke të vilajetit dhe shpesh informonte për çka ndodhte në Teqe, kur u zbulua kërkuan nga baba Alushi që ta dëbonte dervishin: Ti këndojmë taberanë, ta vëmë në dhe të gjallë
VJERASHA DHE BEJTE QË KËNDOHESHIN NË FRASHËR
Për të satirizuar me fodullëkun e Vilakëve dhe Sulejmanbellinjve që ishin të ardhur në Frashër shumë kohë pas Çokllarëve:
Sulemanbellinj e Vilakë
Thonë se jemi oxhakë
Por ata janë varfanjakë
Të rritur në Stanimakë
Kanë lëruar deri më dje
Për të mburrur forcën e Çokllarëve në ahengje e pije dhe për të mos përfillur fenë:
Ku di çoku ç’të bën Bajrami
Ku di çoku ç’të bën Kurbani
Merr gjysmën e hedh në furë
Gjysmën tjetër e ble verë
Të pihesh të bëhesh burrë
Të kesh nder ndër të tjerë
Për të satirizuar ndonjë gjest vjedhjeje bagëtish:
Viçi i Panollarëve
Në kusi të Çokllarëve
- Unë të thashë more viç
Ndër Çokllarë mos gjezdis,
- Ti më the dhe unë dëgjova
Më genjëu Çalua me kashtë,
Fërc e fërc më nxori jashtë
(Çalua ishte xhaxhai i Ymerit, çalonte nga një këmbë)
Për të portretizuar fisin e Laçenjve, që thoshin se ishin nikoqirë të mirë dhe një prej fisit të tyre ishte shumë i madh nga trupi
Ky Laçi, ky bark derri
Për të ngrënë ngordhi si qeni
Mbaj mend gjithashtu një strofë të një bejteje që këndonte Ymer Çoku për Ali Pashë Tepelenën, të cilën, siç thoshte, e kishte dëgjuar nga gyshi dhe i ati. Kur Ali Pasha u nis për të shkuar në Manastir, Frashëri në krye të Dangëllisë nuk i lejoi ushtritë e vezirit të Janinës të kalonin nëpërmjet krahinës së tyre nga ku e kishin rrugën më të shkurtër, por i detyruan të ngjiteshin lumit të Vjosës, të ktheheshin nga Leskoviku, mbrapa Gramozit të dilnin në Devoll, ku rrethuan Bozhigradin dhe prej andej të mëbrrinin në Manastir e më tutje (këtë fakt të fundit e përmend edhe Pukvili)
Ali Pashë Tepelena
Seç lufton ndër bedena
Po këtej bedena s’ka
Është vendi fukara
Me hanxhar e me dogra

Nga 
Vepror Hasani 





No comments:

Post a Comment