Monday, September 19, 2016

Piloti italian zbulon "baronin e drogës" në Shqipëri!






Guido Guidi, italiani që ra në Ishëm, në pistën e ngritur enkas për avionë të vegjël sportivë, të cilët përdoren rëndom në vendin tonë për trafik droge, do të qëndrojë për disa kohë në Tiranë. Ai është marrë në mbrojtje, sipas një kërkese të prokurorisë, dhe do të qëndrojë në vendin tonë, nën mbikëqyrjen e forcave të posaçme, e para nga frika e ndonjë eliminimi dhe e dyta për të qenë në dispozicionin e hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Edhe pse prej më shumë se dy ditësh janë nxjerrë me dhjetëra versione në lidhje me dëshmitë e pilotit të moshuar italian, prej të cilit deri më tani janë përftuar katër versione të shkakut të ardhjes së tij në vendin tonë e konkretisht në një zonë të përshtatur për hambar droge dhe pistë avionësh transportues. Zyrtarisht prokuroria dhe policia nuk kanë dërguar asnjë njoftim në lidhje me shkaqet e rrëzimit të avionit “Pipper”, pasi që të dy institucionet kanë hyrë në një konflikt real për shkak të mënyrës se si është proceduar fillimisht me shtetasin e huaj që kishte ngecur në shkurret e bregut të Ishmit, teksa kishte tentuar të ngrihej në ajër, veprim që nuk ka mundur dot ta kryejë për shkak të dëmtimit që ka pësuar rrota e avionit. Referuar të dhë- nave konfidenciale, nga grupi hetimor , bëhet me dije se italiani ka thënë disa fakte që lidhen me koka të mëdha të trafikut ndërkombëtar. Prokuroria ka nisur hetime intensive për të mësuar se kush është ky person, ndërsa dyshimet e para, për shkak edhe të afërsisë së vendit në të cilin janë kryer punimet, shkojnë te grupi i atij që konsiderohet si baroni i drogës, Gëzim Çela. Grupi hetimor mësohet se ka kërkuar informacion edhe nga homologët italianë, pasi ka dyshime se Çela aktivitetin më të madh kriminal e ka në Itali, ndërsa vijohet të besohet se ai edhe strehohet në Itali. Sipas të dhënave mësohet se janë një italian dhe një shqiptar në sitën e kërkimit ndërkombëtar tashmë, por piloti italian ende nuk dihet në të vërtet nëse ka thënë të vërtetën për shqiptarët e hetimit.
Në kërkim të Gëzim Çelës
Burime të rezervuara nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga të dhënat paraprake që janë mundësuar të nxirren nga dëshmia e pilotit italian, dyshimet flasin se dy personat i përkasin konkretisht grupit të Gëzim Çelës, djalit kurbinas, që ka mundur të shpë- tojë jo pak herë nga prangat e policisë sonë dhe të policive të Europës. I konsideruar si “baron droge”, por kryesisht drogërash të forta, si kokaina dhe heroina, ai dy vite më parë u kthye në personazh të padiskutuar teksa zbulohej një rrjet trafiku kokaine Ballkan Kosovë-Shqipëri, ku në këtë të fundit ai kishte ngritur edhe laboratorin. Hetimi shqiptar e ka lidhur ngjarjen e avionit me disa të dhëna që janë marrë së fundmi në lidhje me aktivitetin kriminal të Çelës, ndërsa në lidhje me shtetasin shqiptar që pretendohet se i ka dhënë emër Guidi, sipas burimeve dyshohet se i përket grupit të Çelës, e madje është një person shumë afër tij.
Imazhi i kompanisë që rrëzohet në Ishëm
Piloti që ngeci me avionin super luksoz në pistën e ngritur enkas për avion të tillë në brigjet e Ishmit, rezulton të ketë shërbyer jo vetëm si një pilot dhe konstruktor, edhe si imazh i kompanisë ajrore që posedon këta avionë të vegjël. Në Milano, ai konsiderohej si një prej pilotëve më me eksperiencë, ndërsa ditën e enjte ka rënë në vendin tonë. Ka qenë Mauro Zunino, presidenti i “Aero Club”, kompanisë që i përkiste avioni i rrëzuar i cili është shprehur ditën e djeshme për se nuk ishte në dijeni se çfarë kishte ndodhur me aeroplanin, avion që ai e konsideronte si krenarinë e Klubit. Sipas tij avioni kishte 800 orë fluturim dhe ishte krejtësisht në rregull. Sipas tij nuk është marrë ndonjë telefonatë nga organet e policisë apo ehe ato diplomatike as nga piloti që ishte bashkuar me klubin nga të paktën dy ose tri vite, apo nga ndonjë zyrtar i vendit të tij. Kështu mësohet se piloti që ra në Ishëm ka shërbyer edhe si personi që ka reklamuar pikërisht këtë lloj avioni në momentin ka hyrë në kompani e për shkak të cilësive të këtij mjeti ai është konsideruar edhe krenaria e kompanisë.
Avioni i drogës, Basha e Tahiri akuza njëri-tjetrit
“Droga po pushton politikën, policia dhe qeveria janë të kapura nga trafikantët dhe janë vënë në shërbim të tyre”. Është kjo një prej fjalive në statusin e gjatë të kreut të opozitës Lulzim Basha që ka akuzuar qeverinë sërish mbi narkotrafikun në vend, duke marrë shkas edhe nga ngjarja e dy ditëve më parë në Dukagjin, ku një 31-vjeçar u vra nga dy vëllezër vetëm se i akuzoi se kishin spiunuar te policia për parcelat e drogës që ai kishte mbledhur dhe kishte investuar. “Edi Rama dhe qeverisja e tij i ka vënë shqiptarët para dy alternativave: ose të vihen në shërbim të kriminelëve të drogës ose të emigrojnë. Edi Rama vetë është me kriminelët. Ai ju ka dhë- në atyre lirinë dhe fuqinë ta kthejnë Shqipërinë në pronë të krimit, mjaft që t’i shërbejnë atij me para dhe vota. Në këtë situatë ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’i bërë rezistencë krimit dhe për të ndalur rrënimin e vendit. Menjëherë pas tij ka reaguar Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i ka kujtuar kreut të opozitës kohët kur ai ishte Ministër dhe Lazarati i rritej “nën hundë”. “Nuk i kishte sytë në ballë Luli, atëherë Ministër i Brendshëm, të shihte jo vetëm Lazaratin që ujitej me zjarrfikëset e Gjirokastrës, por të gjithë vendin që ishte mbjellë me kanabis?”.
PD-ja zbarkon në Ishëm, Noka: Më lajmëroi një punonjës policie
Deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike denoncuan në terren pistën e avionëve të ngritur në mes të Shqipërisë, në fshatin Ishëm. Ata panë nga afër këtë pistë avionësh 1.8 kilometra e gjatë që, sipas dyshimeve më të fundit, do të përdorej për transport ajror të drogës. Demokratët thanë se ajo është ngritur me dijeninë e qeverisë dhe me mbështetjen e saj dhe se kjo është prova e radhës që tregon lidhjen e fortë të kartelit të drogës me Edi Ramën, provë që flet për lehtësitë që kanë trafikantët për të ndërtuar edhe pistë avionësh pa i shqetësuar askush. Bashkë me deputetët, Edi Paloka, Arben Ristani, Alban Zeneli, Keltis Kruja dhe Flamur Noka, ishin një grup gazetarësh të ftuar nga Partia Demokratike për të denoncuar shkallën ekstremisht të lartë të mbulimit të vendit nga droga. Numri dy i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, Flamur Noka bëri me dije faktin se pista të tilla ndërtohen vetëm në Shqipëri, Kolumbi dhe Venezuelë: “Siç e shihni, pas nesh është një avion i rënë në tentativë për të bërë trafikun e drogës. 2.5 km, maksimumi 3 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, karteli i drogës ka ndërtuar aeroportin e quajtur “Saje Qorri”. Qeveria e kartelit që pretendon dhe kontrollon gjithë territorin na demonstron sot këtu që qenka ndërtuar një pistë, sipas tyre jashtë dijenisë së tyre. Në fakt, kjo qeveri e kontrollon gjithë territorin e vendit dhe ky avion, kjo pistë e ndërtuar këtu, demonstron qartësisht që gjithçka është bërë me miratimin, nën kontrollin dhe nën mbikëqyrjen e kësaj qeverie. Pista të tilla të kartelit të drogës kanë ndërtuar dhe kanë mundur të ndërtojnë vetëm në Kolumbi dhe në Venezuelë. Shqipëria është vendi i tretë në botë ku kartelet e drogës, përpos mbjelljes dhe trafikut të drogave, e kanë të gjithë komoditetin dhe mundësinë për të ndërtuar edhe pista avionësh”. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe deputetët e tjerë demokrat ndërsa Noka ka folur edhe në lidhje me momentin që ka marrë lajmin, duke bërë me dije publikisht që ka qenë një punonjës policie që e ka vënë në dijeni të rënies së avionit.

No comments:

Post a Comment