Wednesday, October 5, 2016

Neki Shkaba/ Historia e parrëfyer e një prej 10 aktorëve më të mirë të Korçës Nga Vepror Hasani

Aktori Neki Shkaba



“Sipas rrëfimeve të kolegëve, vazhdon të tregojë Koço Qendro, Neki Shkaba, ishte një aktor i talentuar, i aftë të luante çdo rol që mund t’i jepej. Shkëlqente në rolet e mëdha, stepej spektatori para lojës së tij, mrekullohej dhe e duartrokiste me adhurim, por edhe roleve të vogla dinte t’u jepte jetë e t’i bënte të paharrueshme. Në memorien e spektatorit arrinte të linte batuta, të cilat, pas shfaqjeve mund t’i dëgjoje në rrugë apo kafene. Mbi të gjitha shkëlqente me thjeshtësinë e tij. Nuk ndërhyri kurrë te regjisorët për të luajtur qoftë edhe një rol që mund të kishte qenë ëndrra e tij. Druhej se mos bëhej i padrejtë me kolegët, edhe pse e dinte që shumëkush prej amatorëve ishin larg të qenit aktor. Që të gjitha këto ishin vërejtur nga Dhimitër Trajçe, ndaj ai nuk harronte kurrë të jepte vlerësimin e tij për aktorin Neki Shkaba. 

Megjithatë, ende nuk kishte mbërritur dita e shpalljes së 10 aktorëve më të mirë të Korçës. Ende nuk dihej kush do të përzgjidhej nga të rinjtë. Dhimitër Trajçe gjithçka e mbante të fshehtë. Sigurisht, për më të vjetrit si Vangjel Grabocka, Lefter Sofroni, Andrea Thano etj ishte menduar të ishin pjesë e 10 aktorëve më të mirë. Mes të rinjve konkurenca po bëhej edhe më e ashpër. Përveç Neki Shkabës, Pandi Raidhit, Stavri Shkurtit, kishin nisur të binin në sy edhe aktoret femra: Qefsere Kushe, Valentina Asllani, Martha Burda etj. Megjithatë, askush nuk e dinte kush do të ishte fitues dhe kush jo. Ardhja e të rinjve, kishte filluar të trembte edhe më të vjetrit. Të rinjtë po vinin me një frymë tjetër. Shkaba ishte njëri prej tyre. Nga sa shihej “lufta” mes brezave do të ishte e fortë”.

Të gjithë nën vëzhgim

“Dhimitër Trajçe vazhdonte të punonte për vënien shfaqjeve në skenë. Të gjithë aktorët gjendeshin nën vëzhgimin e tij. Më 8 prill 1945 u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Henrik Ibsenit, përkthyer nga Fan S. Noli. Rolin e doktor Stokmanit e luajti Vangjel Grabocka, ndërsa atë të zonjës Stokman, Krisanthi Bicka. Edhe vetë Trajçe spikati në lojën e tij aktorale. “Armiku i Popullit” u shfaq për disa mbrëmje radhë. Suksesi qe i madh, ndaj vendosën ta shfaqnin edhe në kryeqytet për delegatët e Kongresit të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Më në fund edhe Sokrat Mio u kthye në Korçë. 

Pas ardhjes së tij, më 16 nëntor 1945, u shfaq drama “Mbrëmja e madhe” e Leopold Kompf! Më pas erdhën shfaqje të tjera edhe më të bukura, edhe më cilësore. Më 26 qershor 1947 u shfaq “Dasma”, me skenar dhe regji të Dhimitër Trajçes. Pati mjaft sukses. Gjithsesi, edhe Trajçe ishte në fillimet e karrierës së tij. Pastaj, më 11 nëntor 1947, u dha drama “Çështja ruse”, e Simonovit. Skenograf i shfaqjeve vijonte të mbetej Vangjush Mio, i cili gjithnjë arrinte të sillte një dekor mbresëlënës. Pandi Raidhi luajti rolin e pronarit të shtypshkronjës. Më 1 dhe 2 mars 1948 u dha në kinema-teatër “Morava” drama “Përralla e malit” e Pushkinit dhe komedia “Një propozim për martesë”, e Çehovit me regji të Sokrat Mios. Gjithashtu në vijim u dhanë të tjera shfaqe, variete, komedi dhe drama, si: “Të rit e baballarëve”, “Nën gështenjat e Pragës” “Ishulli i paqes” etj, në të cilat disa prej aktorëve të rinj spikatën për talentin dhe origjinalitetin e tyre. Për Dhimitër Trajçen, Neki Shkaba e kishte fituar betejën për të qenë një nga aktorët më të mirë të qytetit të Korçës, por tashmë Shkaba kishte marrë edhe vlerësimin e regjisorit profesionist që kishte studiuar në Paris, Sokrat Mio. Madje, më pas, Mio e përzgjodhi Neki Shkabën për të qenë pjesë e Teatrit Kombëtar në Tiranë”.

Aktorët profesionistë

“Tashmë aktori dhe regjisori Dhimitër Trajçe dhe Sokrat Mio e kishte një listë me emrat e aktorëve më të mirë të qytetit të Korçës. Nuk ishte e lehtë që mes aktorëve të shumtë të zgjidhje 10 më të mirët. Qefmbetjet nga aktorët e vjetër do të ishin të mëdha dhe shumë të rinj do të mbeteshin të zhgënjyer, por Trajçe kishte vendosur të merrte më të mirët, pasi me ta do të ngrinte teatrin profesionist të Korçës. Përzgjedhja e tyre u bë më 22 qershor 1950. Sokrat Mio e pëshkruan kështu këtë ngjarje të madhe, kujton Koço Qendro: “Më 22 qershor të vitit 1950, në kinema “Morava” të qytetit u zhvillua ceremonia e krijimit të teatrit profesionist të Korçës. 

Për këtë ceremoni gazeta “Zëri i popullit” në artikullin e datës 24 qershor shkruan: “Më 22 qershor 1950 në kinema “Morava” të qytetit të Korçës të mbushur plot e për plot me amatorë e artdashës u zhvillua ceremonia e themelimit të teatrit profesionist të qytetit. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe udhëheqësit e partisë dhe të shtetit…”. “…Ceremonia u çel me ekzekutimin e Himnit të Flamurit tonë kombëtar” “ …Për të pranishmit në këtë ceremoni kori i qytetit dha një program të zgjedhur me këngë patriotike dhe këngë qytetare korçare, ndërsa nga aktorët e trupës profesioniste u interpretuan disa fragmente të dramave e komedive të shfaqura më përpara. I gjithë ky program u pëlqye së tepërmi dhe u duartrokit nga gjithë të pranishmit”. Ishte krijuar kështu teatri profesionit i Korçës. Në organikën e kësaj trupe do të bënin pjesë, regjisori, skenografi dhe 10 aktorë profesionistë. Mes të dhjetëve ishte dhe i madhi Neki Shkaba. Kishin mbetur jashtë dhjetëshes aktorë të talentuar si Pandi Raidhi etj. Gjithashtu, si pjesë e trupës profesioniste do të ishin edhe 8 aktorë gjysmë profesionistë, ku mes tyre bënte pjesë edhe Starvri Shkurti, Qani Nevruzi, Spiro Karanxha etj. Emrat e përmendur më sipër tregojnë qartë se sa e vështirë kishte qenë të përzgjidheshe ndër 10 më të mirët e qytetit të Korçës, nga ku do të niste udhën teatri profesionist i tij”.

“Përmbysja”

“Drama e parë e tyre si trupë profesioniste ishte “Përmbysja” me regji të Sokrat Mios, e cila u shfaq më 22 qershor të vitit 1950 në kinema-teatër “Morava”, vazhdon të na tregojë Koço Qendro. Shfaqja e kësaj drame që hyri në historinë e artit skenik korçar si shfaqja e parë e teatrit profesionist të këtij qyteti me tradita në këtë art, ruan emocione që nuk mund të harrohen. Sokrat Mio e përshkruan kështu, ku ndër të tjera thotë: “… Ç’po ndodhte me ne!… Një ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar na kishte përfshirë të gjithëve! Teatri ynë u bë profesionist!… ëndrra jonë e madhe u bë realitet! Të gjithë ne që tërë jetën ia kishim përkushtuar skenës Korçare është pak të them se punonim, por fluturonim në skenë!… 

Pa humbur kohë, menjëherë filluan provat për premierën e parë. Pjesa ishte zgjedhur, rolet u ndanë, skicat e dekoreve dhe kostumeve u ishin dhënë piktorëve Vangjush Mio dhe Kostaq Tushi. Aktorët punonin për rolet me një përkushtim të paparë, punonin me dashuri që të dilnin sa më mirë. Po, punonin kështu, sepse më në fund dhe ne tani kishim teatrin tonë profesionist, kishim piktorin tonë, rrobaqepësin, marangozin! Këtej e tutje nuk do të bezdisnim nënat, motrat, të afërmit tanë që t’iu merrnim fustanet, perdet, qilimat, tryezat e orenditë e tjera për të mobiluar shfaqjet ashtu siç kishim vepruar më përpara. Mbas një pune me të vërtetë për t’u admiruar, më në fund erdhi dhe ajo mbrëmja e 22 qershorit, kur atje në kinema “Morava”, me emocion prisnim se si do të reagonin spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën plot e për plot, prisnim që të hapej sipari dhe të fillonte shfaqja jonë!” Dhe sot e kësaj dite mund të thuhet, nënvizon Koço Qendro se ajo shfaqe ishte vërtet një realizim profesionistësh, ashtu sikurse edhe Neki Shkaba diti të tregonte, si gjithnjë, talentin e tij të lindur për aktor”.
Shkaba përzgjidhet për teatrin kombëtar.

“Pjesë e “Përmbysjes” së Lavranjevit, padyshim, ishte dhe Neki Shkaba me rolin e kundëradmiralit Milicin. Rolet kryesore u rezervuan për aktorët e vjetër dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Shtypi i kohës që e përshkruan shfaqjen e kësaj drame si një ngjarje të madhe në jetën kulturore të qytetit të Korçës, nuk lë pa përmendur emrin e Neki Shkabës, i cili si gjithnjë do të shkëlqente me lojën e tij aktoriale. Pas kësaj shfaqjeje, Shkaba do të luante, te “Zëri i Amerikës”, sërish e Lavranjevit, (1950), në rolin e senatorit Herbert D. Ëheeler; te“Kopraci” i Molierit, (1951), në rolin e Shigjetës, besniku i Kleanthit; te “Martesa” e Gogolit, (1951), në rolin e Kockarevit, miku Podgolesinit; te “Makar Dubrava” e Korneiçuk, (1952), në rolin e Filip Smenjenko; te “Nën Gështenjat e Pragës” e Konstandin Simonov, (1952) në rolin e oficerit Fentzik. Gjithashtu, në këto vite u shfaqën edhe vepra të tilla, si: “Revizori” i Gogolit ( 1951), “Gjashtë dashnorët” e A. Arbuzov (1952), “Nderi i familjes” e Hysen Myftarit (1952), “Rrënjët e thella” e Arnold d’Jusso (1953), “Njerëz të rinj” të V. Vinçanit (1953), “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës, (1954), “Koria e Kalinajve” e A. Korneiçuk (1954), ku në shumë prej tyre Shkaba pati role të rëndësishme. Megjithatë, gjatë këtyre viteve gjithkush vuri re se dy ishin aktorët që shkëlqyen me talentin dhe interpretimet e tyre: Neki Shkaba dhe Pandi Raidhi. Për këtë arsye, kur Sokrat Mio u kërkua sërish nga Teatri Kombëtar, mori me vete edhe këta dy artistë që po bënin emër. Të rinj të tjerë do t’i bashkangjiteshin teatrit të Korçës, si Pasa Pema, Isuf Ibrahimi, Pandeli Mborja, Xhevdet Hasani, Aleksandër Tasho, Xhevdet Myftiu, Andon Frashëri, Valentina Asllani, Ali Dhoga, Tefta Rusi, Dezdemona Mehmeti, Refik Xhinaku, Neta Vodica etj, gjithkush prej tyre ka udhën e vet, por te Neki Shkaba shumë gjëra i gjejmë ndryshe, ato rrëzëllijnë”,- na thotë Koço Qendro

Ikja nga Korça

“Me mbërritjen në Tiranë, Neki Shkaba u bë pjesë edhe e lojës aktoriale kinematografike, ku mund të përmendim filmat “Toka jonë” (1964), “Njësiti gueril” (1969), “Brazdat” (1973) etj”. Megjithatë, duke iu referuar gjithnjë kolegëve dhe spektatorit, Koço Qendro kujton se, “pas ikjes së Shkabës nga Korça, mes artdashësve u krijua një boshllëk. Ishin mësuar ta prisnin gjithnjë ardhjen e tij në teatër, daljen në skenë dhe lojën e tij të veçantë. Prania e tij gjithmonë ngjasonte me kthimi i babait në shtëpinë e vet për t’u dhuruar të gjithëve ngrohtësi. Ai do të mbahet mend për shkëlqimin e thjeshtësisë së tij. Ndaj për artistë të tillë që dinë të flasin vetëm në skenë dhe kurrë për veten, sa herë që mund t’u drejtohesh jetës së tyre mund të zbulosh diamante që të lënë të befasuar dhe të bëjnë të mendohesh.

Nga 
Vepror Hasani



No comments:

Post a Comment