Showing posts with label manifest. Show all posts
Showing posts with label manifest. Show all posts

Sunday, March 19, 2017

Bashkia Lezhë - Ftesë për vellezër e motra arbëreshe!





REPUBLIKA E SHQIPËRISË
BASHKIA LEZHË
______________________________________________________


Adresa; Bashkia Lezhe,Lagja"Skenderbeg",Sheshi"Gjergj Kastrioti",4501 Lezhe, 021522270, e-mail: f.frrokaj@lezha.gov.al


Prot :______ Datë: ___/___/2017


Bashkia e Lezhës përkrah dhe mbështet nismën e
 `Foleja Kombëtare Shqiptare` 
dhe bashkëpunimin me `La Svolta` e `EKO Mendje, 
për të përkujtuar 550 vjetorin e betejës së fundit të Gjergj Kastriotit, 
me fitore më 24 prill 1467 në Krujën legjendare. 

Këshilli Bashkiak mori vendim 
të mbështesë financiarisht këtë veprimtari mbarëkombëtare për 3 ditë e 2 netë, nga dt. 22-24 prill 2017 për mikpritjen e 50 vëllezërve e motrave arbëreshe të katundeve; Frashineto, Civita, dhe `Sportello Linguistico San Marzano` 
duke iu ofruar autobuzin nga mbërritja në Portin e Durrësit e deri në kthim, si dhe fjetjen, ushqimin dhe gjithcka tjetër nevojitet.


Bashkia e qytetit te Lezhes, kryetari i saj, Fran Frrokaj.

KRYETARI Fran FRROKAJ

Friday, January 13, 2017

Letër e hapur drejtuar Ministrisë së Kulturës.

Letër e hapur drejtuar Ministrisë së Kulturës
E-mail: jorgonielida@yahoo.com Cel.: +355 68 254 3709 Nr. 177 prot. 
Tiranë, më 10.01.2017 
Drejtuar: Ministrisë së Kulturës dhe Ministres, znj. Mirela Kumbaro.

Për dijeni: Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Titulli i Projektit: Rikthimi i bijve të Shqipes në folenë e Shqiponjave. 

Lëvizja, ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ e themeluar nga pasardhësit e rilindasve, regjistruar si person juridik nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor - Tiranë, nr. 3745, vendim, dt. 31.01.2014, në themel të programit të saj ka si qëllim përkujtimin e Figurave të ndritura dhe datave historike të kombit shqiptar. 

Të nderuar: Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ në bashkëpunim me shoqatën ‘La Svolta’ me qendër në Bolonjë dhe me dy komuna arbëreshe në Kalabri, prej disa muajsh jemi duke u përgatitur për të përkujtuar 550-vjetorin e betejës së fundit me fitore të ushtrisë Arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë, më 24 prill 1467, pas një rrethimi të tejzgjatur, mizor dhe të mynxyrshëm nga ushtria Osmane e udhëhequr nga tradhëtari shqiptar, Ballaban Pashë-Badera, i cili përjetoi agoninë e orëve të fundit të jetës së vet dhe u varros në tokën që e lindi, në Krujën e pamposhtur. 

Kemi menduar, që kjo ngjarje e rëndësishme mbarëkombëtare të kryhet në datat, 22 - 24 prill 2017 sipas këtij programi: Me dëshirën që ‘Vallja e Fitores’ të bëhet traditë e përvitshme edhe në Shqipëri e më tej, për vitin 2017, kemi përzgjedhur dy komunat Arbëreshe, Frashineto e Çivita. Për të arritur këtë marrëveshje, përfaqësuesit e Lëvizjes sonë shkuan në Kalabri në muajt, shtator dhe nëntor 2016. Krahas pëlqimit e gatishmërisë së tyre, parësore për të dy kryebashkiakët, ishte marrja e ftesës zyrtare dhe e mikpritjes nga Shteti Shqiptar. 

Në përkujtimin e kësaj fitoreje historike të trimave Arbërorë, do të vijnë 50 pjesëmarrës (burra, djem, gra, vasha e fëmijë), të pajisur me veshje tradicionale dhe pajime luftarake. Pas mbërritjes dhe mikpritjes nga autoritetet vendore në Portin e Durrësit me linjën e tragetit, Bari-Durrës e anasjelltas, në mëngjesin e datës 22 prill, grupi i Arbëreshëve do të akomodohet në Plazhin e Shëngjinit. 

Në pasditen e datës 22, grupi do të shkojë në Krujë, ku nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, përmes Pazarit e deri brenda në Kështjellë, grupi do të shpalosë traditën e kahmotshme të trashëguar nga brezi në brez, për më tepër se 500 vite të betejës, për jetë a vdekje të ushtrisë Arbërore kundër pushtuesve Osmanë, ku nga më i moshuari e deri tek më i mituri, do të ndalin vajtimin dhe do të shijojnë gëzimin e fitores, për t’i pritur krahëhapur luftëtarët e mbetur gjallë, me në krye ngadhnjimtarin, Skënderbe. 

Ditën e dytë, në paraditen e datës 23, grupi do të bëjë homazhe tek Mauzoleu (vendvarrimi) i Skënderbeut në Lezhë, datë që përkon me ditëlindjen e Gjergjit, më 23 prill 1405 dhe ditën e martesës së tij me Donikën, më 23 prill 1451. Më pas, grupi do të vizitojë Kështjellën e Rozafës në Shkodër, ku do të shpalosen traditat Arbërore edhe atje. 

Ditën e tretë, në paraditen e datës 24, grupi do të vizitojë objektet muzeale në Kepin e Rodonit, zotërimi i dikurshëm i Kastriotëve. Pasdite, grupi do të vizitojë Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin e Durrësit. Në mbrëmje, grupi do të përcillet nga autoritetet vendore në Portin e Durrësit. Qeveria shqiptare duhet t’i mbështesë pa ngurrim vëllezërit e motrat arbëreshë, se me vetëmohim ruajtën dhe pasuan nga brezi në brez, thesarin e trashëgimisë gjuhësore, zakonore, kulturore dhe historike të kombit tonë. 

Jemi në dijeni, se qeveria serbe investon shpirtërisht e materialisht pelegrinazhin e përvitshëm në Fushë-Kosovë, për të përkujtuar një betejë të humbur, që s’ishte vetëm e tyrja, por e gjithë Koalicionit Ballkanik, ku morën pjesë e derdhën gjakun e vyer edhe bijtë e Arbërisë. 

Për mbarëvajtjen e veprimtarisë, kërkojmë bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për gjithçka nevojitet. Nga buxheti i Trashëgimisë Kulturore, kërkojmë një shumë modeste financiare, për akomodimin e grupit të arbëreshëve (3 ditë e 2 netë në hotel), prej 650.000 lekë të reja, ose 5.000 euro gjithsej. 

Shpresojmë, se do t’a shqyrtoni e plotësoni kërkesën e Projekt-Propozimit tonë. 

Me respekt: 
Elida Jorgoni - Kryetare e Lëvizjes ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’