LASGUSH PORADECI
Baladë
I
Fryn veriu në Mal të Thatë,
Thotë vasha lele ngriva.
Si duron mali dëborën.
Në të shtënça, moj, në dorë,
Do të ngroh si top dëborë.
II
Fryn një erë e shkundërmuar,
Thotë vasha çeli molla.
Çeli vashë, le të çelë,
Si çel malli mu në zemër.
Në ma dhënç, moj beln'e hollë,
Do ta thyej si mënjollë,
Do të shtrydh posi një mollë.
III
Vjen e bën një vap'e rëndë,
Thotë vasha bubu plasa.
Duro vashë, të durojmë,
Si duron kallir' і pjekur.
Në më ardhç,o moj, në hije,
Do t'і puth për dhemshurie,
Do t'і skuq t'і ndez qirie,
Do t'і nxi t'і bëj mavie,
Ato buzë gjak-qershie.
IV
Zun' e shkojnë dallëndyshet,
Thotë vasha po venitem.
Venitu, vashë, venitu,
Siç venitet zemra ime.
Në të marça moj, përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë
Do të puth të tretën herë
Buzë e gushë e gjinë e mjerë
Dh'atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë
Gjersa gjumi të më zerë,
Të më zerë e të më flerë
Syr' і urtë si mëshqerrë.
V
Vate dimri, vate vera,
Vate vjeshta përngahera.
Trim, më more-edhe më shtrove,
Trim, më ngrove-e më pushtove,
Trim, më puthe-e më mbarove,
Trim, o trim, seç trimërove.
VI
Atje lart në Mal' të Thatë,
Zoti – Krisht bëke një kishë.
N’atë kishë ç’paske brënda:
Qënka trimi edhe vasha:
Trimi, ç’paske dhëndëruar,
Vasha ç’paske nusëruar,
Zotin ç’paskan lavdëruar,
Jetën ç’paskan trashëguar,
Shpirtin ç’paskan shënjtëruar.
No comments:
Post a Comment