DISA VEÇORI TIPOLOGJIKE TË SHQIPES SË
SOTME
E
përgatiti prof. Zymer Mehani
Gjuha
shqipe
Nga
ana strukturore, shqipja paraqitet si një gjuhë sintetiko-analitike, me
mbizotërim të tipareve sintetike dhe me prirje drejt analitizmit. Një pjesë e
mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga
periudha e lashtë indoevropiane, një pjesë tjetër janë zhvillime te mëvonshme.
Shqipja ka një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga 7 fonema zanore dhe
29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908
në Kongresin e Manastirit. Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të
palëvizshëm gjatë fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin
emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja,
nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o,
p, q, r, s, t, u, v, x, y) 9 janë dyshkronjësha a bigrame (dh, gj, ll, nj, rr,
sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja të plotësuara me shenja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem
lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, të ngjashëm me gjuhët e vjetra
klasike dhe me gjuhët deklinative, si gjermanshtja, rusishtja etj.,por pa pasur
me to lidhje birërie. Shqipja i ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa),
sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse, porse asnjanësi
tashmë është rralluar së tepërmi dhe mund të thuhet se po shkon drejt zhdukjes,
mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit,
të menduarit, të ndenjurit, të lerët etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar
dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja
shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht ; ka nyje të
përparme te emrat në rasën gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i
mirë, i vogël etj)., te emrat asnjanës (të ecurit, të folurit etj.).
Përveç
eptimit (fleksionit) me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e
brendshëm (dash ~ desh, cjap~cjep; marr ~ merr, jap~jep); ka dy tipe
strukturorë mbiemrash të nyjshëm (i madh, i ndershëm, i gjatë, i shpejtë) dhe
të panyjshëm (trim, besnik, fushor, malor).
Te numërorët përdor kryesisht
sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin
vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë
numrin e njësheve përpara, parashtesën mbë- dhe pastaj dhjetëshet
(njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave. Sistemi
foljor paraqitet mjaft i larmishëm. Shqipja ka sistem të pasur formash mënyrore
dhe kohore, një pjesë e të cilave janë të trashëguara nga periudha të hershme,
një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik.
Folja ka gjashtë mënyra
(dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të
pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore).
Koha e ardhshme ndërtohet
në mënyre analitike, me dy forma: me pjesëzën do (e ardhur nga forma e foljes
dua) + lidhore (do të punoj, do të shkruaj) dhe me foljen ndihmëse kam +
paskajore (kam për të punuar). Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i
lirë, por më i zakonshëm është rendi kryefjalë +folje + kundrinë.
Leksiku
përbëhet nga fjalë me prejardhje vendase e nga fjalë të huazuara. Fjalët me
burim vendas trashëgohen nga periudha e lashtë indoevropiane (ditë, natë,
dimër, motër, jam, kam etj.), ose janë formuar më vonë, me mjete të shqipes
(ditor, dimëror, i përnatshëm).
Për fjalët e huazuara, që disa mendojnë se
vijnë nga gjuhët e popujve me të cilët shqiptarët kanë pasur marrëdhënie gjatë
shekujve, greqishtja e vjetër dhe e re, latinishtja e gjuhët romane, gjuhët
sllave, turqishtja, frëngjishtja, mund të thuhet se situata e sotme është fryt
i një procesi të gjatë.
Peshë jo të pakët në leksikun dhe frazeologjinë e shqipes
së sotme kanë edhe perifrazimet e ndërtuara kryesisht si togfjalësha të lirë
dhe të qëndrueshëm, shpesh edhe me larmi e derivacione semantike të shumta e të
atilla që, pa njohjen e përfilljen e tyre sa më të plotë , nuk mund të bëhet i
mundshëm sidomos përkthimi i saktë e i sigurtë në gjuhë të tjera.
Midis asaj
lënde perifrastike dhe kryesisht metaforike, sikundër do ta pasqyrojmë në faqet
vijuese të këtij studimi, vend të madh zënë pikërisht eufemizmat.
No comments:
Post a Comment