Sunday, June 11, 2017

Ç’U BË AI QË AQ SHUMË TË DESH!





Ç’U BË AI QË AQ SHUMË TË DESH!

Kur mërzia të ulet pranë,
Dhe pikë e lotit nuk të shterr,
Ndonjëherë ke pyetur vallë,
Ç’u bë ai, që aq shumë të desh?



Thonë e vrau trishtimi i shkretë,
Thonë buzëqeshja s’iu khye më,
Thonë zemrës i nguli një heshtë,
Thonë u hodh në det e s’doli më.

Thonë u çmend e mori malet,
Thonë s’i zë më vendi vend,
Thonë me zërin e zogjve çmallet,
Se i ngjasojnë me zërin tënd.

Thonë e panë të shkonte tutje,
Herë ngrihej, herë shembej,
Përpiqej të mblidhte lule
Se i ngjasonin me aromën tënde.

Humbur pyjeve me ahe
Qan me lot shkëmb më shkëmb,
Përgjon vallen e sorkadheve,
Se i ngjasojnë me hapin tënd.

Qëndron shpesh tek burimet,
Uji rrjedh, vështron me ëndje,
Qan e qesh me gurgullimet,
Se i ngjan me të qeshurën tënde.

Prehje s’gjeti asnjë ditë,
Në çdo çast të sjell ndërmend
Lisave vështron hardhitë,
Se i ngjajnë me gërshetin tënd.

Kujton ditët e asaj moshe,
Trazuar njëlloj me detin.
E mban mend kur ti i thoshe,
Mos të lutem, mos gërshetin!

Ti jeton, je shënd e verë,
Por shpirti brengës s’i shpëton,
A ke pyetur ndonjëherë
Në është gjallë; a rron, a s’rron?

Në të thënçin që ka vdekur,
Në të thënçin që është gjallë,
Lajmin vallë si do ta presësh
Do të qeshësh a do të qash!..
VEPROR HASANI




No comments:

Post a Comment