Saturday, December 23, 2017

JETA ROZE E KORÇËS MË '900-ËN: PIJETARË, SHERRE, GRA TE DASHURUARA

JETA ROZE E KORÇËS MË '900-ËN: PIJETARË, SHERRE, GRA TE DASHURUARA
Nga Vepror Hasani
Si ishte vallë një ditë e Korçës përpara 100 vjetësh? Si i pasqyronin gazetat hallet e njerëzve? Si silleshin ato me të mëdhenjtë e vendit? A shkruhej për thashethemet dhe gratë? A ekzistonte tradhtia edhe në atë kohë? Për këto dhe për shumë pyetje të tjera, përgjigjet do t'i gjeni në materialin që po sjellim më poshtë, të cilin ne po jua servirim në mënyrën më korrekte të mundshme, duke u mbështetur vetëm në kronikat e kohës. Të gjitha informacionet i përkasin vitit 1900, pjesa më e madhe e tyre i përket vjeshtës së vitit 1909
KRONIKA ROZË
Edhe 100 vjet më parë shtypi ishte i vëmendshëm ndaj personaliteteve të kohës. Gjurmonin çdo lëvizje të tyre; ku hynin e ku dilnin, me kë takoheshin dhe çfarë bisedonin në lokalet ku pinin kafetë. Jo për gjë, por të nesërmen pritej që njerëzit të thoshin: “Shtypi i merr vesh të gjitha!” Kjo gjë i bënte botuesit e gazetës të ndiheshin më të vlerësuar. Veç kësaj, edhe gazeta do të shitej më shumë.
Ja çfarë shkruhej në atë kohë:
- “Islam bej Këlcyra u vlua me të bijën e Ysref bej Starovës. I urojmë nga zemra dhe i lutemi Zotit të vërtetë t’i trashëgojë. (7 janar 1909).
Ose, në një rast tjetër, shkruanin:
- “Atdhetarit të flaktë, zotit Shefqet Frashëri, i dha Zoti një djalë. E urojmë, t’i rrojë dhe me fat të mirë”.
Në gazetë ishin të pranishme edhe lajme të tilla:
- “Myftar aga nga Sevrani, i cili më përpara ka qenë komandant i xhandarmërisë së Korçës, për të martuar të birin që pat zënë të bijën e Mustafa efendi Mborjes, urdhëroi këtu bashkë me dhëndrin, zotin Kadri, i cili ka qenë kajmekan në Leskoviq, në Tepelenë, në Vlorë e gjetkë.
- Myhtar agaj, si mori të renë, pardje u kthye për në Përmet. I urojmë gaz dhe martonjësit u trashëgofshin”.
(22 tetor 1909).
Askush prej të mëdhenjve të vendit nuk duhej të mbetej jashtë vëmendjes, pavarësisht se për çfarë bëhej fjalë, si psh:
- “Nuri Efendiu, avokati, javën që shkoi bëri synet djemtë. Në dasmë kishte ftuar gjithë nëpunësit e qeverisë dhe shumë myslimanë e të krishterë. Darkën e bëri në kafenetë që janë nga Mborja. Një shumje e madhe të ftuarish, me këngë dhe me muzikat e vendit, u zbavitën gjer në mëngjes. Atë natë shumë fishekë u hodhën sipër në qiell dhe shumë pushkë u zbrazën”. (1909).
Përshtypje të madhe bënin gjithashtu edhe lajme të tilla, si:
- “Abedin beu i Selenicës, të cilin e kafshoi një qen i tërbuar, shkoi në Selanik, i urojmë shërim të shpejtë”,
(6 mars 1909).
Ose:
- Esat bej Frashëri gjeti një myhyr, (vulë në unazë), kush e ka humbur të vijë ta marrë në drejtori të gazetës “Korça”
(18 dhjetor 1909).
Apo “atdhetari i flaktë, z. Fuat Babani, vete në Naselishtë për të dhënë provimet e kurasë. I urojmë të ketë goditje të pëlqyer, dhe kthim të shpejtë
(E enjte 12 vjesht’ e III-të 1909).
THASHETHEMET DHE GRATË
E vetmja gjë me të cilën nuk kishin kurajo të merreshin gazetat ishin thashethemet dhe gratë. Kjo nuk mund të bëhej sepse ndryshe pëlciste sherri e fjalën e fundit e thoshte vetëm plumbi. Megjithatë nuk mund të thuhet se edhe në atë kohë nuk kishte burra që shkonin me gratë e botës dhe gra që rrëmbenin burrat e të tjerave. Për një rast të tillë gazeta “Korça” shkruante:
-“Në mes të javës ngjau një gjë e pangjarë gjer tashi në qytetin tonë. Një i quajtur Dervish me Saraç Refatin e të tjerë vajtën te një grua, si pinë mirë u ra zihja (sherri) në mes tyre dhe mbledhja mbaroi me një dramë fort të keqe. Dervishi i goditur në shumë vende, ra i vdekur pa folur gjysmë fjale, Rifati mbeti i plagosur dhe gruaja e vrarë në shumë vende. Më të nesërmen qeveria mori masa, e hodhi në burg Rifatin”.
(3 dhjetor 1909).
Sigurisht këtij lajmi nuk mund t’i kushtohej më shumë vëmendje dhe nuk mund të silleshin detaje më tepër, pasi çdo gjë tjetër do të irritonte lexuesin. Megjithatë, nëse gjendej mundësia që gazeta të bënte protagoniste një femër, por gjithnjë pa ngjallur ndonjë pakënaqësi, atëherë edhe ky lloj lajmi përcillej jo rallë.
Ja një rast ku protagoniste e lajmit është një priftëreshë:
-“Të enjten që shkoi, shkruan gazeta "Korça", u dogj kisha e katundit Polenë, kur po digjej kisha, prifti me priftëreshën e fshatit po ziheshin për ca shkaqe vetjake, ndaj priftëresha nga hidhërimi i madh rrëmbeu priftin prej krahu dhe desh ta hidhte në zjarr brenda, por fati i priftit, aty u ndodhën njerëz që e shpëtuan nga duartë e priftëreshës”.
VIZITORËT E KORÇËS
Syrit të shtypit nuk i shpëtonin as personalitet që hynin në qytetin e Korçës dhe largoheshin prej andej në drejtim të një qyteti tjetër. Lajme të tilla jepeshin vetëm me dy rreshta. Jo se nuk kishin informacion, sepse personalitet e vendit me të mbërritur në qytetin e Korçës kafen e parë e pinin me botuesin, nga që e dinin mirë që ndryshe njerëzia nuk do ta merrte vesh kurrë ardhjen e tyre. Por edhe pse lajmi jepej me dy reshta, gjithçka ishte e mjaftueshme, pasi në të vërtetë jo të gjitha lëvizjet e tyre, paraqesnin ndonjë interes të veçantë për publikun. Gjithsesi, edhe para 100 vjetësh ata trajtoheshin si vipa.
Gazeta "Korça" njoftonte:
- “Atdhetari i dëgjuar, Nuri Vila, dy ditë më parë urdhëroi në Korçë, pas ca ditësh do të niset Selanik”.
(23.dhjetor1909).
- Qani pashë Leskoviku erdhi këtu pardje dhe shkoi për në Selanik bashkë me familjen e tij. Udha i qoftë e mbarë”.
(8 tetor 1909).”
- Të dielën që shkoi, më 4 të këtij, ardhi këtu deputeti i Korçës, zoti Shahin Kolonja. Mirë se na ardhi shëndoshë”.
(8 vjeshta e II-të 1909)
- “Ismail bej Leskoviku me gjithë familjen u ngrit nga qyteti i tij dhe këto ditë vjen këtu, (në Korçë), ku do të jetë shumë kohë. E presim me gaz se është nga një familje e madhe dhe do të zbukurojë qytetin. Shprehemi të shohim shumë shërbime të atdhetarta nga ky zotëri”.
(8 vjeshta e II-të 1909)
- “Dje Veli Këlcyra urdhëroi me shëndet këtu në qytetin tonë dhe pas ca ditësh do të kthehet në Këlcyrë. Mirëseardhi dhe u ktheftë shëndoshë”.
- “Rifat Habib beu, kajmekani i Kolonjës, erdhi këtu duke shkuar për në Stamboll.
(3 dhjetor 1909)
- Tapi memur i ri i Korçës, z. Ihsan bej, urdhëroj dje këtu
(8 dhjetor 1909).
Megjithatë, gazeta në fjalë, ashtu sikurse pasyronte gjithçka të mirë që kishin bënin me të mëdhenjtë e vendit, me të njëjtën mënyrë kritikonte dhe madje hidhur.
Ja një rast i tillë:
- “Zotërinjve deputetë të Korçës u bëjmë të njohur që si të mbarojnë punët e të përfundojë mbledhja e kombit, të mos shkojnë nga Stambolli gjer mos punojë baloni, spse ndryshe nuk u sigurojmë dot hundët duke ardhur me karroca nëpër udhët "e bukura" që kemi!”
(20 shkurt 1909)
EMËRIMET DHE SHKARKIMET NGA PUNA
Lajmet që tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik ishin dhe ato informacione që bënim fjalë për emërimet dhe shkarkimet nga puna. Të gjithë ishin të interesuar sepse të kishe një mik, ishte më mirë se një çiflig. Ndoshta kjo ishte arsyeja që të gjitha këto lëvizje i gjejmë të pasyruara edhe në gazetën Korça.
Ne po sjellim një varg prej tyre:
- “Nga këshillonjësit e klubit të Korçës, z. Shefqet Frashëri, i cili është një nga atdhetarët e shënuar u bë mytesarfif në Sivereq (Djari-Beqir). E urojmë dhe dhëntë Zoti përsëafërmi, u bëftë vali këtej pranë”.
- Mehdi bejn e Frashërit, i cili qe mytesarif në Seres e hodhë në Samsun (Anadoll).
(23 tetor 1909).
- Mësonjës për gjuhën shqipe në shkollën gjimnasto të Korçës, nga Direktor i mësimit u zgjodh Direktor i gazetës, z. Sami bej Pojani ( 23. X. 1909).
- Deputeti ynë z. Shahin Kolonja kur ishte në Kozan mbajti një konferencë në klubin “Bashkim dhe Përparim”…
- Qeriatori i Selanikut, z. Abdul bej Ypi, i cili vajti për të shëtitur (fjala shëtitur nuk lexohet mirë) në Austro-Hungari, mori urdhër nga Valiu i Selanikut të bëjë vërejtje të plota mbi sistemën e reformës dhe te qeverisurit të policëve
(“Korça”, nr. 16. 1909)
- Z. Abdul bej Ypi që ishte prokuror në Selanik u dërgua në Anadoll
(E enjte 19, vjesht e III-të 1909).
- Elbasani për deputet zgjodhi Myderizin e qytetit, zotërinë e tj, Z. Haxhi Ali. (19.vjesht e III-të 1909)
- Me tejshkrim na lajmëruan se sanxhaku i Bali-qesrës për deputet zgjodhi Siri bej Leskovikun, i cili qe mytesarif i atjeshëm (19 vjesht’ e III-të 1909)
- Dje u zgjodh pleqësia e re e klubit “Dituria shqip”, e cila është kjo:
Kryetar nderi Ymer bej,
Kryetar Orhan Pojani,
arkëtar Idhomene Kosturi,
Ndërsa pleqtë janë: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail bej, Tefik Efendi (26, vjeshtë e III-të 1909).
Tapi memur i ri i Korçës, z. Ihsan bej urdhëroj dje këtu
(8 dhjetor 1909).
- Mytesarif për Korçën u bë mytesarifi i Niqdës, z. Shyqri Pasha
(12 shkurt 1909).
KRONIKA E ZEZË
Vetëvrasje, humbje të njerëzve, vrasje dhe grabitjet ishin të herëpashershme, jo rrallë herë tentoheshin që grabitjet të bëheshin me armë. Megjithatë ja disa nga kronikat e vitit 1909, të cilat mund të themi se janë të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë këtij viti:
- “Hasan Shabani (Kolonjë), i cili ka dy vjet e gjysëm që ka vajtur në Amerikë dhe që nga ajo kohë nuk dihet se ku është e ka qendruar, njoftonte gazeta. Prandaj u lutemi gjithë shqiptarëve të Amerikës që e kanë njohur këtë njeri, me anë të zyrës së Korçës, të kenë mirësinë të na lajmërojnë gjalljen dhe gjendjen e këtij njeriu”.
(5 vjesht e III-të 1909).
- “Më një të këtij, një e keqe e madhe ngjahu jashtë qytetit në vreshta, bënte të ditur gazeta “Korça”, Papa Rafaili një nga më të mësuarit e më të mirët priftërinj i vuri krusmë jetës së tij duke u varur në një thanë të vreshtit pranë. Shenjt Thanasi, i ndyeri prift, ishte i nderuar nga gjithë qyteti, të krishterë e muhamedanë, për vetitë e shkëlqyera që kishte, andaj gjithë qytetarët u helmuan për këtë ngjarje të tmerruar. Ishte një nga më të vjetrit e të parat shtëpi të Korçës, nga Poçillarët”…
(15 shkurt 1908).
- “Furra e Bimblit u bë theatro e një ngjarje të keqe, raportonte gazeta në fjalë. Njëdizaj kur vanë gratë të shpjenë bukë në furrë e gjetnë të mbyllur. Duke mallkuar furxhinë, i shpunë gjetkë, pandehën që furxhiu kishte vajtur gjëkundi. Po habitja ishte më e madhe kur gjetnë dhe të nesërmen furrën mbyllur. Të tretën ditë më s’duruan, po thyen dyertë e atëherë ç’të vështrojnë? I gjori Vaso Çalamani (furxhiu) ishte shtrirë i vdekur. Kishte vdekur nga Apopleksia”
(8 maj 1909)
- “Njëdizaj mbrëma, Papa Llambrua, prift i vllehëve të Korçës, kur ktheneshin nga Monastiri bashkë me Miltiadh Ballamaçin, në mës të shurit dhe stenës, nga ca njerëz të panjohur u zhveshën, ca të pakta të holla që kishin përsipër ja u muarë, po tjatër gjë nuk u bënë”.
Ndërsa në një kronikë tjetër thuhet:
- “Na shkruajnë nga Karaferja që zoti Qerim bej, dhëndëri i Alo Bej Starjes ka vajtur në çifligun e tij që e ka në fushën e Karaferjes dhe kur kthehej për në Kozanë mbë udhë i dolën ca kusarë turq dhe i thonë që lërë armët nga duartë dhe t’u falet. Po trimi i mirë përnjëherë nxori gjashtoren dhe qëlloi mbi ta dhe plagosi një nga kusarët. Lufta zgjati pak; më së fundi kusarët e ligj, që si duket qe Sylejman Kapedani nga Sarigjoli, bashkë me shokët muarën udhën e shkuan, po fat i keq, plagosi Qerim benë në këmbë, rrëzoj të vrarë shërbëtorin e tij Fazli Starjen. Akoma shkaku i kësaj gjëje nuk është marrë vesh se përse ishte
(2 vjesht’ III-të 1909).
- “Javën që shkoi, vijon gazeta, duke u gdhirë e shtunë, tek po vinin në treg të Korçës, shumë kolonjarë, në grykë të Qarrit dëgjojnë një zë që të qëndrojnë po sa kthyen kryet një pushkë dëgjohet edhe zëri i një gruaje që e vranë. Të tmerruar vrapuan rreth saj së varfrës grua që t’i jepnin ndihmë, por më kot se kur po e shpinin në Kozel fshati më i afërt, dha shpirt. E mjera grua ishte nga Bezhani, e shoqja e Spiro Nikollës edhe vajzë e Dhimiri Zikos. Pas kërkimeve që u bënë, ishte bërë pritë për tjatër, por fati nxori këtë grua”
(16 Shënendre 1909)
Vepror Hasani

No comments:

Post a Comment