Nelson Çabej
Një vajzë kaone
bëhet profete në Dodonë
Para se të hetojmë se ç’gjuhë flitej në Dodonë, le të kujtojmë se
Straboni ka folur për gjuhë të fiseve epirote (thesprotë e mollosë) dhe
Plutarku për gjuhë vendi të mollosëve, pohime që prerazi përjashtojnë mundësinë
që epirotët të kenë folur greqisht. Historiani i madh grek i Lashtësisë,
Tukididi (460-400 p.e.s.) tregon se si pjesa e fisit epirot të amfilokëve që u
lidh me kolonistët grekë të Ambrakisë mësoi greqisht, ndërkohë që pjesa tjetër
mbeti barbare.
Orakulli i Dodonës
Orakulli
natyror i Dodonës, i përfaqësuar nga një lis i lashtë, ka ekzistuar që nga
mijëvjeçari II p.e.s. Ai përmëndet për herë të parë në shekullin VIII në Iliadë, ku Homeri flet për një
Dodonë pellazgjike.
Historiani britanik N.G.L. Hammond (1907-2001), autori i librit më të njohur
për Epirin, thotë:
“Si një
qendër e jetës baritore, nga tradita dhe pozicioni, Dodona ishte tërheqëse për
grupet baritore që shtriheshin deri në malin Skardus (rrafshlarta e Sharrit në
Kosovë)…Dodona ishte një qendër fetare dhe orakullare kryesisht për fiset e
veriut dhe vetëm nga gjysma e dytë e shekullit VII p.e.s. ajo filloi të
tërhiqte fiset jugore…”.
Do
të ishte e tepërt të shpjegohej se fiset veriore që vizitonin fillimisht
Dodonën ishin ilire, ndërsa ato jugore që filluan ta vizitonin më vonë, ishin
fise greke.
Pas
shekullit VII p.e.s. orakulli i famshëm epirot u përfshi edhe në trashëgiminë
fetare të grekëve të lashtë. Më vonë, me pushtimin romak të Epirit e të
Ballkanit, Dodona
u bë pjesë integrale e besimit romak. Madje Ciceroni tregon se Senati i Romës
“Për çështje me rëndësi të madhe,
gjithnjë merrte këshillat e orakullit të Delfit ose të Jupiter Hammonit ose të
Dodonës”.
Midis shekujve II dhe IV të erës sonë, romakët aty bënë ndërtime
të shumta, duke përfshirë kthimin e teatrit të Dodonës në arenë, ndërsa një
bashkësi (koinon) vendase epirote ngriti dhe një shtatore të Livias, gruas së
perandorit romak August. Vendosja e shtatores në afërsi të drejtpërdrejtë me
lisin orakullar është parë si tregues i besueshëm se adhurimi i lisit orakullar
epirot, qysh në shekullin I p.e.s., ishte bërë kult perandorak në Romë.
Është e
vërtetë se grekët e lashtë, pas shekullit VII p.e.s., filluan t’i bënin dhurata
orakullit të Dodonës, por të dhënat arkeologjike tregojnë se dhuratat nga
ilirët në veri të Epirit për atë orakull nuk kanë munguar. Ndër dhuruesit e
famshëm ilirë të orakullit është mbreti i taulantëve, Glauku. Një dhuratë
tjetër e mirënjohur ka ardhur nga një territor më i largët ilir, nga vendi i
ardianëve. Ky është një fragment i një mbrojtëseje të këmbës me mbishkrimin “ia
kushton zotit” (ος ανεθηκε Διι Ναιωι), që ia dhuronte orakullit Gangrius Ardiai, i cili
mendohet të jetë një prej parardhësve të mbretit ilir, Agron.
Dhurata i janë
bërë orakullit edhe nga Pirua i Epirit dhe Aleksandri I, vëllai i Olimpias. Ky
i fundit, sipas gojdhënës, u këshillua me orakullin para nisjes së tij në një
fushatë në Itali, por nuk e mori parasysh paralajmërimin orakullar për vdekjen
e tij. Dhurata për orakullin e Dodonës nuk vinin vetëm nga Greqia, Iliria,
Traka e Maqedonia, por edhe nga rajone të largëta të perandorisë, siç është
rasti i “mbretit” Zeniketes, që kishte ardhur nga Anadolli për t’u konsultuar
me orakullin e Dodonës7.
Në
shekujt e fundit p.e.s., Dodona
ishte shndëruar një orakull ndëretnik i iliro-epirotëve, maqedonasve, grekëve,
trako-kimerianëve, romakëve, anatolianëve dhe popujve të tjerë veriorë, që
grekët e lashtë i quanin hiperboreanë. Kështu, përfshirja e Dodonës dhe orakullit
të saj në strukturën e besimit grek dhe atë romak nuk e ndryshoi aspak
karakterin epirot të Dodonës si një orakull natyror, siç nuk ndryshoi dot edhe
karakterin e besimit iliro-epirot. Provë madhore e kësaj është mbijetesa e
panteonit iliro-epirot, duke përfshirë perëndinë më të madhe të tij, Deipaturos.
Një vajzë kaone
bëhet profete në Dodonë
Në vitin
280 p.e.s., mbretit të kaonëve (stërgjyshëve të lebërve të sotëm) i lindi një
vajzë që i vunë emrin Fenis/Fena. Kjo del nga një njoftim i gjeografit dhe historianit
grek të lashtësisë, Pausanias (110-180 të erës sonë). Kur u rrit, vajza e
mbretit vendosi t’ia kushtojë jetën e saj besimit të të parëve. Kufiri i
mbretërisë të të jatit, ishte vetëm një ditë rrugë kaluar larg Dodonës, njerës
prej qendrave më të mëdha të “komunikimit njerëzor me perënditë” në botën
mesdhetare.
Dëshira e zjarrtë e vajzës së mbretit kaon u plotësua. Ajo shkoi në
Dodonë për të punuar si priftëreshë e orakullit “pellazgjik”, siç e quanin atë
Homeri dhe Hesiodi. Lisi orakullar i Dodonës, ishte një ndërbotë ku
kufizoheshin dhe shkriheshin në një të vetme tokësorja, “Nëna Tokë” e ilirëve e
simbolizuar në rrënjët e lisit, me perëndinë e tyre më të lartë qiellore, me
“Zeusin” iliro-epirot, emri original i të cilit, Dei paturos, fatmirësisht,
është përjetësuar në Leksikon-in
e leksikografit më të madh të lashtësisë, Hesikut të Aleksandrisë.
Në
Dodonë kjo vajzë mbretërore kaone, kjo nënë Terezë e Lashtësisë ilire, do të
kalonte tërë jetën e saj. Aty ajo do të bëhej e famshme edhe si profete dhe
historianët e lashtë grekë thonë se ajo parashikoi edhe e pushtimin e Azisë së
Vogël (Anadoll) nga keltët dhe shkatërrimet e mëdha që do të sillte ai pushtim.
“Pastaj
ngushticën e Helespontit* do kalojnë
Hordhitë
gale duke kënduar dhe jashtë rendit,
Azinë
do të rrafshojnë, por më keq do pësojnë
Ata
që rrojnë në brigjet e detit”
*(ngushtica
e Dardaneleve – N.R.Ç.)
Deri
këtu çdo gjë shkoi mbarë. Por në një kohë kur Dodona, ishte hapur si një qendër
fetare ndëretnike, që vizitohej nga pelegrinë grekë, ilirë, maqedonë, trakë
etj., kur kulti i Nënës Tokë, Diones, kishte rënë si një grua e dytë të Zeusit
(veç Herës) ose konkubinë lokale e një Zeusi bigamist (jo Zeusi
pellazg/epirot), priftëresha kaone fillon të himnizojë Dheun, “Tokën Nënë” të
të parëve të saj:
“Zeusi
ishte esht’ e do të jetë, o i madhi Zeus
Por
Toka na jep prodhime, ndaj Tokës t’i thurrim himne”.
Ajo i
këndoi Nënës Tokë, Diones, jo si grua e dytë e Zeusit, madje as si e
njëvlefshme me të, por si eprore ndaj tij. Në këngën e saj mungonin edhe Demetra,
perëndia greke e prodhimit bujqësor dhe pjellorisë edhe bija që ajo pati me
Zeusin, Persefoni, perëndesha greke e nëntokës.
Pse e
rrënuan grekët Dodonën dhe tempujt e orakullit
Mbi këto
e sipër, mbi Dodonë u mblodhën befas retë e zeza të një gjëme të madhe. Këngët
për Tokën pushuan. Në vitin 219 p.e.s. një ushtri e madhe e etolëve grekë e
komanduar nga gjenerali Dorimakus u sul drejt qytetit. Në përshkrimin e
historianit të lashtë grek, Polibit (200-118 p.e.s.):
“Pasi arriti në Dodonë ai dogji
kolonadat, shkatërroi dhuratat e shënjta, dhe ndërtesat e shënjta, kështu që
mund të thuhet se etolët nuk përfillën ligjet e luftës e të paqes, por në të
dyja rastet vepruan në kundërshtim me zakonet dhe parimet e njerëzimit”.
Por
epirotët dhe Filipi V i Maqedonisë e rindërtuan shpejt Dodonën dhe mbreti
maqedon, i mbështetur nga forca ilire, u hakmor kundër grekëve për shkatërrimin
e Dodonës dhe Diumit (një tjetër qendër fetare në Maqedoni), duke plaçkitur dhe
shkatërruar Thermiumin, qytetin më të rëndësishëm të etolëve grekë. Pyetja
retorike, që ata shkruan në muret e qytetit Thermium ishte vargu i famshëm të
Samus-it: “E shikon se ku goditi rrufeja hyjnore?” tregon se ata shkuan atje si
misionarë të orakullit të Dodonës, që ishte simbol i Deipaturos-it, perëndisë
iliro-epirote të rrufesë.
Ne nuk
mund të jemi absolutisht të sigurt për shkakun e vërtetë të rrënimit të
qendrave të huaja fetare, të Dodonës dhe të Diumit, nga grekët, që shquheshin
për respektin dhe kujdesin që tregonin për orakujt e tyre. Por është shprehur
mendimi se shkaku më i thellë i kësaj urrejtjeje dhe lufte etniko-fetare ndaj
Dodonës ishte përpjekja e Fenisit, bijës së mbretit të kaonëve për të kthyer në
Dodonë adhurimin e “Tokës Nënë”.
Ç’gjuhë
flitej në orakullin e Dodonës?
Veç
këtyre, në Leksikon-in e
Hesikut, dhe në burime të tjera, dalin disa fjalë epirote që janë
shpjeguar vetëm me shqipen, të tilla si barden (βαρδiν) ‘me barrë, shtatzënë’, brokalietai (μπροκαλιέται) ‘bryleket’ (të
bërtitura femijësh ose kafshësh), daksa (δάξα) ‘det’, dei ‘god’, dramis (δράμιξ) ‘dromcë’, gnosco (γνώσκω) ‘njoh’, grabātus ‘shtrat, krevat’, kaston (κάστον) ‘kashtë’, mal ‘mal’, manu (μaνυ) ‘small’, peliai/pelioi (πέλιος/πελία) ‘plak, plakë’, etj.
Herodoti
(484-425 p.e.s.) na thotë sa s’ka më shkoqur; se priftëreshat e orakullit të
Dodonës ato flisnin një gjuhë të huaj për grekët dhe konsideroheshin si përkthyese
të profecive orakullare.
Sipas
Strabonit, fillimisht në orakull shërbenin priftërinj dhe të paktën pas
shekullit IV, ata u zëvëndësuan nga priftëresha. Priftërinjtë e
orakullit quheshin tomoroura/tomouroi (τομούρους).
Këtë fjalë Straboni e përktheu në greqisht “tomarofilakë” (τομαροφύλακας),
që do të thotë “roje të Tomorit”, por ai lë hapur edhe mundësinë që ajo të
përkthehet edhe si themistë (θέμιστας)
“të urtë, orakullarë”.
Fjalët
greke filakas (φύλακας) dhe themistë (θέμιστας),
nuk mund të lidhen kurrsesi me rrënjën epirote -our/ur . Për të dy përkthimet vetëm shqipja
ofron shpjegime bindëse. Tomorouroi,
“ruajtës të Tomorit” është një emër i përbërë, në të cilin elementi i parë,
emri i malit Tomarus/Tmarus,
lidhet me një rrënjën ilire *tem ‘i errët’ dhe shqipen tym, që e kanë burimin në
rrënjën indoeuropiane *temǝ ‘i errët’, kurse përbërësi i
dytë our/-ur-, mund
të shpjegohet bindshëm me foljen shqipe ru-aj që ka dalë nga një formë e hershme
shqipe *uronio.
Edhe në
përkthimin e dytë që jep Straboni themistë (θέμιστας)
‘i urtë’, përsëri elementi i dytë our/-ur -, do të shpjegohej fare mirë me fjalën shqip i urtë
(i mënçur, i ditur, inteligjent), që ka dalë nga një rrënjë më e hershme shqipe *-ur - .
Sipas
Strabonit “Në gjuhën e mollosëve dhe thesprotëve (dy nga tre fiset e medha të
Epirit – N.R.Ç.) gratë plaka quhen “peliai” dhe burrat pleq – “pelioi”. Dhe
mundet që Peleiadet e përfolura aq shumë nuk ishin zogj, por tre plakat që
mirreshin me tempullin”. Këtu ai me një vështrim shumë depërtues ka provuar se
emri greqisht peleiades ‘pëllumba’, që përdorej për
priftëreshat, ka dalë nga emri epirot peliai ‘plaka’, që rrjedh nga një formë e
rindërtuar ilire *pela me prapashtesën shqipe –ak.
Ky duket një rast tipik i
veprimit të dukurisë së mirënjohur të etimologjizimit popullor
(Volksetymologie), ku fjalës së huaj “të pakuptimtë” epirote peliai (plaka) grekët i “dhanë kuptim”, duke
transformuar në fjalën e ngjashme greqisht peleiades ‘pëllumba’.
Kur
shihen në tërësi dëshmitë e autorëve grekë se në Epir flitej një gjuhë e huaj,
se vetëm me shqipen shpjegohen emrat që njohim nga epirotishtja, se
priftëreshat në Dodonë flisnin një gjuhë të huaj e jo greqisht, se emrat peliaia të priftëreshave dhe tomoruroi të priftërinjve shpjegohen vetëm
me shqipen, ato na shpien, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, në përfundimin se
gjuha që përdorej në orakullin e Dodonës ishte ilirishtja.
Dr.
Nelson R. Çabej.
//kanunitv.blogspot.al/
No comments:
Post a Comment