Nga Albina Ferko Nanaj/


Keni dëgjuar ndonjëherë për Uen’an-in? Përpara 20 vitesh Uen’ani ishte një parajsë baritore, një rajon agrikulturor i mirënjohur për përrenjtë e tij, për pemët e pjeshkave dhe peizazhin e praruar. Njerëzit që akoma e kujtojnë këtë, psherëtijnë thellë kur sjellin në mendje dheun erëmirë, ritualin e peshkimit dhe netët klimëbuta të verës. Ishte koha kur bulkthat dhe bretkosat mbytnin zhurmën e bisedave njerëzore.
Sot, konteja e Uen’anit është zemra e industrisë së përpunimit të mbetjeve plastike në Kinë, dhe duke qenë se Kina është importuesi dhe përpunuesi më i madh i mbetjeve plastike në botë, ajo është qendra e tregtisë globale të plastikës.
Detajet e sakta sesi Uen’ani u shndërrua në qendrën e riciklimit global të plastikës kanë humbur përgjatë historisë. Megjithatë, duke diskutuar me banorët e zonës, qartësohet se ishte më shumë diçka aksidentale sesa e planifikuar. Dikush filloi të merrej me këtë biznes dhe fitoi goxha mirë, prandaj edhe të tjerët bënë të njëjtën gjë. Qeveria e konsideroi si burim të bollshëm të ardhurash përmes taksave dhe e inkurajoi industrinë, derisa u shndërrua në diçka të rëndomtë.
Sipas mjekëve të zonës, që nga vitet 80’-të, presioni i lartë i gjakut është shndërruar në diçka të zakonshme. Në të shkuarën askush nuk vuante nga një problem i tillë. Sëmundja shfaqet tek të rinjtë, duke nisur nga mosha 28 vjeçare dhe shoqërohet me probleme pulmonare që kufizojnë lëvizjen. Njerëz të moshës 30 vjeçare nuk mund të lëvizin. Ata janë të paralizuar. Kur pyet mjekët se cili është shkaku, përgjigja është e prerë, “Ndotja! 100% ndotja!”
Këto detaje nga libri i Adam Ëinter i titulluar Planeti si Kosh Plehrash: Rrugëtime në Tregtinë Miliardëshe të Mbetjeve ofrojnë një pasqyrë të qartë të efekteve që shoqërojnë vizionet zhvillimore të ngritura mbi industrinë e riciklimit të mbeturinave.
Por sot, ky libër është më i vlefshëm se kurrë edhe për ne, për të kuptuar çfarë e shtyu qeverinë të ndryshonte 180 gradë qëndrimin e saj mbi këtë çështje, në mënyrë krejt të beftë, duke i vendosur vetes vulën e pabesisë dhe tradhtisë politike. Një lëvizje në kufijtë e të pabesueshmes që zhgënjeu shumëkënd që besoi sinqerisht në kauzën që vetë kjo qeveri, atëherë në opozitë, mbështeti dhe promovoi aq fuqishëm. Një lëvizje që edhe njerëz pranë qeverisë, mbështetës të saj, analistë të majtë, e kanë të pamundur t’i japin një shpjegim logjik. Aq më tepër në prag të zgjedhjeve të vitit 2017-të.
Dhe absurdi bëhet akoma më kokëfortë sepse të njëjtat argumente të ofruara sot nga qeveria, ishin njësoj të vlefshëm edhe në 2013-ën. Dihej që një vendim i tillë do të shkaktonte “lëngatë” tek bizneset e riciklimit, të cilët, megjithatë, vijuan të investonin fuqishëm. Edhe në kushtet kur punonin vetëm me 20% të kapacitetit.
Çudia është se kjo keqardhje e ndjerë qeveritare, për një industri që ka investuar 240 milion euro dhe ka punësuar rreth 3000 vetë (sipas të dhënave të qeverisë), vjen pikërisht në çastin kur një investitor që pritej të investonte 450 milionë euro u rrah barbarisht, duke u detyruar të largohej nga vendi, për t’u konsideruar me cinizëm thjesht si një rast i izoluar.
E gjithë kjo paturpësi ka vetëm një shpjegim. Lejimi i importit të mbetjeve nuk rrjedh nga nevoja për të shpëtuar biznesin vendas të riciklimit, por për t’i hapur rrugën shndërrimit të Shqipërisë në qendër të industrisë së riciklimit në Evropë, duke sanksionuar ligjërisht garancitë e nevojshme për “investitorët bujarë” që do të mësyjnë për të ngritur impiantet e përpunimit të mbetjeve. Zona të ndotura që do të shërbejnë si mikpritëse të impianteve të tilla nuk mungojnë në Shqipëri, po ashtu infrastruktura e dikurshme komuniste, uzina dhe fabrika të shkretuara, mund të adoptohen shumë lehtë për të tilla aktivitete. Pajisja me licencën përkatëse të importit pa limit të plehrave është thjesht një formalitet, sepse askush s’mund të pengojë një biznes të operojë në mënyrë të ligjshme.
Biznes fitimprurës, lëndë e parë e sigurt, tokë kundrejt një shpërblimi qesharak prej vetëm një euro, krah i lirë pune, mungesë e standardeve të mbrojtjes mjedisore, korrupsion galopant…Çfarë më tepër mund të kërkojnë lobingjet e errëta ndërkombëtare që zakonisht sundojnë këtë industri?
Uen’ani është shembulli vajtues i progresit me kosto të papërballueshme. Është shembulli i shkatërrimit të së ardhmes së përbashkët për hir të interesave të momentit të të paktëve, të zhvillimit imagjinar, rritjes helmuese të GDP-së, mirëqenies perfide.
Ne kemi fatin historik të mësojmë nga Uen’ani, sepse Shqipëria dhe shqipëtarët nuk e meritojnë fatin e Uen’anit.
September 24, 2016 by syri.net