Dy shoferë të institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, janë liruar disa orë pas arrestimit në Greqi, për shkak se po transportonin në makinat e tyre libra dhe abetare shqip.
Çështja është mbyllur dhe sqaruar me ndërhyrjen e MPJ-së shqiptare dhe ambasadës sonë në Greqi. Sipas burimeve, tekstet kanë qenë për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Sipas autoriteteve, “në njërin prej teksteve kishte elementë sensitivë”.
Sipas burimeve, mësohet se shoferët Altin Tafa dhe Agim Asllani, mes librave që transportonin, sipas mediave greke, kishin edhe hartën e Shqipërisë së Madhe.
Ata janë marrë në pyetje disa orë në stacionin policor të Janinës. Shoferët e MPJ-së, u akuzuan fillimisht për shpërndarje të materialeve me përmbajtje për propagandë si dhe cenim i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
Materialet që transportonin dy dy shqiptarët, nuk ishin të vulosura dhe rrjedhimisht nuk konsideroheshin pako diplomatike, thanë autoritetet greke.
Gjithashtu, këto materiale nuk kishin asnjë dokument shoqërues të Ministrisë së Jashtme shqiptare, ndaj, sipas palës greke, konsiderohet kundravajtje.
Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qenë i menjëhershëm mbi këtë rast, duke shmangur një farë mënyrë edhe një incident të mundshëm diplomatik mes dy shteteve. Kohët e fundit, retorika politike mes Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë e lartë para së gjithash për çështjen çame. Në pikat kufitare greke janë kthyer me qindra emigrantë shqiptarë pa asnjë arsye ligjore, ndërkohë që Greqia ka kërcënuar me veto ndaj fqinjit të tij për të penguar anëtarësimin ne BE.
14 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)
No comments:
Post a Comment