Tuesday, September 20, 2016

TE KODRA - Poezi nga Gentjan Hasanas


TE KODRA

Kur frynte erë... 
fillonte e regëtinte zemreku i mullirit,
zgjoheshin pleqtë;
ca mushka ngarkuar me grurë 
e dinin rrugën vetë. 
Shkarpat e thata ndisnin zjarrin, 
saçi bëhej gati...
Një grua fantazmë 
me gjinjtë e varur der në mes, 
në duar kishte një bukë të pjekur.

Kur frynte erë... 
tërshëra tundte kryet si gjarpri me zile;
mijëra këmbana të vogla. 
Dhitë i varnin në mjekra 
e sa herë këpusnin një gjethe lajthie 
ato tringëllonin të gjalla.
Mushkritë e kories bëheshin jeshile. 
me oksigjen dehej zemra e malit.

Kur frynte erë... 
unë e dija, 
ti lypsarja ime e dashurisë 
piqje në mangall misrat qumështorë të shtatorit 
e kërkoje lëmoshën time në çdo fytyrë këmbësori

Sot fryn erë... 
(si atëherë), me një prush në dorë 
të pres te kodra e mullirit.



Fotografia e Gentjan Hasanas
Gentjan Hasanas



                

No comments:

Post a Comment