Edmond Shallvari është lindur në Korçë, në 30 korrik 1957, nga prindër që ju përkasin dy qyteteve më të njohura shqiptare, përkatesisht Shkodrës prej nga vinte i ati, Spiro dhe Korçës së mamasë Vasilika.

Qysh në shkollën tetëvjeçare u shqua jo vetëm në lëndët mësimore, por në veçanti në prirjet e tij për artin letrar. Krijimet e para në vargje i përkasin moshës 12-13 vjeçare, për të vazhduar më tej në vitet e gjimnazit dhe të universitetit, ku veç vargjeve pati dhe disa krijime në prozën e shkurtër. Në një konkurs letrar me krijuesit studentë, një tregim i tij arriti të fitonte çmimin e dytë.

Veç krijimtarisë letrare, pas mbarimit të Universitetit dhe marrjes së Diplomës së Ekonomistit, Edmondi ka shkruar disa artikuj me karakter ekonomik në gazetën lokale të Korçës.

Edmondi mirëpriti ndryshimet demokratike dhe kontribuoi jashtë angazhimeve partiake në të mirë të zhvillimit të ekonomisë e shoqërisë shqiptare. Fillimeve të kthesës së madhe ka shkruar artikuj me karakter shoqëror, filozofik e politik në shtypin e pavarur, si dhe mjaft shënime, refleksione etj. të pa botuara asaj kohe, për ndodhira e ngjarje të ndryshme personale, familjare e tej tyre.

Ngjarjet tragjike të 1997-ës e detyrojnë të largohet në fund të marsit i vetëm për në Thessaloniki të Greqisë dhe pas përpjekjeve të mundimshme mundi të marrë dhe gruan e dy djemtë në fillim të tetorit të atij viti.

Edhe pse me vështirësitë e përshtatjes dhe të mbijetës në shtetin fqinj, Edmondi nuk iu nda krijimtarisë letrare e publicistike.

Në vitin 2006 do botohej për herë të parë libri me shkrime e kujtime, “E megjithatë…jetojme!” ku një vend të veçantë ze kapitulli për tragjedinë shqiptare të vitit 1997-të. Libri u mirëprit nga lexuesi dhe kritika.

Angazhim të vazhdueshëm ka patur edhe ndaj shtypit shqiptar që botohej në Athinë.

Më pas do vijojnë botimet e librave poetikë.

Libri i parë me poezi “Diku…Dikë…Dikush…” del nga shtypi prej Shtëpisë Botuese “D.I.J.A. Poradeci” në vitin 2008. Po atë vit botohet dhe libri i dytë me poezi “Ç’u bëmë kështu!”

Libri i tretë me poezi “Mos e ndiqni hijen!” botohet në vitin 2009 dhe shpallet si libri më i mirë poetik i vitit, në konkursin e organizuar nga Botuesi dhe gazeta Nositi në Pogradec.

Nga Shtëpia Botuese “Globus R” del libri me poezi “Më foli heshtja” në vitin 2010.

Në Thessaloniki aktivizohet në Lidhjen e Shkrimtarëve “Dega e Blertë”, në takimet, promovimet dhe aktivitetet e ndryshme të saj. Gjithashtu pranohet anëtar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve “Klubi Drita” të Athinës, kurse pjesë nga krijimtaria e tij poetike dhe prozaike botohet herë pas here në revisten e saj letrare, “Pelegrini”.

Veç librit publicistik dhe atyre me poezi, në vitin 2012 botohet libri i parë në prozën e gjatë, romani “Facebook-koobecaF”, nga Shtëpia Botuese “Fan Noli”. Për këtë roman pati shkrime dhe analiza vlerësuese nga shkrimtarë, gazetarë, analistë e kritikë.

Po atë vit në konkursin vjetor të Klubit “Drita”, romani vlerësohet me Çmimin “Ismail Kadare”.

Vazhdimi më tej i krijimtarisë së Edmondit do konkretizohet në vitin 2014 me botimin e librit të pestë me poezi, “Absurditet apo…”, nga Shtëpia Botuese “Muzgu”.

Po këtë vit vlerësohet me Çmimin e Parë në konkursin poetik me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit, organizuar nga Klubi Drita në Athinë.

Në vitin 2015, nga Shtëpia Botuese “Nacional” del romani i dytë, “Njëmbëdhjetë ditët e rrëfimit, plus Një”.

Fundviti i 2015-ës sjell për Edmondin fitimin e Çmimit të parë “Frang Bardhi” në gjininë e prozes së shkurtër, në konkursin e organizuar nga faqja e njohur letrare, Galaktika Poetike.

Dëshira për t’i paraqitur edhe lexuesit grek pjesë nga krijimtaria e tij, do realizohej pas bashkëpunimit me përkthyesin e njohur Niko Anagnosti, i

cili ka sjellë në gjuhën greke shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare, shkrimtarët, Ben Blushi, Fatos Kongoli, etj.

Pas realizmit cilësor të përkthimit të romanit “Facebook-koobecaF”, Edmondi fillon përpjekjet e mundimshme në kërkim të botuesit grek, përpjekje që do kurorëzohej me sukses në vitin 2016, kur Botuesi grek MOLIVI në Thessaloniki, pas kalimit të dorëshkrimit në komisionin përzgjedhës, aprovoi botimin e tij. Për Edmondin ky ishte çasti më kulmor i kënaqësisë së suksesit në jetën letrare në Greqi. Romani, i pëlqyer nga miku grek, shkrimtari, poeti dhe regjizori, Dinos Kubatis, pati prej tij një shkrim tepër vlerësues dhe analitik, i cili përbën edhe prologun e romanit. Vlen të sqarohet që ky roman në gjuhën greke përmban tjetër titull, “To kastro ton skion”(Kështjella e hijeve), i cili në fakt simbolizon më bukur subjektin e tij.

I pranuar anëtar në faqen e njohur letrare greke të internetit tovivlio.net, Edmondi ka bashkëpunim cilësor për botimin e krijimtarisë së tij, e cila kalon më parë për vlerësim e aprovim tek moderatorët e kësaj faqeje.

Në Kalendarin Artistik grek të vitit 2017 të shtypur nga Botuesi TOVIVLIO, për herë të parë shfaqet dhe emri i tij me një poezi. Suksesi do vazhdojë edhe për Kalendarin Artistik të vitit 2018.

Në vitin 2016 realizohet botimi i romanit shumëfaqësh, “Unaza e diamantë”, nga Shtëpia Botuese “Nacional”, kurse në vitin 2017 romani alternativ, “Unë dhe MY ALTER EGO”, nga Shtëpia Botuese “MILOSAO”. Po nga “MILOSAO”, u botua në dhjetor 2017 libri i parë me tregime, “Edeni tjetër”.

Serinë me poezi të zgjedhura, të permbledhur në pesë vëllime, ku në të parin janë poezitë më të mira të gjithë librave të botuar me poezi, kurse në të tjerët është krijimtaria poetike më e mirë e pabotuar deri më sot, për herë të parë e ka shfaqur për botim në faqen e njohur të internetit AMAZON. Po në këtë faqe interneti mund të gjendet dhe porositet nga lexuesit në çdo vend të botës edhe libri i dytë me tregime psikoanalitike, “Misteri i një lajmi”, sikurse dhe çdo libër tjetër i botuar në Shqipëri.

 

Cikel me poezi nga autori  Edmond Shallvari

Me gruan

Më pëlqen grindja me gruan
Mëria ndaj gruas më pelqen
Veten e bëj sikur vuaj
Më tepër sikur mbetem pa qejf.



E zgjat me minuta heshtjen
Me orë heshtjen e zgjat
Më duket sikur humb prej vetes
Atë që e dua çdo cast.

Pastaj, ah, pastaj ndodh çudia
Ndjehem dashnor i zjarrtë
Në epsh të paduruar kthehet grindja
Dhe puthja në puthjen e parë.

VEC ZOTIT TIM

Askujt s’i lutem, veç Zotit tim
Zotit të të tjerëve, s’ja di as emrin
Ndaj s’kam pse t’i lutem askujt për shpëtim
Për pak mirësi, ligësuar tek njerëzit.



Lutem e falem, rrëfehem, pendohem
Para Zotit tim, të vetmit Zot
Të vetmit Zot, ku shpesh revoltohem
Dhe ai si unë, me mua loton.

Mos më kërkoni më shumë t’ju them
Për Zotin tim, të vërtetin Zot
Fatmirin tim, mes Zotash në univers
Fatkeqin tim, me mua njëlloj.

Sipas këndvështrimit tim

Sipas këndvështrimit tim, e theksoj,
sipas timit këndvështrim
Bota rrotullohet pa bosht,
ose boshti i saj, është shpirti im.



Sipas këndvështrimit tim, e theksoj,
gjithnjë sipas timit këndvështrim
Bota nuk ka asnjë horizont,
ose horizonti i saj, është shikimi im.

Përsëri sipas këndvështrimit tim, e theksoj,
sipas timit këndvështrim
Bota është e gjitha një iluzion,
ose iluzioni i saj, është realiteti im.

@Edmond Shallvari