Sunday, January 15, 2017

ERNEST KOLIQI, NJI NGA MJESHTRAT MA TE MËDHENJ TË LETËRSISE SHQIPE.. - Shkruan Ramadan Musliu

NË DATËN E SOTME, 15 JANAR TE VJETËS 1975, NDRROI JETË NË ROMË, ERNEST KOLIQI, NJI NGA MJESHTRAT MA TE MËDHENJ TË LETËRSISE SHQIPE..

ENERGJIA E VIZIONIT KOLIQIAN
Gjatë Panairit Ndërkombëtar të Librit në Tiranë (nëtor, 2003), një zonjë, kur më pa te stenda e Shtëpisë botuese “Faik Konica” të Prishtinës, duke blerë kompletin e veprave të Koliqit, më tha: "Qenka i bukur për vitrinë!". 
“Nuk e bleva për vitrinë, zonjë, e as për vlerat artistike, të cilat i ka me bollëk, por vetëm pse ne në Kosovë i kemi borxh historik këtij njeriu, sepse themeloi arsimin shqip më kohën kur ishte ministër “kuisling…” 
Askush sot në Tiranë e në Prishtinë nuk di ta shpjegojë racionalisht idealizmin kosovar ndaj Shqipërisë. Shpesh na bie të dëgjojmë se ky idealizëm është absurd dhe logjikisht i paarsyetueshëm, se kinse i ka burimet te solidariteti marksist – leninist etj. 
Mirëpo në thelb të këtij idealizmi nuk është asgjë tjetër vese shfaqje në përmasën e vetë e idealizmit koliqian mbi kombin, i cili është transmetuar nga rreth 300 mësues të ardhur nga Shqipëria në Kosovë dhe Maqedoni me urdhër të vetë Ernest Koliqit në kohën kur ishte ministër i arsimit në qeverinë “fashiste”. Këta mësues, prej të cilëve sot shkëlqen shembulli i Metuzalemit të shkollës shqipe të Kosovës, Mehmet Gjevori, arritën të përhapin idenë e njësisë shqiptare, e cila qëndron në thelbin e veprës intelektuale, letrare dhe iluministe të Koliqit. 
Botimi i kompletit të veprave të Koliqit, projekt i realizuar me shumë sukses nga Shtëpia botuese “Faik Konica”,e sidomos falë angazhimit të jashtzakonshëm të shkrimtarit Hasan Hasani në mbledhjen dhe sistemimin e një lënde kaq voluminoze, ndërron fundekreje pikëpamjet tona mbi letërsinë shqipe. 
Koliqi, si themelues i revistës “Shejzat”, ka ndikuar në ruajtjen e një lloj kontinuiteti dhë të konceptit të njësisë “letërsi shqipe”, që ishte fragmentuar për pesë dekada të realizmit socialist në Shqipëri dhe mbylljen hermetike të kufirit me Kosovën dhe botën. Ernest Koliqi në studimet e tij mbi letërsinë dhe kulturën shqipe promovoi në praktikë konceptin lansonian mbi nevojën e një historie letrare. 
Çdo vështrim mbi letërsinë shqipe të para Luftës së Dytë Botërore, pa interpretimin dhe vizionin e Koliqit do të jetë i mangët. Pastaj të mos flasim për krijimtarinë e tij në prozë e dramaturgji, që është faqe më vetë në modernitetin letrar shqip, Vepra e tij që mban në harmoni estetikën me etikën, në thelb ka njësinë shqiptare që në fakt paraqet një iluminizëm modern, i cili sot i mungon intelektualizmit shqiptar. 
As letërsia shqipe në Kosovë (A. Pashku, T. Dervishi, B.Musliu, Y.Shkreli, J. Buxhovi, Z. Rrahmani, etj) nuk mund të kuptohet pa frymën e Koliqit. Duke qene artist me vizion, ndonëse vepra e tij është përcjellë edhe me ndonjë ironizim të tipit te realsocit mbi shpresat e kota të tij mbi rënien e komunizmit (Kadare për dramën e Koliqit “Rrajet lëvizin”), Koliqi mbetet një ekzemplar më vete në letrat shqipe, monument letrar dhe shembull i intelektualit iluminist, për të cilin kanë nevojë të gjithë kohët, aq m shumë kohët e turbullta në të cilën po jetojmë sot. (2004) 

Ramadan Musliu

No comments:

Post a Comment