Showing posts with label kush e vrau. Show all posts
Showing posts with label kush e vrau. Show all posts

Saturday, February 4, 2017

KUSH E VRAU MIKUN TIM ALTIN KOCAQI?


KUSH E VRAU MIKUN TIM ALTIN KOCAQI?

Nuk kam njohur tjetër njeri që ta donte jetën më shumë sesa Altini. 
Këtë, dashurinë e tij të tejskajshme për jetën e vura re (disi me dyshim dhe habi), tek buzëqeshja e tij e madhe, e ngrohtë dhe e panjollë si ajo e një fëmije, herën e parë që u takuam. 

Prisja të përballesha me dikë krejt të ndryshëm sepse takimit, i kishte paraprirë një debat i ashpër në FB, por, në vend të vetullave të vrenjtura ai më buzëqeshi njësoj... Njësoj sikur ishim miq të vjetër. Sikur të kishim kaluar së bashku fëmijërinë, adoleshencën dhe aventurat e rinis dhe të tillë... 

Miq të vjetër që çfarëdo që të ndodhë nuk munden ti mbajnë mëri njëri tjetrit, do të ngeleshim deri në fund, sepse, ajo që na bashkonte, ishte paanësisht më e madhe se çdo dasi e mundshme, besoj, edhe më e madhe se vetë humbella e vdekjes. 

Dashurinë për jetën Altini e shprehte kudo; në batutën e radhës që nuk harronte kurrë ta bënte ndërsa të ftonte për kafe, në ngrohtësinë prej babai me të cilën të shtrëngonte dorën, në kënaqësinë me të cilën lëvizte lugën në filxhanin e kafes kur rrëfente për të birin, për bashkëshorten, për shijen e ushqimit që kishte ngrënë në mëngjes, baltën që i kishte ndotur këpucët apo rrebeshin që i kishte njomur shpinën ndërsa kalëronte motorin e tij të vogël. 
Por... 
Ishte diçka tjetër ajo që Altini e donte më shumë se jetën dhe... 
Kjo diçka tjetër ishte ATDHEU! 

Dashuria për kombin të cilit i përkiste, i kishte ngarkuar Altinit një mëkat të madh mbi shpinë. Mëkatin e quajtur patriotizëm. Nuk e kam fjalën këtu për atë mori individësh që bëhen patriot vetëm kur luan kombëtarja e futbollit, për bankier e financier, horra e morra që përdorin patriotizmin vetëm për të mbledhur pare duke mballosur reklamat e tyre me shqiponjën, flamurin apo simbole të tjera kombëtare. As për politikanët e radhës që papritur e pa kujtuar veshin maskën e patriotit për të fshehur skandalet apo për të mbledhur vota. 
JO! 
Altini nuk ishte një patriot i kësisoj! 
Altini ishte një patriot i vërtet!
Një nga ata që i japin atdheut gjithçka kanë, pa i kërkuar asgjë në këmbim, dhe madje, pa i shkuar aspak në mëndje që për dashurinë e tyre duhet të marrin diçka në këmbim. Një dashuri pa kushte, e panjollë, njësoj si buzëqeshja e Altinit. 
Këtij mëkati të parë, tek Altini, i shtohej një mëkat i dytë...

Altini ishte një patriot intelektual...
Kur shkruaj intelektual, nuk e kam fjalën për doktoro – akademikët shterp të universiteteve kioska dhe as për ata të ekraneve TV që me shumë gjasa kanë të paktën 30 vjet që nuk kanë lexuar një libër, e ndoshta, nuk dinë të lexojnë në gjuhën shqipe më shumë sesa një mesazh telefonik, por, për një intelektual të vërtet, një intelektual i cili për nga hapësira e dijeve që zotëronte do të nderonte çdo universitet evropian. 

Në vitin 2009, Altini boton “Shqipja Pellazge”. Në vitin 2013 “Dokumente historike – gjuhësore” (vendi i shqipes ndër gjuhët evropiane). Në vitin 2015 – 2016, përkthen dhe përgatit botimin në shqip të veprave; “Studimet Shqiptare” dhe “Mbi gjuhën shqipe” të shkruara nga albanologët Panajot Kupitori dhe Franz Bop.
Por...
Bota e doktoro – akademikëve shterp të universiteteve kioska shqiptare, vendosën ta vrasin Altinin me thikat e përbuzjes dhe të heshtjes. Të njëjtat armë përdorën edhe ekranet e TV që tërbohen nga ngazëllimi kur është fjala për të reklamuar librat mediokër të politikanëve mediokër, gazetarëve mediokër apo dashnoreve të tyre.

Me tehun e ftohtë të thikave të përbuzjes dhe përçmimit, Altini u përball edhe kur paraqitej në zyrat e institucioneve të ashtuquajturit shtet shqiptar për të paraqitur projekte për mbrojtjen dhe hulumtimin e kulturës, gjuhës dhe historisë së kombit tonë. 

“Të financojmë një libër ku rrëfehet historia e një heroi shqiptar të panjohur? Të financojmë për ngritjen e një qendre të kulturës shqiptare në Rekë, Tetovë apo Ulqin? Një dokumentar për historinë e lashtë të Epirit? Mbi arvanitasit jo e jo... Ç’marrëzi janë këto? Ne kemi pare për koncerte çingijesh, për libra me vrima e vrimash, për bunker art dhe art bunkerësh, por... JO! Qoftë larg... Për kësisoj mynxyrash me atdhe dhe histori që ti nxjerr nga goja, ne, shteti shqiptar, nuk jep financime!” 

Disa herë e shoqërova Altinin (të cilit, e pamundura që një ditë, në zyrat e shtetit shqiptar do të gjente dikë që ta donte Shqipërinë, i ngjante e mundur) në kësisoj pelegrinazhesh nëpër zyrat e shtetit shqiptar, por pastaj, me gjithë aftësinë e tij për të më nxitur të qeshurën, ndërsa më kujtonte vështrimin e sekretarucëve të sekretarëve ministror që na shihnin të habitur sikur të ishim marsian kur rreshtonim listën e gjatë të të mirave që do të sillnin për kombin përmbushja e projekteve të paraqitura, e braktisa. 

Institucionet e shtetit Shqiptar... 
Ministrira të ç’kulturës dhe të ç’arsimit...
Hëë! 
Nuk mundem të harroj atë zyrtarucin e kollarisur të njërës prej këtyre ministrive që e pyeti Altinin se kush ishte e nga vinte dhe, ndërsa nuk i bënë aspak përshtypje titujt e librave të shkruar nga Altini, merr një pamje të habitur kur ky i rrëfeu se për shumë vite kishte qenë emigrant në Greqi. 
“Përse u ktheve në Shqipëri kur mund të merrje shtetësinë greke?” e pyet zyrtaruci. 

Edhe pse aq e pakuptueshme dhe absurde për zyrtarucin e shtetit shqiptar (shqiptar?) Altini, e kishte përbuzur shtetësinë greke sepse, marrëzisht, ndjehej shqiptar, ndjente se i kishte borxhe kombit që e kishte lindur. Nëse do ti shiste trupin dhe shpirtin shtetit grek, pa dyshim që do të ishte pasuruar. Por Altini nuk pranoi ti shiste trupin dhe shpirtin një shteti që nuk ishte ai i kombit të tij dhe u kthye në Shqipëri. 

Ahh! 
Në Shqipërinë e tij, tuaj, timen, ku patriotizmi është mëkat dhe krim!
Kur horrllëku është nder dhe lavdi!
Institucionet e kulturës të çdo shteti tjetër të botës do ta kishin për nder ta kishin Altinin pjesë të administratës së tyre, kurse në Shqipëri, Altini ishte i papunë...

Thikat nguleshin e nguleshin por dashurinë për atdheun, buzëqeshjen dhe punën e pa ndalur të Altinit për kombin, nuk mundën ta vrisnin. 
Në çdo vend të botës, Altini do të nderohej dhe vlerësohej si intelektual, kurse në Shqipëri, shikohej me përbuzjen dhe mospërfilljen me të cilën shihet dikush që nuk është i aftë të gjej një punë... 

Punë? 
 Mijëra e mijëra orë të harxhuara mbi faqet e librave të shkruar, mijëra të tjera të harxhuara në rrjetet sociale sepse, siç thoshte Altini, të rinjtë ka nevojë të mësojnë të vërtetën. Po këto çfarë ishin? Nuk ishin punë? 
E pra..
Ato mijëra orë, të shndërruara në tre libra dhe dhjetëra shkrime të botuara në rrjetet sociale ishin një punë kolosale për kulturën e kombit shqiptar!
Gjithçka në shkëmbim të asgjëje... 
Hiç! 
 Por ai buzëqeshte dhe nuk reshte së dashuri kombin sepse e dinte që, dashuria e vërtet, ajo e pastra, e panjolla si buzëqeshja e tij, është të duash, të përpiqesh, të sakrifikohesh, pa kërkuar dhe pa shpresuar asgjë në këmbim dhe, thikat, të dukshme e të padukshme nuk pushonin së nguluri në trupin e tij...
Të jesh intelektual në Shqipëri (e përsëris, nuk e kam fjalën për intelektualët shterp të universiteteve kioska etj, etj,) është një mëkat i rëndë. 
Të jesh patriot në Shqipëri është një mëkat po kaq i rëndë dhe i dënueshëm sa i pari. 
Të jesh edhe intelektual edhe patriot, në Shqipëri është një mëkat vrastar.
Vrasja e çdo intelektuali patriot shqiptar është shoqëruar nga një arsye apo vrasës ordiner. Dhaskal Todri o vra aksidentalisht nga kaçakët që vidhnin udhëve. Naum Veqilharxhit ja merr jetën një sëmundje e panjohur nga e cila nuk kishte vuajtur kurrë. Sëmundje të ngjashme, të papritura dhe ordinere, i morën jetën edhe Anastas Kulluriotit, Panajot Kupitorit, Aristidh Kolës. Pandeli Sotiri hidhet nga kati i tretë i shtëpisë... 
Ohhh! 
Lista deri tek Altini është e gjatë!
Thika ordinere që kërkoi të rrëmbente jetën e Altinit, të papunit Altin, autorit të tre librave me fragmentet e vjedhura nga të cilat, doktoro – akademikët shterp të universiteteve kioska do të nxitojnë të mbrojnë doktoraturat e ardhshme, nuk ishte ajo e fundit sepse... 

Të fundit i mori në spitalet kasaphana të shtetit shqiptar (shqiptar?), shtet shqiptar (shqiptar?) që për Altinin nuk kishte lek ta dërgonte të kurohej jashtë shtetit sepse... 
Altini nuk ishte as horr dhe as politikan. 
Altini ishte një intelektual patriot, i papunë deri në vdekje... 
Ashtu si të gjithë intelektualët patriot shqiptar. 
Do të ishte qesharake ti bëja thirrje prokurorisë që të niste hetimet mbi vdekjen e Altinit. 
Madje...
Nuk ju bëj thirrje as shqiptarëve që të heqin dorë sa nuk është vonë nga adhurimi i horrave dhe shushunjave që po i thithin gjakun dhe shpirtin kombit tonë. Altini e di... Unë nuk i besoj thirrjeve publike dhe as peticioneve por, në këmbim, i jap fjalën Altinit që nuk do të heq dorë nga rruga të cilën, edhe pse për pak kohë, kryem së bashku. 

Mirupafshim miku im i mirë! 
Mirupafshim në tokën e heronjve të kombit shqiptar!
Shpresoj që ZOTI I SHQIPTARËVE të më dhuroj, së bashku me buzëqeshjen, edhe forcën tënde për të punuar pa u ndalur, guxuar dhe shpresuar që ditë më të mira do të vijnë për kombin tonë.
Bujari
03.02.2017.
----------------------------------------------------------------