Showing posts with label Analize. Show all posts
Showing posts with label Analize. Show all posts

Sunday, May 7, 2017

Europës i jemi qasur me hile otomane. Shkruan Agron Gjekmarkaj

Europës i jemi qasur me hile otomane


shkruan Agron Gjekmarkaj


Shqiptarët, Zoti i ka vendosur në Mesdhe, aty ku u farkëtuan fatet e civilizimit perëndimor, ose e thënë më drejtpërdrejt, aty ky lindi Europa si koncept, si qytetërim, nga ku u nis për të mbështjellë me tisin e saj të mrekullueshëm një kontinent të tërë.
Atë qe ne sot e marrim të mirëqenë!
Po në fizionominë e kësaj Europe ne shqiptarët kemi lënë shenjat tona duke i skalitur ato me fuqinë e një populli mes sfidash, por të vjetër.
Nuk na mungojnë martirët e krishtërimit, perandorët, papët, mbrojtësit e Europës, shkrimtarët, politikanët e paqes, e shenjtorët! Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Papa Klementi XI, Nënë Tereza, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova e shumë të tjerë. Europën e kemi patur larg dhe afër, por ajo ka qenë gjithmonë porti mëmë ku jemi kthyer pas stuhish e erërash të forta që na ka rezervuar historia. Për 500 vjet pushtimi otoman tentoi ta shkulte prej nesh Europën, gjuhën shqipe, krishtërimin, Gjergj Kastriotin, por nuk ja doli.
Vetëdija ishte më e fortë sesa frika e dhunës. Po ashtu, pas një segmenti të shkurtër kohor i cili mbyllej në vitin 1944, një tjetër ndarje tragjike i ndodhi kombit tonë me kontinentin e vjetër. Diktatura komuniste e projektoji republikën e re totalitare në aleanca të panatyrshme, e më vonë në izolimin total.
Kur, 60 vite më parë, etërit themelues të BE-së, me Traktatin e Romës hidhnin firmat që do të modernizonin bashkohësinë duke shtuar sigurinë, vlerat demokratike, standardet ekonomike, dhe duke shtuar të gjitha liritë e njeriut për qytetarët e kontinentit, ‘politikanët e shtypjes’ në vendin tonë i anatemonin dhe përbuznin të gjitha këto kategori, duke u ofruar shqiptarëve terror, uri dhe propagandë.
Por Europa ka qenë zemërgjerë dhe e vetëdijshme për orientimin e popullit shqiptar. Ndaj ajo i nxiti ata për nga liria dhe demokracia, i mirëpriti dhe asistoi sapo dolën nga tirania duke u sintonizuar me thirrjen e një populli që vikaste me thirrjen e epërme, “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Po ashtu, trualli ynë i përbashkët, Europa ndihmoi shqiptarët e Kosovës, pikërisht në atë që dukej e pamundur në fitimin e lirisë dhe të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, duke ndrequr shqyerjet e kohës.
Në 26 vite liri dhe pluralizëm, Shqipëria ka bërë hapa seriozë drejt Europës, sot ajo ka statusin e vendit kandidat dhe lirinë e lëvizjes së lirë. Po ashtu Kosova ka hyrë në të tilla hulli. Të dyja shtetet, integrimin e shohin si të vetmen rrugë, por edhe si një mundësi të madhe prosperiteti, paqeje e demokracie kaq të dëshiruar e të merituar, pas mundimesh pa fund.
Sigurisht gjatë këtyre viteve, politika shqiptare mund të bënte shumë më tepër. Shpesh, ajo i është qasur Europës me hile otomane. Shpesh, ajo duke favorizuar korrupsionin, tarafin dhe logjikën tribale, fakte e cilësi që na kanë mbajtur larg Brukselit, e ka vështirësuar ecjen tonë edhe mjegulluar horizontin. Por, një gjë është e sigurt, shqiptarët janë europianë të bindur dhe integrimin e kanë aspiratë madhore, por nuk mund ta arrijnë atë pa emancipuar politikën e tyre. Politika dhe shoqëria nuk janë të ndarë, ato kushtëzojnë njëri-tjetrën. Një popull europian ka detyrimin të nxjerrë politikanë europianë.
Pa e bërë këtë hendeku me Europën do të mbetet.
Gjithsesi, ky 60 vjetor është edhe i shqiptarëve. I gjen ata më të vetëdijshëm për raportin me Europën, më këmbëngulës për të vetmen rrugë dhe rrugë pa kthim… atë të shkuarjes në shtëpi dmth në Europë. (http://politiko.al/ )