Friday, October 7, 2016

DISA FJALË PËR LIBRIN “INTERVENIMI I NATO-S DHE E DREJTA HISTORIKE E POPULLIT TË KOSOVËS” TË SHKRIMTARIT, FADIL H. CURRI

DISA FJALË PËR LIBRIN “INTERVENIMI I NATO-S DHE E DREJTA HISTORIKE E POPULLIT TË KOSOVËS” TË SHKRIMTARIT, FADIL H. CURRI

Shkruan Prof. Zymer Mehani


           
Shkrimtari ynë i shquar, z. Fadil H. Curri, këtyre ditëve nxori nga botimi librin e tij të radhës “Intervenimi i NATO-s dhe e drejta historike e popullit të Kosovës”. Botues i këtij libri është Shtëpia Botuese  “Rugova Art”, me drejtor z. Naim Kelmendi (shkrimtar)., Prishtinë, 2016.
            Këtë libër autori Curri e fillon me PERSONALITETE-t, ku ka portretizuar shumë figura të historisë  dhe të kulturës sonë kombëtare, siç janë Enver Hadri, veprimtarishqiptar në Bruksel, Sadik Berisha, prof. i gjuhës dhe i letërsisë shqipe dhe shumë të tjerë.
            Më pas, autori vazhdon me një artikull, në të cilin përshkruan një moment jetik për lirinë e Kosovës, siç është intervenimi i NATO-s  mbi caqet e forcave të armatosura serbe, më 24 mars 1999, me qëllim, siç thotë edhe autori, për ta ndalur makinerinë vrastare të Millosheviqit dhe gjakderdhjen edhe më të madhe në Kosovë e më gjerë.
            Ushtarëve të NATO-s  dhe martirëve të lirisë, autori Fadil Curri, do t’u kushtojë edhe ca vargje në poezinë “Vargje mbi gurë”, të botuar së pari në faqen 2 të revistës së KEK-ut, në shtojcën për kulturë, nëntor 2003.:
"Qëndruat stoikë
Porsi Prometheu
Ndezët dritat maleve
Që të rrojë Mëmëdheu
Vargjet edhe këngët
S’do të shuhen kurrë
Do t’i shkruajmë ne
Në të mermertë gurë"

Më pastaj, autori do të vazhdojë të shpalos ca faqe të historisë sonë të dhimbshme, por edhe krenare të Kosovës, siç është edhe artikulli “Kosova e martirizuar”. Këtu z. Curri flet për padrejtësitë dhe dhunën sistematike, të cilën regjimi serbosllav e ushtroi ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Në këtë artikull përmendet edhe figura emblematike e rezistencës sonë kombëtare, Adem  Demaçi , të cilin regjimi  ish-jugosllav e kishte burgosur disa herë, duke e mbyllur në burgjet famëkëqija për 28 vjet me radhë.
Autori nuk lë pa na e rikujtuar edhe një figurë tjetër kombëtare. E ky është veprimtari i çështjes kombëtare dhe krijuesi letrar,  Ramadan Rexhepi, të cilin, ashtu si Demaçin, e kishin burgosur serbomëdhenjtë, me qëllim që ta ngulfasin lëvizjen e rezistencës kombëtare, por edhe kulturën shqiptare përgjithësisht.
Në vargun e figurave kombëtare, shkrimtari z Fadil Curri, do të shkruajë edhe për njërën ndër figurat e shquara të historisë së Kosovës dhe të rezistencës kombëtare, Fazli Greiçevcin, i cili nga torturat e rënda të regjimit, kishte përfundura me vdekje në qelitë e burgjeve ish-jugosllave.
Gjuetinë famëkeqe ndaj atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, regjimi serbosllav nuk do ta ndalte për asnjë çast. Kështu serbomëdhenjtë dhe spiunët e tyre me atentat i shuan dhe jetët e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe të shokut të tyre, Kadri Zeka.
Në burgjet serbosllave do të mbylleshin edhe një sërë figurash kombëtare, siç janë Xajë Nura, Kosovë-Rexhë Bala, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Autori, saktësisht na e rikujton edhe ushtrimin e dhunës nga regjimi serb ndaj intelektualëve të shquar, siç ishin Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Ismet Beka, vëllezërit Avni e Shukri Klinaku etj.
Me pietet, shkrimtari z. Fadil Curri do të përmend edhe poetët Selman Konjuha, Latif Berishën, Ymer Elshanin, prof. Fehmi Aganin, të cilët i kishte vrarë dora gjakatare serbe në luftën e fundit çlirimtare.

Në faqet e këtij libri lexuesi do të gjejë dhe shumë shkrime të tjera, të cilat te ne ngjallin krenarinë e të qenurit shqiptar. I tillë është edhe artikulli: “Retë e turbullta mbi qiellin e Kosovës”,  në të cilin përshkruhet rezistenca heroike e Nebih dhe Tahir Mehës në Prekazin liridashës, që ranë duke luftuar me policinë serbosllave, duke mbrojtur kullën shqiptare dhe qenien shqiptare.
Po ashtu në libër do të gjejmë edhe shkrime të vlefshme, që flasin për ngjarjet e zhvilluara në Kosovë prej 11 marsit 1981, kur shpërthyen demostratat masive të shqiptarëve  për Republikën e Kosovës e deri më 13 qershor 1999, kur Kosova u çlirua nga kulçedra qindvjeçare serbosllave. Mjaft interesantë janë edhe artikujt “Ngjarjet realitet”, “Sytë e Perëndimit nga Kosova”, “Demostratat e Pavarësisë”,”Nëntoka e Kosovës” dhe shumë artikuj të tjerë, në të cilët autori z Fadil Curri me përpikëri i përmbahet së vërtetës, duke i përshkruar shumë ngjarje, tamam ashtu siç ishin zhvilluar.
 Në faqet e këtij libri do të gjejmë shkrime edhe për figura të tjera kombëtare, që bënë shumë për Kosovën, siç ishte presidenti historik i    Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova-Kolosi i Pavarësisë. Më pas autori na i rikujton edhe bamirësit e kombit tonë, siç ishin Familja FONDA, Familja BEGOLLI,  dhe shumë familje të tjera, që ndihmuan në mënyrat më të ndryshme. Këtij vargu bamirësish i shtohet edhe Familja e Sadik FEKËS, Familja PAKASHTICA, Familja e Mustafë AVZIUT etj., etj.
Autori Curri, me një artikull do të na e rikojtojë edhe 23 marsin e vitit 1989, kur me pretekstin e ndryshimeve kushtetuese, pushteti serbosllav, i ndihmuar edhe nga vasalët Syrja PUPOVCI e Hazër SUSURI dhe disa të tjerë, dhunshëm e suprimuan Kushtetutën e vitit 1974, duke e rrënuar kështu autonominë e Kosovës.
Në faqe të këtij libri, autori shpalos edhe kujtimet e tij personale gjatë takimeve të shumta me shumë figura të shquara të politikës, kulturës, historisë etj, siç janë takimet e autorit me plakun e urtë, Prof, Anton Çetta, Don Lush Gjergji, Zekeria Cana, Adem  Demaçi e shumë të tjerë.
E Bacës Anton Çetta, autori do t’i thurë këto vargje:
“Baca ynë, Anton, o baca im
Parathënie e librit tim
Përballë dhembjes
Zbute frikën”!

Ndërsa Bacë Adem Demaçit, Poeti Fadil H. Curri do t’i drejtohet përmes vargjeve:
“Qëndrove si lis
Stoik, asnjëherë s’u përkule”

Po e përmbyll këtë vështrim timin me konstatimin se vlera e këtij libri është e madhe për faktin se na e hap edhe një dritare informacioni për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë viteve  ’80 e ’90 të shek. të kaluar në Kosovë. Prandaj, këto shkrime në prozë dhe në poezi neve do të na e ngrisin edhe më tej ndjenjën e atdhedashurisë.
Lexim të këndshëm, lexues të nderuar! 

Shkruan Prof. Zymer Mehani




No comments:

Post a Comment