Vajzat
myslimane të Korçës, në shkollë që 500 vjet më parë: shkëlqyen tek shkolla amerikane e vashave.
Vajzat myslimane e frekuentuan shkollën amerikane të vashave
që nga dita e parë e çeljes së saj në Korçë, më 23 tetor 1891. E vlerësonin
arsimin; me shkollën ishin të familjarizuara prej shekujsh. Korça pati medrese
për vajza dhe djem që nga viti 1496. Shkollimi ishte falas; dhuratë e
themeluesit të qytetit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Nuk nguruan të përfitonin
as nga mësimdhënia amerikane.
Në shkollën amerikane të vashave mësohej gjuha
shqipe: shkronjëtorja, (alfabeti) këndimi, të shkruarit (bukurshkrimi),
truptregonja e njeriut (anatomia), botëshkronja (histori e botës), dheshkronja
(gjeografia), kafshëshkronja, (zoologja), bimëshkronja (biologjia)
histori e shenjtëruar, (histori e feve), këndimi i ungjillit, fjalëlidhja,
punëdore (qepje, qëndisje, thurje me shtizaj), vjersha, këngë, valle, dialogje
etj. Provimet jepeshin në fund të qershorit, ku merrnin pjesë qeveritarë dhe
prindër.
Fillimisht shkolla u vendos në një shtëpi të vogël dhe më pas në
shtëpinë e blerë prej Sevasti Qiriazit, pranë vendit të quajtur “Çezmat e
Arave”. Ndërtesa ishte dy katëshe, e bukur, me gjashtë dritare, plot dritë, me
oborr të gjerë dhe sallon të madh në katin e dytë. Gjatë vitit shkollor
1897-1898 u mendua edhe për një konvikt për vajzat që mund të vinin nga
fshatrat, që do të thotë se edhe vajzat e fshatit nuk pengoheshin për
shkollimin e tyre. Medreseja e Iljaz bej Mirahorit kishte ndriçuar mendjet e
njerëzve të këtij rajoni. Konvikti u çel në vitin 1900-1901.
II
Në shkollën amerikane mësohej edhe gjuha angleze. Prindërit
e vajzave e shihnin me interes mësimin e kësaj gjuhe; nuk kishin asnjë droje
nga gjuhët e huaja, përveç gjuhëve që kishin për qëllim zëvëndësimin e gjuhës
shqipe. Banorët e Korçës kërkuan që të mësohej edhe gjuha gjermane, në shenjë
nderimi për studiuesin e gjuhës shqipe Johann George von Hahn.
Në shtypin e
kohës shkruhej: “Mësojmë se te shkolla shqipe në Korçë do të kllasin (do të
vënë) mësimin e gjuhës gjermane. Kjo e re na gëzon fort sepse ,
sa kjo gjuhë s’ka më të nevojshme për ne Shqiptarët. Si fare mirë e dini, më e
bukura dhe më e vjetra bibël për shqiptarët, “Albanesische Studien”, është
shkruar në këtë gjuhë (gjermanisht).
Hahni, i pari shkaktor i ngjalljes së
gjuhës, literaturës dhe kombit tonë, ndenji tridhjetë vjet në Shqipëri. Ishte
konsull i Oshtrisë (Austrisë) në Janinë; po aq i pëlqente Shqipëria, sa kur
deshën ta ndërrojnë, hoqi dorë nga puna e tij. Vate më të katër anët e
Shqipërisë, dhe tërë dialektet tona i fliste me një të math qërim (pastërti).
Përveç Hahnit, albanologët Ksilhandër, Franc Bopp, Pott, dhe shumë të tjerë, si
Dieffenbach, Harff, Otto Blau, Miklosich kanë shkruar kryepunërat e tyre në
gjuhën gjermane. Sot për sot, kemi të madhin Gustav Meyer, profesor të
Universitetit të Gracit (n’Oshtri), të cilat bibla (të tij) kanë hedhur një
dritë aq të shkëlqyer në errësirat e gjuhës shqipe; z. Jan Urban Jarnik,
profesor i Universitetit të Pragës (Oshtri), që njeh aq mirë gegnishten; z.
Pisko, një prej konsujve të Oshtrisë në Shqipëri, cili punon fort bukur gjuhën
shqipe. Të gjithë këta zotërinj kanë shkruar punërat e tyre në gjuhën gjermane,
si dhe Z. Pedersen, një i ri albanolog…”. (Gazeta “Albania ”, v.1897, nr. 6, f. 91)
III
Kjo thashethemnajë la gjurmët e veta, por nuk pati efektin e
pritshëm; gjithkush e dinte që leja për çeljen e mësonjëtores së vashave ishte
dhënë nga vetë sulltani; mbyllja e saj prej qeveritarëve lokalë apo të
vilajetit të Manastirit, nuk do të ishte e mundur; arsye për internimin e
myslimanëve nuk kishte.
Vajzat myslimane vijuan frekuentimin e shkollës ashtu
si më parë. Numri i tyre përgjithësisht ishte më i madh se i vajzave ortodokse.
Në një prej artikujve të shtypit të kohës thuhet: “Dyzet e pesë vasha ka ndë
shkollë, edhe kjo shkollë mbahet nga një Shoqëri amerikane që quhet “American
Board”, e cila shoqëri ka shumë shkolla të tjera ndë Turqi, edhe e cila çdo
kombi i hap shkolla më gjuhë të tij.
Në këtë shkollë zunë venë të bijat e
shtëpive më të mbëdha të Korçës, e më shumë ndër shqiptarët myslimanë.
Drejtoresha e shkollës është Zonjëza Sevastie D. Qirias; mësonjëtoria e dytë
është Zonjëza Fanke Efthim; mësonjëtoria e tretë Zonjëza Poliksena Tespoti”.
(Gazeta “Albania” viti 1900, nr. 3, f. 68) Shkolla amerikane e vashave ishte
mësonjëtore e gjuhës shqipe, ndaj të gjithë e dinin që ajo do të pengohej me të
gjitha mënyrat.
Agjentët e tyre “përhapën fjalë nëpër qytet se
prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët në këtë shkollë do të
internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”. (Hysni
Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”,
Tiranë 1973, f 101).
IV
Mësonjësja që çeli shkollën amerikane të vashave ishte
Sevasti Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, e cila kishte emigruar bashkë me
familjen kur ishte 4-5 vjeçe; fillimisht në Tërnovë e më pas në Manastir, ku
studioi në shkollën plotore amerikane dhe më pas në kolegjin amerikan të
vajzave në Stamboll. Shkollimin e përfundoi në qershor të vitit 1891.
Naim
Frashëri, atë kohë punonjës në Ministrinë e Arsimit, regjistroi diplomën saj.
Leja për çeljen e mësonjëtores u dha me dekret perandorak. Shkolla u regjistrua
në emër të Gjerasim Qiriazit, (vëllai i Sevastisë), përfaqësues i “Shoqërisë
Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. (Gjerasimi nuk e
pati jetën të gjatë, pasi më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç, u helmua nga
njerëzit e kishës).
Shkolla amerikane e vashave ndiqej edhe nga vajzat
ortodokse, por dhespotët nuk e dëshironin këtë shkollë ku mësohej shqip, nën
pretekstin se ishte shkollë protestante dhe kish për qëllim prishjen e fesë
ortodokse: “U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte
fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të
bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të
ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. (Hysni
Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).
V
(Gazeta “Albania”, viti 1905, nr. 9, f. 179)Mëmëdhetarët u
përpoqën të sqaronin njerëzit se shkolla amerikane nuk kishte për qëllim
prishjen e fesë ortodokse: “Si e di gjithë bota, Korça ka një shkollë
protestante shqipe për çupat. Qëllimi i kësaj shkolle nuk është të përhapë
protestantimin, po dritën e dijes dhe të lëvrimit.
Provën e kësaj e kemi në
këtë, që edhe muhamedanë, edhe orthodhoksë kanë dërguar bijat e tyre të mësojnë
në këtë shkollë. Nga tjatër anë, vetëm drejtoresha e shkollës, zonjëza Sevastie
Qiriasi, një nga më të mentshmet e më të diturat shqiptare, është protestante;
të tjerat,- mjeshtëresha shkolle – janë të gjitha, besoj, orthodhokse.
…
Tani, mësojmë se kleri i grekut përpiqet të ndalojë edhe çupat
orthodhokse, jo me mjete të drejta “by fair means” si thonë Englezët) – se
atëherë do t’i jepnim klerit grek arsye, duke qenë që cilido duhet të jetë i
lirë të mprojë ato që i duken atij të vërteta – po me mjete të paudha, me mënyra
që u kanë hije më tepër hajdutëve se njerëzve që lipset të kenë për armë vetëm
lutjen edhe fjalën e Perëndisë. …
Dhespoti bashkë me këshillonjësit e tij kanë
dërguar letra ndëpër Shqiptarët që kanë fëmijë (çupa) ndë shkollë shqip që
ndodhet në Korçë, duke shkruar se lipset t’i nxjerrin, se po të mos i nxjerrin
do ta pësojnë. Në të tjera fjalë, kanë për të dërguar edhe ndë Korçë andarët. …Po me forcë s’ mundin ta mbyllin këtë shkollë, se atëhërë
kanë të bëjnë me Englinë… Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare
dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i
shëndoshë”
VI
“Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po
të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë”,
thuhet në artikullin e mësipërm. Shqiptarët ndiheshin të lodhur nga mhimi i
gjuhës së tyre. Shpërthimi i revoltës së tyre kish dhënë shenja që 25 vjet më parë. Nuk do
të tolerohej më si më parë.
Më mirë se çdo gjë tjetër këtë gjë e tregon një
ngjarje e devollit: “Në Devoll (Bilisht) flitet, përveç gjuhës shqip, edhe një
bullgarishte e përzier. Por nja 25 vjet më parë, bullgarishtja mbretëronte në
ato vise: në shtëpi, në rrugë, a në treg, njerëzia përdoronin më shumë
sllavishten se shqipen.
Andaj, nja 50 fshatra u mbluadhë një dlitë dhe bënë be
(u betuan), që atëherë e tutje t’u mësonin djemëve vetëm gjuhën e mëmëdheut.
Zunë edhe vetë të mos sjellin kurrë mbi buzë fjalë shqehnisht,
(bullgarisht), edhe botën të mos e lëshojnë (lejojnë) të mërgonjë
(harrojë) shipen.
U ndodh një ditë një lopçar, i cili, duke shkuar në mëngjes
përpara shtëpive për të mbledhur lopët, briti (thirri) bullgarisht: “Kravite,
kravite!”, domethenë: “Lopët, lopët!” Atë hop u-rrethua thua prej trimash të
lidhur, të cilët e benë me jataganë thela-thela trupin e lopçarit…”
(Gazeta
“Albania”, 1898, nr. 2, f.29)
Për mësimin e gjuhës shqipe nuk kishte më kthim prapa.
2016-1891=? - besoj se nuk eshte 500
ReplyDelete