Tuesday, January 3, 2017

Poezi nga Gentjan Hasanas

Poezi nga Gentjan Hasanas
------------------------------

Doli plumbi nga zemra
mbushi një krehër revolveri,
gishti u tërhoq nga këmbëza;
mollët e rrëzuara
u ngjitën nëpër degë.
Ne të dy...
ngrihemi nga shtrati,
fillojmë e veshim lakuriqësinë;
mbaron me një puthje,
më thua ''aud et!''.
Pastaj...
shkojmë dorë për dorë
buzë liqenit
që po u kthen ujin lumenjve
...(volos..2..1..17.(

-----------------------------------------------------------------
                                                           Fantazmat, 
maskuar si pisha, 
zbresin malit 
nuse me të bardha.


Kuajt
me shkëmbinjë më ngjasojnë, 
orizi, që vjen nga qielli, 
dëborën më kujton.
Sot, 
martohen hijet e bardha 
njërën prej tyre e njoh, 
(premtimet s'treten në asnjë botë).
Pa diell, 
pa zogj, 
pa ngjyrën e livadheve, 
por prapë është bukur.
Këndon 
damari i një lumi nën tokë 
e mua më çahet zemra.
Fluturo, ti Hënë, 
mbi nuset e bardha, 
stolisua ballin me argjend.
E le të thonë për mua: 
"Është i çmendur,
gëzon mes pyllit si i marrë!"

------------------------------------------------------------------------------------------

HEMISFERAT

Ne jetojmë në dy hemisfera të ndryshme,
jemi aq larg sa…
kur ti më mallkon të martë
mallkimet s'më zënë… se këtu është e mërkurë
(Ngatërrohen portat e ditëve e vdesin në udhë)
Të shtunë më the: 
Jam e trishtuar, më dogji malli,
të dielën binte shi,
një vijë rrufeje çau zemrën e qiellit.
Kur…
pema jote mes mollëve, çel dhe hënën,
dielli im ngroh vezët e një ëndrre
Kështu që…
dashuria jonë mbeti e patrup
(Nuk u prekëm kurrë).
Jetojmë 
në dy hemisfera të ndryshme të planetit,
si planeti i trurit me dy hemisferat e tij
Koncepti i një dashurie gjigante
është fëmija i pjellë nga mendja jonë 
për hatër të atij, nuk ndahemi dot…

Gentjan Hasanas
...(volos..14..12..15.(






No comments:

Post a Comment