NË DATËN E SOTME, 15 JANAR TE VJETËS 1975, NDRROI JETË
NË ROMË,
ERNEST KOLIQI, NJI NGA MJESHTRAT MA TE MËDHENJ TË LETËRSISE SHQIPE..
ENERGJIA
E VIZIONIT KOLIQIAN
Gjatë
Panairit Ndërkombëtar të Librit në Tiranë (nëtor, 2003), një zonjë, kur më pa
te stenda e Shtëpisë botuese “Faik Konica” të Prishtinës, duke blerë kompletin
e veprave të Koliqit, më tha: "Qenka i bukur për vitrinë!".
“Nuk e bleva për
vitrinë, zonjë, e as për vlerat artistike, të cilat i ka me bollëk, por vetëm
pse ne në Kosovë i kemi borxh historik këtij njeriu, sepse themeloi arsimin
shqip më kohën kur ishte ministër “kuisling…”
Askush sot në Tiranë e në
Prishtinë nuk di ta shpjegojë racionalisht idealizmin kosovar ndaj Shqipërisë.
Shpesh na bie të dëgjojmë se ky idealizëm është absurd dhe logjikisht i
paarsyetueshëm, se kinse i ka burimet te solidariteti marksist – leninist etj.
Mirëpo në thelb të këtij idealizmi nuk është asgjë tjetër vese shfaqje në
përmasën e vetë e idealizmit koliqian mbi kombin, i cili është transmetuar nga
rreth 300 mësues të ardhur nga Shqipëria në Kosovë dhe Maqedoni me urdhër të
vetë Ernest Koliqit në kohën kur ishte ministër i arsimit në qeverinë
“fashiste”. Këta mësues, prej të cilëve sot shkëlqen shembulli i Metuzalemit të
shkollës shqipe të Kosovës, Mehmet Gjevori, arritën të përhapin idenë e njësisë
shqiptare, e cila qëndron në thelbin e veprës intelektuale, letrare dhe
iluministe të Koliqit.
Botimi i kompletit të veprave të Koliqit, projekt i
realizuar me shumë sukses nga Shtëpia botuese “Faik Konica”,e sidomos falë
angazhimit të jashtzakonshëm të shkrimtarit Hasan Hasani në mbledhjen dhe
sistemimin e një lënde kaq voluminoze, ndërron fundekreje pikëpamjet tona mbi
letërsinë shqipe.
Koliqi, si themelues i revistës “Shejzat”, ka ndikuar në
ruajtjen e një lloj kontinuiteti dhë të konceptit të njësisë “letërsi shqipe”,
që ishte fragmentuar për pesë dekada të realizmit socialist në Shqipëri dhe
mbylljen hermetike të kufirit me Kosovën dhe botën. Ernest Koliqi në studimet e
tij mbi letërsinë dhe kulturën shqipe promovoi në praktikë konceptin lansonian
mbi nevojën e një historie letrare.
Çdo vështrim mbi letërsinë shqipe të para
Luftës së Dytë Botërore, pa interpretimin dhe vizionin e Koliqit do të jetë i
mangët. Pastaj të mos flasim për krijimtarinë e tij në prozë e dramaturgji, që
është faqe më vetë në modernitetin letrar shqip, Vepra e tij që mban në harmoni
estetikën me etikën, në thelb ka njësinë shqiptare që në fakt paraqet një
iluminizëm modern, i cili sot i mungon intelektualizmit shqiptar.
As letërsia
shqipe në Kosovë (A. Pashku, T. Dervishi, B.Musliu, Y.Shkreli, J. Buxhovi, Z.
Rrahmani, etj) nuk mund të kuptohet pa frymën e Koliqit. Duke qene artist me
vizion, ndonëse vepra e tij është përcjellë edhe me ndonjë ironizim të tipit te
realsocit mbi shpresat e kota të tij mbi rënien e komunizmit (Kadare për dramën
e Koliqit “Rrajet lëvizin”), Koliqi mbetet një ekzemplar më vete në
letrat shqipe, monument letrar dhe shembull i intelektualit iluminist, për të cilin
kanë nevojë të gjithë kohët, aq m shumë kohët e turbullta në të cilën po
jetojmë sot. (2004)