Brahim Ibish AVDYLI:
ABSTRAKCIONI I FJALËVE TË PA THËNA
TRAJEKTORJA E ENERGJIVE
Fillojnë nga 11 marsi
nuk e di në cilin vit,
e gjurmët e dritës na përcjellin,
forca më të mëdha na përfshijnë
prej kosmosit
u ruhemi atyre që na godasin
e na plandosin përdhé
me zhdarravitjet në çdo drejtim,
nëpër hapësirë
i ruajmë trajektoret e padukshme
të mos vinë kur nuk e dijmë,
jemi qenie në formë të njeriut
me ndjenja në çdo lëvizje
themi se po i bëjmë hapat tonë
e për galaktikën janë shumë të vogla,
për shembull
hapi ynë i njëmbëdhjetë marsit
është një pikë e veçantë,
të zonuar kemi qenë nga të zezat
e hapi ynë është një grimcë në univers…
Tani, nuk e di se ku jemi
në hapësirën e pamatur
as ku kemi qenë e as ku do të shkojmë,
dikur, shkarkohet energjia e jonë
e pastaj
dalim përtej botës!...
(Ristorante Pizzeria Seeterasse,
D-Kahl am Mein, 11 mars 2017.)
ZOGU QË PRORE DIGJET
Fluturon nëpër kohëra
shekujt i parakalon
flakë që digjet e nuk shterron
plot me dritë
me dhembjen e kalljeve të veta
sikur është mësuar
ku ndalet e pushon
flakën e merr me vete
pa lënë gjurmë
vetëtimë pa zë
të tmerron kur e sheh
qenie e gjallë shkrepëtin nëpër këngë
e shkrumin e fjalëve të veta
e derdhë prore
nëpër valavitje
cili mundet nëpër kalljet e flakta
të oshëtinë nëpër këngë
në vend se të qajë
duron prushin e dhembjeve të veta...
A jam unë feniksi i quditshëm
e pyes veten nëpër dallgë,
kur ndalet pushi i kalljeve
është koha e hirit të fjalëve...
(Fushë-Kosovë, 31.08.2017)
A QANË PIRRO BURRI DHE UNË
A qanë Pirro Burri
nëpër shekujt e largët
apo pandarë lotoj, deri në mbrëmje-
unë dhe ai u biem kryq e tërthor
tokave të shenjta iliro-pellazge...
Hyp mbi shpatën e tij
nëpër tehun të viteve
lak e gjak më rrjedhin pa pushim
pa aspak zë,
jemi më të fortë se graniti
më të mprehtë se era
më të butë se ajri
e zemra jonë
shtrydhet nëpër këngë plotë vaj
kënga është lot, por nuk dëgjohet-
lart në qiel ndëgjohet tupani magjik.
I pyes shekujt
a bashkohet toka jonë
kur dhe gjurmët na i pështjellojnë!...
(Fushë-Kosovë, 10.09.2017)
ANTIRRUGËT E BEBZAVE
1.
Me dhembje të valë
nëpër qenie
u dalldis gushti nga temperatura
gjatë tërë rrugëdijes
sëmundjen time e bartja me vete
hapësirave të fluturimit.
2.
Nuk e di a kam mbetur gjallë
nëpër vjedhjen e kohës së lashtë
majtas e djathtas
fishkëllonin jeremitë[1]
nëpër Malet Dinarike
sa nuk më mbylleshin sytë
si hije e befasishme ia behu Nikolla Teslla
nën qerpikët e dhembjes
e me mustaqet e këndshme
në eter më buzëqeshte
si me dorë
jeremitë e paravdekjes
mi largoi.
3.
Në karrikën e viteve
e kishte bërë vendin e padukshëm
arbërisht pikonte
zemra e tij
në të gjitha kohët
edhe pse jeremitë
sllavisht donin t`a përpijnë
bashkë me jetën time të çakërdisur,
kamxhikët e energjisë së tij
nëpër vapë i goditen
dhe ikën me ulurime
përtej kodrave të dijes...
4.
Tani e shoh
plafin e kuqrremtë të mbremjes
të na mbulojë
nëpër trishtimin e papritur
ato ikën prej Nikolla Tesllës
nëpër poret e rrymës,
ç`mu desh të mbyll sytë
për dy sekunda
e t`më hidhen papritmas
jeremitë!...
5.
Atëherë
jam ndalur pranë plakatit
me zemrën që do të plaste,
e shikoj plot adhurim
dhe prore leximet i kujtoj,
syë e tij thonë
se koha e ka vjedhur,
çuditërisht
secili dëshironte
t`a ngreh nga vetja!...
6.
Ah, t`a kisha përqafuar
sikur vëllain tim
deri sa po zhytesha
vdekjeve të fjalëve
nën ethet e kësaj mbrëmje
me bebëzat e kredhura nëpër gjysmë errësirë,
po të mos ishe ti, vëlla i shtrenjtë
do t`më merrnin përplasjet e lëvizjes
frymën e fundit
e nuk e di a do të kishin mbetur
copat e antirrugëve
në bebëzat e ngrira!...
SI S’TË NJOHA KOSTANCË[2]
1.
Qindra herë vi dhe shkoj prej teje
të gjëj fillet e tua nëpër shqiponjën e hershme
shpeshherë të shikoj e luaj me veten time
duke numruar çuditë që kalojnë pranë meje-
i mas vitet e mia që rodhën nëpër heshtjen pa gojë!...
2.
A mos ka ndonjë bukuri të rrallë e të veçantë
që zë vendin e parë pranë Bodensee,
kjo vashë gjysmë e zhveshur
e mbanë kokën lartë
sillet rrotull
me demonët e ngrehura në të dy duart,
gjoksi i ngrehur e shpërthen hapësirën!...
3.
Unë nuk e njoh asnjë njeri në truallin tënd
sa herë m’u kanë lodhur këmbët nëpër ty
duke kërkuar varrezat ilire deri në Kreuzlingen-
prore ndalem te muri i „spätrömisches Kastel“[3]
më duket se jam rreth treqind vjet pas Krishtit
e shoh veten së bashku me romakët
edhe pse ilirët ishin në kokë të tyre,
atëherë, nuk e mbaj mend se ka qenë këtu
restoranti „De Medici“
por kishën katolike
me kokat e shqiponjave
që zënë gjarpinj në Münster-
jam një ilirian i hershëm në Kostancë!...
4.
Prap dëgjoj fëmijë në Münsterplatz që qajnë
një sicilian të shkurtër e të përkulur
që prap nuk flet
por më shikon,
e as ti nuk më njeh dhe prore nuk ke fjalë!...
5.
Ç`më mbetet tjetër
pos të derdhë dhembjet e mia në liqenin tënd
do të më bëhen aq shumë
sa që mezi i sjellë
e njoh kalldrëmin tënd, zallin, gurët e dheun,
kaluan tridhjetë vjet pa këmbyer dy fjalë
me heshtjen tënde të dhimbshme
e memece!...
[1] Jeremitë janë zana që të ngrehin në përmbytje kur i mbyll sytë në komukacion.
[2] Qyteti pitoresk, romantik dhe i mrekullushëm i Konstanses është ndërtuar me urdhër të Perandorit Iliro-Bizantinë, djalit të dytë të Kostandinit të Madh (që ishte themelues i perandorisë Bizantine, me 11 maj 330, pas Krishtit), Konstanci i II (Flavius Julius Constandinius), i cili e mori pushtetin dhe e ndau pas vdekjes së babait, me 337: vëllanë e tij më të madh, Konstandinin e II, e la të qeverisë Britaninë, Gjermaninë Inferiore, Galinë dhe Spanjën, ndërsa vëllaun e tij më të vogël, Kostancin, e la të qeverisë Italinë, Afrikën dhe disa provinca të Ilirisë. Vetë u emërua si perandor i Perandorisë Bizantine të Lindjes, me Kostantinopojën. Selia e Konstandinit të II ka qenë në Trier të Gjermanise…
[3] Kështjella e vonë romake
No comments:
Post a Comment