Asdreni, ky poet i rrallë dhe atdhetar i flaktë që u zhgënjye nga monarkia
Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë shqipe si Asdreni i madh shkëlqeu në dy periudhat e rëndësishme shqiptare. Ai i përket fazës së fundit të Rilindjes Kombëtare dhe njëkohësisht periudhës së Pavarësisë. Për fatin e tij të madh ai pati një krijimtari të shtrirë në kohë dhe me shumë kulme.
Asdreni do të lindte në qytetin e lavdishëm të Korçës, në vitin 1872 dhe formimin e tij të parë do e merrte në këtë qytet të famshëm për kulturën dhe atdhedashurinë. Për arsye ekonomike do të emigronte drejt Rumanisë ku vazhdoi shkollën e mesme dhe më pas fakultetin për shkenca politike. Jeta nuk ishte aspak e lehtë për të. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike do të punojë shpejt në gjithë farë lloj punësh të rënda.
Në atë vend ku gjithkund lëvronte ideja kombëtare, ku kishin lulëzuar shoqata të mëdha dhe të rëndësishme patriotike ai që në fillim do të edukohej me çështjen atdhetare shqiptare dhe shpejt do të bëhet një militues i denjë i shqiptarizmës.
Do të ishin fillimet e viteve 1900 ku do të botojë poezitë e para dhe do të gjykohej si një prej talenteve të së ardhmes së Shqipërisë. Poezia e tij karakterizohej nga kushtrimi për çështjen e lirisë dhe në poezitë e para ai do të kishte një ndikim absolut nga poeti ynë i madh Naim Frashëri. Në vitin 1904 botoi vëllimin e parë poetik me titullin “Rreze dielli” që shënoi një bum në krijimtarinë shqipe dhe poeti i ri do të përshëndetej dhe nga Çajupi, i cili do të shprehej se Naimi nuk vdiq, por vendin e tij e zuri një tjetër talent i ri shqiptar.
Asdreni do të bëhej shpejt një nga udhëheqësit e çështjes së shqiptarizmës. Do të çelë një shkollë shqipe në Kostancë ku do të mësonin fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë.
Kishte një personalitet të jashtëzakonshëm dhe ishte i gjithanshëm. Do të bëhet nismëtar i mbledhjes së fondeve për kryengritësit e Kosovës, do të bashkëpunonte me personalitetin tjetër shqiptar, Nolin, për shkëputjen e kishës shqiptare nga ajo greke dhe do ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit ku u vendos shpallja e Pavarësisë. Po atë vit do të dalë vëllimi i dytë i tij me poezi “Ëndrra dhe lotë” ku do të dalë dukshëm një talent i rrallë që solli një ndihmesë të paçmuar në përhapjen e kulturës dhe ideve të Rilindjes Kombëtare.
Në vitin 1914 Asdreni do të kthehet në atdhe që të ndihmonte në forcimin e shtetit kombëtar, por gjeti një vend të mbushur me trazira dhe me kryenëçësi e çudira shqiptare. I zhgënjyer do të kthehet përsëri në Rumani. Ishte një personalitet që ndikoi në të gjitha ngjarjet e mëdha politike shqiptare. Do të priste me gëzim Kongresin e Lushnjës dhe do t’i bënte jehonë luftës së Vlorës.
Por ai do ishte një kundërshtar i rreptë i politikave të Zogut dhe vendosjes së monarkisë në Shqipëri. Për shkak të zhgënjimeve të mëdha që pësoi nga jeta politike shqiptare do të tërhiqet nga jeta publike duke shprehur në heshtje mospranimin e tij. Në vëllimin e tij të tretë “Psallme murgu” ka aludime për qëndrimet e tij dhe për zhgënjimin e madh që ai pësoi.
Do të kthehet dhe një herë tjetër në Shqipëri, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, por do të pritet ftohtë. Zhgënjimi i tij i madh u vu re dhe në veprat e tij që pjesën më të madhe e ka lënë në dorëshkrime.
Asdreni u shqua në veprat e tij lirike si poet i himnit dhe marshit. Ai është autor i himnit kombëtar shqiptar .
Në veprat e tij do të zë vend ashtu si dhe Çajupi plaga e rëndë e kurbetit, ikja e trurit shqiptar në mërgatë etj. Asdreni do të ketë një veçansi në krijimtarinë e tij. Për herë të parë në letërsinë shqipe ai trajton problematika shoqërore ku vëren ndryshimin mes klasave të pasura dhe popullit dhe i vë theksin forcës së madhe që ka populli në zhvillimin e historisë dhe të atdheut.
Ai pati një vend të rëndësishëm dhe shumë të çmuar në letërsinë shqipe si një zë i veçantë dhe tejet domethënës. Një nga kryeveprat e tij është kjo poezi e famshme që po jua përcjellim për ta lexuar:
Lulekuqja
Lulëkuqja e mjera
Asgjëkundi s’ka shtëpi
E shkon jetën n’arrati
Ajo s’ështe si të tjera
S’ka stoli!
Fushës, kodrës, del vetiu
Verës ngrohet, dimrit ngrin
Vetë shkunde, vetë mbin
Dhe, kur skuqe, vjen veriu
Dhe e përfshin
Nëpër këmbë gjith’ e shkelin,
Vend në kopshtet ajo s’ka
Dorë ndihme kurrre s’pa;
As e mbjellin, as e vjelin
Shkoi u tha…
Po veç ngjyra e saj si zjarri,
Si një yll që xixëllon
Tërë bota e imiton
Është shenjë për së mbari
Nga shikon
Ajo ngjyrë kur zë shfaqet
Mbreti fronë shkon e lë
Njerëz robër fare s’sheh
Vjen e drejta del në faqet
Si Zot je
Ajo ngjyrë nd’ato fletë
Është shpresa që tregon
Një të ardhme q’ëndërron
Është flamuri ynë vetë
Që valon
No comments:
Post a Comment