Monday, July 30, 2018

Dokumentar (video) Hasan Zyko Kamberi

Hasan Zyko Kamberi mbret i poetëve

(Sipas rëfimit ekskluziv të starjelliut Muharrem Gedaj)
Nga Vepror Hasani





Poezia e Hasan Zyko Kamberit dihej përmendësh nga shumë njerëz. Recitohej dhe nga gratë dhe vajzat. Ishte origjinal në gjithçka që krijoi. Naim Frashëri ka shkruar: “Ndër poetët shqiptare, Hasan Zyko Kamberi është më i famshmi”. E quajtën mbret të poetëve. Të tjerë e krahasuan me poetin Hafiz Shirazi. Për Thimi Mitkon ishte "Poet i shkëlqyer në gjuhën shqipe”. Hafiz Ali Korça dëshironte që, “Tyrbja e tij e të vizitohet si varri i Firdeusit që vizitohet edhe sot në qytetin Tus.” Dorëshkrime të poetit Kamberi gjendeshin në familje myslimane dhe të krishtera të Korçës.
Kurse Ali Pashë Tepelena këmbënguli që Kamberi të ishte poeti i tij. Dha urdhër të shkonin në Starje të Kolonjës, ta merrnin dhe ta sillnin në Janinë. Të dërguarit e pashait nuk e gjetën në fshat, por qëndruan aty deri në kthimin e tij. Hasani, - i Zyko Kamberit, - kështu i pëlqente ta thërrisnin, sepse e adhuronte të atin, - shkonte vend më vend me një kalë të bardhë dhe shkruante poezi. I recitonete a kafeneve të qyteteve sa herë bashkohej me poetë të tjerë. Njerëzit, (myslimanë e të krishterë), dëgjonin poezitë e tij dhe i shkruanin me alfabetet që njihnin. Kolegët prisnin të dëgjoni vjershat e reja të tij.
Shkonte shpesh edhe në Berat, Atje njerëzit ruanin dorëshkrime të shumë poetëve. Mit’hat Frashëri shkruan: “Në Berat, më 1913, kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turqishte), të vjershave të një Sylejman Ramazani, vjershëtor i dëgjuar n'ato anë, beratas, dhe rrojtur një qind a një qind e pesë vjet me parë; këto vjersha, edhe në mos paçin një të madhe vleftë si literatyrë, do të kenë një importencë (rëndësi) dokumentare, për mendimet, mbase dhe ngjarjet e kohës. 
Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberit dhe Nesim-it; dhe unë vetë kam në mes të librave të mia dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, dhe njëra prej të cilave të pakën njëqind vjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjershë, të shkruara në Frashër prej Dalib dhe Shahin bejve, këndohen dhe sot në teqet e bektashive. Mësonj tani se, veç këtyre dy Hadikave, qenka dhe një tjetër, vënë në vjersha prej Haxhi Çiçko nga Korça; dorëshkrimi i kësaj libre u gjend sot në teqe të Melçanit. Hadika e Haxhi Çiçkos do të ketë qenë vjersheruar nja 50 vjet më parë. (Revista “Diturija” 1916, nr.1, f. 5).
Kur poeti u kthye në Starje, njerëzit e Ali Pashait e morën me vete dhe u nisën drejt Janinës. Starjallinjtë thanë: ‘Na e morën pashanë e këngëve!” Urdhërit të Pashait nuk mund të bëhej dysh. Poeti do të gjente atje edhe krijues të tjerë, muzikantë e valltarë të përzgjedhur. Dy këngëtarët më të mirë të Pashait ishin Bektashi nga Starja dhe Muçoja nga Korça. (Mos e ngatërroni me poetin Muçi Zade). Herë pas herë, dilnin para Pashait dhe konkuronin me njëri-tjetrit. Më i miri shpërblehej. Pashai dhuronte dhe prona.
Me të mbërritur në Janinë e çuan te Ali Pashë Tepelena: “Erdhe më në fund Hasan Zyko Kameberi!”, i tha. (Ndoshta e kishin kërkuar edhe më parë por nuk e gjenin dot). Starjalliu iu përgjigj: “Nga Janina, Kollovoz, vetë shkruan, vetë vulos”. Plaku Gedaj nuk e mban mend gjithë poezinë, por shpjegoi se me këto vargje, Kamberi deshi t’i thoshte: “Ju Ali Pashë Tepelena jeni zot i vendit dhe mund të jepni çdo urdhër”. Pashait i pëlqyen shumë vargjet. Shpërblimi që mori poeti ishte i madh. Thuhet se këtë poezi Hasani i Zyko Kamberit e recitonte shpesh, sa herë që ia kërkonte Pashai. Kështu e fitoi edhe malin e Stranës, që ndodhet mbi fshatin Starje. Edhe sot e kësaj dite quhet “Strana e Hasan Zyko Kamberit”
Sipas plakut Gedaj, poeti ishte me shkollë, mësimet e para mund t’i ketë marrë në fshatin e tij. Në atë kohë Starja njihej si qytet, ka nga ata që thonë se fshati i tyre kisht tre mijë banorë, ashtu siç ka të tjerë që thonë se numri i banorëve shkonte në 6 mijë. Pas shpërnguljes së starjallinjëve, në zonën e Kosturit u krijuan 12 fshatra: Fushëza, Masllavica, Luadhi, Tuholi, Helmësi, Zagaraj etj. Shkollë kishte edhe në qytetin e vogël të Ersekës. Sipas Ëikipedias: Llukë Karafili (1892 - 1976) lindur në Berat, pas marrjes së arsimit fillor… frekuentoi shkollën turke në Ersekë. Pasi mbaroi dy vjet në këtë shkollë u fut në atë Qytetëse (Rushdije) duke vijuar Gjimnazin (Itadijen), por nuk arriti ta vazhdojë për faktin se ishte i dobët në turqishte…”. Kurse Korça kishte të gjitha shkollat e sistemit arsimor. Studimet e larta Hasan Zyko Kamberi i përfundoi në Stamboll, gjë që tregon se familja e tij kishte qenë në gjendje të mirë ekonomike.
Muharrem Gedajt tregon edhe diçka tjetër: Poetët e Ali Pashë Tepelenës konkuronin mes tyre. Ata ngjiteshin në një podium dhe recitonin. Në konkurim merrte pjesë edhe një arab, vjershëtor i sprovuar, njeri trupmadh, i zi dhe hijerëndë. I pari do të konkuronte ai dhe pas tij Hasan Zyko Kamberi, i sapoardhur. Kur Arabi përfundoi recitimin, poeti nga Starja u ngjit vrullshëm drejt podiumit. Ky çast e hutoi arabin, ndjeu superioritetin e tjetrit, dhe u rrëzua nga shkallët. Përgjigjja e poetit Kamberi ishte e menjëhershme: “Hasani i Zyko Kamberit shkallët se ç’i ngjiti, evgjiti ra dhe sytë i ndriti” Me poezinë e sapokrijuar Hasan Zyko Kamberi u tregoi të gjithëve çfarë ishte në gjendje të bënte. U shpall poeti më i mirë.
Vite më vonë, Hasan Zyko Kamberi u largua nga Janina (thuhet që pati një mosmarrëveshje me Pashain. Në çastin e largimit, poeti la pas një poezi, në të cilën thuhej: “Shar (poet) si unë të flasë, s’gjen njeri të pëlcasë”. Vargjet i adresoheshin Pashait të Janinës.
Me t’u kthyer nga Janina, nisi të shëtiste sërish qytet më qytet me një kalë të bardhë. Për poetin thuhet që ishte i varfër, dhe për këtë i referohen trahanase, por kjo nuk është e vërtetë, ai rridhte nga një familje e pasur. Poezitë e tij ishin të shumëpëlqyera sepse i këndonte njeriut të thjeshtë dhe urrente padrejtësitë:

Mbreti që urdhëron dynjanë,
Që ka vënë taraphanë ,
E i presën paranë,
Ia di kimenë parasë.

Dhe veziri që është veqil,
Zë sikur të bënet adil,
E mos thot’ dot’ kaly-kil,
Ia di kimenë parasë.
Hasan Zyko Kamberi ishte i adhuruar edhe prej vajzave; kishte qarë hallin e tyre:

Çupatë po bëjnë fiqir,
Vallë, ku e kemi takdir?
I martojnë me pahir
Se umur ndë dorë s'kanë…
Kishte shkruar edhe për Natën e parë të martesës, kishte qarë edhe hallin e grave të veja:

Ndigjoni Hasani se ç’flet,
Se ka dadisur në det,
Kaq tyrli alamet,
Ka qarë hall’ e grave të veja.

Pra, kur bënet dasm’ e valle,
Se ç’iu bienë shumë halle,
Thosh’ o burrë pse s’u ngjalle,
Kam qarë hall’ e grave të veja.
Sa shumë të dëshiruara ishin prej njerëzve poezitë e Hasan Zyko Kamberit e tregon kjo histori e treguar prej Hafiz Ali Korçës, që e kishte dëgjuar nga i ati i tij: Shahin beut të Kosturit, mik i Hasan Zyko Kamberit, i mori zjarr shtëpia. Gjithë njerëzit e familjes dolën jashtë. Flakët po përpinin gjithçka. Shërbëtorët tentuan të shpëtonin ç’të mundnin, por Shahin beu tha me dëshpërim të madh: “Lëreni të digjet!” Dhe pas kësaj nisi të qante. Një i afërm i tij mori kurajon dhe e pyeti: “Pse po qan Shahin bej?” Shahini iu përgjigj: “Nuk po qaj për shtëpinë, jam në gjëndje të gatit dhjetë shtëpi më të mira se kjo që pata, por qaj për librat e Hasanit që m’u dogjnë dhe nuk kam ku t’i gjej!

Të dëshiruar për botimin e poezive të Hasan Zyko Kamberit ishin edhe të krishterët e Korçës. Referuar shumë shkurt artikullit të studiueses Genciana Abazi Egro, “Poeti Hasan Zyko Kamberi, pse s’u botua”, mësojmë se Thimi Mitko tentoi të botonte tri poezi të poetit Kamberi: “Grat e veja”, “Paraja” dhe “Fati im”. Tri poezitë e citura ia kishte dhënë Anastas Mano, të cilat i kishte gjetur te një dorëshkrim i ruajtur prej shehut të halvetive në Korçë. Grigor S. Mitko e ndihmoi me poezinë mbi historinë e Ibrahimit/Abrahamit. Poezitë u përkthyen në greqisht. Interes për botimin e poezive të Hasanit shfaqi edhe Vissarion Dodani, veçanërisht për vjershat “Gjerdeku”, “Nata e parë e martesës” etj. Për gjetjen e poezive u ndihmua nga Lipja i Tasi Jorgjit (Filip Mano) (Gazeta “Panorma”, 8 shtator 2014)
.
Më 1789, Hasn Zyko Kamberi mori pjesë në luftën turko-austriake mbi Danub, por kjo pjesëmarrje e la zgënjyer. Rallë ndodh që poetët të frymëzohen prej luftrave. Kësaj ngjarjeje, poeti i kushtoi poezinë “Bahti im” (fati im), ku shkruan:

Zu Hasani e zihet,
Me baht’ e tij po prihet,
Vallë, ku rri e fshihet,
Që s'punon, more bahti im.
Edhe në poezinë “Seferi humajun”, (lufta mbretërore) shprehu të njëjtin dëshpërim. Kur e pyetën, ç’mendim kishte për luftën e Ali Pashës me Muavijen, u përgjigj kështu:

Kjo punë more sulltan,
Na ngjet në një bazergjen,
I thotë ngreu ti o xhan,
Ti rri unë në këtë dyqan.Pas
Në vitin 1943-1944 Hafiz Ali Korça shkruante: “Hasani ka patur një tyrbe (mauzloe) në që shumë vjet u vizitua se njihej si një burrë i mirë e i shenjtë, por si mbeturinat e tjera edhe ajo u zhduk. Hasani si një Alim (savant) i madh e një vjershëtor dyshekullash me famë të bujshme, për nderin e shqiptarizmës meriton t’i përsëritet tyrbja e tij e të vizitohet si varri i Firdusit që po vizitohet edhe sot në qytetin Tus. (Kultura Islame ,viti 1943-1944, nr. 7-8, f. 201)
Plaku Gedaj thotë: Hasan Zyko Kamberi u bë dervish kur ishte në moshë të thyer. Në Kolonjë e thërrisnin Baba Hasani. Varri i tij ndodhet në tyrben e Starjes, e cila u dogj nga grekët në vitin 1914, por starjellinjtë e ndërtuan sërish. Shteti e kishte shpallur monument kulture, status që e ruan edhe sot e kësaj dite.
Pas vitit 1945, ndaj krijimtarisë së tij nuk u tregua asnjë inetres, kjo bëri që shumë prej poezive të tij të humbisnin. Sot çdo poezi e gjetur ka vlerën e një guri të çmuar. Poeti Kamberi lindi ne Starje më 1743, ndërsa mendohet të jetë ndarë nga jeta në dekadat e para të shk. XIX.

No comments:

Post a Comment