Wednesday, November 30, 2016

Sylejman Qyqalla Sonte...Urime festat e Nëntorit,im atë!

Sylejman Qyqalla  Sonte...Urime festat e Nëntorit,im atë!

SONTE
(Tim eti,Ramiz Qyqalla,që vdiq në këtë datë,në këtë orë,më 1988)
Jo,jo...sonte nuk po të lë në varr;
dua të flasim si burrat,si atëherë.
Shqipërinë e pate zemër,sa ishe gjallë...
"Të paça,-thoshe,-i madhi Enver!"
Askë s'deshe mbi komb e flamur..,të gjithë e dinë...
(Sa shumë,o im atë,për ty kam për të thënë!)
unë ende të kërkoj,si ti,që kërkoje Shqipërinë...
Sa shumë më the e shumë mbete pa më thënë!
Sonte s'jam vetëm...jam me ty,si shokë-gju më gju,
do flasim për Gjon Sereqin,për Marije Shllakun;
"Do të vie dita 'sha zotin,trojet kem' me i bashku...
Shqipnisë së re,-thoshe,-kem' me ia vnu duvakun!"
Sonte,veç ti do të flasësh,o im atë,veç ti,
më ka marrë malli-tmerrësisht më ka marrë.
"Ah Shqipnia ime,sa shumë paske hafi...
Sa shumë plagë t'banë,si mos me pasë djalë!"
Sonte...sonte do ta djegim,si atëherë me plis;
flamurin kuqezi,si atëherë,e ngrita mbi çati.
"Jem' shqiptarë,o bir,me farë e me fis...
kemi veç nji komb e veç nji Shqipni!"
Sonte...Urime festat e Nëntorit,im atë!
06.03.2012
GJITHË SHQIPTARËT JANË SHQIPËRI
Nga gjumi seç u zgjova rënd
I qullur nga një ankth tërë djersë...
Isha në ëndërr me babanë,
Luftëtar më dyzet e pesë.
Sa më erdhi keq kur u zgjova
Që tim atë e pashë veç në ëndërr,
Atë që mezi shpëtoi gjallë
Në Tivar...në famëkeqin masakër.
Dhe djersët i fshiva me fanelën
Që m'u gjend aty rastësisht...
Im atë nuk tundej nga rrëmujat
Që pushtuesi i bënte paturpësisht.
Më vjen keq për babë Ramizin;
Ishte trim i vërtetë e luftëtar,
Ushtar e mik i Gjon Sereqit
Tani po prehen në varr...
Dhe ëndrra po mekej,po shuhej
Bashkë me babain tim Ramiz...
Si nuk e kisha pranë ta përqafoja
Në mjekrrën që ia rruaja rregullisht!
Dhe vdiq ai me dorën grusht,
Apo veç mbylli sytë,kushedi...
Me zë të ngjirur mezi nxori:
"Gjithë shqiptarët janë Shqipëri!"
Bensheim,254 mars 1997

No comments:

Post a Comment