Serbia dëshironte që luftën tonë çlirimtare në Kosovë me 1998-1999, ta kthejë në luftë fetare, atëherë sikur lufta jonë të hidhej në përkufizimet fetare ajo luftë nuk do të kishte përfunduar kurrë. Ushtrisë
Çlirimtare te Kosovës iu bashkëngjitën me mijëra djem e vasha nga Kosova, shqiptarë e shqiptare nga Amerika, Gjermania, Franca, Zvicra, Britania e Madhe, të mos i përmend të gjitha shtetet, kurse propaganda serbe dhe ajo antishqiptare thoshte për mijëra muxhahedinë nga Lindja e Mesme dhe pjesëve tjera të botës që po iu bashkohëkan UÇK-së në luftë kundër Serbisë.
UÇK-ja nuk e pranoi këtë propagandë sa armiqësore aq edhe ndjellakeqe. UÇK-ja, e dinte mirë se në mesin e tyre nuk ka pasur shqiptarë që kanë folur rrjedhshëm gjuhën arabe për t`u marrë vesh lehtë me muxhahedinët , për kundër asaj që nga Konferenca Islamike ( Pakistan 1998 ) deklarohej se ““se separatizmi shqiptar në Kosovë e Metohi karakterizohej si “xhihad “.(luftë e shenjtë).
Lufta e UÇK-s ishte luftë e shenjtë kombëtare por jo, kurrën e kurrës fetare.
Derisa para dhe gjatë luftës “raportohej” për ardhjen e luftëtarëve islamikë për t`iu bashkuar UÇK-së, gazeta “The TIMES”( Londër, 26. 11.1998) shkruante: ”Derisa për shqiptarët muxhahidinët paraqesin një katastrofë publike, presidenti Millosheviq e forconte regjimin e tij duke portretizuar luftën e Serbisë si luftën e tyre të mbrojtës së Evropës nga Islami. “
Edhe serbët e dinë, edhe bota myslimane e ajo e krishtere e di shumë mirë që në radhët e UÇK-së ka pasur shqiptarë të të gjitha besimeve, jo vetëm si ushtarë por edhe si komandantë dhe se kanë kontribuar me të holla e armatim shqiptarët e të gjitha konfesioneve fetare. E gjithë bota e di se shqiptarët e të gjitha feve e besimeve kanë qenë të masakruar, të çnjerëzuar, të djegur e të dëbuar e të deportuar . Të gjithë që nga Lindja e Perëndimi, nga Veriu e Jugu e dinë që polici, ushtari, paraushtaraku serb nuk ka vrarë se pse ishim myslimanë, apo sepse ishim katolikë, por se pse ishim shqiptarë. ((Fahri Xharra: Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare, zoti Davutoglu! E Hëne,18.07.2011)
“The Scotsman”, më 30.11. 98, nga gazetari Chris Stephen raportonte nga Prishtina: ”Përafërsisht një e katërta e UÇK-s janë shqiptarë jomyslimanë dhe se gjatë gjithë kohës lufta me serbët, lufta e shqiptarëve nuk është luftë fetare por kombëtare.”
“The Scotsman” i cekte burimet e larta të UÇK-së: “ Është qëndrim i qartë se ne nuk i duam ata (muxhahidinët) në mesin tonë, dhe asgjë nga ata. Edhe pse ishim të këshilluar nga miqtë tanë, ne kemi pasur parasysh këtë edhe më herët” ( Fjala është për takimin e Zot. Holbrook në Zhenevë me disa nga krerët e luftës , 1998 )
Pra? E bëra një përshkrim të shkurtër për tentimet serbe dhe reagimin shqiptar të Kosovës në prag dhe gjatë luftës.
Duke e parë qëndrimin e shqiptarëve të Maqedonisë të ikjes së tyre nga vetvetja dhe afrija me turqit deri në vetëmohim kombëtar , e ngrehi një pikëpyetje të madhe se pse u bë ajo luftë ? (Pa dashur të mohoj aspak se edhe në Kosovë , pas luftës së 1999-ës u panë tendencat e organizuara shumë mirë kundër po asaj lufteje e asaj fitoreje të pritur një mijë vjet. U tentua ,bile edhe shumë që Kosovën ta shndërrojnë në një vend islamik ( me kushtetutë islamike) ; por si duket këtu reagimi dhe vetëdija kombëtare ishte më e lartë dhe milionat e derdhura nga shërbimet ruso-turke për qëllim të caktuar nuk patën sukses. ( rreziku ende është , ai nuk është fikur )
Është e pakuptueshme që Lufta i 2001-ës në Maqedoni e ndryshoi strukturën e të menduarit shqiptar , paslufta e rriti humbjen e vetëdijes kombëtare dhe e zvogëloi dëshirën për të qenë shqiptar. Shikoni , kur një pjesë e madhe e shqiptarëve i ka ndërruar emrat nga ata shqip në ata turko-arab kjo nuk do koment .
Populli shqiptar i Maqedonisë duhet ta dijë mirë se sa më shumë thirrje të bëhen për mos festimin e Vitit të Ri , aq më shumë i humbin shanset e të qenit shtet formues në vendin e tyre . Populli shqiptar i Maqedonisë duhet ta di mirë se i takojnë Europës , dhe se ata e dinë mirë se ku nuk festohet ( e edhe ndalohet kremtimi ) i Vitit të Ri.
Kremtimi apo moskremtimi i festave univerzale të Europës nga shqiptarët në Maqedoni ,po kësaj Europeje ia tregon të vërtetën e dëshirës shqiptare që të jetë në rrugën e saj apo dika tjetër. Kujdes or popull !
Të parët tanë thoshin: “ Katun`i që shihet nuk do udhërrëfyes “
Fahri Xharra,22.12.16
Gjakovë