Ç’u bë ai, që aq shumë të desh
Kur mërzia të ulet pranë,
Dhe pikë e lotit nuk të shterr,
Ndonjëherë ke pyetur vallë,
Ç’u bë ai, që aq shumë të desh.
Thonë e vrau trishtimi i shkretë,
Thonë buzëqeshja s’iu khye më,
Thonë zemrës i nguli një heshtë,
Thonë u hodh në det e s’doli më.
Thonë u çmend e mori malet,
Thonë s’i zë më vendi vend,
Thonë me zërin e zogjve çmallet,
Se i ngjasojnë me zërin tënd.
Thonë e panë të shkonte tutje,
Herë ngrihej, herë shembej,
Përpiqej të mblidhte lule
Se i ngjasojnë me aromën tënde.
Humbur pyjeve me ahe
Qan me lot shkëmb më shkëmb,
Përgjon vallen e sorkadheve,
Se i ngjasojnë me hapin tënd.
Qëndron shpesh tek burimet,
Uji rrjedh, vështron me ëndje,
Qan e qesh me gurgullimet,
Se i ngjan me të qeshurën tënde.
Prehje s’gjeti asnjë ditë,
Në çdo çast të sjell ndërmend
Lisave vështron hardhitë,
Se i ngjajnë me gërshetin tënd.
Kujton ditët e asaj moshe,
Trazuar krejt, njëlloj me detin.
E mban mend kur ti i thoshe,
Mos të lutem, mos gërshetin!
Ti jeton, je shënd e verë,
Por shpirti brengës s’i shpëton,
A ke pyetur ndonjëherë
Në është gjallë; a rron, a s’rron.
Në të thënçin që ka vdekur,
Në të thënçin që është gjallë,
Lajmin vallë si do ta presësh
Do të qeshësh a do të qash
Vepror Hasani
No comments:
Post a Comment