Shkruan prof. Zymer Mehani
Pas luftërave të pandërprera me Austro-Hungarinë dhe Rusinë, Perandoria
osmane u dobësua dukshëm dhe kjo krijoi mundësi që disa qendra të
rëndësishme shqiptare si Shkodra, Elbasani, Durrësi, Voskopoja, Janina
etj. Të shënonin një përparim të dukshëm ekonomik të mbështetur mbi
ekonominë monetare, zejtarinë dhe tregtinë që nga fillimi i shek. XVIII.
Këto rrethana të reja krijuan mundësi edhe për zhvillimin e
aktiviteteve të ndryshme kulturore: në rend të parë u bënë përpjkekje të
mëdha për ta futur gjuhën shqipe në kishën ortodokse. Për këtë qëllim u
përkthyen materiale të ndryshme fetare në gegërishten e mesme dhe në
variantin e toskërishtes, që shënojnë risi të rëndësishme për historinë e
gjuhës letrare shqipe.
Tradita e pasur e shkrimit të shqipes në variantin e Veriut, edhe pse
nuk u ndërpre plotësisht, pësoi një rënie të ndjeshme. Materialet e
“Kuvendit të Arbënit”, Gramatikat e Grotaferratës dhe Françesko Maria da
Leçes si dhe katekizmi i Gjon Nikollë Kazazit e vazhduan këtë traditë
shkrimi gjatë shek. XVIII, duke plotësuar koloritin e aktiviteteve të
shumëllojshme arsimore e kulturore të kësaj periudhe. Me forcimin e
kësaj prirjeje shpjegohen nismat e një anonimi nga Elbasani, të Kostë
Beratit, të Grigor Voskopojarit, mitropolit i Durrësit nga viti 1769 dhe
të Theodor Haxhifilipit (rreth vitit 1730-1805) nga Elbasani, i njohur
me emrin Dhaskal Todri, që krijuan alfabete të posaçme të shqipes. Ky i
fundit nismën e tij e pagoi me jetën e tij duke mbetur i vrarë, pa
arritur të ngrinte një shtypshkronjë në Elbasan që do të botonte vepra
shqip.
Gjatë këtij shekulli njohu një gjallërim më të madh literatura e qarkut
kulturor konfesional ortodoks e mysliman. Anonimi i Elbasanit solli në
shqip copa të ungjillit, si dhe Grigor Voskopojari, kurse Dhaskal Todri
solli në shqip “Dhiatën e vjetër dhe të re”, ndonëse nuk arriti ta
botonte. Këto përpjekje u shumuan në shekullin pasues me botimin më 1827
të tekstit të plotë të “Dhiatës së re” të përkthyer nga Vangjel Meksi
dhe të redaktuara nga Grigor Gjirokastriti, si dhe me korpusin e madh të
përkthimeve fetare të Konstandin Kristoforidhit (1827-1895) në dy
dialektet e shqipes.
Qyteti i Voskopojës në këtë shekull u bë një qendër e rëndësishme
kulturore, me një lëvizje të gjerë arsimore e me institucione përkatëse.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë ishte kryesisht në gjuhën
greke, nevoja për t`i vënë gardh rrezikut të asimilimit, bëri të
pashmangshme edhe përdorimin e gjuhës amtare, duke inkurajuar
objektivisht zhvillimin e kulturave kombëtare. Në shkollat e Voskopojës u
përdorën edhe shqipja e arumanishtja për mësimin e greqishtes.
Dukuria më e rëndësishme e zhvillimit letrar në Shqipëri gjatë
shek.XVIII është poezia shqipe me alfabet arab, që u quajt poezia e
bejtexhinjve. Kjo ishte një dukuri kontradiktore, sepse në të poetët
bejtexhi shprehën nga një anë, prirjen për ta dalluar veten nga
kombësitë e tjera përmes shkrimit të shqipes, si gjuhë e poezisë së
tyre, nga ana tjetër, ata ishin nën ndikimin e fortë të kulturës
orientale dhe të moralit islam.
Pas përhapjes së gjerë të islamizmit, në Shqipëri në shek. XVIII u ngrit
një rrjet i gjerë institucionesh arsimore e kulturore islame, mejtepet e
medresetë ku jepej feja islame, letërsitë orientale në gjuhët osmane e
arabe. Numri i njerëzve të shkolluar në këto institucione u rrit, duke
formuar kështu një shtresë intelektualësh të brumosur me kulturën dhe
ideologjinë e pushtuesit. Prej kësaj shtrese dolën poetët bejtexhinj, që
sollën në krijimtarinë e tyre idetë e fesë e të moralit islam, të
shprehura me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat. Ata e shkruan
shqipen me alfabet arab, ndoqën modelet e poezisë orientale dhe rimorën
kryesisht motivet e atyre letërsive.
Megjithatë krijimtaria e bejtexhinjve pati rëndësi për zhvillimin e
letërsisë shqipe nga disa anë. Në radhë të parë, sepse përmes saj
shqipja bëri jetën e vet të shkruar, edhe pse me alfabet arab, në një
kohë kur tradita e letërsisë fetare-katolike të shek. XVI-XVII ishte
fashitur dhe tradita e letërsisë kishtare ortodokse në jug ishte fare e
kufizuar, edhe kur shqipja u shkrua me alfabetin grek ose me alfabete të
krijuara enkas. Duke shkruar në gjuhën shqipe poetët bejtexhinj
dëshmonin vetëdijen e kombësisë së tyre; ata e dallonin veten nga popujt
e tjerë të perandorisë, si kombësi me gjuhën e vet të veçantë.
Nga ana tjetër, edhe pse e mbështetur në motivet dhe modelet e poezisë
orientale, ajo nuk mund të ishte e shkëputur nga trualli ku lindi, nga
bota e njeriut shqiptar. Për pasojë ajo u tregua e ndjeshme edhe ndaj
përjetimeve të individit dhe ndaj konflikteve të tij morale me
institucionet e kohës. Në këtë vështrim krijimtaria e bejtexhinjve
shënon një hap përpara në zhvillimin e brendshëm të poezisë shqipe. Duke
mbetur jo vetëm në kufijtë kronologjikë të letërsisë së vjetër, por
edhe brenda caqeve të përmbajtjes së saj, ajo përsëri e kapërceu atë në
disa drejtime. Me të nisi trajtimi në rrafsh të gjerë i temës laike dhe
pasqyrimi i disa elementeve të jetës shqiptare të kohës.
Me rëndësi të veçantë është shkëputja e saj nga letërsia e vjetër, si
akt krijimi. Poezia e bejtexhinjve nuk plotëson funksione didaktike,
utilitare, ajo është produkt i përjetimeve subjektive dhe i frymëzimit
krijues, sepse solli në traditën poetike shqipe botën subjektive të
individit, edhe kur zhytet në mjegullën e misticizmit ose shkëputet prej
saj, edhe kur ngrihet në spekulacione metafizike ose zbret në tokë,
duke trajtuar disa anë të jetës dhe të realitetit të kohës.
Krijimtaria e bejtexhinjve u shfaq si një rrymë e gjerë poetike që u
shtri në të gjitha trevat shqiptare. Ajo ishte rezultat i zhvillimit të
jetës intelektuale në disa qytete e qendra të mëdha shqiptare, si
Berati, Elbasani, Prishtina, Shkodra, Prizreni, Tetova, Gjakova,
Gjirokastra, Kolonja, Frashëri, Konispoli etj.
Një nga më të shquarit përfaqësues të saj është Nezim Frakulla (vdekur
më 1760) nga Berati. Ai është autor i shumë poezive turqisht, arabisht e
persisht, por vepra e tij kryesore është “Divani” shqip që thyen skemën
tradicionale të divaneve orientale, sepse, krahas motiveve të njohura
në to, poeti solli disa aspekte të jetës së kohës në Shqipëri. Një pjesë
e mirë e vjershave të tij janë gazelet, ku i këndohet bukurisë e
dashurisë, por nuk mungojnë dhe vjersha me nota kritike për disa vese
morale e dukuri negative të kohës.
Bashkëkohës me të është dhe Sulejman Naibi (vdekur më 1772) po nga
Berati. Edhe ky shkroi një “Divan”. Vjershat e pakta që njohim prej tij
janë të frymëzuara e me vlera artistike. Ndryshe nga poetë të tjerë
myslimanë, ai shkruan me një shqipe më të pastër e më të lakuar.
Tahir Efendi Gjakova (fundi i shek. XVIII-shek. XIX) hartoi një vepër
shqip, në vargje dhe në prozë, me titullin “Emni Vehbije” që përmban
porosi e këshilla në frymën e moralit islam. Vepra u botua më 1835 në
Stamboll, kuptohet me alfabetin arab. Ajo paraqet interes si dokument
gjuhësor i të folmes së Gjakovës.
Muhamet Kyçyku (1784-1844) nga Konispoli është autor i dy poemave me
subjekt me motive biblike e kuranike “Erveheja” dhe “Jusufi e Zelihaja”,
të përshkuara nga fryma e moralit islam. Poeti që me krijimtarinë e tij
qëndron më afër jetës së kohës është Hasan Zyko Kamberi (shek.
XVIII-XIX) nga Starja e Kolonjës. Është autor i një “Mevludi” dhe i
shumë poezive lirike, me temë shoqërore e erotike. I lidhur me jetën e
fshatit dhe jo me jetën orientale të qyteteve e mjediseve feudale, ai
pasqyroi në poezinë e tij halle dhe dilema të njeriut të varfër, zakone e
probleme shoqërore të kohës. Vjersha më e fuqishme e tij është
“Paraja”, një satirë e fortë ndaj realitetit të korruptuar dhe ndaj
rolit shkatërrues të parasë. Vjershat e Hasan Zyko Kamberit kanë gjurmët
e ndikimit të traditës poetike popullore dhe janë shkruar me një gjuhë
më të pastër, afër së folmes popullore.
Poezia e bejtexhinjve mbeti brenda disa mjediseve të mbyllura dhe
shterroi gradualisht përpara zhvillimit të një letërsie të re të
shekullit që erdhi, të frymëzuar nga idetë e Rilindjes. Ajo mbijetoi
përtej shekullit të saj për arsye historike të njohura vetëm në disa
qendra kulturore e fetare të Kosovës.
Gjatë shek. XVIII pati një gjallërim të lëvizjes letrare e kulturore
edhe te arbëreshët e Italisë. Autori më i shquar i letërsisë arbëreshe
të këtij shekulli është Jul Variboba (1724-1788), i cili botoi më 1762
veprën “Gjella e Shën Mërisë virgjër” nje poemth që shtjellon jetën e
Marisë dhe të Krishtit, e përshkuar nga një notë humanizmi tokësor e
lirizmi të vetvetishëm, e shkruar në frymën e poezisë popullore, me një
ngjyresë lokale. Vepra ka rëndësi si një krijim artistik i frymëzuar që
shënoi kërcënimin nga kuadri i ngushtë didaktik-utilitar, drejt një
letërsie me vlera të dukshme artistike.
Midis autorëve arbëreshë të këtij shekulli duhen përmendur edhe poetët
Nikollë Brankati (1675-1741), Nikollë Filja (1691-1769) dhe Nikollë Keta
(1742-1803). Ky i fundit është edhe autor i një vepre
historiko-etnografike me titull “Thesar njoftimesh për maqedonasit”, që u
botua pjesërisht te revista “La Sicilia” (Palermo, 1867).
Letërsia e shek. XVI-XVIII ka rëndësi jo vetëm si etapa e parë e
zhvillimit të letërsisë shqiptare, por edhe sepse ajo vuri bazat e
shkrimit shqip.
No comments:
Post a Comment