Showing posts with label Dhimiter Pilika. Show all posts
Showing posts with label Dhimiter Pilika. Show all posts

Wednesday, November 30, 2016

Letra e plotë e Dhimitër Pilikës për Enver Hoxhën


                                                     2 Prill 1967
                               I nderuari dhe i dashuri shoku Enver
                        Ju kërkoj të falur që po ju shqetësoj me këtë letër.

‘Interesimi atëror që kini treguar personalisht vjete me radhë për shëndetin tim, punën, të ardhmen dhe brengat e mia, në Çekosllovaki dhe këtu, më ka bërë borxhli për gjithëmonë. Jam përpjekur me tërë mundësitë e mia ta meritoj këtë nder të veçantë dhe ju zotohem se paskëtaj do të shkrij çdo thrimezë energjie në vetvete që edhe tek ne të realizohet sa më parë ideali i Marksit, që të ketë “për të gjithë bukë dhe trëndafilë”. I nisur nga qëllimi që të evidencohet gjithçka pozitive ruhet në traditat tona patriotike mijravjeçare, që të luftohen pikpamjet antishqiptare të historianëve të huaj reakcionarë, dhe që kështu e kaluara t’i shërbejë së sotmes, rraha të botoj ndonjë punim në revistën “Ylli”.

Disa javë më parë, këto shkrime u kritikuan në Institutin e historisë dhe të gjuhësisë, edhe, ndër të tjera, u qëllua dy herë pohimi “si të thuash, edhe një frymë të theksuar internacionaliste” që theksonja në “Letrën e Skënderbeut” (faqja e parë) lidhurazi me karakterin e ndihmave q’u pat dhënë Gjergj Kastrioti miqve dhe aleatëve. Këtë ide dhe citatin përkatës e pata huajtur në Institutin e historisë së Partisë pranë K.Q. të P.P.Sh. nga fjala juaj e 27 prillit 1965 (f. 4), por, duke respektuar dëshirën tuaj që ajo ligjëratë të shërbente veç në përdorim të brendshëm, nuk jua pata përmëndur emrin në shtyp.

Për sqarim, duke ju lypur ndjesë, po lejohem t’jua bashkëngjit këtu të gjithë artikujt e mij të botuar te “Ylli”, me lutjen tepër të guximshme që, në gjetshi diku ndonjë copë kohe të lirë, t’i gjykoni e të më dënoni: do ta prisnja ndëshkimin tuaj përzemërsisht si ilaçin më shpëtimtar, aq më shumë kur edhe unë vetë, sipas porosisë së Partisë dhe tuajës, po çrrënjos me vetëdijë dhe pa mëshirë çdo çfaqje të unit në jetën time, prej të cilit burojnë gjithë të këqiat.

Në vijim të kësaj situate, pasi qeshë shprehur kundër të metave të ndonjë punonjësi të Institutit të historisë dhe gjuhësisë, u kritikova sidomos sikur paskam synuar të denigrohej Instituti vetë, gjë që nuk e kam shkuar ndonjëherë ndër mënd as edhe në ëndërr.


Me që e ndjej ndërgjegjen të larë fund e majë nga xanxa të tilla, dhe këtë jam gati ta provoj duke dhënë sakaq edhe jetën time në shërbim të idealeve të Partisë sonë, marr guximin t’ju lutem të kujdesi që të rishikohet një interpretim i tillë i fakteve, i cili më ka kthyer në gjysmë njeriu dhe gati sa s’po më bën të loz mëndsh me gjithë familje. I bindur në drejtësinë e Partisë dhe tuajën, mbetem gjithënjë nxënësi juaj besnik me respekt dhe mirënjohje për jetë”.

(Shënimi ynë:  Pellazgologu ynë i madh Dhimitër Pilika edhe para lutjeve drejtuar diktatorit nuk i shpëtoj internimit në baltrat e myzeqesë. Dosjet  fshehin emrat e ‘vampirëve’ që sot jo vetëm nderohen por familjet e tyre e kanë kthyer në pronë private ‘shtetin, pushtetin edhe shkencën’. Në letrën që vijon Dhimitër Pilika kërkon  mëshirë nga Enver Hoxha pasi ‘Instituti i historisë edhe i gjuhës ’ e ka vënë në shënjestrën e radhës per t’ia marrë frymën duke ia pirë gjakun ashtu sikurse kishte ndodhur me shumë të tjerë si:  Bernardin Palaj e Donat Kurti, Lazër Shantoja e Nikollë Gazulli, Pashko Gjeçi etj . Në këtë kohë instituti drejtohej nga Stefanaq Pollo i shquar për persekutimin e Eqerem Çabejit edhe shumë të tjerëve.  Në institut një rol të rëndësishëm kishin edhe Aleks Buda e Dhimiter Shuteriqi. Sot pjellët e tyre vazhdojnë të jenë paria e vendit…paria e një vendi që nuk ka për të bërë kurrë prokopi me pjellët e vampirëve. Altin Kocaqi)