Pas
ultimatumeve e vetove që Greqia u ka dhënë shpesh fqinjëve, Athina zyrtare mori
sot një ultimatum nga ministri gjerman i financave, Volfgang Shojble. Para takimit
të ministrave të financave të Eurozonës që mbahet të hënën, Shojble
paralajmëroi Greqinë: Ose kryej reformat jopopullore, ose dil nga blloku!
“Nëse Greqia
kërkon të qëndrojë në Euro, nuk ka rrugë që i bihet rrotull. Lehtësim të
borxhit nuk do të ketë, sepse kjo nuk e ndihmon vërtet Greqinë”, tha zoti
Shojble, duke ia shuar shpresat qeverisë greke, e cila kërkon prej kohësh
lehtësim të borxhit.
Qeveria greke
ankohet se borxhi prej 330 miliard Eurosh që ka marrë për të shpëtuar nga
falimentimi paraqet një barrë të rëndë e cila nuk e lë të rimëkëmbet, kurse
Gjermania ngul këmbë se interesat janë të ulëta prandaj pengesa kryesore është
mungesa e reformave në Greqi. Kryeministri Cipras gjendet kështu jo mes dy, po
mes shumë zjarresh.
Nga njëra anë
i ka caktuar vetes vija të kuqe për të mos pushuar nga puna shumë njerëz në
administratën e fryrë dhe reformat për privatizimet ecin shumë ngadalë për
shkak të protestave popullore, nga ana tjetër Eurogrupi nuk lëshon pe për të
lehtësuar borxhin, pas zgjedhjeve në disa vende evropiane, rrezikon të humbasë
edhe miqtë e mbetur, si kryeministrin italian Mateo Renzi dhe, më e keqja, nëse
vëmendja e Evropës zhvendoset në problemet financiare të Italisë,
Greqia do të
shndërrohet me të vërtetë në një qoshe të harruar të ekonomisë së
kontinentit.
No comments:
Post a Comment