Tuesday, September 20, 2016

"Zona e Paralizuar" ~ POEZI ~ Nga Gentjan Hasanas


POEZI

Nga Gentjan Hasanas



Zona e Paralizuar
dikujt i vajti mendja,
historinë e popujve
ta bëjë libër me nje fletë,

stolisur me korniza që të marrin mendtë.
në njërën anë Zogu,
në anën tjetër
një fshatar duke ngarë një parmendë,

e ndërsa fshatari i varej parmendës,
djersa e bënte brazdën e lagësht,
kokrra e grurit çahej,
të linte barrsë token.

rete e frymës të demit u bënë shi,
gjaku i gjunjëve që u mboll,
do të ishin lulekuqet.

në mbrëmje
me diellin perënduar në sy,
shkoi të blejë bukën.
kartmonedha me portretin e tij
nuk shkonte.

duhej monedha.
Vittore Emanuel III Iperatorio!
dëgjoi rënkimin e demave nën tokë
iu lut zotit,
shpirtin t’ua bënte mjelma,
t’i bënin brazda qiellit.

u stolis me korniza që të marrin mendtë.
një partizan me pushkë,
zejtor që ngarkon barin,
një grua me kallinj në duar,

Skenderbeu,
ca shtylla elektrike, minatorët,
erdhën dhe rilindasit,
Ismail Qemali,
Naim Frasheri,
Fan S. Noli,
Pjeter Bogdani,

Teuta, Aleksandri, Genti…
në anën tjetër firma e një guvernatori
dhe buka brënda vitrinës.


…(volos..14..2..16.(

No comments:

Post a Comment