Wednesday, November 30, 2016

Cikel Poezie - Nga Puntorie Ziba


LOT
 ( Tani po i vë shpirtit një gur
 dhe ju lus të mi nxirrni sytë.)
Në altarin prej dy kokrra sysh

lumenj lotësh
që derdhen kur vjen e ik një grusht stinë
kur ndahen rrugët
kur piqen kumbullat binjake
dhe në një fron, kokulur nusërojnë vajzat
pranë pirgjeve ëndrra ngujuar,
ku plakat tundin degët e mendjes
dhe me gishtin e unazës
në kyçet e gishtërinjve
numërojnë vitet,
kur hutimthi pikon gjethja
dhe pas dy stinësh,
nadje hap petalet një lule
që kruspullohet në muzg
nga shkrepjet terratisëse.
Në altarin e syve të mi pas çdo rrëzëllitjeje
mpiksen lotët
kokrra-kokrra kristali
mbi mollëzat e kërcyera
që filluan vyshkjen.
Unë që sot
po i vë shpirtit një gur
dhe ju lus të mi nxirrni sytë e mbufatur
prej çurg lotësh,
ngaqë pata rrëzëllitje të pakthyeshme
me ata që rash në ujdi.
Gruaja e ve
(variantë)
Gruaja e ve

në arkën e vjetëruar
fsheh:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
dhe i ruan stinë pas stine
për t’i këmbyer me një fjalë goje.
Nata që zgjat i hedh terr
ajo qull këllëfin e linjtë me shi lotësh
dhe hap sytë
yllth më yllth
duke pritur agimin
për ta mbush zemrën me dritë.
Gruaja e ve
jeton me shikim të ngujuar në dritaren
sa një faqe kapixhiku
dhe asnjë sy nuk e prek.
Vjeshtë e dimër
pret një trokitje të lehtë
si puhizë
një shushurimë shavari
një gurgullimë të mbytur prej dallge,
por era s'pëlcet në xham
t’ia zgjon një nerv
t’ia merr një shikim
sa ta këmben me pemë stinësh
një gjysmë fjale për të mirë,
a për të keq.
Gruas së ve
afër qerpikut të syrit
të azurtë
i rrëshqasin sumbulla loti.
Kur ikin stinët
ajo ka mall të flet me zogjtë
sa ta lëvdoj dashurinë
mes shelgjeve të heshtura
e ta fyej burrin e parë
që kthehej pas mesnate si furtunë,
e t’i ngre në qiell fëmijët
urtarë
të përqafuar me jetën e tyre
në metropolet e mëndafshta...
Ah, ajo ndjell vdekjen e vetë të ngadaltë
dhe dëbon nga shqisa hundore
aromën e pemëve:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
që i ruan mot për mot
për t’i këmbyer me një fjalë goje.
Trungu im
Vaj si të shitoi zëri i kambanës

vaj si të mbeti një pëllëmbë fytyrë,
hiq gishtërinjtë dhe shiko formën në pasqyrë
njëqind dritare sterrë
as hëna e hënuar
as dielli i diellëzuar.
Pika-pika
lum loti në mullarin e syve të një idealisti,
furtunshëm kaloi nën qerpik
kur të rropën materialistët,
që u praptofshin e plaçin si qiqra.
Ikën stinët,ikën
erdhi vjeshta dhe kerrnjojnë gëzhojat e arrave,
gështenjave.
Trungu im,
vaj si tretën bij e bija me erërat:
maleve,oqeaneve...
Mbi koret lëkurore ca gjurmë shiu e bore,
gjurmë erërash e gjethesh.
Vaj, vaj trungu im
i gatuar me thonj urtarësh,
ditëve shenjëtore
mortja ta rropi lëkurën e ta hodhi në shtatë gardhe
dhe mbeti bima e helmët në grunore
e shtohen dertet...
Në sy të zanave bardhësi qefini
më shumë varre se lule bliri, përmbi
as dielli, dielluar
as hëna, hënuar
vaj,vaj medet...
Pika-pika
lum loti në mullarin e syve të një idealisti,
furtunshëm kaloi nën qerpik
se na rropën materialistët.


Puntorie Muça Ziba 
--------------------------------------------------------------------------------------------------

No comments:

Post a Comment