Tuesday, October 25, 2016

Letra e Sali Butkës drejtuar fshatarëve të Voskopojës.- sipas Piro Priftit.

100 vjet nga Djegia e Voskopojës “16 tetor 1916-16 tetor 2016” googleplus   




Nga Pirro PRIFTI   
Postuar: 16/10/2016 - 07:55
sot.com.al/


Shumë shkrime janë bërë për Voskopojës, qytetin e begatë që është djegur 4 herë, kryesisht për shkak të lakmisë, por në historinë e saj pleksja e politikave brenda dhe jashtë vendit ndikuan fort shkatërrimin disa herë të këtij qyteti të lashtë. Sipas Historisë, Voskopoja është ndërtuar në malet Candavi (mali i Voskopjës dhe i Gjergjevicës), nga “Quintus Maximus”, në shekullin XI Voskopoja ka qenë metropoli tregtar i Epirit. Në Voskopojë janë ndërtuar rreth 20 bazilika e objekte kulti (ortodokse), që e bëjnë Voskopojën zonën më të pasur në Shqipëri për mozaikun dhe monumentet e kulturës 


Megjithatë zhvillimin më të madh e mori në mesin e shek. XVIII. Në atë vendbanim erdhën në fillim vllehët ose arumunët, popullata që jeton në ato shekuj në Ballkan por që janë me origjinë thrako-ilire. Sidoqoftë ardhja e vllehëve në zonat e Epirit, Maqedonisë, Arbërisë, dhe Greqisë së sotme mesa duket ka ndodhur pas vrasjes të Kontit të Wallahisë Vlad Drakula (Tepes) (1431-1477), pra pas shek XV.

Voskopoja apo siç quhej nga vllehët Moskopolis kishte rreth 26 kisha orthodokse. Në fillim quhej Voskopolis. Kisha e parë ishte Kisha e Shën Prodhomit, dhe ndoshta fjala Mosco-polis vjen nga bashkimi i fjalëve sllavo greke si qyteti me maja të larta për shkak të këmbanoreve të kishave të atëhershme ose prej fjalës sllave vosk-dyllë. Pas pushtimit bullgar u përdorën të dy fjalët Voskopolis dhe Moskopolis.

Kisha më e vjetër në Voskopojë ishte kisha e Shën e Premtes, e cila daton në shekullin e XIV-të, si bashkëkohëse me themelimin e Voskopojës.

Pesë kishat e para u emëruan më emrat e Engjëjve Mikael, Gabriel, Shën Athanas, Shën Nikolla, kisha e Profetit Eliah, dhe Fjetja e Shën Marisë u ndërtuan midis viteve 1630-1780.
Këto kisha u pikturuan nga Anton Shipska (Kisha e Shën Prodhomit), David Selenica dhe ndihmësit e tij Kristo dhe Konstandin Shpataraku (Kisha e Shën Kollit), Konstandin dhe Anastas Zografi (Kisha të ndryshme), piktorët Agrafan Teodor, Anagnosti, dhe Steriani (Shën Thanasi), dhe Jeremanka Konstandini me prodhimin e disa ikonave të çmueshme në 1703 (Ullmar Qvick 

Sipas intelektualit Dhori Fallo dhe oponenti Jani Gusho, tek libri `Tragjedia e Voskopojës` thonë se vendosja e familjeve nga Voskopi dhe disi më vonë edhe nga fshati Bec, bëri që të krijohej toponimi Voskop e Bec që në të folmen e përditshme do të dilte Voskopec e nga këtej Voskopojë. Kisha e parë e ngritur në këtë vend do të ishte Shën Dionisi dhe më pas Kisha e Shën e Premtes, që do të ndiqeshin nga kisha të tjera më të mëdha e më solide. Numri i kishave gjithsej do të shkonte në 36. 

Dihet që atu përveç kishave ishin ndërtuar dhe një akademi, dhe shkolla. Gjuha kryesore ishte vllahishtja, shqipja por shkrimet bëheshin në gjuhën greqishte të vjetër., sepse popullata vllahe ishte më e madhe se popullatat e tjerë. Piktorë shkrimtarë dhe tregtare e ngritën Voskopojën në nivelin e një qyteti më të madh se Sofia, Athina, dhe një qytet i dyti pas Selanikut. Vinin tregtarë nga Europa qendrore, Bizanti, Italia dhe sigurisht nga Perandoria osmane. Bejlerët dhe Agallarët me fe islame e zonave fqinjë shihnin tek Voskopoja një vend të lakmuar e plot mundësi pasurimi.

Duhet të kihet parasysh se numri i orthodokse ishte i madh por meqë riti quhej bizantin ose grek, shumë të huajt i quanin voskopojarët si grekë, por në fakt, etnia ishte krejt ndryshe nga religjioni. Llogaritej se para shkatërrimit të parë, Voskpoja arriti deri në 36.000-50.000 banorë

Zhan Klod Faveiral në veprën e tij “Historia e Shqipërisë” shkruan se me 1770 del në Venecia një fjalor i vogël greqisht-vllahisht-shqip me 1070 fjalë. Autori i kësaj vepre të vogël ishte Teodor Anastas Kavalioti, protopop i Voskopojës. Fjalori është riprodhuar nga Johan Tunman, në historinë e tij të popujve të Europës Lindore.

Djegia e parë e Voskopojës, ndodhi në 24 qershor 1769 dhe këto fakte gjenden në kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit të mbajtura nga Mihail Gora, i njohur si njeriu i letrave të asaj kohe. Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij shkruan se: “Voskopoja u shkatërrua në vitin 1769 nga fiset shqiptare përreth që e quanin atë një qendër të ortodokseve filorusë. Të çoroditur, por edhe për mungesë largpamësie, fillimisht autoritetet e atëhershme turke u lanë dorë të lirë shqiptarëve të shuajnë etjen e tyre hakmarrëse, ndaj grekëve. 

Puna kishte qenë kështu: Fiset e Dangëllisë dhe kryetarët e tyre kishin qenë dorëzanë për karvanët që hynin e dilnin nga Voskopoja, por në vitin 1765, tregtarët e Voskopojës morën fjalën e sanxhakbeut të Vlorës, Kurt Ahmet Pashë Ngurresa, se ai si zyrtar, është në gjendje që të garantojë sigurinë e karvanëve të tyre, ndaj nuk kanë pse t’u paguajnë taksë rruge dhe sigurie ca fiseve të egra. Por, kur rusët e Greqisë u pritën miqësisht nga popullsia vendase dhe për këtë shkak autoritetet turke kujtonin, se duhej të ndërmerrnin një aksion hakmarrjeje kundër ortodoksëve në përgjithësi dhe kundër vllehëve në veçanti, edhe fiset e Dangëllisë gjetën rastin për të kërkuar nga voskopojarët taksën e sigurisë, të refuzuar për disa vite dhe kështu ata e plaçkitën plotësisht qytetin, që atëhere kishte 12.000 banorë. Një pjesë e banorëve, që iknin për t’i shpëtuar kasaphanës, shkoi dhe u ngul në Korçë apo Berat, të tjerët përfunduan në Rumani, apo edhe më larg”.

Një variant tjetër por më i besueshëm është argumenti i Forumit islam i cili shprehet: “Mbi bazë dokumentesh të pakundërshtueshme, neve na rezulton se sulmuesit e Voskopojës ishin kreditorët e voskopojarëve, të krishterë si këta, ndërkohë që ata të cilët e mbrojtën qytetin ishin njëmijë shqiptarë myslimanë me në krye bylykbashin Mustafa Korça, mik i voskopojarëve. Neve na rezulton qartë se kundërvëniet fetare, që aq shumë janë emfatizuar nga historiografia greke, nuk kanë të bëjnë fare me fundin e Voskopojës”.

Kurse Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), autor i librit “Historia e Shqipërisë”, “Voskopojarët ia vunë fajin luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, saqë vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por, garnizoni përfundoi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe, atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vend të mallkuar, njëri pas tjetrit”. 
Në shkrimet e tij, Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës. Ajo kishte më se 45 mijë banorë. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, për të përfunduar studimet shkohej më pas në shkollat e Italisë...”

Djegia e Dytë e Voskopojës është e diskutueshme dhe Historia nuk e përmend, por disa autorë thonë se pas 4 vjetësh më 1773 përsëri bejlerët e Dangëllisë e plaçkitën Voskopojën. Këtë fakt e gjejmë në faqet 10 dhe 125 të librit “Mbi qytetin Mesjetar të Voskopojës” të studiuesit Nedai Thëllimi, por edhe në kodikun e vjetër të Manastirit të Shën Prodhomit nga Mihail Gorra. Ndërkohë është nënvizuar si fakt dhe nga shumë historianë të tjerë. Gjithsesi, Mihail Gorra e parqet me vërtetësi këtë ngjarje, pasi ai edhe pse lindi në Shipskë e kaloi gjithë jetën e tij në Voskopojë. Gorra është shkruesi i kodikut për periudhën nga viti 1765 deri në vitin 1783.

Djegia e tretë, kur nuk kishin kaluar veçse 16 vjet nga djegia e dytë e Voskopojës, ky qytet u dogj për herë të tretë më 1789. Shkak u bënë luftimet mes forcave të Ali Pashë Tepelenës dhe atyre të Ibrahim Pashës së Beratit. Pas këtij shkatërrimi ndodhi braktisja e radhës e Voskopojës. Nga 36 kisha kishin mbetur vetëm 6, ndërsa për akademinë, shtypshkronjën, bibliotekën, konviktin studentor, jetimoren, spitalin as që mund të bëhej fjalë. Kështu, për më shumë se126 vjet Voskopoja ishte kthyer në rrënoja. Vetëm nga mesi dhe në fund të shek 19, Voskopoja e mori veten përsëri por mbeti një fshat i vogël, megjithë investimet e disa orthodoksve të pasur.

Djegia e katërt, ndodhi pas 127 vjetësh. Në 16 tetor të vitit 1916 në mes të luftës së Parë Botërore Voskopoja u përball me ushtritë dhe me çetat ndërluftuese. Pas 127 vjetësh, kur Voskopoja nuk kishte ndonjë ndryshim të madh nga ajo që është sot, përsa u përket ndërtimeve klasike ndodhi që të digjej sërish. Shkak për djegien e një vendi që ishte djegur edhe tri herë të tjera më pare, sipas disa autorëve, u bënë andartët grekë, të cilët gjendeshin në Voskopojë dhe nuk lejonin në asnjë mënyrë dhe me asnjë lloj kushti që forcat patriotike të kalonin përmes Voskopojës.

Sipas shkrimtarit dhe autorit Nikolla Simaku thuhet se: “Djegia e vitit 1916, ishte me të vërtetë një krim, një genocid, i një oficeri shqiptar i paguar nga austriakët, ose nga blloku qendror, i cili luftonte kundër Antantës. Në atë kohë, francezët, të cilët kryesonin Antantën, kishin të pushtuar Greqinë Veriore, Korçën dhe Voskopojën me rrethinat e saj. Në Voskopojë, edhe sipas eruditit voskopojar Dhori Fallo, nuk kishte më shumë se 10-12 ushtarë andartë. Sipas të ndjerit Sabri Godo, në ditët e luftimit erdhën dhe rreth 20 vullnetarë nga Kosturi në ndihmë të voskopojarëve. 

Para tyre, pa filluar lufta në qytet, ishin dukur dhe francezët, nën komandën e të cilëve ishin dhe andartët grekë. Duhet ta dini se qeveria e Greqisë së veriut, kryesuar nga Venizelosi, mbahej nga francezët. Pra lufta nuk ishte për çlirimin e Voskopojës nga andartët, por me Sali Butkën në krye, i shpallur komandant i ardhshëm i xhandërmarisë shqiptare, i paguar nga austriakët, i urdhëruar nga ata, u nisen për t’u përballur me francezët dhe për pushtimin e Korçës. Në këtë inkursion, ushtrisë të mbledhur nga Saliu, iu bashkuan dhe shumë grabitës dhe hajdutë profesionistë. Letra e "famshme" e dërguar si përgjigje Sali Butkës, origjinali i së cilës nuk gjendet, nuk mund të shkruhej nga Kryekomunari Lluka Fundo, por nga andartët.

Letra e Sali Butkës (origjinali mungon) drejtuar fshatarëve të Voskopojës thotë:

“Lavdar, 15 tetor 1916 Drejtuar Parisë së fshatit Voskopojë! ...Ju informoj se nesër vij në Voskopojë. Lajmëroni popullatën e saj që nuk vij për shkatërrim dhe plaçkitje, por vij ta marr atë e të ngre flamurin shqiptar në emër të Shqipërisë. 
Mësojeni mirë që këto vise janë shqiptare dhe jo siç e mendoni ju. Prova është se Greqia dy herë i pushtoi këto vise dhe dy herë i braktisi. Të mos mendojë njeri të hedhë ndonjë pushkë kundër nesh, sepse do të bëhet shkak të digjet fshati juaj”.

 Kjo nuk mund të shërbejë kurrë si justifikim "absolutisht i pranuar" për të djegur, grabitur dhe masakruar popullsinë, e cila mbrohej pikërisht nga barbarët që u turrën mbi të. Pas një viti, në Selanik, po nga francezët u ekzekutua Themistokli Gërmenji. Grekët u kthyen prapë. Saliu nuk luftoi më kundër tyre. Austriakët, nga të cilët varej si oficer i tyre, e pushuan pushtimin e mëtejshëm. Voskopoja mbeti e shkatërruar.

Lluka Fundo, që ishte i pari i Voskopojës, sipas Katros, bënte be se Sali Butka ishte i pafajshëm në atë që ndodhi në Voskopojë dhe se banorët e Voskopojës nuk ishin në dijeni të asaj që po ndodhte, pasi nënshkrimi i Fundos ishte falsifikuar dhe vula e zyrës me të cilën ishte vulosur përgjigjja e letrës së Butkës, ishin falsifikuar. Fundo nuk ishte në dijeni të kësaj dhe e mësoi kohë më vonë sesi qëndronte e vërteta. 

(https://www.facebook.com/voskopoja2009/posts/10151597168288133)

Sigurisht pas djegies dhe plaçkitjes së Voskopojës e cila filloi më 16 tetor 1916, me pretekstin se kishte andartë grekë dhe me pretekstin se muret e shtëpive ishin lyer me ngjyrë të bardhë dhe blu (flamuri grek), në fakt ishte dhe përplasjet e mëdha midis ushtrisë franceze dhe asaj greke për të mbajtur nën kontroll zonat orthodokse me ato austriake, me të cilat bashkëpunoi Sali Butka, të cilat ishin kundërshtarë të Antantës. 

Rezultati ishte se një muaj më vonë, në nëntor 1916 u formua Republika e Korçës e ndihmuar nga francezët të cilët në fakt larguan andartët grekë me në krye Themistokli Gërmenjin, Republikë e cila përfshinte edhe Voskopojën. Por rezultati për Voskopojën ishte katastrofik: u dogjën të gjitha; popullsia iku në Korçë, Berat dhe Fier-Lushnjë dhe vendi mbeti i shkretë dhe sikurse thonë vetë Voskopojarët, ai vend aq i bukur dhe i begatë, ishte i mallkuar. 

Sot Voskopoja është një fshat që po e merr veten por që ka numrin më të madh të emigrantëve për numër banorësh. Sot Voskopoja ka rikuperuar një pjesë të Kishave dhe është bërë vend turistik dhe e ardhmja është optimiste. Shkatërrimi i Voskopojës nga çeta e Sali Butkës hedh hije dyshimi mbi këtë personazh jo pak të përmendur në fillimet e shekullit të XX, sepse siç thonë dokumentat, nuk ishte e nevojshme të largoheshin 12 andartë grekë duke djegur gjithë fshati. Mjaftonte një bisedë me kryetarin dhe pleqësinë e Voskopojës së atëhershme. Por kjo nuk ndodhi. Voskopojarët shajnë Sali Butkën për prishjen dhe djegien e fshatit të tyre. Le të shpresojmë që të mos ketë më kësi ngjarjesh në të ardhmen dhe shqiptarët të jetojnë në tolerancë dhe harmoni së bashku, pa harruar historinë.

Nga Pirro PRIFTI 















No comments:

Post a Comment