SERISH AKTUALE...!
LIRIA – ILUZION
“LIRI, BARAZI, VËLLAZËRI“
Emblema – zjarr e një revolucioni
U dashuruam pas saj dhe unë edhe ti
Jemi mashtruar miq, më...mos besoni
Kur u ngjize dhe kur linde kush të pyeti
A do, a s’do të vish në këtë jetë...?!
Me vargun romantik të një poeti
Nuk ardhka paqja as barazia e vërtetë.
Prindët kur të përkëdhelen nuk u shtirën
Por shume nuk të pyetën si për dreq
Të edukuan me bindjen për të mirën
As qe e mendonin se po benin keq...!?!!
Tatëpjetën - rrokullimë kur merr jeta
Dhe "komb" i burrit e humb burrërinë
E çoroditur nga zullumet mendje – shkreta
Rrokulliset e pabusull në greminë .
Mos vallë instiktet e pushtuan botën
Dhe njerëzimi drejt absurdit shkon
E qorruar Politika s’e ndjen shqotën…
Që pa u ndalur na tërheq në hon … ?!
Do presim Zotin, Krishtin, Muhametin ?
A Budën, që ta ndalin këtë batërdi …
Apo të gjithë, në këmbë do ngremë SHTETIN
Sa vite Politika na gënjen në sy …?
Lirinë, drejtësisë së SHTETIT ja besoj
Dhe nuk dëgjoj më fjalë magjistricash
Që të më mbushin mendjen, nuk denjoj
T’i përkund ëndrat nëpër erza picash…!
Por nëse SHTETI i paturp na gënjen
Me njerëzinë tallet, sillet me dredhi
Instikti qënien dhunshëm e rrëmben
Dhe vjen ajo që s’do ta doja... ANARKI…!
Lame Qirka
Tirane …Mars 2015
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
No comments:
Post a Comment