Për ata që e dinë, ata që nuk e dinë dhe ata që bëjnë sikur nuk e dinë“Sali Butka ka zhveshur pallën dhe po bën luftëra të rrepta. Nga ana e Korçës po tregon trimërinë e tij si shqiptarët e moçëm në kohën e Skënderbeut.” Kështu shkruante Gazeta Liri e Shqipërisë, kur më 7 dhjetor 1912, pas pushtimit të Korçës, ushtritë greke iu drejtuan Kolonjës.
“Luani i Kolonjës, Sali Butka, na pret në Skrapar”, i shkruante Themistokli Gërmenji Qeverisë së Vlorës në korrik 1913, pas shumë luftimeve për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Shqipërinë Juglindore.
“Nga ana e Kolonjës kundërsulmojnë forcat e udhëhequra prej shqiptarit të famshëm Sali Butka, që i detyroi forcat tona të tërhiqen deri te mesi i urave në Leskovik”, raportonin ushtarakët grekë më 1914.
"Atë ditë të mos e harrojmë kurrë! Vanë gjithë atdhetarët ta ngushëllojnë, kur Sali Butka na thotë: Mos kini frikë o vëllezër, që mbeta me një sy, se nuk do ta turpëroj Shqipërinë, se kundër armiqve s'ka për të shkuar kot asnjë plumb. Jo syri, por le të shuhem me gjithçka vetëm Shqipëria të rrojë!". Kështu shkruante Gazeta Koha e Mihal Gramenos, kur Sali Butka humbi syrin në betejën e Nikolicës kundër pushtuesve të huaj në vitin 1914.
“Askush nuk do t’i ishte nënshtruar vullnetarisht një rasti të tillë, por duhet të jesh shqiptar, duhet të jesh trim dhe guximtar që të bësh një gjë të tillë”, shkruante Gazeta Corriere della Puglia në faqen e saj të parë kur Sali Butka, në fund të vitit 1914, e nxori syrin pa narkozë në një spital në Bari.
“Franca, në Konferencën e Londrës ishte kundër vendit tim. Ajo u mundua t’i jepte Greqisë pjesën më të madhe të Shqipërisë së Mesme. Austria, përkundrazi, mbrojti të drejtat tona. Kjo është arsyeja që ne ishim me Austrinë”. Kështu i tha Sali Butka komandantit francez në Korçë në vitin 1916, kur ai e pyeti se përse nacionalistët shqiptarë po luftonin kundër francezëve.
Jeta dhe veprimtaria e patriotit të shquar Sali Butka “gërshetohet me ngjarjet më të rëndësime të lëvizjes kombëtare shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë”, kur veprimtaria e tij dhe e batalionit të Kolonjës ka shkruar faqe të lavdishme në shërbim të kombit shqiptar.
Familja e Butkallinjve vinte nga Frashëri dhe ishte vendosur në Butkë që në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Aty lindi Sali Butka në vitin 1852. Në vitet 1882-1883, kur Petri Nini Luarasi ishte mësues në fshatin e Bezhanit, shumë afër me Butkën, këta dy burra lidhën një miqësi të ngushtë për çështjen kombëtare. Sali Butka u bë mbrojtësi i Petro Nini Luarasit dhe duke vlerësuar veprën e tij kombëtare shprehej: “Në qoftë se në Kolonjë do të ngrihet në kohën e ardhshme ndonjë përmendore për atë që e shpëtoi dhe e nderoi këtë vend, kjo përmendore duhet të jetë e Petro Nini Luarasit, që na zgjoi, na bashkoi dhe na lartësoi dëshirat dhe veprimet”.
Në vitin 1905, me krijimin e Komitetit të Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë në Manastir, Bajo Topulli e bëri ndalesën e parë në shtëpinë e Sali Butkës, ku ai krijoi degën e këtij komiteti për Kolonjën dhe një nga çetat e para për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit otomanë. Të gjithë burrat e familjes së tij u bënë luftëtarë të çetës e më pas të Batalionit të Kolonjës, që ishte një nga forcat kryesore të armatosura në Shqipërinë Juglindore dhe kishte lidhje të ngushta me çetat patriotike të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit. Në më 20 qershor të vitit 1912, kur luftëtarët e jugut po mblidheshin në Frashër për krijimin e komitetit kryengritës, gjatë një përpjekjeje në Qesarakë të Kolonjës, u vra djali i Saliut, Iljaz Butka. “Hallall Shqipërisë”, i tha Sali Butka Dilaver Lubonjës që i dha mandatën duke vënë duart në kokë dhe shkroi “Për lirinë, për lirinë/ Lum kush vdes për Shqipërinë!/ Është i gjallë kurdoherë/ E ka të pavdekur nderë”.
Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, i gjeti krahinat juglindore, ashtu si edhe pjesë të tjera të vendit, përballë rrezikut të pushtimit nga ushtritë fqinje ballkanike. Ismail Qemali, duke e parë këtë rrezik, në telegramin e datës 28 nëntor 1912, njoftonte shpalljen e pavarësisë dhe porosiste: “Shpallni edhe ju aty pavarësinë dhe forconi vijat e mbrojtjes kundër armiqve që duan të mësyjnë atdheun tonë të shtrenjtë”. Duke zbatuar porositë e Qeverisi së Përkohshme të Vlorës, batalioni i Kolonjës, i komanduar nga Sali Butka, pas pushtimi të Korçës, më 7 dhjetor 1912, zuri vijën nga Qafa e Qarrit, në Helmës e deri në Luaras, ku u zhvilluan luftime të ashpra nga dhjetori 1912 deri në mars 1913, kur forca të mëdha të Armatës së Epirit marshuan duke pushtuan Leskovikun, Ersekën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe arritën deri në afërsi të Beratit. Sali Butka me forcat e tij u tërhoqën në kufijtë e Skraparit me Kolonjën. Aty, në Qafën e Martës, më 25 korrik 1913 u zhvilluan luftime midis forcave të Sali Butkës dhe atyre pushtuese. Në këto luftime u vra Nasi Spiro Qafëzezi, që Saliu e konsideronte si birin e vet ndaj u shpreh “Më mirë të më ish vrarë njëri nga djemtë”.
Me caktimin e kufijve të jugut me Protokollin e Firence më 17 dhjetor 1913, trupat e Sali Butkës filluan luftën që nga Skrapari për të marrë në dorëzim krahinat e pushtuara. Ato çliruan Panaritin, Grabockën, Katundin, Statobërdën, Selenicën e Pishës, Kaltanjin, Qesarakën, ku më 16 janar 1914 u zhvilluan luftime të ashpra. Në mars 2014 forcat shqiptare u futën edhe në qendrën e krahinës së Kolonjës. Më 8 mars 1914, forcat e Sali Butkës i vazhduan luftimet në drejtim të Leskovikut duke i prapsur andartët deri te Mesi i Urave në Lumin e Vjosës. Në këto luftime dha jetën djaloshi Mersin Prodani, që siç shkruhet në dokumentet e kohës “luftonte me trimëri të pashoqe,” kurse në luftimet në Qafën e Badrës dha jetën Qani Ypi. Gjatë prillit 1914, luftime të ashpra deri edhe trup me trup u zhvilluan në Ersekë, Selenice, Butkë dhe më 24 prill në Nikolicë. Në këtë betejë Sali Butka u plagos në sy.
Më 2 korrik 1914, Batalioni i Kolonjës, me urdhër të qeverisë së Princ Vidit forcoi vijat e mbrojtjes në drejtim të Pogradecit. Në Pogradec, i ndodhur mes dy zjarresh, nga forcat e Haxhi Qamilit dhe forcat sadiste, dhanë jetën 60 luftëtarë të këtij batalioni, mes të cilëve edhe Zalo Prodani dhe djali i Sali Butkës, “Gjenerali Gani Butka”. Kështu e quante Koloneli Amerikan Harold Spenser, i cili kishte marrë pjesë në luftimet e batalionit të Kolonjës gjatë vitit 1914, krahas luftëtarëve të tjerë shqiptarë. “Unë, - shprehet ai në një intervistë me një gazetar amerikan në vitin 1919, - si oficer me përvojë kuptova menjëherë se i ndjeri Gani Butka ishte një gjeneral praktik i mbaruar. ....trimëria, guximi dhe patriotizmi i gjeneral Gani Butkës më bëjnë të mos e harroj kurrë. Gani Butka ishte bërë vëllamë me mua, d.m.th., kishim pirë gjakun e njëri tjetrit, sipas zakonit shqiptar”.
Kur delegacioni me Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon dhe Abdyl Ypin shkuan për ta ngushëlluar Sali Butkën për vrasjen e të birit 23 vjeçar, ai u tha: "Të rrojë Shqipëria" dhe iu ngriti këngë 60 të vrarëve: “Qaj, pa, qaj, Kolonja plakë/ Për ata djem si luanë/ Ç’e patën jetën e pakë/ Dëshmorë për Atdhe ranë”.
Në fund të korrikut 1914 trupat andarte e shoqëruan marshimin e tyre në krahinat juglindore të vendit me djegie, vrasje, masakra, duke bërë shkrumb e hi edhe gjithë Kolonjën, popullsia e së cilës iku në ullinjtë e Vlorës. Në Vlorë, me këmbënguljen e shumë patriotëve Sali Butka u nis për në Bari të Italisë për të hequr syrin që e kishte plagosur në betejën e Nikolicës. Gazeta italiane “Corriere della Puglia” botonte në faqen e parë njoftimin sensacional se “një shqiptar kishte nxjerrë syrin pa narkozë.” Dhe ky ishte Sali Butka.
Raporti i agjentit të Byrosë Amerikane të Hetimeve (paraardhëse e FBI), 6 nëntor 1918. Për më shumë shih në: http://frosina.org/tag/sali-butka/#sthash.Mc52 IWlw.dpuf
Administrimi i Korçës në vitet 1912-1916
Deri në dhjetor 1912 – regjimi turk
Deri në maj 1913 – regjimi ushtarak grek
Deri në mars 1914 – regjimi civil grek
Deri në korrik 1914 – regjimi shqiptar i Princ Vidit
Deri në tetor 1914 – bandat greke
Deri në dhjetor 1914 – regjimi ushtarak grek
Deri në fund të tetorit 1916 – administrata civile greke –
rojalistët
Deri 23 nëntor 1916, administrata civile greke – venizellistët
Deri më 10 dhjetor 1916 – autoritetet ushtarake franceze me
nëpunës grekë
Që nga 10 dhjetor 1916 – Republika Autonome e Korçës nën
protektoratin e Ushtrisë Franceze.
Në vitin 1916, me nismën e Aqif Pashë Elbasanit, forcat shqiptare në juglindje u riformuan si një ushtri e rregullt dhe komanda iu dha Sali Butkës nga Prefekti i Beratit, me porosi të Aqif Pashë Elbasanit. Qëllimi i tyre i parë ishte çlirimi i Qarkut të Korçës nga pushtimi grek. Më 20 shtator 1916, Sali Butka dha dorëheqjen si krahinar i Tomorricës dhe nisi organizmin e forcave shqiptare dhe brenda një jave krijoi një forcë prej 250 vetash. Sali Butka dhe Themistokli Germenji, në bashkëpunim edhe me patriotët e tjerë që ndodheshin në zonën e pushtimit francez, hartuan plane për marrjen e Korçës dhe për vendosjen e administratës shqiptare në Korçë. Forcat e Sali Butkës nga tetori deri në dhjetor 1916, çliruan fshatrat në perëndim të Korçës ku u vendosën krahinarë shqiptarë dhe po e shtonin presionin mbi Korçën.
Kronikë nga Gazeta e Korçës
Venizelistët të dehur nga mishi dhe vera
“Sali Butka, kumandar i çetave shqiptare të Oparit lajmëroi voskopojarët të përzënë venizelistët dhe të ngrehin flamurin kombëtar, duke u zotuar që asnjë njeri nuk do të pësonte gjësendi. Por voskopojarët me venizelistët të dehur nga vera dhe qejfet u kthyen dyfek shqiptarëve, të cilët, (shqiptarët), për të ruajtur nderë e armëve, bënë hyrysh dhe i ranë Voskopojës, ndenjësit e së cilës si panë rreziknë mbi kokë ngritnë nga pak plaçkë dhe muar udhën e Korçës. Ushtarët francezë, të cilët nuk e kishin gjetur për të mbarë të vinin për të luftuar në Voskopojë, kishin dalë në Gjonomadh dhe prisnin atje muhaxhirët e Voskopojës dhe i dërguan në Korçë. Dhe si mbaruan këtë detyrë u kthyen prapë në qytet pa zbrazur asnjë dyfek. Është për të treguar që Sali Butka u rrëfye fisnik në luftën e Voskopojës se nuk u la të trazoheshe asnjë grua, asnjë fëmijë, po me të plasur dyfeku u lëshoi të lirë udhën e Korçës. Gjithë kështu u suall dhe për ata burra që dorëzuan armët dhe nuk kundërshtuan. Pas luftës së Voskopojës ushtria venizeliste pa shënuar (fitore) dhe me kokën unjur u kthye në Korçë. Sali Butka me çetat e tij zaptoi tërë fshatrat në jugperëndim të Korçës gjer në Boboshticë pa bërë dëm asgjëkundi.
Republika e Korçës e pati jetën të shkurtër dhe Themistokli Germenji u pushkatua prej francezëve në Selanik, më 1917. Gjatë shkurtit 1917 u zhvilluan luftime të ashpra me trupat franceze në perëndim të Qarkut të Korcës. Gjatë këtyre luftimeve u plagos rëndë dhe vdiq nga plagët krahu i djathtë i Sali Butkës në fushatën e Qarkut të Korçës, Qazim Panariti. Në shtator 1919, Sali Butka i dërgon ultimatum komandantit francez për lirimin e Korçës dhe francezët takohen personalisht me Sali Butkën. Kur oficeri madhor francez e pyeti se përse nacionalistët shqiptarë po luftonin kundër francezëve, ai iu përgjigj: “Franca, në Konferencën e Londrës ishte kundër vendit tim.
Ajo u mundua t’i jepte Greqisë pjesën më të madhe të Shqipërisë së Mesme. Austria, përkundrazi, mbrojti të drejtat tona. Kjo është arsyeja që ne ishim me Austrinë”. Komandanti francezë në Korçë shkruan se: “Për këta njerëz atdheu është gjithçka. Një nga armiqtë për vdekje të Sali Butkës është pajtuar me të. Një nënë nga Elbasani ka dërguar djalin e saj në Korçë, duke i dhënë porosi të vdiste nëse një gjë të tillë ia kërkonte atdheu – Shqipëria. Përveç kësaj të gjithë të rinjtë që vijnë nga Amerika, theksojnë idenë e lëvizjes kombëtare”.
Letër dërguar nga Komandanti Francez i Korçës, Komandantit të kufirit shqiptar, Eskadromi i Përgjithshëm i Ushtrisë Franceze
Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të futen në zonën neutrale. Leitnanti im Xhelal Panariti, me të cilin Sali Butka ka marrë kontakt më tregoi se kryengritësit presin se çdo të bëjmë ne. Nëse largohemi, atëherë ata do të veprojnë me të gjitha mjetet që disponojnë. Sali Butka e ka armatosur kontingjentin e vet. Sipas dëshmive lokale mund të numërohen mbi 4 mijë burra. Ditën e duhur, ai do bashkojë batalionin e qitësve shqiptarë. Sigurisht, me ikjen tonë pjesa me e madhe e GMA-s (Xhandarmëria e lëvizshme shqiptare) do të bashkohet me kryengritësit. Gjithashtu, tre batalione që shërbejnë nën urdhrat e italianëve do të dezertojnë dhe do bashkohen me Sali Butkën. Nëse do t’i besojmë një gazete italiane, numri i tyre do të arrijë në 5 mijë dezertorë.
Këtyre burrave që janë armatosur mirë, me municion e granata, me disiplinë ushtarake, të stërvitur maleve prej dy vjetësh, qoftë në anën tonë, qoftë në anën e kundërshtarit, do t’u shtohen edhe vullnetaret e shumtë të përbërë nga djem të shumtë të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Ata kanë sjellë me vete ide kombëtare të avancuara. Influenca e Sali Butkës që është zot i padiskutueshëm i të gjithë krahinës së Shkumbinit do të shtrihet shumë larg. Duke i bërë apel popullsisë së perëndimit deri në Vlorë, Sali Butka do të ketë në dispozicion mbi 30 mijë burra. Ai vetë ka lajmëruar se do të bëjë luftë dhe vetëm luftë.
Më 28 nëntor 1919, në mitingun e organizuar në Lushnjë për festën e Flamurit Sali Butka tha: “Mua më janë vrarë dy djemtë për çlirimin e Atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre, si edhe gjithë shokëve të tyre si Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji e të tjerë, u plotësuan. Në këtë moment Sali Butka prek Flamurin Kombëtar dhe e puth”.
Në janar 1920, Sali Butka mori pjesë si delegat në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, përkrah burrave të tjerë të kombit shqiptar, ku përshëndeti me vargje: “Uronj Këshillin e Naltë/ Me faqe të bardhë daltë/ Dhe më një Shqipëri të plotë!/ Shpirti im kështu e thotë”.
Po në këtë vit Sali Butka botoi në Korçë vëllimin e tij me poezi, “Ndjenja për Atdhenë”, i cili zbulon botën e madhe të këtij patrioti, trimërinë e bashkëluftëtarëve të tij, nuhatjen e tij të mprehtë politike, forcën e tij morale dhe ndjenjat e tij të holla.
Lermëni pak që të prehem/ Se më zuri pleqëria/ Dhe e baltë do të bëhem/ Sot që u bë Shqipëria.
Nga Jorgji QIRJAKO
No comments:
Post a Comment