Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ në bashkëpunim me
Shoqatën ‘La Svolta’,
me Bashkitë e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Durrësit dhe me
dy Komuna arbëreshe në Kalabri, do të përkujtojnë 550-vjetorin e betejës së
fundit me fitore të ushtrisë arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në
Krujë, më 24 prill 1467, pas një rrethimi të tejzgjatur nga pushtuesi osman.
Kjo ngjarje e rëndësishme mbarëkombëtare do të kryhet në datat, 22 - 24 prill
2017.
Dëshirojmë që ‘Vallja e Fitores’ të bëhet traditë e përvitshme në
Shqipëri, për të vizituar e demonstruar simbolikisht këtë ngjarje historike në
Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të
Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit sipas këtij programi:
Do të vijnë 50 vetë (burra, djem, gra, vasha e fëmijë) të pajisur me veshje
tradicionale.
Në pasditen e dt. 22, grupi do të shkojë në Krujë, ku nga
shtatorja e Gjergj Kastriotit, përmes Pazarit e deri brenda në Kështjellë, arbëreshët
do të shpalosin traditën e kahmotshme të trashëguar nga brezi në brez për më
tepër se 500 vite, të betejës për jetë a vdekje të ushtrive osmane-arbërore, ku
nga më i moshuari e deri te më i mituri, do të ndalin vajtimin e do të shijojnë
gëzimin e fitores.
Ditën e dytë, në paraditen e dt. 23, grupi do të bëjë
homazhe te Mauzoleu (vendvarrimi) i Gjergj Kastriotit në Lezhë, datë që përkon
me ditëlindjen e Gjergjit, më 23 prill 1405 dhe ditën e martesës së tij me
Donikën, më 23 prill 1451. Pasdite, grupi do të vizitojë Kështjellën ‘Rozafa’
në Shkodër, ku do të shpalosen traditat arbërore edhe atje.
Ditën e tretë, në
paraditen e dt. 24, grupi do të vizitojë kështjellat; në Lezhë e në Kepin e
Rodonit. Pasdite, grupi do të vizitojë Muzeun Arkeologjik dhe në fund,
Amfiteatrin e Durrësit.
Elida Jorgoni
No comments:
Post a Comment