Showing posts with label Tempulli i Velçes. Show all posts
Showing posts with label Tempulli i Velçes. Show all posts

Sunday, January 22, 2017

RASALI - Tempulli ku faleshin paganèt e Velçès.

RASALI

Tempulli ku faleshin paganèt e Velçès.
Rasali piktoresk ndodhet në lindje të fshatit, thuajse në prehrin e Malit Tartar, pikërisht aty ku çdo mëngjes mugullon dita dhe lind dielli.

Sa herë që shkoj enkas të sodit këtë toponim, ngelem i mahnitur. Befasi reale teksa kam para vehtes një panoramë prej kartoline! Terren shkëmbor i thepisur, ndarë më dysh prej gërryerjeve ujore miliona vjeçare të përroit me të njëjtin emër.
Uji këu rrjedh lirshëm nga të gjitha anët, ushqyer gjelbërimin dhe begatinë e gjithë zonës. Me lindjen e diellit ambienti përreth ngrohet dhe gjallërohet. Fëshfërima e gjetheve nga flladi i mëngjesit, cicërimat e zogjve si dhe krakaritjet e shpendëve të egra janë zërat e parë që shkrijnë heshtjen e natyrës.

Ajri i freskët i mëngjesit parfumohet prej aromës që çliron vegjetacioni i larmishëm pyllor. Shushërima e ujit të kristaltë që bie prej katarakteve marramendëse, ështe në sinfoni me tingujt e ëmbël të cicërimave të zogjve që popullonin pyjet e dendur e të frikshëm.
Tufat e pëllumbave dhe shpendët e egra, përherë në vigjilencë ambientale, sapo dëgjojnë zëra njerëzish, braktisin prej panikut foletë e ngrohta duke kryqëzuar trajektoret e fluturimit në qiellin e kaltërt, monitoruar lëvizjet e vizitorëve.

Poetja e talentuar Klarita Selmani, ish atlete e klubit sportiv “DINAMO”, sot emigrante në ishullin e Kretës, para disa vitesh më ka bërë një dhuratë, sa të vyer, aq dhe të këndshme, teksa më dërgoi etimologjinë e fjalës “Rasal” ! Klarita më thotë se etimologjia e këtij emri përcaktohet përmes protoshqipes: 

Ra = Zot; s =is =as = o sej = që është; Al + El = Yl = ol = yll dmth: “ Vendi ku zoti është yll ”! Ose: "Vendi ku Ylli është ZOT."

Po ç'lidhje ka “Rasali” i Velçës me Yllin!? A ka mundësi që ky toponim real i le vend mitit?
Është e vërtetë që besimtarët pagan ishin të magjepsur mbas shenjave astronomisë. Dhe kjo shpjegohet përmes faktit se vlerësimi apo admirimi i objekteve qiellorë patjetër lidhej me ndriçimin. Përveç ditës edhe nata ishte mikja e tyre.

Efektet optike që shkaktonin reflekset e dritës të prushit të yjeve, ndriçimi i errësirës prej hënës, si dhe fenomeni i shformimit të saj (e plotë apo e ngrënë) përbënin enigmën misterioze. Ndaj evokuan shpirtin e hyjnizimit. Por cilin zot e krahasonin me yllin!? Apo anasjelltas: Cilin yll vlerësonte si Perëndinë e vet velçioti pagan!? 
Pikërisht te këto dy pyetje është kodi për të deçifruar enigmën.
Një supozim apo hamendje e imja e merr shtysën, ngaqë gjeografikisht “Rasali” ndodhet në skajin më lindor të fshatit, prej nga ku fillon mugullimi apo agu i ditës. 

Ndofta të mahnitur nga specifika gjeo - fizike e terrenit, madhështia e kodrës të hyjnyzuar, impakti viziv i ndriçimit, të predispozuar përpara diellit dhe shkëlqimit të yjeve, për imagjinatën apo fantazinë e predikuesve vendas, "Rasali" ishte "altari" i kultit përpara të cilit besimtarë duhet të shkonin dhe faleshin. Qoftë në ritet pagane, po ashtu dhe ato cristiane, çdo altar ka shkallë, ngjitja e të cilave tregon vuajtje. Vuatjet, ngjitja në altar, persifikon afrimin me zotin. 


Edhe pse për vetë besimtarin e hershëm velçiot praktikisht ishte e pamundur të ngjiteshin apo kalonin Rasalin nga ana e përroit ose e shkëmbit, gjithsesi, parafytyrimi i tyre për tu ngjitur te kjo rrugë e vështirë dhe e mundishme, simbolizon vuajtjet e tij, pendimin ndaj gabimeve të bëra, dmth kërkuar falje. 

Në dukje i ngjan një paradoksi fakti se si një kodër e Velçës, rrëzë malit, mund të jetë parafytyruar si "altar" i një ylli! Mirëpo qysh në origjinë, altari ishte një yll përkujtimor i pranisë së vetë zotit (kultit). Mbasandaj, dmth në periudhat e mëvonëshme, u bë vendi që transformonte ofertat e besimtarëve në objekte sacre. 
Personat, nuk faleshin më në skutat e fshehta, por filluan të shkonin te toponimet e hyjnizuara. Ndërsa shfaqeshin përpara toponimit të hyjnyzuar, ofronin zotit (apo kultit te i cili besonin) pronat e veta. Së fundi, Apokalise paraqiti Jesu Krishtin si një qengj të flijuar. Kështuqë, qysh me lindjen e kishës apo siç quhet ndryshe periudha e re (nga 2000 vjet e këtej), vetë figura e Jesu Krishtit është sinonim i altarit, ngaqë u vendos në qendër të tij. 

Rasalin fare mirë mund ta konceptojmë edhe si njërin ndër mitet e para të vegëlluara të besimit pagan. S'përbën çudi as hamendja ime se, te kjo yllësi, ata përfytyronin Yllin e Mëngjesit, ngaqë ndodhej në pozicionin më lindor të Velçës, pikërisht aty ku fillon mugullimi i ditës dhe lind dielli. Aq më tepër që asokohe Ylli i Mëngjesit konsiderohej edhe si bija e Diellit! Sinkronizuar gjithë elementët, kam kurajon të them se, ky topomin fare mirë mund të perceptohej sikundèr Afërdita, dmth ylli i shtatë i Arushës së Vogël! Nga shumë studiues, 

Afërdita vlerësohej si personifikim i agut, ngaqë ishte e bija e Uranit dhe gruaja e Hefestit, Hyut të zjarrit. Kështu që kulti i saj lidhet me pikat më të larta të relievit, e që njera prej dhuratave të saja ishte vesa e mëngjesit. Simboli i saj është një gjysmëhënë e vendosur pranë një ylli. Nuk jam në gjendje të sqaroj faktin, përse toponimi në Velçë, “Shpella e Kad'hënës” gjendet pikërisht sipër, në krye të Rasalit! A ka lidhje vërtet me simbolin (gjysmëhënën) e Afërditës!? Apo është thjesht një shpellë e cila mbart emrin e një gruaje, që sot thirret rëndomtë Kadëna! 

“... Në të vërtetë – sipas prof Kondës - Afërdita është fjalë dhe perëndi pellazgjike, thuajse e ngjashme me yllin Eosforos (Mëngjesprurës). Me kalimin e kohës, në Greqi, “Eosforos” u zëvendësua me fjalën “Augerinos” (Ylli i agimit). Gjithashtu edhe në shqipen Afërdita u zhduk duke u zëvendësuar me Yllin e mëngjesit...” 

A mund ti jetë nënshtruar kësaj procedure edhe Rasali i Velçës, qoftë si fjalë apo si koncept (figurë) hyjnor? Pasi edhe te arabët, asirët, persët, hititët e deri te fenikasit, Afërdita - Ishtar është hyjnizuar me emra të ndryshëm. Bile etimologjia e emrit të saj ka qenë dhe mbetet objekt i diskutimeve prej studiuesve, një pjesë e të cilëve mbron teorinë se miti i saj është i përafërt me mitet babilonase. Ka nga ata që thonë nga lindja (thrake)! Të tjerë thonë nga Qipro, prej akejve...etj. 

Teksa meditoj përreth Rasalit - Yll, më përformohet shembëlltyra e një “Afërdite” (Ylli të Mëngjesit) - origjinale pellazgjike! Duke luajtur me fjalët dhe homogjenitetin e toponimeve (pellazgo - helene), pse të mos i lejojmë vetes edhe një pretendim tonin, se origjina e Afërditës ështe te "Rasali" i Velçës pellazgjike, i cili është jo vetëm një "Yll", "altar" i hershëm, kodër, një katarakt, por edhe një nga humnerat më të famshet në këmbët e malit Tartar.

Aljosha Korkaj FIRENZE 2017.
https://milibutka.blogspot.al