Ti e bukura e Zotit
Prapë me ty e kam, moj Korçë
Nuk të ndahem e s’më ndahesh
Jemi bërë simbiozë
Simbiozë bashkë me vargjet.
Mbase jemi lindur bashkë
Qysh në çastin e fillesës
Kur u hodh e lashta farë
Dhe të dha emrin e femrës.
Për të lindur brenda teje
Biri yt korçari i parë
E mbaj ment si qysh atëhere
U rrethove me korçarë.
Ti e bukura e Zotit
Çmende botën lakmitare
Veshur rroben e dashnorit
Përgjërimesh serenate.
Ti i luaje nga mentë
Nëpër çezmat ku i shpije
I tërboje posi qentë
Ujë të pinin nuk i lije.
Pa t’u sulën të tërbuar
Të ta prishnin virgjërinë
Ti, moj Korçë, vajzë e zgjuar
Prapë i le ujë pa pirë.
Sot shikoj një datë feste
Thonë është data e çlirimit
Por ti kurrë pushtuar s’mbete
As në kohët e pushtimit.
Të burgosën, të dreqosën
Çlirimtarët e tetorit
Virgjërinë kurrë s’ta morrën
As në kohën e terrorit.
Se ti prapë moj lozonjare
Me bekim të Perëndisë
Shkuar zonjës parisiane
Mbete yll i bukurisë.
@Edmond Shallvari
Selanik, 24 tetor 2013
No comments:
Post a Comment