Friday, December 16, 2016

Zinxhirët e Herkulit dhe ëndrrat e rinisë. - Nga Sofia Doko Arapaj


Zinxhirët Herkulit
Kur ishim të vegjël,
shihnim filmat e pëlhurës në fshat. Sa vinte xhaxhi Asllani nga ferma dhe sillte Herkulin me Odisenë, fillonte grinja në shtëpi.

- Ba, ka ardhur Herkuli sonte, do na lësh ta shikojmë?
-E mirë, mbaroni së qëruari fshesat nga farat, pastaj ikni...
-Na, mbaroni këto e ikni!
Po një dëng i vockël për fillim i pjekur, i qetë në dyel me mua...po tjetri më i lartë, krenar i pamposhtur e më i mbushur...
Po mua, trupit të vogël, më duhej të kruhesha, po, më kafshonin dhëmbëzat e farëzave, ashtu... në fillim sy më sy, pastaj mish më mish. Të pamëshirshme farëzat, nuk shqiteshin kollaj nga flamuri i tyre.
Lëshonin tymin sterrë të zi që të dorëzohesha, të më mundnin. I kuptoja ...po, nuk bëhej
sepse duhej të takoheshim me Herkulin.

I lija të më ngjiteshin nëpër kurriz, të më kërkonin çtë donin, trupin, shpirtin. S'doja t ja dija.
Teneqeja në duart e mia të vogla, vente e vinte si e trullosur nëpër binarë.
Bënte një pushim të vockël, pastaj gërr- gërr, herë duke vrapuar, herë duke caluar, mbi ristelën që ta bënte babai gati, sa hap e mbyll sytë, këndonte këngën 1,2,3,4...1,2,3...1,2,3,4....1,2,3...

-Të ikim tani, o ba, se filloi filmi, na jep lekë, o ba!
-Nuk kam moj bijë, po ik atje se të fut xhaxhi Asllani pa lekë.
-Jo o ba, se duan një njeri më të madh,
të hyjmë që mos të paguajmë lekë.
-Ik o shejtan, hallin e Herkulit kam unë.
-O Asllan, o Asllan, -i thërriste Asllanit,
për fat shtepia e kulturës ishte afër.
Jo, jo, nuk futem ashtu..
-Fute fute këtë shejtan të shoh Herkulin!
-Po ça të them o Xhoxhi, le të vijë,
dhe shkoja duke i hedhur hapat,
njëherë këtej njëherë andej, si pafkat e lojës.
Më pyeste xhaxhi Asllani, sikur s më njihte,
-E kujt je ti, të keqen xhaxhi?
-E...e...e këtij thosha unë...
e njërit nga fshati dmth.
-E mirë futu të keqen xhaxhi...

Dhe e shtyma e lehtë tyre herë, në sup, herë në vesh, herë tek qafa....se ndonjeherë na fusnin dhe dy nga dy, u ishte sosur durimi me ne, këtë e bënte edhe xhaxhi Jani përgjegjësi i shtëpisë së kulturës.... 
Na kalonin ne fëmijeve nën portë, ashtu, ja ashtu 
si pandallja e portës së genjeshtërt, në lojën e fëmijërisë së vërtetë.

Ta dinte Herkuli, sa herë jam rrotulluar në duart e tij,
sa herë kam rënë nga ankthi, se mos nuk shiheshim dot,
ta dinte Odiseja, se sa e dashuroja, pa ditur cili ishte,
ta dinte xhaxhi Asllani i fermës, sa here më vinte ta përqafoja, 
kur bënte ashtu, sikur nuk më njihte, sikur nuk më kishte parë kurrë!


15.11.2016 Greqi

No comments:

Post a Comment