Saturday, January 21, 2017

Çuka e Ajtoit - Kalaja - ILIRE.

Çuka e Ajtoit ngrihet mbi një kodër elipsoidale rreth 330 m mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit Çiflik, rreth 16 km në jug të Butrintit dhe në distancë rreth 5 km nga bregu i Jonit.
Kalaja përbën një ndërtim të periudhës antike, e cila kishte si funksion primar mbrojtjen e Butrintit dhe banorëve të tij në rast sulmesh. Pozita strategjike ku ishte ngritur kalaja, pikërisht aty ku kalonte rruga Epidamn – Aulonë – Buthrot – Actia Nicopolis – Ambraki dhe kontrolli mbi fushën e Vrinës (Kestrinës antike) dhe Konispolit, krijonte kushte të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive ekonomike, si bujqësia, frutikultura dhe blegtoria. Të dhënat arkeologjike si teknika e ndërtimit të mureve dhe materiali i lëvizshëm tregojnë përdorimin e kalasë në vazhdimësi nga periudha e Antikitetit (shek. IV – III p. Kr.) deri në shek. IV m. Kr. që përkon me fortifikimin e Antikitetit të Vonë.
Kalaja ngrihet mbi një kodër elipsoidale, duke shfrytëzuar mbrojtjen natyrale të pjerrësisë së terrenit. Sipërfaqja e rrethuar prej mureve është rreth 7,5 ha, duke e renditur Çukën e Ajtoit në një prej qyteteve të mesëm. Kurtinat e murit nuk përforcohen nga kulla, por muret formojnë zigzage dhe 7 dhëmbësharre, të shpërndara pa ndonjë rregull të veçantë. Prej tij janë identifikuar katër hyrje, një në brinjën perëndimore dhe tre në brinjën e gjatë jugore.
Përgjithësisht muret kanë gjerësi rreth 3,5 m dhe ngrihen mbi shkëmb ose mbi një themel 4 m të ndërtuar me blloqe të punuar lehtësisht. Muret janë dyfaqësh, me blloqe të latuar dhe tërthor të cilave kalojnë mure me gurë të papunuar, të cilat krijojnë arkat për emplectonin. Karakteristikë e fortifikimit është ndërthurja e muraturës poligonale dhe asaj trapezoidale të rreshtuar.
Gjatë Antikitetit të Vonë, kalaja tkurret në sipërfaqe. Planimetria e saj paraqitet në formën e një gjashtëkëndëshi të çrregullt, me brinjën më të madhe të vendosur në anën veriore. Perimetri i murit është afërsisht 700 m dhe ndjek izoipsin e kodrës, ndërsa në disa raste i mbivendoset murit antik, duke përfshirë një sipërfaqe rreth 1,3 ha. Në gjithë gjatësinë e murit të kësaj periudhe është identifikuar vetëm një hyrje, e vendosur në anën jugore të kodrës. Mjeshtrit ndërtues kanë shfrytëzuar për ndërtimin e saj hyrjen e periudhës antike, por e kanë ngushtuar korridorin e saj. Muri i kalasë përforcohet nga tre kulla, dy në anën lindore dhe një në anën perëndimore, pikërisht në vendin ku mbrojtja natyrore ishte më e dobët.
Teknika e ndërtimit të mureve bazohet në krijimin e dy këmishëve me blloqe gurësh gëlqerorë të vegjël dhe mesatarë, të papunuar ose pak të punuar, të lidhur me llaç gëlqereje të përzierë me rërë. Në disa raste shfrytëzohen në ndërtim dhe blloqet e gurëve të murit antik.
Funksioni kryesor i kalasë ishte mbrojtja e Butrintit dhe banorëve të tij, një prej qendrave më të rëndësishme të kësaj periudhe. Funksionet e saj përcaktoheshin në varësi të ngjarjeve politike të kohës si dhe pozitës strategjike ku ajo ishte ndërtuar, në luginën e poshtme të Pavllës dhe kodrat e Konispolit, rrugë natyrore që lidhte Butrintit dhe zonën përreth tij me territoret e brendshme. Kështjella e Çukës jo vetëm ka kontrolluar këtë rrugë por në periudha të caktuara ajo përbënte pengesën e parë të mbrojtjes së Butrintit si nga veriu, nëpërmjet grykës së Bogazit, ashtu edhe nga jugu.
Duke parë vazhdimësinë e materialit nga shek. IV – III p. Kr. deri në shek. III – IV m. Kr., është përcaktuar vazhdimësia e jetesës dhe e përdorimit të vendbanimit. Duke vërejtur gjurmët e banesave të periudhës antike është menduar se ndërtimi fillestar lidhet me një qendër të banuar me karakter mbrojtës. Ndoshta këtë funksion kështjella e kapasur edhe më vonë, ndonëse kjo gjë nuk mbështet në të dhënat e deritanishme arkeologjike.
Iliret Dhe Misteret Antik 
https://milibutka.blogspot.al


No comments:

Post a Comment