Wednesday, March 8, 2017

'Foleja Kombëtare Shqiptare' Kërkesë drejtuar: Ministrisë së Kulturës dhe ministres, znj. Mirela Kumbaro.




‘Foleja Kombëtare Shqiptare’

Kërkesë drejtuar: Ministrisë së Kulturës dhe ministres, znj. Mirela Kumbaro.

Titulli i Projektit: "Rikthimi i bijve të shqipes në folenë e shqiponjave"

            Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ në bashkëpunim me Shoqatën ‘La Svolta’, me Bashkitë e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Durrësit dhe me dy Komuna arbëreshe në Kalabri, do të përkujtojnë 550-vjetorin e betejës së fundit me fitore të ushtrisë arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në Krujë, më 24 prill 1467, pas një rrethimi të tejzgjatur nga pushtuesi osman.

Kjo ngjarje e rëndësishme mbarëkombëtare do të kryhet në datat, 22 - 24 prill 2017. Me dëshirën që ‘Vallja e Fitores’ të bëhet traditë e përvitshme në Shqipëri, kërkojmë mbështetje nga Institucioni juaj për të vizituar e demonstruar simbolikisht këtë ngjarje historike në Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit.

Sipas këtij programi: Do të vijnë 50 vetë (burra, djem, gra, vasha e fëmijë) të pajisur me veshje tradicionale. Në pasditen e dt. 22, grupi do të shkojë në Krujë, ku nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, përmes Pazarit e deri brenda në Kështjellë, arbëreshët do të shpalosin traditën e kahmotshme të trashëguar nga brezi në brez për më tepër se 500 vite, të betejës për jetë a vdekje të ushtrive osmane-arbërore, ku nga më i moshuari e deri te më i mituri, do të ndalin vajtimin e do të shijojnë gëzimin e fitores.

Ditën e dytë, në paraditen e dt. 23, grupi do të bëjë homazhe te Mauzoleu (vendvarrimi) i Gjergj Kastriotit në Lezhë, datë që përkon me ditëlindjen e Gjergjit, më 23 prill 1405 dhe ditën e martesës së tij me Donikën, më 23 prill 1451. Pasdite, grupi do të vizitojë Kështjellën ‘Rozafa’ në Shkodër, ku do të shpalosen traditat arbërore edhe atje.
Ditën e tretë, në paraditen e dt. 24, grupi do të vizitojë kështjellat; në Lezhë e në Kepin e Rodonit. Pasdite, grupi do të vizitojë Muzeun Arkeologjik dhe në fund, Amfiteatrin e Durrësit.

Ju lutemi, miratoni kërkesën tonë!
Me respekt: Elida Jorgoni - kryetare e Lëvizjes ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’

E-mail:jorgonielida@yahoo.com Cel.: +355 68 254 3709 Nr. 178 prot. Tiranë,07.03.2017

No comments:

Post a Comment