Showing posts with label Poemë. Show all posts
Showing posts with label Poemë. Show all posts

Friday, November 18, 2016

Për një bibliotekë publike të mbyllur në Korçë prej autoriteteve -poemth- Nga Erget Cenolli.


Për një bibliotekë publike të mbyllur në Korçë prej autoriteteve 
-poemth- 

E përdhosët tokën e ABC - së fisnike,
Nën ndyrësira paresh e shtëllungash të leshit,
Tymosni e mbllaçiteni në gjethe marramendëse përsheshit,
Duke shkelur miopisht mbi fjalët e rreshtat e mendjeve titanike.

Grumbulluat Shekspirin e Dikensin me fshesë mizori,
Ua peshuat fletët me kandarin e ndryshkur të interesit,
Nën avujt e mashtrimit, makutërisë, vesit,
Matët Hygonë e Balzakun me kutin e një orgjie lakrori.

Nga dora e artë e Kolevicës mjeshtër, 
U ravijëzua kubi i kristaltë,
Radhitur në të, plot nur e shije, mendimi i naltë 
I korifejve. Nektari i shekujve shkruar me bojë në letër.

Në botën e kubit jeta rrodhi në hapësirat e pamata të mendjes,
Në gjashtëmbëdhjetërroksha Naimjanë e kaligrama të Apolinerit,
Imagjinata jonë shëtiti qiejt e Parajsës e të Ferrit,
Deri sa hasi në koknjgjeshësinë apokaliptike të vjedhjes.

Në rafte e arkiva, dituria u mblodh pikë, pikë, pikë...
E rrodhi si qumësht blete në hojet e skedave, shkruar me bojë pelikani,
Ne thithëm me etje çdo bulëz, ditë pas dite, si udhëtari i shkretëtirës, një mirazh oazi,
Pa ditur, se shkatërruesit e mëdhenj, do të shkelnin gjithçka në një ditë.
*****************
Një vemje leshatore, që kurrë nuk u bë flutur,
U zvarrit nga balta e sjellë në Lidhjen e Shkrimtarëve,
Rrëshqanthi, me jargë shkumëzuese, eci mbi trutë e qytetarëve,
Dridhëllitëse e gjithçka lëpirëse, vrimosi fole në zemrën e kubit brinjëbukur.

Në mjediset akademike të kubit, vemja shtroi mësallat,
Në pjata ricikluese të mediokritetit u vollën lavdërimet për pseudo-lirikun,
Shpërthyen gazrat e promovimeve, metafora u zëvendësua me kikirikun,
Për Servantesin, Simeonin, Edgar Alan Po-në, filluan andrallat...

Për mĕngjes çohej me sytë kokërrizuar, si sy prej mize,
Faqet e librave i ngjasonin me një kartmonedhë,
Leon Tolstoi, herë si mijëshe, herë si pesëdhjetëshe e verdhë,
E Mopasani, si fletë-kaushi, ku pangopësinë e tij do të hidhte...

Nga kreu në çdo raft e keqja rrodhi rrëke,
Në tempullin e Pepos, Kallamatës, Qafëzezit,
Nga poçja e bytymtë e vjershëtor-pekmezit,
Në çdo skutë e çdo kënd, ligësia ngreu fole.

Rënkuan "Visaret e kombit" e shfrynë "Valët e detit"...
Prishanikët dergjeshin pllazheve, për të nxjerrë shejtanin "dë barkut",
Pështjellë me avujt e hashashtë të qoftëlargut,
I thurën vargje servilësh, fytyrës Leshtore, të hyqymetit.
********************
Ka pesë mijë vjet, që libri udhëton,
Në udhë argjilore, papirusesh e pergamene,
Shkruar me kunja, pendë të arta e majëpene,
Në beteja zjarresh, harresash e zyrtarucësh, me syze e papion...

Zyrtarucë me kolltuqe biruar, prej vemjes para-krimbur,
Që në luftën antilibër, ngrehin centurione injorantësh,
Me galop sulen në kuadrate korrupsion-elefantësh,
Me fjalime llafemanësh pështymë-hidhur.

Në errësirë hienat u mblodhën një e nga një,
Nga gojët e uritura iu rridhnin jargë të etshme:
Ta shqyejmë pa mëshirë diturinë e përjetëshme !
Verdikti ulëriu në zyrën numër një.

Mbi një cohë të leshtë thëngjillosur vendimi,
Ekzekutimi i bibliotekës me unazë të zezë ishte vulosur,
Dostojevski pas murit përpëlitej i krrupullosur, 
Virginia Woolf, zhveshur në katër mure, dridhej prej thëllimi.
****************************
Në sallën e ftohtë kryemanekini zgjati dorën e dylltë,
Rrëmbeu një libër bukur të trashë,
E grisi një tubë fletësh me gjishtërinjtë si mashë,
Ethshëm me to, fshiu syzet e kavanozta me xhame të mbrylltë.

Vështrimin e mjegullt përtueshëm hodhi përpara,
Rradhë, rradhë, kukullat prej lecke,
Me kafkën bosh, me trutë e ngrëna nga mola,
Nxitonin, kushtë ngrinte dorën e para.

Sublimja u ngurros në kuti të zeza marmelate,
Ku librat e flakur rrëmujshëm, me ngjitës shirit u pranguan,
Dialogët e Heminguejt, me saçma mediokriteti u sulmuan,
Remarku, ndjekur prej libërprishësve, sërishmi u arratis nëpër natë.

Varri i Thimi Mitkos u trondit në errësirën tinzare,
Eshtrat e Asdrenit prej lëndimit rënkuan,
Vetullat e Mihalit zemërueshëm u harkuan,
Lakçia ndjeu përsëri nën brinjë një goditje vrastare.

I ngazëllyer prej krimit vandali buzëqeshi vesh më vesh,
Përgjatë kostumit të shtrenjtë, fshiu gjak-bojën në duar,
Numëroi plot tre milionë, për krimin paguar,
Para tij, copëra titujsh e autorësh, masakrruar në shesh.

Por në trup, në fytyrë e tek balli, syzeve përsipër,
Një stërnjollë me shkronja të zeza shkruar trashë,
Si një lëkurë bualli, djegur e rrjepur me mashë,

Përjetësisht i mbeti damkosur, me damkën: njeriu ANTILIBËR.


Nga: Erget Cenolli.