NJË LIBER ARABISHT I
SHEKULLIT 11
TREGON PËR PREJARDHJEN E
RROMËVE :
QYTETI KANAUXH, NË VERI TË
INDISE
Dr. Marcel Courthiade
Bashkimi Ndërkombetar i Rromëve & INALCO (Univ. i Parisit)
Në kundërshtim me atë që
pretendojnë shumica e botimeve ekzistuese,
Rromët e parë që mbërritën në Evropë
mbanin mend akoma shumë mirë prejardhjen e tyre nga India. Për ta konfirmuar
këtë, kemi disa dokumente të shekujve XV-të dhe XVI-të, të cilët dëshmojnë
pa dyshim këtë fakt. Vetëm më vonë, prejardhja indiane e vërtetë u gjet në
konkurrencë me një prejardhje mitike egjiptiane, e cila, në atë
epokë, kishte më shumë prestigj dhe u dukej Rromëve më e leverdisshme për
integrimin e tyre në botën evropiane. Me kalimin e kohës, legjenda egjiptiane
bilem e zëvendësoi atë të vertetën dhe kaluan vite deri kur, rreth vitit 1770,
prifti reformator Valyi Ishtvan nga Satu Mare në Transilvani (sot në Rumani
veriore) rizbuloi origjinën indiane të rromëve duke krahasuar të folmen e
Rromëve të fshatit të tij Rab, me gjuhën që flisnin tre studentë indasë që ai
kishte takuar në Leiden të Hollandës (gjuhe e tyre ishte ose sanskritishtja,
duke ditur se këta tre studentë ishin intelektualë, si duket ishin Brahmane
[nga klasa më e lartë e shoqërisë indase], ose gjuha e Sri Lankës, vendlindja e tyre.
Mbas këtij rizbulimi,
prejardhja indase e Rromëve mbeti për shumë vjet pak e njohur, duke mos dalë
nga qarku i dijetarëve
deri në epokën e
miqësisë politike midis Jugosllavisë së Titos dhe Indisë së Nehrusë në lëvizjen
e vendeve të painkuadruar, kur kjo informatë u popullarizua shumë gjerësisht,
sidomos në Jugosllavi.
Kannauxh - qyteti i prejardhjes së Rromëve
Megjithatë, fare pak
përpjekje janë bërë që atëherë për të përkufizuar pikën e saktë të fillimit të
dyndjes së popullit rrom, si edhe shkaqet e egzodit të tij, kjo deri tek lidhja
që propozoi kohët e fundit profesori Erik Meyer, nga Parisi, midis kësaj
ngjarjeje dhe një teksti që la kronikuesi arab Al ‘Utbi (961 — 1040) e që
përshkruan midis të tjerash jetën e Mahmudit të Ghazniut. Në fakt, lidhjen
midis mesymjeve në Indi të Mahmudit dhe egzodit të Rromëve, e kanë parandjerë
disa hulumtues rromë, si Rajko Djuriç ose Jan Hancock, por për arsyen se
ishin mbështetur vetëm në kronika të pjesshme, të cilat përmendnin vetëm disa
mësymje të kufizuara në veriperëndim të Indisë, ata nuk kishin si t'a
përcaktojnë me saktësi mekanizmin e këtij egzodi.
Përkundrazi, një pjesë e shkurtër e Kitab al-Jamini
(libri i [dinastisë së] Jamineve), shkruar nga Al ‘Utbi, është mjaft
domethënës, sepse ai përshkruan midis të tjerash një sulme që çan shumë më larg
sesa të tjerët në drejtim të Lindjes, duke arritur në qytetin e Kanauxhit, 82
km në veriperëndim të Kanpurit (në shtetin indas të Uttar Pradeshit). Në fillim të shekullit XI-të, Kanauxhi (i
njohur më parë me emrin Kanjakubxha dhe i gjendur jo larg nga Lakhnau dhe Agra,
ku admirohet Taxh Mahalli) ishte kryeqyteti intelektual e
shpirtëror i Indisë së veriut. Jo vetëm brahmanët më të ditur të Indisë
paraqiteshin sikur janë nga Kanauxhi (kjo është e vërtetë deri më sot) por ky
qytet kishte arritur një nivel tepër të lartë në verat që sot quhen demokraci,
tolerancë, të Drejtat e Njeriut, pacifizëm, urretje ndaj dhunës e mirëkuptim
fetar.
Mirëpo në dimrin 1018-1019, më 8 Shaban (ose 20 dhjetor), një pushtues i
ardhur nga Ghazni (sot në Afganistan) sulmon Kanauxhin për të zaptuar
popullsinë, për t'i shitur banuesit si skllevër e për të plaçkitur pasurinë e
tempujve. Nuk është sulmi i tij i parë në veri të Indisë, por sulmet e tjerat
nuk kishin tejkaluar Penxhabin dhe Raxhastanin, kurse kësaj radhe ai shtyhet
deri në Kanauxh, ku jetonin atëherë 53 000 banorë. Atje, ai zapton gjithë
popullsinë, "të pasur e të varfër, bjondë e ezmer, të cilët do t'i shesë
si familje të tëra" në Kabul (teksti i Al ‘Utbisë). Këta njerëz u blenë
nga pronarë të Horasanit e të Irakut lindor, të cilët
"mbushen me këtë popullsi" (Al ‘Utbi)‚ farë na shtyn të shohim
prejardhjen e Rromëve në këtë ngjarje? Arsyet janë disa :
1. Përcaktimi "bjondë e ezmerë" mund të shpjegojë diferencat midis ngjyrave
të lëkures ndër Rromët e grupeve të ndryshme, duke qenë se në të vërtetë
popullsia e këtij qyteti ishte e përzierë; midis të tjerash. Duke marrë
parasysh të kaluarën e qytetit si një fuqi luftarake disa shekuj më parë,
patjetër jetonin atje shumë raxhputë
, të cilët ishin të
ardhur nga vende të ndryshme, por ishin ngritur në një shkallë shoqërore më të
lartë, si luftëtarë fisnikë (të quajtur kshatrija), si shpërblim për meritat e
tyre dhe mund të përbënin një pjesë popullsie me ngjyrë.
2. Kapja e të gjitha klasave shoqërore duke përfshirë klasat më të larta,
shpjegon pse Rromët e parë që mbërritën në Evropë u lidhën shpejt e me lehtësi
me udhëheqësit më të lartë të shteteve evropianë, me mbretërit, me princët, me
perandorët, me papët e Romës etj. Kjo shpjegon edhe faktin që shumë fëmijë
rromë, kur u pagëzuan, patën si kumbarë fisnikë evropianë.
3. Larmia e prejardhjeve shoqërore të popullsisë së robëruar në Kanauxh, është
edhe kjo një faktor vendimtar për të shpjeguar gjallërinë e gjuhës rrome deri më
sot, gati një mijë vjet mbas eksodit. Sociolinguistika ka treguar gjithmonë në
histori se kur një popullatë e migruar është shumë e përzierë nga ana
shoqërore, atëherë gjuha e saj jeton e fuqishme për shumë shekuj, kurse kur
emigron vetëm një grup shoqëror ose profesional, atëherë gjuha e këtij grupi
humbet shumë më shpejt.
4. Nga ana tjetër, uniteti i
vendit të nisjes shpjegon koherencën e madhe të elementit indian në të gjithë
dialektet rromë, pasi diferencat midis të folmeve rrome u formuan sidomos nga
futja e fjalëve të huazuara në Evropë në kontakt me realitetet e reja, sidomos
zakonore (veshjet, ushqimet, traditat, feja), administrative e teknike (psh.
fjalët si pushim, bashki, ndikim, shtypshkronjë, kaçavidë, xhaketë, etj... si dhe emrat e kafshëve dhe bimëve evropiane). Ky
argument hedh poshtë hipotezën e prejardhjes së Rromëve nga një aglomerat i
thjeshtë fisesh djombë ose të fiseve të
tjera, cilatdo qofshin.
5. Eshtë e mundur që në
Kanauxh jetonin shumë artistë djomba, si në të gjitha
qytetet e rafinuara. Si kryeqytet kulturor e shpirtëror i vendit, Kanauxhi ka
tërhequr pa tjetër shumë artistë, midis të cilëve Djombët ishin në një numër të
madh. Djombët e atëhershëm ndoshta kanë lidhje me një grup socio-profesional që
jeton në Indi, e që quhet sot Djomë. Duhet theksuar se Djombët nuk përbëjnë një
grup etnik, por profili i tyre i përbashkët është socio-profesional. Mirëpo,
kur popullsia e Kanauxhit u shpërnda në Horasan, është qartë se artistët djombë
ranë në sy të popullsisë vendase, gjë që solli si pasojë faktin që njerëzit
filluna ta përdornin termin «Djombë » për ta emërtuar
tërësinë e popullsisë së rrëmbyer në Kanauxh, e cila mund të ketë përvetësuar
këtë fjalë si pasojë për tu vetemërtuar (perkrah emertimit Sind me kuptim
Indas, nga vjen ndoshta emertimi i fiseve Rrome të Gjermanisë: Sinte).
6. Fakti që kemi të bëjmë me
një popullsi qytetare, shpjegon se zanatet e bujqësisë janë të rallë midis
Rromëve, deri më sot.
7. Siç duket, nga kjo
mësymje shpëtoi vetëm një grup refugjatësh, të cilët u larguan drejt Benaresit,
nga u nisën më vonë për t'u vendosur në disa fshatra afër qytetit Rançi (në jug
të Biharit). Në këtë zonë flitet gjuha sadri,
me të cilën rromishtja afrohet më shumë në krahasim me gjuhet e tjera indiane,
duke lejuar një farë komunikimi;
8. Siç e vuri re etnologia rrome Rezmyvesh Melinda, folësit e gjuhës sadri, kur pijnë nëpër ceremoni, akoma
sot derdhin në tokë disa pika pije para se ta konsumojnë, duke thënë "për
vëllezërit tanë të cilët era i çoi larg prej nesh, përtej maleve"; ka
shumë mundësi që të bëhet fjalë për skllevërit të zaptuar nga Mahmudi,
domethënë për paraardhësit e rromëve; kjo çështje duhet hulumtuar më në
hollësi.
9. Hynesha mbrojtëse e qytetit të Kanauxhit ishte Kālī, e cila deri më sot
gëzon shumë popullaritet midis Rromëve. Emri i vjetër i Kanauxhit ishte
Kanjakubxha, fjalë që do të thotë "virgjëresha gungaçe". Kjo ishte
nofka e një gungaçeje të devotshme ndaj perendisë Krishna, të cilës Krishna një
ditë ia shëroi trupin duke e bërë të bukur e të shendetshëm, sepse ajo ia
kishte lyer këmbët me vaj, me shumë respekt e dashuri. Mirëpo "virgjëresha
gungaçe" ishte një kualifikim i Durgës, hyjneshës luftarake, e cila ishte
vetë një nga shembulltyrat e Kalisë (J. Gamonet). Me fjalë të tjera, kemi një
identitet: Kanjakubxha ("virgjëreshe gungaçe") = Durga = Kali.
10. Përsa i përket qëndrimit
në Horasan, siç permëndet në tekstin e Al ‘Utbisë, ky qëndrim na shpjegon për
praninë e një numri të konsiderushëm fjalësh perse në gjuhën rrome (afërsisht
70 rrënjë fjalësh perse ekzistojnë në leksikun e rromishtes — që mund të
krahasohen me 900 rrënje indiane e 220 greke), duke ditur se Horasani është një
krahinë ku gjuha kryesore ishte persishtja.
Për më shumë, të paktën tre elemente linguistikë
mbështesin këtë lokalizim :
11. Nga gjithë gjuhët
moderne indo-ariane vetëm gjuha braxh (ose braxh bhakha, e folur prej 15
milionë vetësh në perëndim të Kanauxhit) dallon gjininë mashkullore (jo ose vo) dhe gjininë femërore (jā
ose vā) në vetën e tretë të peremrit
vetor njëjes (gjuhë të tjera, zakonisht jé,
vé
- por rromishtja
mashkullore ov, femërore oj) ;
12. Nga gjithë gjuhët
moderne indo-ariane, vetëm të folmet e zonës së Kanauxhit, të një pjese dë
braxhit dhe të nepalit (100 km larg Kanauxhit) kanë në njëjës, si rromishtja,
një mbaresë mashkullore në ~o (ose ~au = o),
p.sh. purano « i vjetër » (gjuhë të tjera purana), taruno (gjuhë të
tjera taruna, sinto tarno, rromisht terno) ;
13. Mbi të gjitha, nga
gjithë gjuhët moderne indo-ariane, vetëm awadhi (e folur nga më se 20 milionë
vetë, në një zonë të gjerë në lindje të Kanauxhit) posedon, si rromishtja, një
formë të gjatë të prapashtesës posesive. Nuk është thjesht një koinçidence e
fenomenit, por këto prapashtesa janë identike : përveç formës së shkurtër,
e cila është e përbashkët me gjuhët e tjera (~kā, ~kī, ~kē), gjuha awadhi ka një seri të gjatë ~kar(ā), ~kerī, ~kerē, si në shumë
të folme rrome të stratës më të vjetër, sidomos ato të Maqedonisë, të
Bulgarisë, të Sllovakisë e të Rusisë si edhe në Sinto.
SHKURTIMISHT PËR HISORINË E KANAUXHIT QË NGA LASHTËSIA E DERI TË MËSYMJA E
VITIT 1018
Që në kohët e lashta,
Kanauxhi ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Indisë. Pikë
së pari
ky qytet ka qenë kryeqytet i Panjçalëve
, të cilët bashkë me
fisin Kuru përbënin rreth vitit
1000 para erës sonë dy fiset më kryesore të
luginës së lumit Gang. Rëndësia e Kanauxhit ra më vonë dhe ai mbeti një qytezë
modeste deri në shekullin e V të erës sonë, por fitoi përsëri rëndësi në
periudhën e dinastisë së Guptave të vonshëm, mbasi u bë atëherë kryeqytet i Maokharëve
të cilët sundonin në veri të lumit Gang. Dinastia e Pushjabutive, gjithashtu
pjesë përbërse e dinastisë së Guptave të vonshëm, mbretëronin atëherë në një
qytet shumë të rëndësishëm që quhej T'haneshvar, por i pari nga ata që u bë me
të vërtet i famshëm ishte Pabhakaravardhana. Ky pati dy djem :
Raxhjavardhana dhe Harshavardhana. E bija e tij, Raxhjashri, u martua me
Grahavarmanan, sovran i Kanauxhit.
Mirëpo, në fillim të shekullit të VII, ndërsa
Raxhjavardhana korrte fitoret radhazi kundër luftëtarve Hunë, i ati tij
Prabhakaravardhana vdiq duke i lënë fronin e T'haneshvarit. Paskëtaj, në vitin
606 mbreti i Malvës Devagupta sulmon Kanauxhin, ndërsa Shashanka, mbreti i
Bangladeshit, vret Grahavarmanin. Njëkohësisht gruaja e tij Raxhjashri
rrëmbehet si duket nga
Shashanka, por dëshmitë për këtë rrëmbim nuk janë të plota, i sigurt është
vetëm fakti që Shashanka ka vrarë Grahavarmanin (i njëjti Shashanka disa vjet
më vonë do të vrasë edhe Raxhjavardanin në mes të një darke
"pajtimi"). Sapo morrën vesh për rrëmbimin e motrës, vëllëzërit
Raxhia e Harsha u vërsulën në një luftë pa mëshirë për ta shpëtuar motrën e
tyre, siç tregon Bana, autor dramatik indian i shekullit të VII. Eshtë për të
shenuar se kur u vra burri i saj, e reja Raxhjashri e martuar me Grahavarmanin
në moshën 13-14 vjeçare, nuk ndoqi traditën të digjej gjallë në shenjë zie, siç
kishte bërë e ëma Jashomati kur i vdiq burri. Raxhjashri u arratis nga
rrëmbyesi i saj, dhe më në fund vëllëzërit e saj e gjetën të gjallë në malet e
Himalajës.
Po atë vit Raxhja hoqi dorë nga pushteti për t'ju
kushtuar shpirtërisht shërbimit fetar për
Zotin; atëherë Harsha hypi në fronin
e Kanauxhit sipas kërkesës së Kuvendit të qytetit. Si duket ai këtë detyrë e
pranoi vetëm përkohësisht deri sa të kurorezohet një mbret tjetër. (Harsha
ishte atëherë vetëm 16 vjeç), por Kanauxhi më vonë u bë kryeqyteti i mbretërisë
së tij. Duhet nënvizuar se motra e tij Raxhjashri luajti gjithashtu një rol
politik sepse ajo merrte pjesë në këshillin mbretëror të Kanauxhit, si dhe jepte
mendimet e saj. Harsha filloi një seri betejash, të cilet i siguruan shpejt një
autoritet të madh në gjithë pjesën veriore të Indisë; Si duket ka nënshtruar
edhe Nepalin, Sindin, e ndoshta edhe Kashmirin. Megjithatë në vitin 620 u
mposht nga forcat e Dekanit (pjesa jugore e Indisë) të drejtuar nga Pulakeshini
i II-të. Edhe pse këtë betejë Harsha e humbi, ajo që vendimtare për të ndalur
rrugën e forcave ushtakare të Pulakeshinit drejt veriut. Kjo betejë pati një
rol të madh sepse pamja e mijëra luftëtarve të vrarë nga të dyja palët ndërroi
plotësisht mendimin e Harshës, i cili hoqi dorë nga lufta për të zgjeruar
mbretërinë dhe filloi të kërkojë aleancat nëpërmjet negocimeve dhe
marrëveshjeve. Po në këto vite Harsha filloi t'i kushtohet krijimit letrar dhe filozofisë;
si dramaturg, ai është autor i Ratnavalisë, një pjesë teatrale që luhet deri më
sot. Në vitin 643 ai thirri në qytetin Prajagë një konferencë për të lehtësuar
dialogun e për të zbutur konfliktet fetare. Harsha siç duket ishte budist, por
tregonte interes për fetë e tjera dhe veçanerisht për Xhainizmin.
Kur vdiq Harsha një uzurpator mori pushtetin në Kanauxh
por falë ndërhyrjes së ambasadorit të Kinës, pushteti iu kthye për një farë
kohe trashigimtares së tij të ligjshme. Megjithatë, kjo nuk pengoi
shpartallimin e perandorisë që kishte ngritur Harsha, fillimisht me luftë e më
vonë me negocim. Gjatë dyzetë viteve të mbretërimit të tij, autoriteti i
Harshës ishte i pakontestuar, megjithse ai vetë nuk bëri përpjekje për të
centralizuar shtetin. Qyteti i Kanauxhit në kohën e tij lulëzoi në një mënyrë
të jashtëzakonshme, dhe udhëtari kinez Siueen Cang e përshkruan me entuziazëm:
qyteti shtrihej rreth shtatë kilometra gjatë lumit Gang, dhe në të ngriheshin
100 monasterë budiste e 200 shenjtore hinduiste. Nga epoka e Harshës sot ka
mbetur në Kanauxh vetëm një shenjtore pjesërisht e rrënuar, që vizitohet deri
më sot e që quhet Axhaipāl.
Kanauxhi përsëri merr rëndësi rreth një shekull më
vonë, në vitin 730 kur mbreti i tij Jashovarmana nënshtron Magadhan dhe Gaodat,
sulmon Bangladeshin por mposhtet nga Lalitaditija, mbreti i Kashmirit. Po në të
njëjtën kohë shfaqet në brigjet e Gangut një fuqi e re: Gurxharët, luftëtarë
shtegtarë, paraardhës të raxhputëve. Fiset kryesore të tyre ishin Paramarët,
Qahumanët, Solankët, e sidomos Pratiharët. Gurxharët përmenden për herë të parë
në epokën e Harshës, por nuk kemi të dhëna të sakta për ata deri në fund të
shek.VIII. Shteti i tyre shtrihej deri në Raxhasthan, dhe përbënte një fuqi të
aftë për t’u bërë ballë arabëve. Rreth vitit 800, sunduesi i Bangladeshit
Daharmapala rrëzoi Indraxhudinë nga froni i Kanauxhit dhe e zëvendësoi me
Çakraxhudin, të cilin e përmbysi njëzetë vjet më vonë Nagabadha i II-të
(800-833). Kanauxhi atëhere u bë kryeqyteti i Pratiharëve.
SULMI I MAHMUDIT NGA GHAZNI
Goditja fatale kundër qytetit erdhi nga jashtë, me ardhjen e Mahmudit nga
Ghazni. I ati i Mahmudit, Amir Subuktigin kishte hypur në fronin e Afganistanit
në vitin 976: me prejardhe skllave, ai kishte marrë për grua të bijen e
Alptiginit, themeluesi në vitin 963 i dinastisë që mbretëronte në Ghazni. Deri
atëherë synimet e muslimanëve në Indi nuk kishin shkuar përtej Sindit, i
qeverisur nga Jakub Ibn-Lais. Në prag të vitit 1000 presioni u rrit në drejtim
të lindjes. Megjithëse Xhajapala, sunduesi i Penxhabit, i bëri ballë në vitin
979 Subugtikinit, koalicioni që bënë krerët e Lahorës, Axhmirit e Kanauxhitpër
tu mbrojtur u mposht në vitin 988 afër Lemkhanit. Xhajapalit iu desh të
tërhiqej nga Kabuli, kurse Subuktigini vazhdoi sulmet e tij në Penxhab dhe
Raxhasthan, por ajo që i intereson më shumë janë viset afgane. Mbas vdekjes së
tij i biri Ismail vazhdon fushatat, por në vitin 998 i vëllai ,Mahmudi i
famshëm, e rrëzon dhe mbretëron nga 998-1030. Kjo shënon fillimin e ndikimit
musliman në veriun e Indisë. Duhet nënvizuar se Mahmudi përveç Afganistanit
trashëgoi edhe Horasanin. Edhe pse sulltani i famshëm kishte sjellë në oborrin
e tij gjithë rafinimin dhe madhërinë perse, duke nxitur artet edhe shkencat,
kjo bujari nuk tërhoqi të gjithë dijetarët e epokës. Firdausi
, poet i njohur
persian, dhe Al Biruni, udhëtar arab, u larguan prej tij ndërkohë që Aviceni as
nuk i’a pranoi ftesën. Perandoria e Ghaznit shtrihej nga deti Kaspik deri në
Penxhab dhe mbështetej ekskluzivisht në një politikë plaçkitjeje. Sulmet
drejtuar kundër sheteve indianë kishin për qëllim të sjellin pasuri dhe jo të
aneksojnë territore. Sulmet kundër shenjtoreve pagane ishin vetëm një pretekst
për të plaçkitur tempujt indianë, por ata i sollën Mahmudit një famë të madhe
në botën muslimane. Nga 1001-1027, Mahmudi bëri 17 sulme kundër Indisë. Më 1001
mposhti ushtrinë e Xhajapalit, që dogji atëherë veten, duke i lënë fronin
Anandapalit; po atë vit Mahmudi plaçkiti Lahorin. Me 1004 nënshtroi Multanin,
megjithëse ky shtet ishte musliman, dhe një vit më vonë nënshtron Panxhabin.
Mahmudi vendosi atëherë të gjunjëzojë përfundimisht
shtetet indianë duke iu prerë atyre rrugën e Multanit. Sulmi i vitit 1008 hasi
në koalicionin e gjërë të sovranëve të Panxhabit,Uxhainit, Gualiorit,
Kanauxhit, Kalanxharit, Delhit, dhe Axhmirit, por ky koalicion u mposht afër
Peshvarit. Lajmi i vdekjes së Anandapalit shkaktoi një panik të paparë në
radhët e luftëtarëve Indas. Mahmudi vazhdoi sulmet sidomos në krahinat me shumë
shenjtore: Me 1010 kundër Mathurës, më 1014 kundër Thaneshvarit, më 1018 kundër
Kanauxhit, e më 1024 kundër Somnantit. Fushata e madhe e dimrit 1018 i solli atij
53 000 njerëz të zënë peng që u shitën secili 2-10 dirhamë, 385 elefantë, e
qerre të tëra me flori, rubinë, perla e thesarë të ndryshëm për një vlerë mbi
tre milonë dirhamë.
Në disa raste Mahmudi u praps nga popullësia vendase si
psh. në vitin 1015 në Kashmir, por ai hasi edhe sovranë që u dorëzuan pa asnjë
rezistencë, sikurse Xhaiçandi në Kanauxh. Tregohet se vetëm Raxhputët shfaqën
një rezistencë heroike nga a cila doli fjala xhohar që përdoret për të cilësuar trimat që më mirë vdesin sesa të
rrojnë me turp: Kur këta xhoharë e
shihnin veten të humbur, hidheshin mbi armët e armiqve për të vdekur me nder,
kurse gratë e fëmijët preferonin të digjeshin sesa të binin në duart e
barbarëve. Dinastia e Jaminëve (pasardhësit e Mahmudit) u zhduk një shekull pas
vdekjes së tij.
Kronisti Al-Utbi
Jeta e Mahmudit të Ghaznisë është mjaft e njohur
tashmë, falë librit « Kitab al-Jamini », i shkruajtur nga kronisti
Abu Nars Al-Utbi, i lindur në Raj rreth vitit 960. Ai u rrit pranë xhaxhait të
vet në Horasan. Pas vdekjes së xhaxhait të tij, i riu Al-Utbi u bë sekretar i
komandantit të ushtrisë së Horasanit (nga 988 deri më 993), më pas i
Subuktiginit, sundues i Ghaznisë, dhe pastaj i djalit të tij Isma’il, të cilin
si duket ai e bindi që të largohej nga pushteti në favor të të vëllait,
sulltanit Mahmud.
Në vitin 999, thuhet se Mahmudi dërgoi Al-Utbinë si
ambasador në Gharshistan ku ky i fundit
bindi sunduesin që të njihte autoritetin e zotërisë së Ghaznisë. Në vitin 1021
ai përfundon « Kitab al-Jamini », për lavdinë e Mahmudit, që i solli
një funksion të rëndësishëm në Kanxh Rustak. Një grindje me vizirin bën që të
shkarkohet nga funksioni dhe atëherë ai hyn në shërbim të Mas’udit, djali i
sulltanit. Pas kësaj ngjarjeje, asgjë nuk dihet për Al-‘Utbi-në, përveç faktit
që ai vdes rreth vitit 1030. Përveç « Kitab al-Jamini » (i cili mbeti
si dorëshkrim deri me 1895, vit kur u botua në Kajro), ai kishte shkruar edhe
libra të tjerë, të gjithë të humbur.
Më 1186, Abul Sharafi i Jabardikanit, përktheu Kitab
al-Jaminin nga arabishtja në persisht, për t’i treguar sunduesit të atëhershëm
se si mizoria, padrejtësia dhe korrupsioni i çojnë mbretëritë drejt fundit.
Titulli i veprës në persisht është Kitab-i Jamini dhe gjuha e përdorur është më
e kuptueshme se sa formulimet e pakuptueshme të origjinalit.
Kannauxhi sot
Kanauxhi rishfaqet në histori në 1539 në kohën e
fitores së Sher Shahut mbi Humajumin. Sot mbeten nga ky kryeqytet i fuqishëm
hindu vetëm disa gërmadha të zymta. Kanauxhi numëron përsëri rreth 60 000
banorë, por qyteza njihet në Indinë e sotme vetëm për prodhimin e esencave
(ndërmarrja Ittar). Nga periudha madhështore e Harshës, mbeten vetëm gërmadhat
e një tempulli hinduist, që quhet Axhaipal, dhe disa objekte në muzeun
arkeologjik.
Megjithatë, kujtimi i Kanauxhit të vjetër, kryeqytet i
lavdishëm i shfarosur nga pushtimi musliman, ka mbetur i gjallë në identitetin
e më se 5 milionë indianëve që jetojnë në qendrën dhe në veriun e Doabit
(Kanauxh, Kanpur, Farrukhabad, Etawah, Hardoi, Shahxhahanapur, Pilibhit). Këta
banorë thonë që flasin gjuhën « kanauxhi » - dhe jo hindin perëndimor
ose braxhin, në një kohë që ky « kanauxhi » nuk është gjë tjetër
veçse një formë e braxhit, dhe braxhi veçse një nga gjuhët kryesore mbi të
cilat u ndërtua gjuha hindi. Duket qartë nga ky fakt që « kanauxhi »
klasohet si gjuhë më vehte jo për arsye linguistike, por për respekt ndaj
opinionit publik.
Hezitime dhe arsyetime
Eshtë
e qartë që zbulimi i librit të Al-Utbisë hedh dritë në një numër të madh
pikëpyetjesh, të cilave edhe më parë arsyeja i kishte sjellë disa elemente
përgjigjeje. P.sh disa autorë kishin folur për disa valë të njëpasnjëshme
largimi nga India, por asnjë element objektiv nuk ka mbështetur deri më sot
këtë hipotezë. Në të kundërt, fakti që elementi aziatik në gjuhën rrome paraqet
një homogjenitet që bie në sy, pa ndarje dialektale të thellë, me një
qëndrueshmëri shumë të madhe të formave, tregon që e gjithë popullsia në
origjinë të popullit rrom vinte nga një krahinë e vetme e Indisë, pa dyshim
mjaft e kufizuar gjeografikisht. Fakti është se gjithë baza aziatike e
rromishtes duke filluar nga elementet indiane, perse, armene edhe deri tek ai
grek — (meqenëse një pjesë e mirë e elementit grek të rromishtes u përfshi në
rromisht që në Azinë e Vogël, sepse në epokën kur Rromët kaluan në këtë zonë,
nuk kishte akoma Turq, por vetëm Grekë dhe Armenë) shfaq vetëm një ndarje
dialektore, që ka të bëjë me një mbaresë foljore, kurse të gjitha ndarjet e
tjera dialektore janë shfaqur më vonë, në
Evropë. Origjina e Rromëve të ardhur nga i njëjti dhe i vetmi qytet
indian, Kanauxh, vërteton pra të dhënat gjuhësore.
Nga ana tjetër, dimë që nuk ekziston më në Indinë e
sotme asnjë popullsi e veçantë që të ketë
një lidhje të afërt me popullin Rrom.
Grupet e shumta shtegëtarë të quajtur në Indi « Gypsies» nuk kanë asnjë
farefisni, afri ose lidhje gjenitike me Rromët. Emërtimi i tyre vjen nga
policia koloniale angleze që, në shekullin e XIX, i ka quajtur
« Gypsies » në analogji me « Gypsies » në Angli, bilem u ka
aplikuar të njëjtat rregulla diskriminuese me ato të « Gypsies » të
Britanisë së Madhe. Me vonë, kërkuesit evropianë, të bindur që
« nomadizmi » është një element përbërës i identitetit Rrom, ngulën
këmbë duke krahasuar Rromët me këta « fise shtegëtarë », pa gjetur
pika të sakta të përbashkëta, dhe kjo për faktin e thjeshtë që kërkimet e tyre
ishin të orientuara në mënyrë të gabuar nga paragjykimet e tyre mbi grupet me
mënyrë jetese të levizshme, kurse tashmë është më se e vertetë që paraardhesit
Indianë të Rromëve ishin jo vetëm të ngulur, por edhe qytetarë. Këmbëngulja e
etnografëve për të kërkuar farefisni të Rromëve midis popullesive të ashtu
quajtura «Gypsies », është pa dyshim një nga arsyet e vonesës së kërkimeve
në këtë fushë. Mirëpo, të kërkosh midis « Gypsies » të Indisë
stërgjyshërit – ose kushërinjtë e Rromëve – është pothuajse po aq absurde sa të
kerkosh midis shoferëve të taksive së Moskës stërgjyshërit – ose kushërinjte
– e shoferëve të taksive ruse të
Parisit : në të dyja rastet, është emigrimi që ka diktuar profilin e ri
social (këtu shtegëtim, atje shofer). Edhe këtu teksti i Al- ‘Utbise, duke
folur për një popullsi qytetare të ngulitur, lejon të tejkalohen krahasimet
asimilimet ? (spécieuses)
artificiale midis Rromëve dhe « Gypsies » të Indisë.
Përsa i perket pohimeve mbi ngjajshmërine e pretenduar
midis rromishtes ose kesaj apo asaj gjuhe indiane (në rastet me të shpeshta
vihet në dukje panxhabi dhe raxhastani), ata janë vetëm instrumente të
nacionalistëve folës të këtyre gjuhëve për të rritur artificialisht shifrën e
popullsisë së shqyrtuar, sepse asnje e dhënë gjuhësore nuk mbeshtet këtë gjoja
ngjajshmëri. Është e mundur të formulohet në një mënyre tjetër kjo mungesë e
një lidhjeje specifike, duke thene që hindishtja, nepalishtja, panxhabishtja,
guxharatishtja etj. janë njëlloj të ngjajshme me rromishten. Vetëm një gjuhë
duket sikur bën përjashtim : gjuha sadrī, e folur nga banorët e afërsisht
njëzetë fshatrave në veri të qytetit Rançi në jug të Biharit. Këta banorë kanë
ardhur nga Benaresi, ku ishin ngulur prej kohësh, pas ikjes nga një zonë
« pak më në veri » – siç thonë ata vetë –. Sidoqoftë, kerkime
sistematike duhet të ndërmerren për të vërtetuar ose përgënjeshtruar
përshtypjen e komunikimit, me të lehtë midis Rromëve dhe folësve të kësaj gjuhe
sesa midis Rromëve dhe folësve të të gjitha gjuhëve të tjera indiane, sepse
deri me sot disponohen vetëm deshmi subjektive të sjella nga fqinjët e këtyre
popullsive, dhe jo nga ndonjë studim serioz.
Legjendat
Eshtë e qartë se duke marrë
parasysh argumentet e dhënë në diskutimin e mësipërm lidhur
me origjinën e
Rromëve (siç na lejojnë shkrimet e Al-Utbise t’a përcaktojmë në kontekstin e
disiplinave të ndryshme të kërkimit), legjendave të shumta të përhapura që nga
shekulli i XIX nëpërmjet rrëfenjave themeluese të etnogjenezave mitike Rrome
nuk u mbetet veçse një interes folklorik. Disa hidhen poshtë shumë shpejt, si
për shembull ajo e Rromit të dënuar të endet, sepse ai kishte pranuar të
farkëtonte gozhdat e kryqëzimit. Anakronizmi i një historije të tillë, vetë
struktura e saj, e vendosin në rangun e legjendave, që në të vërtetë tregojnë
thjesht një qëndrim specifik të kishave, që kerkojnë të justifikojnë
persekutimet kundër Rromëve, qëndrim që mund të vemë në paralel me akuzimin
global kundër popullit çifut, i akuzuar për kryqëzimin e Krishtit, kjo
gjithashtu për të justifikuar persekutimet dhe antisemitizmin. Të fabrikosh
gozhda është një krim i vogël në krahasim me vrasjen e Krishtit, por fakti, i
permendur në disa variante, që është bërë duke qenë në dijeni të pasojave, hedh
në pah një bashkëfajësi të urryer që nuk meriton falje – dhe i hap rrugën të
gjitha persekutimeve.
Një legjendë tjetër, e përhapur midis të tjerash nga
tregimet me figura të shekullit të XIX, shpjegon që një plakë Rrome paska
shpëtuar Jezusin fëmijë duke e kaluar fshehurazi në bohçen e saj gjatë masakrës
së fëmijëve, masakër e urdhëruar nga mbreti Herod i Judesë (Masakra e të Shenjtëve të Pafajshëm). Si
shpërblim për këtë akt të mirë Rromët kanë « të drejtë të vjedhin deri në
pesë lekë në ditë, pa rrezikuar që kjo t’u quhet mëkat », thotë rrëfenja,
që bie edhe kjo gjithashtu në fushën e përçartjes së devotshme për shkak të
karakterit të saj naiv – por, duhet nënvizuar, me pak raciste se legjenda e
gozhdave të kryqëzimit.
Ekzistojne gjithashtu edhe legjenda që i referohen një periudhe më të hershme në
histori, si për shembull ajo e Rromëve që kanë lindur nga një grua që Adami
paska njohur me përpara se Evën, që paska qenë e ëma e Tubal-Kainit, mjeshtrit
të parë të farkës. Dhe një tjetër, që qarkullon akoma në Karpate, sipas të
ciles Zoti paska krijuar Adamin nga balta, dhe menjehere me pas Ciganin nga
eskrementet; ekziston edhe një version që shpjegon se ai i krijoi të dy nga
balta, por ua dha jeten të parit me frymen e tij dhe të dytit me pordhën e tij
– gjë që do të shpjegonte që është shumë e pahijshme të pjerdhësh në publik tek
Rromët, sepse kjo i kujton origjinën e tyre. Në të vërtetë rrëfenja të tilla
çnderojnë më shumë ata që i shpikin dhe i shperndajnë sesa ata që shahen në to.
Më së fundi ka akoma një legjendë, po aq fantaziste sa
edhe të tjerat, por që është bëre e njohur sepse në shumë libra citohet gati si
një hipotezë shkencore. Arsyeja e këtij « suksesi » është pa dyshim
se historia e Iranit është më pak e njohur në Evropë sesa historia e Krishtërimit.
Bëhet fjalë për rrëfenjën e famshme të Firdusit ( një version më prozaik dhe më
i islamizuar i së cilës gjendet tek i devotshmi Hamza i Ispahanit), sipas të
ciles Bahram Gur paska thirrur në shekullin e katërt 12 000 muzikantë Luri nga
oborri i të vjehrrit për të zbavitur
popullin e tij. Ai i paska dhënë secilit nga një thes me grurë, një ka dhe një
gomar dhe i ka urdhëruar të punojnë tokën ditën dhe të bëjnë aheng në mbrëmje.
Një vit me vonë, Luret kishin ngrënë grurin dhe kaun, dhe u debuan nëpër rrugët
e botës, me gomarin e tyre dhe mallkimin e sunduesit. Përsëri kjo legjendë
tregon më shumë për paragjykimet e atyre që e bëjnë të besueshme sesa për
zhvillimin historik të fakteve.
Legjenda Egjiptjane
Ose
Rromët e parë kuptuan se ishte në interesin e tyre që t’i marrin për egjiptjanë
të dëbuar
nga muslimanet ose të dënuar të bredhin si vuajtje për braktisjen e
fesë së krishterë, ose disa prej tyre kanë qëndruar me të vërtetë në një nga
krahinat e shumta të Azisë së vogël ose të Greqisë (Methon në Peloponez për
shembull) të quajtura « Egjipti i vogël » për arsye të begatisë dhe
të gjelbërimit të tyre. Shumë shpejt fallxhoret cigane u quajten
Aiguptisai « Egjiptjane », dhe klerikët u ndaluan njerëzve të
hedhin fall tek ato. Dihet që emri egjiptjan për të emërtuar ciganët nuk është
i kufizuar vetëm në Ballkan por gjendet gjithashtu në Hungari në formën
« populli i Faraonit » dhe në perëndim për të quajtur Rromët që kanë
arritur deri në Angli dhe Spanjë (Gipsy dhe Gitano vijne të dyja nga
« Egjiptjan »)
Në të dyja rastet, prestigji i Egjiptit dhe tregimet
për persekutimet që të krishterët kanë vuajtur në atë vend, i ka sjellë një bazë më të mirë legjendës
Egjiptjane sesa të vërtetës indiane dhe ka favorizuar nxjerrjen e leje-kalimeve
dhe letër-rekomandimeve të lëshuara nga princët dhe nga papa. Një krahasim
bashkëkohor mund të bëhet me Rromët e ardhur nga Rumania për në perëndim që
thonë se janë refugjatë bosnjakë – version
që shitet më mirë sesa origjina e tyre e vërtetë. Shumë popuj gjatë rrjedhës se historisë kanë
fshehur identitetin ose rindërtuar origjinat e tyre për të fituar avantazhe
materiale ose morale (cf. mitet e origjinës të shumë kombeve).
Në të vërtetë, arsyeja e parë që ka bërë që Rromët të
quhen « Egjiptjanë » është një ngatërresë me një popullsi që vërtet
ishte egjiptjane dhe që duket se ka ardhur në shekullin e IV në Azinë e Vogël
dhe në Ballkan (flitet për 300 000 ushtarë por dihet që tekstet e lashta i
ekzagjerojnë shifrat). Kjo popullsi tërhoqi imagjinatën e fshtarëve bizantinë
dhe kur Rromët e parë bënë të njëjtën rrugë nga lindja etiketa ju dha të
sapoardhurve. Nga ana tjetër të gjitha krahinat pak më të gjelbërta (jo vetëm
Methon e Peloponezit) quheshin « Egjipti i vogel » dhe meqënëse
Rromët për probleme pastërtie kërkonin livadhet pranë brigjeve të lumenjve, të
dy elementet e forcuan njëri-tjetrin për të bëre të besueshme këtë etiketë
Egjiptjanësh.
Në këto kushte, kuptohet se në çfarë mënyre e vërteta
mbi origjinen e Rromëve u harrua gati tërësisht të paktën gjatë një shekulli e
gjysmë, deri sa u gjet përsëri nëpërmjet krahasimit të fjalëve
« malabarçe » të tre studentëve indianë të Lejdes në Hollandë,
bashkënxënës të pastorit hungarez të Transilvanise Valji Istvan, dhe atyre të
Rromëve të vendit të tij. Rrëfimi që ai i beri librashitesit Szatmar të Vjenes,
tregon që këta të fundit njohën « pa problem as hezitim » fjalët
« malabar » - gjë që na çon në fillim të këtij prezantimi.
Tani që largimi nga India është pak a shumë i sqaruar,
duhet të bëhen kërkime mbi kushtet e mëtejshme të këtij emigrimi të madh :
në veçanti, kur dhe si popullsia e Kanauxhit e dërguar në skllavëri në Korasan
e në viset kufitare u bashkua për të
marrë rrugën drejt perëndimit, d.m.th drejt Azisë së Vogël dhe Ballkanit, dy
krahina shumë të mëdha pjesë përbërëse të perandorisë bizantine të atëherëshme.
Meqënëse dokumentacioni historik në persisht, në arabisht dhe në armenisht është shumë
më i begatshëm sesa ai që mund të gjendet në Indi (siç dihet ishte
tradita gojore dhe jo ajo e shkruar që
ishte shtylla e prestigjit të kulturës Indiane), duhet të jetë relativisht e
lehtë të skicohet, mbi bazën e dokumenteve autentike, kjo periudhë e dytë e
historisë së Rromëve.
Bibliografi :
Devahuti, D. Harsha. A
political Study. Oxford,1971.
Eliott H. M. & J.
Dowson. The History of India as Told by it Own Historians. Vol. 2. London,
1867-1877.
Gamonet, J. Présentation
succinte du règne de Harsa de Kanyakubja. Paris (ms.), 1999
Kieniewicz ; J.
Historia Indii. Wroclaw, 1985.
Meyer, E. Questions et
hypothëses sur la migration des Rroms depuis l’Inde. Paris (ms.), 1999.
Wink, A. Al-Hind. The Making
of the Indo-Islamic World. Vol. 2. Leiden, 1990 dhe 1997.