Tuesday, November 22, 2016

MONEDHA TË SUNDIMTARËVE TË BASHKËSIVE E TË QYTETEVE ILIRE

Pjesë nga thesari i një kombi...
MONEDHA TË SUNDIMTARËVE TË BASHKËSIVE E TË QYTETEVE ILIRE

Qarkullimi i monedhave në Iliri lidhet me kalimin e shoqërisë ilire në prodhim dhe me shkëmbimin e mallrave. Në periudhën protoqytetare (mesi i shek. VII-mesi i shek. V para Krishtit) shkëmbimi bëhej mall me mall. Kur morën hov marrëdhëniet e shkëmbimit, doli në skenë #monedha, një njësi metalike që përfaqëson një vlerë të caktuar si njësi matëse për vlerat e prodhimeve të tjera. Monedhat e para në tregun ilir u futën rreth shek. VII-V para Krishtit. Depërtimi i monedhave në tregun ilir u bë përmes kolonive të qendrave të Dyrrahut dhe të Apolonisë.
Si rezultat i mirëqenies ekonomike, shtresat e tregtarëve dhe të zejtarëve u fuqizuan shumë. Ky forcim ekonomik bëri që Dyrrahu të hapte një punishte monetare për prerjen e monedhave autonome. Duke marrë shembullin e Dyrrahut, edhe Apolonia, për t’u shkëputur nga Korkyra, vendosi hapjen e një punishteje të tillë. Prerja e monedhave të para në këto dy qytete duhet të ketë filluar rreth vitit 430-350 para Krishtit.

Shekujt III-I para Krishtit janë koha e qarkullimit më të dendur monetar dhe e prerjeve të shumta prej argjendi dhe bronzi. Krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, në këtë periudhë hedhin në qarkullim prerjet e tyre edhe qytetet ilire Amantia, Bylis, Olympe, Skodra, Lisi deri në Danub.
Tipi monetar, me faqen me simbolin e lopës duke ushqyer viçin dhe me shpinën katror me bishta, mbetet themelor për prerjet e argjendit në Dyrrah e Apolloni gjatë gjithë shek. III-I para Krishtit. Në periudhën 300-250 para Krishtit vendosen për herë të parë në faqen dhe me shpinën e këtyre monedhave emrat e shkurtuar të nëpunësve. 
Pas vitit 250 para Krishtit, emrat fillojnë të vendosen të plotë: emri i faqes përfaqëson nëpunësin monetar; ndërsa në shpinë, krahas emrit të shkurtuar të qytetit, vendoset emri i prytanit, nëpunësit më të lartë të qytetit. Pas vitit 200 para Krishtit, në faqen e monedhave shtohen dhe shenja simbolike, si bleta, kalliri i grurit, bashi i anijes etj., që ishin stema të familjeve të nëpunësve.

No comments:

Post a Comment