DUHET TË KRENOHEMI ME SHËN ALBANIN?
Një mik të cilin e nderoj dhe e respektoj, më bëri sot një pyetje të bezdisshme. Një pyetje nga ato që mund ti përgjigjesh në dy mënyra. Të thuash përgjigjen që ti e di, se pyetësit i pëlqen të dëgjoj, ose, në të kundërt, të përballesh me rrezikun e keqkuptimit sepse, për të mos u keqkuptuar, do të duhet të shtjellosh fijet e një përgjigjeje të gjatë, të gjatë sa një libër që ka të paktën njëqind faqe dhe, për fatin tim të keq, miku im edhe pse atdhedashës…
Nuk i pëlqen të lexoj!
Cila ishte pyetja sepse…
Edhe juve, njësoj si miku im, nuk ju pëlqen të lexoni?
Mos u mërzitni, tash do t’iu a tregoj…
***
– Më thuaj, a është Shën Albani, shqiptar? – më pyeti miku.
– Për kë Alban e ke fjalën, sepse shenjtor me emrin Alban ka të paktën tre. Dy nga Anglia dhe një nga Gjermania.
– Fillo prej atij nga Anglia, – më urdhëroi miku.
– Të parit apo të dytit?
– Të parit! – ma ktheu miku.
– Ti ndoshta po më pyet nëse Shën Albani ishte Ilir? – e pyeta i pushtuar nga ndjesia e keqe se miku po më shtynte drejt një gracke.
– Ilir, shqiptar, njësoj është, – ma ktheu miku shpërfillës për vërejtjen time.
– Si të them, edhe aq njësoj nuk është, – guxova ta kundërshtoja.
– Pse s’qenka njësoj, – mu përgjigj miku duke u vrenjtur në fytyrë i pakënaqur nga kundërshtimi im i ndrojtur.
– Po ja, ti je i biri i Xhemalit dhe, Xhemali ishte i biri i…
– Adilit! – plotësoi i sigurt miku.
– Xhemali ikte në punë me biçikletë kurse ti, ke makinë. Xhemali ishte i gjatë kurse ti je i shkurtër. Xhemali ishte biond kurse ti tullac. Xhemali kishte gjashtë kalamaj, kurse ti…
– Mjaft! – ma preu fjalën miku dhe shtoi me inat, – Nuk kam nevojë të ma tregosh ti, sesi ishte im atë.
– Pra… Edhe pse je i biri Xhemalit, ti nuk je si Xhemali. Arsye kjo, për të cilën, ke edhe një emër të ndryshëm nga yt atë. Përfytyro tani sesa ndryshon ti, nga Adili, gjyshi yt. Keni jetuar në kohë të ndryshme, keni respektuar ligje dhe besime të ndryshme, jeni ushqyer ndryshe nga njëri tjetri. Ty të pëlqen uiski dhe redbulli, kurse Adilit i pëlqente rakia dhe uji i ftohtë.
– E çlidhje ka e tëra kjo me Shën Albanin?
– Asgjë! Doja thjesht të shpjegoja se përse, të qenit shqiptar dhe të qenit ilir, nuk është e njëjta gjë. Shqiptarët janë pasardhës të arbërve dhe arbrit pasardhës të ilirëve. Shqiptarët kanë trashëguar shumë nga gjuha dhe traditat e ilirëve dhe të arbërve por, nuk janë as ilirë dhe as arbër, sepse një pjesë akoma më të madhe të këtij thesari, gjuhës dhe traditave, e kanë braktisur apo humbur rrugës.
– Ok! A është Shën Albani, Ilir?
– Shën Albani ishte legjionar në territorin e Anglinë së sotme që asaj kohe, quhej Britani apo toka e britëve, kurse, vetë ishulli i Britanisë, quhej Albani, nga ku, rrjedh edhe emri Shën Alban, pra, shenjtori i parë i krishterë i Albanisë. A ishte legjionari që më pas do të shpallej nga kisha shenjtor, me origjinë Ilire? Edhe mundet… Ama, po aq shumë, mund të ishte kelt, gal, gjerman, skithas apo italik. Pse jo, edhe nubian apo egjiptian. Romakët e kishin zakon, që në vendet e pushtuara ti shpërndanin toka legjionarëve që dilnin në pension, të ngrinin koloni siç quanin ata. Të lindurit në Iliri, Britani apo Gali, nuk do të thoshte aspak që ishe një britan, gal apo ilir.
– Po atëherë, përse Britania quhej Albani? Përse Shqipëria quhet njësoj? – më pyeti miku dhe pastaj i ngazëllyer, u përgjigj po vet, – Sepse ja kemi vënë emrin neve, Albanët!
– Apo jo? – shtoi pastaj duke vërejtur mëdyshjen time.
– Ilirët apo Pellazgët, por jo shqiptarët – e korrigjova.
– Ilirët apo Pellazgët, – pohoi ai i pakënaqur.
– Një lidhje e ka por …
– Ma shpjego… – më urdhëroi prerazi miku.
– Kam shkruar një libër mbi këtë temë,– ia ktheva unë.
– Ohu, libër! Ma thuaj me dy fjalë!
– Nëse do të mund të ta shpjegoja me dy fjalë, nuk do të më duhej të shfletoja njëqind libra për të shkruar në fund, mbas shtatë vjetësh, një të vetëm me 700 faqe, që, për besë, e di që nuk mjaftojnë…
I frikësuar nga ideja e leximit të një libri (zoti i ruajt shqiptarët nga librat), miku im ju rikthye temës së Shën Albanit.
– Ah, sikur dikush të vërtetonte se Shën Albani ishte shqiptar, – rënkoi plot afsh.
– Ilir, – ndërhyra unë.
– Njësoj është, – ma ktheu shpërfillës me vështrimin e ngurosur diku larg si të ëndërronte diçka të përtejme që mendja ime ishte e kotë të përpiqej ta cikte.
– Përse? Përse mendon që është kaq e rëndësishme të qenit ilir i shën Albanit? – e pyeta plot kureshtje.
– Për tu krenuar që një shqiptar përhapi krishterimin në Britani. Mendo pak, gjithë këta njerëz të mëdhenj… Kostandini dhe gjithë ata të tjerët. Perandorët ilirë të Romës. Ata të Bizantit. Vezirët dhe pashallarët shqiptarë të Perandorisë Turke. A nuk duhet të jemi krenarë me ta?
“Ja gracka së cilës i druhesha”, mendova, dhe pasi u mendova edhe ca, vendosa të fshihesha pas fjalëve me të cilat Sami Frashri, një nga etërit e kombit tonë, këshillonte Shqiptarët se me kë duhet të krenoheshin…
“Shqiptarёt, gjatë gjithë historisë së tyre, kanё dëshmuar qё janё tё zotё edhe me kordhё edhe me pendё, edhe me trimёri edhe me mёnd e dituri. Shqipёria ka nxjerё shumё njerёz tё shquar e me nam tё madhё po asnjё prej tyre nuk ka punuar pёr Shqipёri, e cila ka mbetur gjithnjё e varfёr dhe e padёgjuar, e me djemtё e saj janё mburrur kombe dhe vende tё tjera. Ështё ndodhur njё shqiptar i zoti tё ngjalli Egjiptin e tё bёjё prej kёtij vendi tё humbur e tё prishur si ishte, njё vend tё pasur e tё ndritur si ёshtё sot, por kurrё nuk ёshtё gjendur dikush ti bёjё Shqipёrisё njё tё mirё tё kёtillё. Prandaj themi me hidhёrim nё zemёr qё; shqiptarёt kanё punuar gjithmonё pёr botёn dhe kurrё pёr vete…
Vetёm njё Skёnderbe ka punuar nё kohrat e shkuara pёr Shqipërinё dhe vetёm ay ёshtё vёrtet mburrje pёr Shqipёrinё”
Të krenohemi dhe të shëmbëllehemi vetëm me ata që kanë punuar dhe janë sakrifikuar për kombin e tyre, këshillon Sami Frashëri dhe, shembuj heronjsh të tillë kemi plotë edhe në historinë e Ilirëve…
Të mirënjohur si mbreti Bardhyl, Kliti, Glauku, Agroni, Teuta, dy Batot e kryengritjeve ilire dhe shumë e shumë heronj të tjerë, emrat dhe historitë e të cilëve do ti njihnim sikur, ah, sikur të mos merreshim me “lavditë” e atyre që “punuan për të tjerë” dhe të zbulonim e lexonim, të nxirrnim mësime nga historia e popullit tonë.
Por…
Për ta bërë këtë, fatkeqësisht, “historitë” me “dy fjalë” të Fb (siç i pëlqejnë mikut tim), jo vetëm që nuk mjaftojnë, por, janë edhe të dëmshme.
Përse?
Po të shpjegoja se përse, ky shkrim do të zgjatej shumë dhe ju…
Hmmm….
Nuk do ta lexonit!
Tiranë. 22. 06. 2016
No comments:
Post a Comment