Sunday, January 7, 2018

SHKOLLAT në EPIR - kolegji i Janinës mbahej si një nga më të dalluarit që kishte në Europë.

SHKOLLAT në EPIR -kolegji i Janinës mbahej si një nga më të dalluarit që kishte në Europë.

Sipas pasqyrës së fondacioneve të dhënë nga Aravantini (historian i Janinës), ky kolegj realisht zotëron këtë capital: - 1 107 610 rubla në bankën e Moskës, 143 800 florina në atë të Vjenës dhe 515 000 dhrahmi në atë të Athinës. - Por, nga e kanë prejardhjen kapitalet e siguruara në bankat e Moskës, Vjenës dhe Athinës?

Po nga i njëjti burim prej ku dikur rridhnin kapitalet e kyçura në bankën e Venecias. Me fjalë të tjera, sot ndodh me fondacionet e kolegjit actual të Janinës, ashtu si dikur me shkollat e Epifanit, të Gumës e të Kaplanit. Të gjitha pa përjashtim ishin ngritur nga tregëtarët vllehë dhe shqiptarë, por më shumë nga vllehët, midis të tjerëve, nga vëllezërit Zosima të Gramozit, e njëjta familje që i dha dikur selisë së Ohrit një nga patriarkët më të shquar e më të devotshëm.

- … Grekët kanë shkolla të shumta dhe të ndërtuara mire edhe në Manastir. Si gjithë të tjerat, edhe këtu shkollat janë të ngritura nga Vllehët, dhe pikërisht nga një fare Pinika. Ende i ri dhe një çirak i thjeshtë, ai fitonte në Manastir veç 20 pare në ditë. Më vonë, ai pasurohet në Egjipt dhe vjen të ndërtojë një shkollë-pallat për vajzat vllehe. Deri tani së fundmi, në Manastir dhe kudo tjetër në Turqinë europiane, arsimin public sulltanati ua kish lejuar vetëm grekëve.

Megjithatë bullgarët, para të gjithëve, ia arrijnë qëllimit të ngrenë shkollat e tyre dhe të rivalizojnë shkollat greke, falë fondeve që ishin vënë në dispozicion të ekzarkut nga komitetet pansllaviste.

Pas bullgarëve, iu bë e mundur Vllehëve të thyenin monopolin e arsimit dhe shkollave në Turqinë Europiane. Por sa kurajo, sakrifica dhe përkushtim iu desh të mirënjohurit Apostol Margariti të themelonte 50 shkollat me të vërtetë kombëtare, që ekzistojnë tashmë dhe që dallohen prej të tjerave nga fryma e njerzishme e nxënësve, nga përparimi dhe vullneti i tyre. Në shkollat vllehe frëngjishtja studiohet me kujdesin dhe zellin më të madh. Duhet shtuar edhe se të gjithë mësuesit vllehë e njohin frëngjishten.

- Vetëm në vitin 1878 një “emir-name” u lejoi vllehëve të shkolloheshin në gjuhën e tyre amtare. Emir-name-ja në fjalë iu drejtua Valiut të Thesalonikut dhe atij të Janinës: - “Ne jemi bërë me dije se, nga njera anë, Vllehët e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë, Janinës, Trikallës dhe Thesalonikut, dëshirojnë të ngrenë shkollat dhe të arsimohen në to në gjuhën e tyre amtare, dhe nga ana tjetër, autoritetet lokale që u krijojnë vështirësi atyre dhe madje i përndjekin mësuesit vllehë. 

Megjithatë, duke parë se në perandorinë tonë nuk i është lejuar askujt të ngrejë pengesa ndaj ushtrimit të kultit dhe atij të arsimimit shkollor, kini mirësinë tu bëni me dije funksionarëve civilë, të vendosur në trupën administrative të Shkëlqesisë Suaj, se ata duhet të japin mbështetjen e nevojshme për këtë çështje, të mos keqtrajtojnë asnjë prej banorëve, dhe të mos u krijojnë asnjë vështirësi atyre, as në ushtrimin e kultit e as në atë të arsimimit. Për këtë çështje ne kemi njoftuar me anë të një letre veziriale Valiun e Janinës, ashtu siç po njoftojmë me këtë letër edhe Shkëlqesinë Tuaj. – Safet”.


- Diçka mjaft e habitshme dhe që nxjerr në pah tek Turqit një verbim të pashpjegueshëm është se, deri në vitin 1887, nuk ishte lejuar hapja as edhe e një shkolle të vetme shqiptare. Në këtë kohë, vetëm silogu shqiptar i Bukureshtit mori leje të hapte një të tillë në Korçë. Shqiptarët, duke mos patur shkronjat e veta, për hartimin e librave të arsimit fillor përdorën shkronjat franceze të plotësuara me katër shkronja në përshtatje me eufoninë e kësaj gjuhe.


Zh.Kl. Faveirial




No comments:

Post a Comment