InfoPress / Sahide Dedushi
Në kilometrin e 37 të magjistrales Prishtinë – Nish gjendet pikëkalimi në Merdare në mes dy shteteve tashmë fqinje, Kosovë-Serbi. Saktësisht në Merdarë behën pritje të gjata, ku shumë bashkatdhetarë përballën me pritje prej disa orësh dhe kjo po shkakton tollovi dhe vonesa të gjatë për bashkatdhetarët që kanë zgjedhur që festat e fundvitit ti kalojnë me familjarët e tyre në Kosovë.
Me 4 gusht 2016 , nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, ishte mbajtur takimi i Bordit Drejtues të Projektit të IBM për ndërtimin e pikë-kalimeve të përhershme kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pjesë e këtij takimi ishin anëtarët e Bordit Drejtues të përbërë nga grupi shtetëror punues për marrëveshjen e IBM-së dhe përfaqësuesit e BE-së, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNOPS si partner implementues i kontraktuar nga BE-ja.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë finalizimi dhe provimi i projekteve për pikëkalimet kufitare në Merdare, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat sipas Marrëveshjes së Brukselit për IBM dhe Protokollit Teknik, shteti i Kosovës është palë nikoqire. Ndërsa për tre pikëkalimet tjera kufitare, pala Serbe është palë nikoqire e projekteve ndërtuese.
Pikëkalimi në Merdare është dhe mbetet pika më problematike e atyre të cilët udhëtojnë gjatë kohës së festave apo edhe gjatë sezonës së verës, ku shkaktohen radhë të gjata dhe të padurueshme. Qeveria e Kosovës pati thënë se vitin e ardhshëm do të ndërtojë pikë të re kufitare me Serbinë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
Analisti Haki Abazi në një prononcim për InfoPress tha se gjithë këto pritje janë rezultat i marrëveshjes për menaxhim të bashkuar të kufirit.
“Këto janë rezultatet e marrëveshjes për menaxhim të bashkuar të kufirit. Nuk më befasojnë pritjet më befason gatishmëria e bashkatdhetarëve tanë për të marr e bërë ketë rrugë të mundimshme dhe në kushte tq ftohta. Në çdo vend të Evropës mund të blihet bileta aeroplani për 30 euro përfshirë edhe nga Londra pse një gjë e tillë nuk ndodhë me Kosovën. A po paguajnë kosovaret për hapësirën ajrore që nuk kontrollohet nga Kosova, koston e aeroplanëve për të sjellë rreth e rrotull shërbime shumë të shtrenjta se sa aeroportin e Prishtinës kjo është pyetje që duhet shtruar, sepse për një shtet që ndërton mure vonesa në kufi është luks”, theksoi Abazi për InfoPress.
Ndërsa analisti Faik Krasniqi tha se kjo qeveri ka premtuar shumë gjëra, por nuk ka realizuar asgjë.
“Qeveria e Kosovës ka premtuar shumë gjëra, por që në praktikë nuk ka realizuar asnjë nga ato premtime. E njëra nga ato ka qenë edhe ndërtimi i një pikë të re kufitare me Serbinë. Arsyet e vonesës së ndërtimit të kësaj pike kufitare, e dinë Qeveria e Kosovës. Pa dyshim se duhet biseduar një gjë e tillë edhe në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, pikë së pari Qeveria e Kosovës është dashur t’i ndërpres bisedimet me Serbinë, për mosrespektim të nënshkrimit të marrëveshjeve të deritanishme nga ana e serbëve, e pastaj të nënshkruaj një marrëveshje për ndërtimin e kësaj pike të re kufitare, sepse pavarësisht premtimeve boshe të qeveritarëve tanë, Serbia nuk lejon aq lehtë ndërtimin e pikave të reja kufitare.
Mirëpo një gjë e tillë arrihet vetëm nëse Kosova paraprakisht ndërpret bisedimet me Serbinë, deri sa ajo t’i zbatojë në praktikë marrëveshjet e nënshkruara”, tha Krasniqi për InfoPress.
No comments:
Post a Comment